“Peshkatarët e Perlave”, Inva Mula i beson premierën Tullumanit

531
Teatri i Operas dhe Baletit çel sot sezonin artistik, me regjinë e sopranos me famë botërore. Drejtoresha Zana Çela: Projekti më i investuar i sezonit 
Teatri i Operas dhe Baletit do të çelë sot sezonin artistik me vënien në skenë të operas “Peshkatarët e Perlave”, në një produksion gjigant që do të shfaqet në Pallatin e Kongreseve. Opera “Peshkatarët e Perlave” e kompozitorit Georges Bizet, me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, do të vijë premierë për publikun shqiptar për tre net. Sopranoja e njohur me famë botërore Inva Mula, dy vite pasi vuri në skenë operën “Pagliacci”, rikthehet si regjisore, por dhe si protagoniste në shfaqjen operistike, që mban emrin e kompozitorit Georges Bizet. Kasti i artistëve përmban emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj. Për premierën e sotme, regjisorja Mula ka vendosur t’ia besojë rolin e Lejla-s sopranos së njohur, Ramona Tullumani, e cila në vitet e fundit ka interpretuar me sukses në skenat shqiptare dhe të huaja. Tullumani do të ngjitet sot në orën 19:00 në skenën e Pallatit të Kongreseve për të sjellë një Lejla krejt të veçantë për publikun shqiptar.

Opera do të shfaqet në datat 22, 24 dhe 25 shtator dhe dirigjent është francezi Zherar Akoka. Në vitin 1990 kur kjo vepër operistike u vu në skenë me regji nga Nikolin Gurakuqi, rolin e Lejla-s e interpretoi Inva Mula. Më pas ky produksion u vu dhe disa herë të tjera në opera. Për herë të parë “Peshkatarët e Perlave” u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin nga Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrit e skenës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadit. Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP.

Mula: Opera është për të gjithë
Inva Mula, tashmë në rolin e regjisores, u shpreh se “Peshkatarët e Perlave” nuk ka marrë suksesin që meriton si vepër. “I jam i futur shumë thellë kësaj vepre. Nuk ka arritur të marrë suksesin që meriton si vepër. Ka kolorit të jashtëzakonshëm dhe kemi arritur të japim atmosferën e ishujve”, tha Mula. Sipas saj, zbërthimi i muzikës ka qenë i lehtë. “Nuk ka kohë e vend të përcaktuar ku ndodh ngjarja. U kam kërkuar artistëve të mos shfaqin asnjë gjest të temperamentit tonë ballkanik, ndaj edhe takimet mes tyre në skenë duhet të jenë të lehta e të thella. Ne kemi lindjen e hënës si lindje e dashurisë, është qielli i mbushur me yje që kthehen me perla”, u shpreh Inva Mula. Ajo foli edhe për skenën e re ku do të interpretohet vepra, në mungesë të sallës së TKOB-së. “Si marrim guximin që luajmë në një teatër që nuk është teatër? Nëse handikapët do t’i kthejmë në favor, mund t’ia dalim. Opera nuk është vetëm për të dashuruarit me artin klasik, opera nuk është më vetëm për një pjesë të publikut, është për të gjithë”, tha Mula. Ajo përmendi edhe disa vështirësi teknike, të vërejtura edhe gjatë provave. “Ndërrimi i dekoreve është i pamundur në skenën e Pallatit të Kongreseve, ndaj kemi konceptuar Budën në skenë”, tha Inva Mula. 
Sigal