Prof. Dr. Klara Kodra/ Një roman midis realizmit dhe surealizmit

766
Sigal

(“Cute Kashari” i Elmaz  Qerretit)

 Elmaz Qerreti është para së gjithash një poet. Megjithatë, ky poet e ka gjetur  zërin e vet në prozë. Në romanin e tij të dytë “Cute  Kashari” autori shprehet me një stil të rrjedhshëm, komunikues. Ai ka gjetur atë që është aq vështirë të arrihet: thjeshtësinë. Cute Kashari që i ka dhënë emrin romanit  nuk është tamam protagonisti i tij. Është vetëm  pjesëtar i një grupi personazhesh që madje janë  më të skalitur  si karaktere, “Profesori”, “Asistenti”,  arixheshka  Nasibe, më pak e shoqja e Cutes, Miranda edhe i biri Keti. Në roman përdoret gjerësisht retrospektiva meqenëse një nga personazhet  kryesore, Cuteja, kur  nis vepra, ka “vdekur” mendërisht dhe shpirtërisht.  Për ta njohur atë duhet të shpaloset e kaluara e tij në të cilën  ai ka qenë njeri i thjeshtë, punëtor, madje me disa virtyte, po edhe  me të metat e tij. Ky personazh mishëron idenë e “vrasjes” shpirtërore të  njeriut  nga një  realitet i egër, nga emigracioni që e bën  të humbasë  identitetin shpirtëror. Simbolikisht ky personazh  e humbet  arsyen nga një  goditje në kokë dhe kështu shndërrohet nga njeri në  një qenie  vegjetuese, që ka  humbur “shpirtin” që në disa  momente  egërsohet si bishë. Ai tani  jeton  në një botë të vetën, ireale, i ndarë nga të gjithë. “Profesori” është intelektuali me forca  krijuese dhe guxim që persekutohet  nga diktatura, po nuk e gjen  dot  më vendin e vet në “demokraci”. Arixheshka  Nasibe mishëron  njeriun  e thjeshtë  të popullit, pa shkollë, po me  një  mençuri të natyrshme  dhe zemër të madhe që sakrifikohet për të tjerët. Përveç retrospektivës, në  strukturën e romanit kanë zënë vend disa “intermexo” me frymë korale që thyejnë  linjën e rrëfimit, në  formë komenti, informatash,  batutash. Një  nga këto  digresione  ku shprehet  humori i këndshëm tipik për Elmaz Qerretin është Ky: Thonë se Profesorin, po  ta vije  kuzhinier në ndonjë  lokal, ngaqë kridhej në botën e tij, me siguri ditë për ditë  do t’i  digjte tenxheret dhe kazanët duke i harruar mbi sobë  dhe ai lokal  do të falimentonte  që muajin e parë. Natyrisht,  nuk mund  të gatuante  njëkohësisht  dy  gjellë:  dhe për trupin dhe për shpirtin. Shkrimtari në  mënyrë  kuptimplote i  kundërvë  në romanin e vet  dy çmenduri: çmendurinë krijuese, atë  të Profesorit dhe çmendurinë  degjeneruese, atë të Cutes.

Në këtë vepër  ndeshim një  kthim te realizmi, te vizatimi  i personazheve me thelbin e vet  social, psikologjik në një mjedis  konkret historik që alternohet me surealizmin, pikturimin e një  bote  magjike që përbëhet  nga një anë  prej përçartjeve  të Cutes, nga ana tjetër nga disa  motive popullore dhe mitologjike si tri “fatthënat” te djepi i Cutes  fëmijë  ose motivi i Hadit. Realiteti  shqiptar është ai  kaotik i 97-ës, i asaj lufte të pakuptueshme  kundër  të gjithëve dhe asnjërit që alternohet me një realitet tjetër të huaj, tablotë  nga emigracioni. Disa episode  spikasin për forcën  shprehëse. I  tillë është episodi i ndeshjes së Profesorit me të rinjtë që duan të shkatërrojnë  librat, episod  ku shprehet  konflikti i antivlerave  me vlerat dhe fryma e shkatërrimit  ndeshet  me frymën  krijuese. Një tjetër  episod  domethënës, i vizatuar  me nota  liriko-humoristike është episodi i të bërit dashuri të  Cutes dhe Mirandës  në  varreza,  në kohën e aksioneve  të rinisë, episod  ku ndeshen  në  kontrast të  mprehtë jeta  dhe vdekja  dhe shprehet  ideja  se dashuria si  forcë jetike  thyen  tabutë dhe  mund  vdekjen. Në këtë  vepër  ndërthuren  grotesku dhe  realja,  patosi  humoristik dhe satirik  me patosin tragjik. Personazhet  kanë  gjuhën e vet  individualizuese që autori  e jep  me realizëm, madje  edhe  në caqet e  zhargonit, siç  ndodh me gjuhën e arixheshkës, një gjuhë që  shpreh  filologjinë e secilit  për jetën, një imtësi kjo realiste  që sjell freskinë e jetës. Në përgjithësi  autori  ka ditur  të harmonizojë  mesazhin me formën  duke gjetur  fjalën  e saktë, figurën e saktë, ritmin e saktë  të rrëfimit  që e tërheq lexuesin, pa e  lodhur. Megjithatë, në ndonjë rast, autorit  i ka shpëtuar  ndonjë  notë që stonon  si digresioni i fundit  në formë monologu i Cutes, disi  libresk  dhe që nuk i  përshtatet edhe aq  mendësisë  së personazhit. Më  kuptimplote  do të kishte qenë të mbyllej  vepra  me imazhin e korbit, imazh  grotesk dhe tragjik; i  marrë nga folklori  dhe saktësisht me këtë  frazë  domethënëse “Vetëm  ca korba të zeza (më saktë : të zinj – K.K.) qëndronin mbi  kokën e tij duke bërë  adetet e fundit, në mungesë  të njerëzve, prej  të cilëve  iku  me kënaqësinë  për të vdekur”.   “Cute Kashari” mund të  përkufizohej  në thelb si “roman i zi”, një nënlloj që po zhvillohet  në letërsinë  bashkëkohore shqiptare, siç ka vënë re me mprehtësi një studiuese e sotme franceze dhe t’u  qëndronte  pranë  romaneve  të Fatos Kongolit apo Virion  Graçit që pasqyrojnë tragjedinë aktuale të  njeriut shqiptar. Poeti dhe shkrimtari Elmaz Qerreti, me dy romanet «Kollokotroni» dhe «Cute Kashari», pasuron gjininë e romanit bashkëkohor shqiptar duke u radhitur kështu me dinjitet përkrah prozatorëve të shquar lushnjarë Vath Koreshi e Halil Jaçellari. Shkrimtari, kur shkruan, nuk do t’ia dijë nëse e shkruan veprën duke qenë në metropol apo në provincë. Ai krijon njëherësh veprën dhe nëpërmjet veprës, krijon edhe kryeqytetin e tij, siç thuhet edhe në një poezi të poetit F.Haliti, ku kritikohet  ndonjë krijues që mbahet për «metropolitan» dhe ka fobi për krijuesit «provincialë»:  

«Kujdes!

Mos krijon ti

Ndonjë copë provincë në kryeqytet!

Edhe këtu në mes ugareve

Unë e kam krijuar kryeqytetin tim me dinjitet…» 

Mendoj se Elmaz Qerreti, e ka krijuar një copë kryeqytet, me romanin e tij të ri «Cute Kashari»