Prof. Bernard Zotaj: Parësia dhe Ismail Qemali

606
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Në këngët e Labërisë

Për fisnikët shqiptarë na vjen në ndihmë një këngë të Labërisë, e krijuar në shek. XVIII-XIX, e gjetur në fshatin Brataj.

“Gjemit e turkut errin,

Të mbledhin parësinë,

 Selim Agon në Vlorë,

Me Meçanin dorë për dorë,

Byzylykët i hodhnë.

Beqir Velon në Kaninë,

Laton e Dalan Seinë,

Me Fejzo bej Risilinë,

Mahmut Hoxhë Tragjasinë,

Kamber Delo bukurinë,

Në Dukatë Dervshi Alinë,

Në Kropisht Zybo Tahirë.

Në Mavrovë Xhafer Salinë,

Në Shkozë Imer Alinë,

Mustafa Begë birbilë.

Në Raçaj Fegë Mahilë,

Rustemaj Tozo Beqirë,

Selfo Liço derëzinë,

Dhe në Vajzë dy nishanë,

Meten e Sadik Çobanë,

Gumenicë Haxhi Rrapnë,

Në Gjormë dy spahillarë,

Habiti me të vëllanë.

Në Velç Selam Hasanë,

Në Tërbaç Lulo Abazë,

Në Vranisht Sefer Miftarë,

Në Brataj Matan Haxhinë,

Lilo Qendro Nishanllinë,

Dule Zoton në Smokthinë,

Në Armen muarr Sadiknë,

Dhe në Mekat Ismailnë.

Zeqo Xhafë Karbunari,

Sadiden Ahmet Vasjari,

Kalivaç trimat e mirë:

Dule Maton me Xhelilë,

Të gjithë krerët i lidhë,

I nisën për në Janinë,

Në Stamboll na i pyetnë

Edhe në Alep i tretnë”.

Pushtuesit osmanë, si gjithë pushtuesit, i shkatërruan arkivat e Skënderbeut dhe nuk lejuan krijimin e arkivave, por populli i mbajti në kujtesë, u këndoi brez pas brezi, shekull pas shekulli. Kënga tregon se parësia punoi dhe luftoi në krye të popullit për Shqipërinë. Kënga vërteton se, lufta për çlirimin e Shqipërisë nga perandoria osmane nuk ishte projektuar nga Ismail Qemali, por shekuj më parë, madje, menjëherë pas pushtimit dhe në vazhdimësi, ndërsa Ismail Qemali arriti ta realizonte ëndrrën shekullore. Emrat e këtyre trimave, të cilët luftuan dhe dhanë jetën, u përjetësuan, në këngët popullore, në kujtesën e kombit. Këngët e popullit mjaft studiues, me shumë të drejtë, i quajnë “arkiv të gjallë i historisë së popullit shqiptar”.

Zjarrin e luftës për liri e mbajti të gjallë i gjithë populli, që u organizua, u drejtuan dhe u udhëhoq nga parësia e krahinave. Emrat që përmend kënga labe tregon se të gjithë ishin të pasur, se parësia e vendit, që këngëtari popullor i ka quajtur bejlerët dhe agallarët, e që luftuan kundër pushtimit osman ishin patriotë e atdhetarë. Parësia luftoi së bashku me popullin e thjeshtë. Por puna ishte se për të shuar idenë e çlirimit nga pushtuesi, osmanët internonin dhe vrisnin parësinë, që të bindej popullit të thjeshtë.

Fisnikët e Shqipërisë

Ata që krijuan Shqipërinë nga Ismail Qemali e deri tek ai më pak i vlerësuari, ishin fisnikë e të pasur. Më tej në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në kryengritjet shqiptare të viteve 1011-1912, ata që drejtuan lidhje dhe kuvende si Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Isa Boletinin etj., ishin të pasur. Ishin familjet e mëdha ato që mbajtën të ndezur zjarrin e patriotizmit. Në Mesjetë u ngrit Skënderbeu, së bashku me familjet më të mëdha fisnike, për çlirimin e trojeve arbërore dhe i mbajti për 25 vjet të lirë nga pushtuesi osman. Edhe Gjergj Arianitasi, i ati i Donikës, kishin shfaqur patriotizëm. Ishin fisnikët e mëdhenj shqiptarë që mbanin ndezur zjarrin e atdhetarisë.

E rëndësishme është të dihet edhe se kur shkoi Ismail Qemali, në vitin 1908 në Vlorë dhe krijoi shoqatën “Labëria,” rreth tij u mblodhën stërnipërit e atyre, që këndohen në atë këngë, të cilët turku, pasi i kapi në befasi, i gjykoi në Stamboll dhe “i treti,” i internoi dhe ata vdiqën në Alepo të Sirisë së sotme. Veprimtarinë Ismail Qemali në Shqipëri e zhvilloi, duke pasur mbështetjen e pasardhësve të patriotëve të harruar në varre pa emër në Siri.

Qeveria turke, mbas ardhjes së Ismail Qemalit, i cili këshilloi për hapjen fshehtas të shkollave shqipe, bëri të njëjtën veprim, si atë që përmend kënga më sipër, duke kapur fshehtas një pjesë të parisë së Vlorës dhe të Labërisë, të cilët i vari në rrapet e Janinës.

Këta stërnipër të atyre që, një shekull më parë, i kishin internuar në Alepo të Sirisë, luftonin për çlirimin e Shqipërisë, u kapën befasisht nga osmanët dhe i varën. Të tjerë më vonë do të udhëhiqnin luftën për të mos lejuar grekët të pushtonin Janinën, në 1913. Të tjerë stërnipër organizuan dhe drejtuan Luftën për çlirimin e Vlorës në 1920 nga pushtuesit italianë. Fakt është se luftën kundër pushtuesit italian në vitin 1920 e nisën fisnikët. Populli i varfër i ndoqi këta fisnikë, sepse vetë nuk ishte në gjendje të kuptonte dhe të ngrihej për luftë kundër pushtuesit osman për të krijuar Shqipërinë.

Vegjëlinë shqiptare e udhëhoqën fisnikët

Të gjithë firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë ishin “bejlerë” dhe “agallarë”. Familjet e mëdha i edukuan fëmijët e tyre me ndjenjën e nderimit ndaj ligjit. Gjyshërit i edukuan nipat e tyre me shprehjen “O bëhu i mirë, o mos u bëfsh!”. Që në fëmijëri merret edukata e nderimit të ligjit së bashku me qumështin e nënës. Të tilla ishin thuajse pa përjashtim familjet fisnike. Ndërsa tani janë bërë “udhëheqës” shteti mjaft që nuk përulen para ligjit. Ata pasurohen duke e shkelur ligjin dhe siç ka shkruar Ali Asllani, se “në drekë janë pa brekë, në darkë milionerë…”.

Duhet pranuar se regjimi monist i shkatërroi familjet fisnike. Ai zhduku fisnikëritë. Edhe ndokush, që arriti të bëjë diçka nuk e kanë lënë të ecë përpara, sepse tërë jetën mbeti i izoluar nga jeta shoqërore. Edhe ata që, kanë arritur të bëhen njerëz të mëdhenj, kanë mbetur përjetësisht të harruar, edhe se i kanë dhënë shumë se kushdo tjetër Shqipërisë…

Zhdukja e fisnikërisë edhe në sistemin e demokracisë është fatkeqësia më e madhe e kombit shqiptar. Nëse në Shqipëri do të drejtonin fisnikët, ne do të ishim vendi i parë ish-komunist, që do të bashkohej me Evropën dhe jo i fundit. Edhe Kosova do të ishte e bashkuar me Shqipërinë. Dhe ne sot do të ishim vend me ligje të forta dhe ekonomi të zhvilluar. Këtë nuk mund ta bëjnë ata, që nuk e njohin shenjtërinë e ligjit dhe thonë ndryshe nga sa veprojnë.

Intelektualët sot kanë mbetur fisnikëria e vetme e kombit. Këtyre u kërkohet më shumë se kurrë që të punojmë së bashku, për t’u hapur sytë shqiptarëve, të ecim më shpejt përpara. Është, në radhë të parë, detyra e njerëzve më të kulturuar të kombit, me ndjenja fisnike në shenjtërimin e ligjit, ta çojmë kombin shqiptar atje ku e ka vendin, në ballin e vendeve më të kulturuara të Evropës.

Në librin “Vëllai i pengut” Reshat Agaj do të theksonte se “…në rininë e vet Ismail Qemali vizitonte shpesh Smokthinën, vendlindjen e Agajt, dhe kishte rënë në dashuri me bukuritë e fushës së Mesaplikut, që përshkohej si gjarpri nga Shushica e bardhë dhe e kulluar, rrethohet nga malet e Vetëtimës (Akroqeraunët e vjetër të Ilirëve) nga një anë dhe nga ana tjetër prej maleve të Çipinit, Këndrevicës dhe Tartarit, duke pasur mbi krye grykën strategjike të Kuçit. Agallarët e Smokthinës, duke parë këtë bir të Vlorës që shprehte kaq dashuri për këtë vend, u mblodhën dhe ia caktuan një pjesë të fushës, aty anës së lumit të mbushur me rrepe shekullorë, si pronë të tij dhe sot e kësaj dite, që është përdorur që në kohë të lashta si vend mbledhjeje, si kuvend, quhet “Rrapet e Ismail beut”. Kjo copë tokë në kohën që ne ishim në Shqipëri, dhe besoj edhe sot, nderohet si një vend i shenjtë dhe asnjëri nuk guxonte atëherë të priste një copë dru në rrapet, sepse besohej nga fshatarët se kush vë dorë mbi të prish një vakëf të Perëndisë dhe pëson një të keqe”.

Tek Rrapet e Ismail Qemalit në Mesaplik është ngritur nga djalëria labe një memorial i bukur ku në qendër ka Ismail beun dhe në të të anët burrat e shquar dhe fisnikët e Lumit të Vlorës, të Rrëzës dhe të Shullërit.