Prof. Agron FICO/ Ajo u bë qyqe

676
Sigal

(Një ngjarje e vërtetë dhe e jetuar)

Rruga e vjetër për në Delvinë merrte një kthesë të butë para se të hynte në qendër të qytetit. Në të zbritur, nga ana e djathtë shihet një fushë e madhe me ndërtesa kazermash ushtarake. Dikur këtu ka qenë një fushë e gjelbëruar me plot pemë portokallesh e limonësh. Në mes tyre ndodhej edhe shtëpia e Dule Ymerit, burrit të hallës sime, Zërhasë.

Zërhaja ishte një nga 5 vajzat e Selami Ficos, gjyshit tim. Të gjitha ishin dhënë në dyer të njohura në qytetin e Gjirokastrës, vetëm Zërhaja ishte martuar në Delvinë. Nga martesa me Dulen kishin vetëm një djalë, Islamin. Dule Ymeri ishte një burrë me shtat të hedhur, mbante mustaqe, që dallohej në Delvinë për karakterin e fortë dhe mirësinë që u ofronte të varfërve. Merrej me portokallet dhe me pak bletari. Jeta rridhte mirë dhe dukeshin të kënaqur prej saj.
Zërhaja ishte gati sa Dulja nga shtati, por thatime e pak nervoze. E hante shpesh me fjalë xha Dulen me meraqet e saj të tepërta për pastërti dhe rregull brenda shtëpisë. Në mërzi e sipër nga kjo bezdisje e tepruar, xha Dulja i kthehej së shoqes dhe i thoshte:
-Moj Fickë, (ledhatuese për ‘e Fico-s’) këtu jam unë zot i shtëpisë dhe jo ti!
Kaq zgjaste sherri, se Zërhaja ishte plot kujdesje për të shoqin, sidomos më gatimet e shijshme dhe të pasura. Desh harrova që xha Dulja e kishte qejf edhe ndonjë gotë raki, kështu e çmonte shumë gatimin dhe mezet e së shoqes, Zërhasë. Kishte shumë ngrohtësi në atë familje. Islami, fëmija i tyre i vetëm, s’para kishte sevda për shkollën dhe prindërit nuk e shtynin fort. Isha fëmijë dhe kam shkuar disa herë në Delvinë, tek halla ime e mirë. Ndjehesha i rehatuar sidomos edhe nga vëmendja që xha Dulja tregonte për humorin tim, ose siç thuhet në shkencën moderne për gjendjen time psikike. Një herë, duke luajtur me një rreth të bërë nga mbeturinat e gomave të makinave, i vura zjarrin një ledhi me gjemba të thara. Zjarri mori përpjetë dhe i hyri edhe një peme portokalleje. U lebetita dhe dridhesha nga frika e dëmit. Në shkallë u duk hallë Zërhaja që më lëshoi një të sharë:
-Po ç’bëre mor ditë-zi?!
Pas krahëve të saj u shfaq xha Dulja që e tërhoqi vrullshëm nga dora dhe i bërtiti:
-Moj Fico, mos i fol djalit jetim! Ka plot pemë portokalle xha Dulja. Nuk u bë gjëma po u dogj njëra prej tyre. Më afroi tek vetja dhe me dorën fisnike më përkëdheli kokën.
Ishin vite lufte. Italia kishte pushtuar Shqipërinë dhe ushtria e saj dukej kudo. Lufta kundër pushtuesve italianë i ndau shqiptarët në komunistë, ballistë – më vonë legalistë, etj.. Njerëzit e thjeshtë e urrenin pushtuesin e huaj, por jo gjithnjë orientoheshin drejt se me cilën forcë do të bashkoheshin. Një gjë ishte e qartë – luftë me armë pushtuesit italian. Në këtë zallamahi lufte, djali i xha Dules, Islami, anoi nga organizata e Ballit Kombëtar. Islami ishte shofer dhe nuk i kuptonte dot sloganet komunise, por as edhe parullat balliste; më shumë ndikoi fakti se në radhët e ballit u rreshtuan njerëz nga dyer të njohura të Delvinës, njerëz me emër.
Islami si shofer, me kamionin e vet, bënte rrugën Delvinë – Gjirokastër. Shpinte ushqime në Gjirokastër dhe sillte stofra në Delvinë. Disa nga njerëzit e tij e kishin lajmëruar të kishte kujdes dhe të largohej nga Balli. Për hir të së vërtetës, Islami as pushkë nuk mbante në makinë; ishte anëtar idealist i Ballit.
Xha Dulja, i ati, i fliste shpesh që të shikonte punën e vet, edhe ta ndihmonte, se kishin mjaft pasuri, kishin portokalle, nxirrnin vaj ulliri, etj..
Islami që kishte filluar edhe të pinte, rrinte gjithnjë e më shumë në një klub në qendër të qytetit. Në raki e sipër Islam-shoferit i fliste goja pa marrë parasysh se klubi është plot sy e veshë. Ca nga ca u krijua përshtypja se Islam Ymeri ishte një ballist militant! Që guxonte edhe në publik t’i shante komunistët!
Një mbrëmje, si ngaherë, po kthej me kamionin e ngarkuar me mallra nga Gjirokastra. Sapo kaloi qafën e Muzinës, përpara ishte ndalur një makinë tjetër dhe i kishte zënë rrugën. Islami zbriti i shkujdesur për të sqaruar rrethanat dhe u gjend nën kërcënimin e grykëve të pushkëve partizane. Me egërsi e lidhën, e shanë dhe e futën me forcë në makinë. Pa gjyq, aty nga mesnata, e vranë në një përrua në afërsi të Muzinës.
Ishte i pari xhaxhai im që e mori vesh lajmin e kobshëm dhe pastaj nëna dhe unë.
Më vonë u mor vesh se trupi i Islamit ishte keqtrajtuar. Edhe sot nuk dihet vendi i groposjes.
Lajmi për këtë akt të egër u përhap gojë më gojë në qytetin e Delvinës dhe njerëzit e ndershëm shkonin varg e varg tek xha Dulja ta ngushëllonin. E ëma e Islamit, Zërhaja, kishte vënë kujën dhe e kishte qarë me bote djalin e vetëm, Islam bukurinë.
Por ditën e dytë kishte ndodhur e papritura. Dikush, në emër të këshillit nacionalçlirimtar të lagjes, kishte hyrë me harbutëri në shtëpinë ku mbahej zi dhe kishte bërtitur:
-E dini ti Dule Ymeri dhe ti Zërha se djali yt ishte tradhtar, ishte armik, prandaj ju ndaloj ta qani me zë!
Të pranishmit ishin shtangur, ndërsa xha Dules i kishte rënë të fikët.
Nëna ime, e ngopur dhe stërngopur me mërzi dhe vajtime, e priti me dëshpërim këtë ngjarje të dhimbshme. Në një librin tim, para disa vjetësh, kam treguar gjerë se atin tim e kanë qarë gati 17 vjet rresht, nga dy herë në javë. Vinin motrat e tij, d.m.th. hallat, edhe bënin ritualin mortor. Ne na linin këtë hidhërim që, edhe pa vajtimin e tyre, e kishim të pranishëm në vijat e zeza të hajatit, madje gjer edhe te muret e oxhakut.
Nëna ishte një grua imcake, e shkurtër, e stërvuajtur, por për çudi buzagaz. Përpiqej të mos qante sa isha unë në shtëpi, por kur unë dilja në kopsht ose diku afër dëgjoja zërin e saj vajtues. E donte dhe e çmonte xha Dulen për mirësinë dhe ngrohtësinë që më jepte mua. Një ditë nëna më tha se do të shkonte në Delvinë se, “nuk kishte ç’sebep t’i priste Dules dhe Zërhasë”. U habita se nuk kishte makina të rregullta për në Delvinë, por edhe po të kishte ne nuk kishim mundësi të blinim një biletë udhëtimi. Si duket e kishte hartuar në mendjen e saj planin, prandaj edhe nuk ma zgjati kur e pyeta se si do të shkonte.
Një mëngjes u ngrit herët, mori shifonin e zi (shaminë e zezë) në një bohçe të vogël në dorë dhe shkoi në lagjen Dunavat, tek shtëpia e vëllait të vet.
Andej u nis me disa qiraxhinj në një rrugë malore disaorëshe për të shkuar në Delvinë. Edhe sot më duket gati si përrallë kjo që po shkruaj, se si ajo grua e dobët e ka përballuar gjithë atë rrugë nëpër male e kodra, gjer në Delvinë.
Isha gati 10 vjeç dhe, kur nëna shkoi për ngushëllime në Delvinë, mbeta në shtëpi vetëm me motrën e vogël. Pas disa ditësh, ndërsa kishte rënë muzgu, dëgjova një zë që po më thërriste. Dola tek “Fiku i Xha Kalos” dhe përpara m’u shfaq nëna me një shkop në dorë, me buzë të thara dhe e pluhurosur sikur të kishte punuar në ndonjë fabrikë mielli. Pa pritur ta pyesja se si ishte kthyer, më tha shkurt:
-E ç’sebep tjetër t’i prisja kunatës! Ajo nuk i hoqi kurrë rrobat e zeza për tët atë. Hipa në një makinë ushtarake. Makina më la në Jergucat dhe prej andej erdha më këmbë. Jergucat-Gjirokastër është gati 20 kilometra. Nëna e kishte bërë atë rrugë më këmbë dhe e vetme, me një shkop në dorë.
Nëna më tregoi se Zërhaja shkonte nëpër përrenj e qante djalin, se ia kishin ndaluar “ata të Luftës” ta qante me zë në shtëpi; kishte shkuar edhe ajo me të kunatën për të qarë në ata përrenj.
Më vonë, pas 2-3 javësh, ndodhi akti i fundit i kësaj ngjarjeje tepër të dhimbshme.
Zërhaja shkonte pothuajse çdo ditë nëpër përrenj që të qante me zë të birin. Qante dhe bërtiste: “Islam, bir o bir! Islam, që nuk më lanë të të qaj si të ka hije!”
Në këtë vetëvrasje të egër shpirtërore, e vetme, plot dëshpërim dhe hidhërim, një ditë kishte qarë aq shumë sa kishte humbur ndërgjegjen dhe kishte mbetur pajetë. Xha Dulja, tepër i merakosur, e priti tërë natën. Po kujt t’ia hapte shpirtin?! Atë natë nuk fjeti fare dhe i shtoi gotat e rakisë nga mërzia.
Të nesërmen, herët në mëngjes, shkoi dhe takoi doktor Ali Bendon, që e kishin mobilizuar me gradën kapiten si mjek ushtarak. Aliu e kishte teze Zërhanë. Doktor Aliu u habit kur pa në derën e klinikës së vet Dule Ymerin. Xha Dulja dridhej i tëri dhe arriti vetëm të thotë se, Zërhaja ka mbetur në mal. Vetëm kaq dhe i kishte rënë të fikët. Aliu menjëherë e kuptoi gjendjen dhe u vu në kërkim. Pas disa orësh trupi pajetë dhe i tharë i Zërha Ymerit u gjet në mes të gurëve të një përroi. Njerëzit e thjeshtë dhe të ndershëm të atij qyteti, kur morën vesh se Zërha Ymerin e kishin gjetur në një përrua, kishin thënë se ajo ishte bërë qyqe. E kishin ndaluar të qante me zë djalin e vet, djalin e vetëm, disa njerëz zemërzinj të “pushtetit popullor” që sapo po lindte. Shteti totalitar po tregonte egërsinë e vet qysh në hapat e para të ekzistencës.
Ajo mbeti në mal, ishte kthyer në qyqe.
-Ku ku! Islam, o bir!
Jehona e kësaj klithmë njerëzore do të dëgjohej gjatë edhe përtej asaj kohe…

————–

Ismail Kadare

Balada a Nënës

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi,
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

-Mesnatës së shurdhër, të errët, të shkret’
do ngjisë ai traktet, kudo në qytet.

-Mesnatës ti sonte, o nënë, më zgjo!
-Mir’, bir i nënës, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur në gjumë, ra pastaj
dhe nëna mbi të s’i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet mbi të
-Fli, bir i nënës, se ora s’është një.

Akrepi lëviz, me ngadalë lëviz
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis.

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh,
një fushë të bukur, një qiell pa re.

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon,
në fushë të sahatit me dorë tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar në një,
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po flë.

Por befas në fushë u dëgjua që larg
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nëna u zhduk si në mjegull atje,
sahati i thyer se ç’ra përmbi dhe.

I mbytur në djersë u zgjua ai,
O nënë, dhe dorën e vuri në gji.

Atje trakte s’ka. O nënë ku je!
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re.

O nënë!, por nëna nuk është më përqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet.

O nënë, o nënë, o nënë, ku je!
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo,
-Ndal!- ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afër pyllit, në an’ të një përroi
pas drureve ai u mbështet e vajtoi.

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim,
mesnata për nënën s’do ketë mbarim.