Qëllimi dhe misioni i doganave është perceptimi i bizneseve mbi nivelin dhe cilësinë e shërbimeve doganore shqiptare

1395
Opinioni i KLSH-së mbi procedurat e përcaktimit të çmimeve referuese në dogana
Sigurimi i barazisë përballë ligjit është një e drejtë themelore dhe zbatimi i tij është një detyrim për të gjithë shoqërinë. Në këtë këndvështrim Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Degët Doganore si zbatuese, janë përgjegjëse për përmbushjen e këtyre detyrimeve referuar legjislacionit doganor dhe praktikave më të mira. Operatorët ekonomikë kanë të drejtën të trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit dhe kanë detyrimin të zbatojnë ligjet me rigorozitet. Rritja e kërkesës për përmirësimin e performancës së administratës doganore është një nga kriteret bazë të integrimit në BE. Qëllimi dhe misioni i doganave tashmë nuk është vetëm mbledhja e të ardhurave, si një prej indikatorëve të performancës së saj, por edhe perceptimi i bizneseve dhe klientëve të tjerë, mbi nivelin dhe cilësinë e shërbimeve doganore shqiptare.

Nisur nga rëndësia e shërbimit doganor, me efekte të drejtpërdrejta në nivelin e realizimit të të ardhurave buxhetore me rreth 40 % dhe krijimit të një klime bashkëpunimi me biznesin, për të siguruar transparencë dhe barazi ndaj tij, KLSH-ja në zbatim të politikave të saj, të përcaktuara në Planin Strategjik, ligjin “Për funksionimin dhe organizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ka marrë shkas dhe e ka trajtuar me seriozitet performancën e shërbimit doganor gjatë procesit të vlerësimit të mallrave për qëllime doganore. Sa më sipër, puna e administratës doganore gjatë vlerësimit doganor të mallrave, ka një rëndësi të veçantë parë kjo në dy aspekte:
Së pari, shmangie të pabarazisë dhe unifikim të vlerës doganore nga të gjithë strukturat doganore për mallra të njëjtë dhe origjinë të njëjtë;

Së dyti, rritja e të ardhurave doganore, si rezultat i zbatimit rigoroz të procedurave të vlerësimit të mallrave për qëllime doganore.

Në vlerësimin e performancës së administratës doganore konstatohen problematika që vijnë si rezultat i mungesës së disa standardeve gjatë procedurave të vlerësimit të mallrave për qëllime doganore. Problematikat kryesore përmblidhen si më poshtë: 

-Trajtimin e diferencuar të konsumatorëve të këtij shërbimi me pasojë krijimin e pakënaqësisë ndaj bizneseve dhe me ndikim negativ në vjeljen e të ardhurave doganore; 

-Moszbatimin rigoroz të procedurave të përcaktuara mbi vlerësimin e mallrave, përdorimin e standardeve të dyfishta, favorizim të bizneseve, mungesën e transparencës së administratës doganore në procesin e përditësimit të “Dosjes me të Dhëna të Disponueshme”, si dhe të hartimit dhe përdorimit të procedurave të qarta dhe të thjeshta.
 
Pavarësisht se metoda kryesore e vlerësimit doganor të mallrave është vlera e transaksionit, në rreth 20 % të deklaratave doganore përdoret vlerësimi i mallit sipas Dosjes së të Dhënave të Disponueshme (çmimeve referuese). Përcaktimi i saktë dhe real i “çmimeve referuese” ndikon drejtpërdrejt në vlerësimin e vlerës doganore të mallrave dhe për rrjedhojë në detyrimet që subjektet duhet të derdhin në buxhetin e shtetit në raport me vlerën e përllogaritur të mallit. Praktikisht “çmimet referuese” përdoren në përgjithësi për mallrat me origjinë nga vendet jashtë Komunitetit Evropian. Eksperienca dhe rezultatet nga auditimet e zhvilluara nga KLSH në sistemin doganor, por edhe vetë kontrollet aposteriori të ndërmarra nga strukturat doganore, kanë treguar se ende ka shumë për të bërë në lidhje me vërtetimin e vlerës së transaktuar. Për këtë kërkohet që për një përcaktim sa më real të vlerës së këtyre mallrave, të disponohen çmime referuese sa më reale. Pikërisht në këtë proces, ndikim negativ ka edhe mungesa e marrëveshjeve me këto vende, për shkëmbim informacioni, për verifikimin e vërtetësisë së dokumentacionit shoqërues të praktikës doganore. Për këto arsye Administratës Doganore i lind detyrimi për të filluar negociatat për lidhjen e marrëveshjeve dy palëshe, për shkëmbim informacioni, me vendet që bëjnë pjesë jashtë Komunitetit Evropian, ku volumi i importeve është i konsiderueshëm dhe dokumentacioni shoqërues i praktikave doganore le për të dëshiruar. 

Për të patur “çmime referuese” sa më reale është e rëndësishme përfshirja në procesin e përditësimin e saj, e grupeve të interesit, siç janë bizneset. Bizneset si konsumatorët e këtij shërbimi, por edhe si operatorë të tregut, duhet të konsiderohen nga administrata doganore, si një burim informacioni mjaft i vlefshëm dhe në kohë reale. Mungesa e përfshirjes së operatorëve ekonomik (biznesit), që operojnë në sistemin doganor, për përcaktimin e vlerave referuese, ka sjellë konfuzion në procedurat që ndiqen për përditësimin e “çmimeve referuese” dhe për rrjedhojë në përcaktimin e saktë të vlerës së mallrave. Po kështu, mosbashkëpunimi i Administratës Qendrore me Degët Doganore, të cilat janë zbatuese të procedurave doganore dhe kontakti i drejtpërdrejtë me operatorët ekonomike, krijon mangësi në mbledhjen e një informacioni sa më të plotë, më real, të shumëllojshëm për vlerësimin e mallrave dhe që ndikon në përcaktim jo të saktë dhe real të çmimeve referuese. Përditësimi i çmimeve referuese, është shoqëruar edhe me procesin e shfuqizimit të çmimeve referuese, si një domosdoshmëri për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare, dypalëshe apo shumëpalëshe në fushën e doganave, apo kompleksitetit të ndërtimit të referencave për artikuj të caktuar. Ky proces ka rezultuar me mangësi të cilat kanë konsistuar në, mos argumentimin e plotë dhe të saktë të propozimeve mbi shfuqizimet, mungesa e studimeve bazuar në të dhëna statistikore të periudhave të mëparshme mbi ecurinë e zhdoganimit të mallrave të propozuar për shfuqizim, mungesa e gjurmës së auditimit mbi rrjedhën e proceseve të kryera nga specialistët e vlerës doganore nga fillimi deri në përfundim të tyre, gjë e cila synon të ripërshkojë të gjithë veprimtarinë individuale dhe vendimmarrjen lidhur me to, ndikon në cilësinë e vendimmarrjes mbi shfuqizimin e artikujve të propozuar, apo lënien jashtë këtij procesi të artikujve të tjerë, për të cilat nuk janë bërë vlerësime dhe studime të të dhënave historike statistikore, kërkesave nga palët e interesit, kërkesa nga Degët Doganore etj. Mungesa e manualit të procedurave për përcaktimin e vlerave referuese dhe një “dosje/praktike”, sjell që vendimmarrja për të shqyrtuar një artikull apo një tjetër është totalisht evazive. Kjo vendimmarrje është e pambështetur në një kërkesë, analizë të sektorit apo e dokumentuar me një studim apo të dhëna statistikore, ku të jepet informacion mbi trendin e çmimit të zhdoganimit në periudhat e mëparshme, në degë të ndryshme dhe nga subjekte të ndryshme për një mall të caktuar, studime të tregut, etj. Analizimi i këtyre të dhënave do të krijonte edhe një pasqyrim të saktë të historikut të një malli të caktuar, të ecurisë dhe domosdoshmërisë së përditësimit të dosjes së të dhënave të disponueshme, si dhe nivelin e ndryshimit. Problemet e mësipërme mund të jenë pjesë e rekomandimeve për përmirësim të tyre nga Administrata Doganore në të ardhmen, të cilat konsistojnë veçanërisht në miratimin e manualit të procedurave të vlerësimit doganor, me qëllim përcaktimin e kritereve të veçanta për fillimin e një rivlerësimi doganor, por edhe të informacionit dhe të dhënave që duhet të përpunohen për përcaktimin e vlerës së re të mallit.

Vullnet Karafilaj, KLSH
Brunilda Zeneli
Sigal