Rezultatet e luftës për çlirimin e Tiranës

572
Sigal

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard
Zotaj


Bashkim Qeli, historian


Para
fillimit të mësymjes, u dhanë udhëzime që të viheshin në veprim të gjitha armët
e rënda, si artileria, mortajat, pushkët kundërtanke e mitralozat e rëndë.
Sulmi duhet të vijonte pa ndërprerje. Qëndresa që do të paraqiste armiku në
objektivat e parë të sulmit nuk duhej të ndalonte përparimin e forcave tona për
tu futur në thellësi të tij. Vendet që paraqitnin qëndresë, të mbaheshin të
veçuara dhe të kapeshin një nga një më pas. Gjatë natës së 10-11 nëntorit u
zhvilluan veprime sulmuese në të gjithë sektorët e mësymjes, pa ndryshuar
regjimin e mëparshëm të luftimeve. Kjo i hoqi mundësinë armikut që të zbulonte
përgatitjet që bëheshin për fazën përfundimtare të operacionit dhe për një
mësymje më të gjerë. Më 11 nëntor shtabet e brigadave, veçanërisht ai i Brigadës
VIII S dhe ato të batalioneve, u njohën me terrenin dhe organizuan luftimin, ku
përcaktuan mbrojtjen e armikut, sektorët dhe drejtimet e mësymjes, rendimin e
luftimit, objektet e sulmit, mënyrën e veprimit për marrjen e pikëmbështetjeve,
u dhanë detyrat luftarake, u organizua bashkëveprimi etj. Të gjitha armët e
rënda, si mortajat, mitralozat e rëndë, pushkët kundërtanke u vendosën në
pozicione të përshtatshme. Kujdes iu kushtua, organizimit të ndërlidhjes, për
të cilën u caktuan nga 4 lajmëtarë, që nga kompania e lart, dhe u organizua
ndërlidhja me radio ndërmjet shtabit të Divizionit dhe Korparmatës. 10 minuta
para se të kalohej në mësymje, mbi pikëmbështetjet e para të armikut u hap
zjarr i dendur dhe i përqendruar me të gjitha armët e rënda. I efektshëm ishte
veprimi taktik shpinëmarrës i një toge të batalionit të 5-të të Brigadës I S, e
cila gjatë natës së 10-11 nëntorit depërtoi në brendësi të armikut që mbrohej
në ndërtesat e Maternitetit e të shtypshkronjës “Atdheu”, e sulmoi atë në
befasi të plotë nga shpina dhe e kapi këtë rajon. Batalioni i 2-të i Brigadës I
S, sulmoi armikun në pikëmbështetjen te Burgu i ri, por nuk e mori dot. Pas
këtij veprimi, një pjesë e forcave e mbajti të rrethuar armikun ashtu si edhe
më parë, kurse pjesa tjetër përparoi në thellësi të qytetit dhe kapi ndërtesën
e Radio-Tiranës. Batalionet e tjera të Br. I S me sulme të shpejta e të
vijueshme kapën kodrat e Fuat Beut, ndërtesat e Legatës Amerikane, krejt
Pazarin e Vjetër etj.



Sukses arritën edhe forcat e Brigadës IV, VIII S të cilat me
krahët e brendshëm shpërthyen mbrojtjen e armikut ndërmjet kishës së Shën Prokopit
dhe kazermave “Shkumbini”. Një pjesë e forcave hynë thellë në zonën e Tiranës
së Re, duke mbërritur te fusha e Shallvares (Shkolla 8 vjeçare “20 vjetori” e
ndërtesat rreth saj). Në këto kushte armiku, për të mos rënë në rrethim në
kishën e Shën Prokopit, u tërhoq. Armiku, i detyruar nga sulmet e vrullshme të
forcave të tri brigadave, u tërhoq sidomos në sektorin e Tiranës së Re dhe u
grumbullua në qendër të Tiranës, si në: ndërtesat e ministrive, te Sahati,
hotel “Dajti”, Banka, Bashkia, hotel “Kontinental”, (hotel “Internacional”),
Shtëpia e Oficerëve. Gjithashtu ai qëndronte me këmbëngulje në kushte rrethimi
në pikëmbështetjet: Burgu i Ri, Pallati Mbretëror, kazermat “Shkumbini”. Armiku
në këto pikëmbështetje u mbajt i rrethuar për disa ditë, pa lidhje zjarri e
taktike me forcat e tjera të tij të rrethuara në qendër të Tiranës. Komanda
gjermane në këto kushte dha disa kundërsulme, me qëllim që të zgjeronte unazën
e rrethimit, të mbante të hapur rrugën e Elbasanit e të rimerrte Radio-Tiranën.
Kundërsulmi i armikut dhënë më 12 nëntor nga sheshi “Skënderbej” drejt rrugës
së Elbasanit nuk pati sukses, sepse batalioni i 3-të i Brigadës I S e goditi
atë në të dyja anët e rrugës nga Sahati e deri te Biblioteka Kombëtare (sot
dega e Bibliotekës Kombëtare) dhe e detyroi të hiqte dorë nga qëllimi i tij.
Kundërsulme të tjera të përsëritura dha armiku më 13 nëntor, drejt rrugës së
Kavajës (rruga “Konferenca e Pezës”) të shoqëruar me disa autoblinda, me anën e
të cilave mundi të rimerrte Radio-Tiranën vetëm për pak orë, sepse forcat e
batalionit të 2-të të Brigadës I S e ato të batalionit të 3-të të Brigadës VIII
S e kapën atë përfundimisht. Ndërkohë dhe njësitë e tjera të Korparmatës
zhvilluan goditje të vijueshme kundër garnizoneve armike dhe autokolonave të
tij në lëvizje, në të gjithë zonën e operacionit. Kjo bëri të mundur që të
dështonin të gjitha përpjekjet që bënë autokolonat gjermane për t’u futur në.
kryeqytet, sidomos nga drejtimi i rrugës Vorë-Tiranë. Forcat e Brigadës X dhe  XXIV S dhe ato të batalionit “Antonio Gramshi”
nëpërmjet pritave të organizuara në rrugën Tiranë-Vorë, i goditën rreptë forcat
armike, gjë që çoi në dështimin e të gjitha përpjekjeve të autokolonave
gjermane për t’u futur në kryeqytet. Forcat e Brigadës XV S, pas luftimeve të
ashpra, më 11 nëntor çliruan qytetin e Elbasanit.

Tirana u çlirua më 17 nëntor 1944.

 

Goditjet kryesore

Goditja kryesore në frontin e brendshëm të jepej me krahët e
brendshëm të dy Brigadave IV dhe VIII S në sektorin e Tiranës së Re dhe ajo
ndihmëse me Brigadën I S në Tiranën e Vjetër, kurse ndërtimi operativ përbëhej
në një skalion, me rezervë një batalion.

Brigada I S mori detyrë të vijonte mësymjen nga vija e zënë e të
asgjësonte armikun në pikëmbështetjet e tij në: autorepart, Burgu i Ri,
shtypshkronja “Atdheu” (ndërtesa Njësia 3), Radio Tirana, hotel “Dajti”,
Bashkia (sheshi para Muzeut Historik Kombëtar) e të dilte në qendër të sheshit
“Skënderbej”.

Brigada IV S të ngushtonte frontin, të vijonte mësymjen në vijën:
Pallati Mbretëror (Pallati i Brigadave), në të majtë të kishës së Shën Prokopit
(rreth 2.5 km front), Tiranës së Re, sheshin e ministrive, ku të merrte takim
me forcat e Brigadës I dhe VIII S.

Me qëllim që të rritej vëllimi i zjarrit në sektorin e Tiranës së
Re, ku mbrojtja e armikut ishte më e fortifikuar, u bë përqendrimi i artilerisë
së brigadave. Bateria e artilerisë e Brigadës I S iu dha në përforcim Brigadës
IV S, me detyrë të bënte zjarr ndaj pikëmbështetjeve të armikut në Pallatin
Mbretëror e në kishën e Shën Prokopit. Bateria e artilerisë e Brigadës VIII S
mori detyrë të bënte zjarr ndaj pikëmbështetjeve të armikut në kazermat
“Shkumbini”.