Prof. Shezai Rrokaj: Roli i Sami Frashërit për alfabetin e gjuhës shqipe

1266
1.Rilindja Kombëtare është një lëvizje politiko-shoqërore, e cila karakerizohet nga një përpjekje e gjithanshme emancipuese me synime të qarta për shkëputje politike si dhe nxjerrjen nga prapambetja arsimore e kulturore nëpërmjet bashkimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Është i njohur fakti se pjesë e rëndësishme e kësaj lëvizjeje u bënë shumë atdhetarë shqiptarë, të cilët kishin emigruar në periudha të ndryshme në vende si Turqia, Rumania, Bullgaria, Italia, Egjipti etj. Fomemimi arsimor e kulturor dhe dashuria për atdheun do të bëheshin shtysë për të drejtuar përpjekjet e tyre, me qëllim që edhe Shqipëria të rrinte me dinjitet përkrah kombeve të tjera. Frymëzimi i tyre prej Romantizmit Evropian, që e identifikonte gjuhën me shpirtin e popullit (Humboldt, por më vonë edhe konceptet e shkollës sociologjike për shoqërinë te autorë Durkheim,Whitney, Sassure, Meillet etj.) Lidhja e Prizrenit, si një akt politik për çlirimin kombëtar, tradita e autorëve të vjetër (por edhe Matrënga në Itali), gjendja kaotike grafike për shkrimin e shqipes janë disa nga faktorët që rritën përpjekjet e Rilindësve tanë për nevojën e një gjuhe të përbashkët. Në këtë frymë, lëvizja për njësimin e alfabetit ishte pjesë e gjithë lëvizjes për njësimin e gjuhës, arsimimin dhe bashkimin e shqiptarëve.

2. Pas Letrës Enciklike të Veqilharxhit në vitet ’40 të shek.XIX, ku theksohet se popujt që mbeten në padije janë të skllavëruar dhe prej kësaj gjendjeje dilet kur popujt “fillojnë të lërojnë gjuhën e tyre kombëtare… (e cila) nuk fitohet veçse me shkronja të posaçme kombëtare…”, gati 40 vite më vonë të njëjtin pohim do të bënte S.Frashëri te “Gjuha shqip”, ku shprehet se “Kombetë mbahenë me gjuhëtë, një komb që e humbet gjuhënë e vet është i humburë dhe harruarë…(dhe se ) … xhdo shqiptar, i madh e i vogël të mësojë këto shkronja të munjë të shkruanj’ e të këndonjë gjuhën e ti,që ka mësuarë me qumështit e s’ëmësë”. Historia e alfabetit ka qenë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, e shtrirë në kohë edhe në hapsirë, sa brenda territorit shqipfolës aq edhe në shoqëritë kulturore në diasporë e deri te arbëreshët e Italisë.

3. Sami Frashëri, K. Kristoforidhi, P.Vasa, H.Tahsini, J.Vreto, I. Qemali dhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar ,siç do të dëshmonte asokohe J. Vreto,në 1867-n u mblodhën në Stamboll për të dhënë mendime lidhur me “nevojën e përdorimit të një alfabeti të vetëm të përbashkët që të kish aq shkronja të thjeshta njëformëshe sa ka gjuha shqipe zanore dhe bashkëtingëllore”. Ndaj duheshin shtuar përpjekjet pranë Qeverisë së Ali Pashës, kryeministër i Turqisë, për ta legalizuar këtë veprimtari,e cila do të kërkonte ngritjen e komisioneve të posaçme për këtë gjë. Fakt është se Qeveria e kohës, e cila donte të ndiqte një politikë afruese me shqiptarët,dha miratimin për hartimin e një alfabeti të përbashkët. Sigurisht, përveç sa u theksua më lart, kjo gjë ishte dhe në interesin e saj,pasi mungesa e një alfabeti të vetëm i vështirësonte edhe punët shtetërore të Perandorisë në këtë pjesë të Ballkanit.Krijimin e komisionit për çështje të alfabetit të gjuhës shqipe si dhe për probleme të tjera që lidheshin me arsimimin dhe kulturën shqiptare , në vitin 1870 na e dokumentojnë edhe Dora d’Istria, D. Kamarda, dhe A. Dozon. Diskutimet për hartimin e një alfabeti të vetëm ishin të vështira. Qarqe të caktuara shqipfolëse, brenda shqipërisë autoktone dhe jashtë saj në diasporë, kishin përdorur dhe përdornin modele grafike të ndryshme për shkrimin e shqipes,duke na dhënë një pamje grafike shumëllojshe të shkrimit të shqipes. Nga ana tjetër, trysnitë politike të Vatikanit, të Portës së Lartë dhe të Patriarkanës greke realizonin de facto e de jure një ndasi grafike ,e cila ndikonte si pasojë në ndasinë kombëtare dhe mungesën e ndërtimit të një kombi me gjuhë të njësuar.

4. Për drejtimin e çështjeve politike,arsimore e kulturore të shqiptarëve u krijua Komiteti i Stambollit,i cili do të kishte si mision mbrojtjen e të drejtave të Kombësisë shqiptare në aspektet e përmendura më lart si dhe me synim rritjen e vetëdijes Kombëtare. Njëra nga këto të drejta ,ajo e mësimit të gjuhës me alfabet të njësuar,ishte themeli që do të mundësonte mbajtjen gjallë të kësaj vetëdijeje. Sipas Sami Frashërit “Kombi i shqipëtarëvet,nga të mos shkruarët’ e gjuhës së vet, ka humbur gjer më sot më të shumët e njerëzet; …ata që kanë mbeturë do ti humpnjë më fort pakë kohë…; sot kombetë piqen’ e përzjehenë fort çpejt,edhe ata që janë më të fortë e më të diturë mundinë kudoherë ata që janë të dobët’ e më të paditurë”. Komiteti i Stambollit zgjodhi një komision prej 25 anëtarësh me në krye S.Frashërin, i cili do të kishte për detyrë hartimin e alfabetit të njësuar për shkrimin e shqipes. Vetë komisioni ua ngarkoi detyrën për përgatitjen e platformave grafike anëtarëve ,ndër të cilët ishin edhe Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Hoxha Tasini, Koto Hoxhi etj.

Për hartimin e alfabetit të njësuar u përgatitën katër platforma:
a. Alfabeti arabo-turk, i cili mbështetej nga disa pashallarë të nxitur nga Porta e Lartë, por edhe letërsia e Bejtexhinjëve, disa shoqata myslymane në Stamboll etj. Ky variant nuk u pranua nga anëtarët e Komisionit, duke sjellë kundër këtij propozimi argumente politike, territoriale si dhe duke u mbështetur në traditën e autorëve të vjetër të shkrimit të shqipes.

b. Alfabeti grek mbështetej nga Jani Vretoja, por edhe nga Patriarkana greke, e cila e lidhte këtë alfabet me shqiptarët ortodoksë dhe ortodoksinë si besim. Edhe kjo alternativë nuk gjeti mbështetje.

c. Një alfabet origjinal ishte propozimi i Hasan Tasnit,duke e përqasur me alfabete të tjera si: arabishtja, frëngjishtja, greqishtja, bullgarishtja, armenishtja etj., si dhe duke mëtuar të japë një variant që, sipas tij, duhet të ishte i veçantë, praktik, ekonomik, jashtë çdo ndikimi krahinor, politiko-fetar dhe sa më pranë natyrës së shqipes. Varianti origjinal kishte brenda idealizimin e këtij euriditi, duke u mbështetur te gjuha shqipe dhe veçoritë e saj edhe pse, siç dihet, si teorikisht dhe praktikisht numri i alfabeteve është shumë i kufizuar në raport me gjuhët alfabetike dhe se investimi në tipografinë e karaktereve për shqiptarët e asaj kohe ishte mision i pamundur, si për mungesën e përvojës dhe për financimin. Përpos kësaj, një variant i ri kërkonte doemos nisjen e punës nga e para, kur tashmë tri variantet e tjera ishin në përdorim dhe për shqiptarët në prapambetjen e tyre arsimore ishte një shpenzë e papërballueshme.

d. Varianti latin ishte më i pranuari, edhe pse me diskutime. Ky ishte edhe varianti që, me ndonjë ndryshim u paraqit në Kongresin e Manastirit. Ai mbështetej në traditën e shkrimit që prej Formulës së Pagëzimit e Mesharin e Buzukut, në prakticitetin e tipografisë dhe në rrethana historike e politike më të favorshme.

Ky ishte sistemi grafik i propozuar nga Pashko Vasa, i cili pranonte kriterin një tingull një shkronjë,kurse mungesat të plotësoheshin me anën e dyshkronjëshave. Këtë variant e mbështeste edhe Samiu, por ai ishte skeptik për përdorimin e dyshkronjëshave, të cilët, sipas tij, e rëndonin sistemin dhe e ngatërronin, duke e bërë të vështirë në përdorim. Diskutimet më të mëdha lidheshin me plotësimin e shkronjave që i mungonin alfabetit latin. Në shkrimin “Gjuha shqip”, Samiu shprehet se komisioni ishte dakort për alfabetin latin, sipas kriterit një tingull një shkronjë. Për plotësimin e shkronjave të tjera ai thotë: “këtë her’ u gjent edhe një udhë shum’ e leht’ edhe shum’ e mirë: muarmë njëzet e pesë shkronjatë latinishte,u dhamë cave nga ato një këndim pas nevojës së gjuhës sonë, edhe nga të njëmbëdhjetat e tjera ca i bëmë prapë nga ato shkronja duke i ndërruar pak fytyrënë ,ca i muarmë nga greqishtja,që është edhe ajo një nga motërat’ e vjetra të gjuhës sonë ,si edhe latinishtja”.

5. Përvoja disavjeçare e Samiut dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe puna në ekip brenda Komisionit, do të jepte frytin e vet në vitin 1879. Studiuesi T. Osmani shprehet se “… mbas një pune dy-tre mujore, në pranverë të vitit 1879 u arrit të miratohej alfabeti që njihet me emrin alfabeti i Stambollit.” Këtë fakt e mbështet edhe N. Alpan-i ,i cili shprehet se puna e komisionit ka filluar në janar të të 1879-s dhe “komisioni i alfabetit më 19 mars të 1879-s, vendosi të pëlqejë unanimisht projektin e Sami Frashërit”. Këtë variant e gjejmë të botuar tek “Alfabetarja e gjuhës shqipe” më 1879 si dhe te kanonizma (statuti) e “Shoqërisë së të shtypurit Shkronja Shqip”. Në këtë variant vërehet se ka 24 shkronja latine, disa prej të cilave nuk kanë tingëllimin si në latinishte. Ka gjithashtu edhe 7 shkronja nga greqishtja. Po kështu u modifikua ç-ja,u përpunuan shenjat për shkronjat p, xh dhe gj, kurse nga alfabeti sllav u përpunua shkronja zh. Një variant tjetër, del i botuar më 1884, tek e përkohshmja “Drita-Dituria”, ku vërehen tri ndryshime nga varianti i Alfabetares, të cilat lidheshin me shkronjat ç, gj e zh,si dhe hiqet shkronja sllave. Edhe këto dy variante kanë ndryshime me variantin që u prezantua në Kongresin e Manastirit,ku vërehen 5 ndryshime. Lidhur me autorësinë e Alfabetit të Stambollit, shumë studiues janë të mendimit se ai është fryt i punës së Sami Frashërit. Duke mos dashur aspak të zbehim kontributin vetjak, sikundër edhe rolin e tij si kryetar i komisionit, mbeshtesim mendimin se ky alfabet ishte vepër e punës së pakursyer të Sami Frashërit, Pashko Vasës, Hoxha Tasinut dhe Jani Vretos.

6. Pas aktit politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,Alfabeti i Stambollit ishte një ngjarje tjetër e madhe kombëtare për bashkimin kombëtar, me gjithë vështirësitë që pati për shtrirjen e tij në të gjitha trevat. Vetë ekszistenca e alfabeteve të tjera apo edhe trysnia politike e Qeverisë otomane dhe e Patriarkanës greke, mungesa e mësuesve dhe infrastrukturës së nevojshme,për shkak të prapambetjes së madhe të shoqerisë shqiptare të kohës,sikundër edhe vështirësitë e komunikimit për shkak të infrastrukturës rrugore dhe komunikimit postar, bënë që shtrirja edhe zbatimi i tij të ishte pjesshme,në trevat shqiptare e në diasporë. Sidoqoftë ,kjo gjë nuk e zbeh rëndësinë e tij,si dhe alfabeti më i plotë i hartuar deri në këtë kohë, i ndërtuar mbi baza shkencore dhe duke u mbështetur në sistemin grafik latin dhe që zbatonte parimin fonetik, duke i dhënë fund kaosit grafik për shkrimin e shqipes. Studiuesi T.Osmani thekson se “Me hartimin e alfabetit të Stambollit u zgjidh përfundimisht raporti tingull-shkronjë,duke i dhënë fund atij pështjellimi që ekzistonte deri në atë kohë ,kur numri i shkronjave shqipe shpesh kalonte caqet e tingujve të gjuhës sonë,rrjedhojë e mosnjohjes sa duhet të strukturës fonetike të shqipes.” Lidhur me rëndësinë e këtij alfabeti, studiuesi Xh. Lloshi thekson se “Shfaqja në hapësirën shqiptare të alfabetit të Stambollit në fund të viteve 1870 e rishtroi në përmasa mbarëkombëtare çështjen e shkronjave”. Për herë të parë vendoset se sistemi fenomenor i shqipes përbëhet prej 36 fonemash si dhe renditja e tyre, e cila u mor parasysh në zgjidhjen përfundimtare që iu bë prej Kongresit të Manastirit. Hartimi i alfabetit do të shoqërohej me botime të shumta nga fusha të ndryshme dhe prej autorësh të ndryshëm. Alfabetarja e gjuhës shqipe u shndërrua në një shkollë të vërtetë ku, përveç abetares, jepeshin edhe mësime mbi gramatikën, historinë, gjeografinë, matematikën, edukatën, kulturën dhe moralin shoqëror shqitar. Aty do të botohen shkrime të N.Veqilharxhit, Sami Frashërit, Pashko Vasës, Hoxha Tasinit e Jani Vretos,për t’u dhënë zë çështjeve politike, kulturore e gjuhësore, të cilat do të ndikonin dukshëm në bashkimin e shqiptarëve. Vlen të sillet në vëmendje Gramatika e Sami Frashërit (1886), të cilën ai e quajti Shkronjëtore e gjuhësë shqip, që u shtyp prej Shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Studiuesit e sotëm e konsiderojnë Samiun si linguist modern dhe themelues të albanistikës vendase. Në këtë gramatikë do të ndeshim një punë të jashtëzakonshme për gjetjën a përshtatjen e terminologjisë gjuhësore (mbi 100 terma dhe gjegjësit e tyre në frëngjishte dhe greqishte). Bashkë me Gramatikën e Jani Vretos dhe “skajet gramatikore” të Komisisë (134 njësi), mund të pohoet se u hodhën themelet e traditës shqiptare në terminologjinë gjuhësore. Ndonëse ka më shumë karakter teorik, sesa një manual praktik dhe është shkruar në toskërishte , kjo gramatikë shërbeu për përhapjen e alfabetit në shkolla dhe në organe shtypi, ku përdorej gjuha shqipe. Samiu e konsideronte gjuhën si tiparin themelor të kombit,prej të cilit shquhet identiteti i tij, madje vetë vetë qenësia e tij: “ Kombetë mbahenë në gjuhëtë … një komp që humbet gjuhën’e et, ësht’ i humbur’ e i haruarë” dhe shtonte se pa pasur një alfabet dhe një gjuhë të njësuar, komplet asimilohen prej kombeve të tjera, sepse ato janë “si peshqit, që hanë njëri-tjetrin. Mjerë kush është më i dobët.” Në një letër dërguar de Radës, Samiu shprehet se “pun’ e të gjallurit të gjuhësë shqip edhe të bashkuarit të dialekteve t’saj e të ndritësuarit të kombit tënë që është një pun’ e shenjtëruarë është pun’ e shoqërisë sonë.” 

Një gjuhë të vetme, pa thyerje të mëdha dialektore, të cilat “sjellin ndarje dhe mërgim” (kupto largim) e me mjë sistem grafik të njësuar, e bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët një komb të bashkuar dhe me dinjitet krahas kombeve të tjera. Një alfabet, një gjuhë pa thyerje të mëdha dialektore, një shoqëri shqiptare e emancipuar ,që duhej të zgjohej dhe të bashkohej nëpërmjet shkollimit dhe kulturimit, si për gjithë Rilindësit edhe për Samiun, ishin rrugët si duhet të bëheshin dhe do të bëhen Shqipëria dhe shqiptarët. 


Sigal