Pëllumb Kulla akademia e gjallë e humorit shqiptar.

616
Sigal

Në një vend të një urimi, në 75 vjetorin e tij.

Pëllumb Kulla (pa dëshirën e tij, siç shkruan ai diku me humor për lindjen e vet,) mbushi sot më 10 janar plot 75 vjet jetë. Me siguri, sot, do të marr qindra e qindra urime nga lexuesit dhe shikuesit e tij nga Shqipëria dhe të katër anët e botës, ku jetojnë shqiptarë. Për shkak të veprës së tij të madhe e tejet të njohur, atë më të vështirën e më të pëlqyerën, humorin, ai është sot një nga shkrimtarët dhe regjisorët më të njohur të Shqipërisë. Talenti dhe fati kanë qënë me shumicë në anën e tij. Prej 40 e ca vetësh, edhe në cepin më të largët të Shqipërisë, përfshi edhe ata të paktë njerëz që kurrë në  jetën e tyre nuk kanë lexuar një libër, të gjithë, krejt të gjithë e dinë emrin e tij. Gjithkund në shtëpitë shqiptare ku ka patur e ka një aparat televiziv e kanë parë emrin e tij në fillim edhe në fund të titrave të qindra e qindra skeçeve brilantë të Estradës së Fierit, që ai i dha shpirtin dhe fytyrën e vet, si autor edhe si regjisor. Por edhe në dhjetra komedi e drama, libra me tregime, romane, skenare filmash, përkthime brilante nga letërsia e huaj të autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore, esse dhe artikuj të pafund në shtypin shqiptar.

Do të ishte një ndërrmarrje e dështuar të merrje përsipër një vështrim qoftë edhe modest përshkrues të veprës së tij, sepse është aq e shumtë dhe e shpërndarë në vite, gjini e fusha të ndryshme në një shkrim modest si ky yni, që ka më shumë vlerën e një urimi dhe një falënderimi të thellë. Por për hir të së vërtetës, që sot trembet nga kaosi i vlerësimeve dhe inflacioni i lëvdatave të pamerituara, nuk di si t’ia bësh për të gjetur fjalët e duhura për një shkrimtar të madh e nga më peshërëndët në letërsinë shqipe, për një nga ato të pakta pena që sot janë memorie e padiskutueshme e letërsisë së madhe shqipe. Asaj të paharrueshmes, që është e do të mbetet pasuri e patundshme kombëtare.

Me një jetë tërë tallazitje, djaloshi që vinte prej Zemblakut të Korcës prej një familjeje të madhe nacionaliste e patriote, njeriu që në fisin e tij ka ende si numur më shumë të vrarë, të varur, të pushkatuar e të arratisur se sa libra të shkruar nga dora e tij, do të duhej të shkruante letërsinë më të përzishme e më të dhembshme në këtë vend. Po çuditërisht ai bën të kundërtën, zgjedh të qeshurën, humorin, letërsinë më të vështirë në botë, atë që kryveprat në tërë bibliotekat e botës, nuk i kalon dot gishtat e dy duarve. Zgjedh letërsinë me më pak traditë e të kultivuar në këtë vend, më të brishtën, më të tulaturën e më të rrezikuarën në diktaturë dhe ia del mbanë të bëhet shkrimtari më i mirë i kësaj gjinie. Pëllumb Kulla i ka dhënë në 40 vjet krijimtari Shqipërisë së tij të drobitur të qeshurën e madhe përmes “vapës socialiste,” ku gjithmonë e më pak vend kishte për të qeshurën në jetë. E nis me dy vite pune si regjisor në Vlorë dhe përfundonsi viktimë e luftës së klasave  në një gurore të Kaninës duke thyer gurë e duke mësuar gjuhë të huaja. Nuk mposhtet. Beson në yllin e tij dhe shkruan e shkruan letërsi të ndershme, gjersa zbret në Fier si aktor e më vonë si regjisor në këtë Teatër. Në 18 vjet bën shumë gjera të cilat nuk thuhen dot shkurt. Por askush nuk vë dot në dyshim së paku se e bën Fierin qendrën e humorit të Shqipërisë dhe themelon aty vetvetiu me punën e tij Akademin e Humorit Shqiptar. Ngre në maja të paarritshme, pothuajse nga anonimati, një skuadër të plotë aktorësh brilantë, që bëhen krenaria e humorit shqiptar. Për plot 18 vjet, me një punë pasionante guxon, eksperimenton dhe korr suksese të atilla e   panjohura më pare, vit pas viti. I jep memories shqiptare karaktere të paharrueshëm popullor dhe gjuhës shqipe shprehje që bëhen simbole të nocioneve të reja te te folurit në jetën e përditshme, si të gjithë shkrimtarët fatlumë. E këtyre viteve është “Dy krisma në Paris” një dramë që shpëthente lotë krenarie në sytë e gjithë shqiptarëve në televizon e në 400 e ca shfaqje në tërë Shqipërinë. Por e thamë që nuk do të rrezikojmë për t’u mbytur në shembuj nga vepra e tij e gjerë dhe e jashtëzakonshme.

Gjithmonë midis rrezikut dhe keqkuptimeve, dashuria për vendin e tij dhe ndërgjegjja prej artisti të ndershëm e shtyu të tall dhe përqesh pjesën më të madhe të asaj shëmtie që jeta jonë e privuar dhe e indoktrinuar prodhonte në çdo pore të saj. E qeshura e madhe dallgë-dallgë nga të gjitha viset shqiptare ishte përherë kurajua dhe mbështetja e tij, klima dhe sakrifica që bëri, kritika dhe vlerësimi, dekorimi tij dhe lumturia e vëtrtetë, pa të cilën nuk mund ta kryente dot një art gjithmonë misionar dhe spresëdhënës.

18 vjet. Për 18 vjet Akademia e humorit shqiptar nuk ishte në kryeqytet, aty ku duhet të ishte, ishte në Fier dhe, edhe pse nuk thuhej zyrtarisht, ne, të gjithë ne, e dinim se mbante emrin dhe firmën e tij. Cfarë mund të donte më shumë në jetë një shkrimtar se sa kaq?!

Pas viteve ‘90 Pëllumb Kulla shkruajti edhe më shumë, paçka pse jeta e tij u ngatërrua plot sukses me diplomacinë deri në Kombet e Bashkuara. Letërsia e tij u bë edhe më e thellë e më “serioze” në kuptimin që jep kjo fjalë për letërsinë. Por skenës nuk iu nda prapë. Edhe pse jashtë Atdheut viteve të fundit, ai më shumë e ka lënë “Zemblakun e tij të tretë” në USA, për të qënë sërish si autor dhe regjisor i të tjerave komedive të sukseshme në Teatrin e Fierit, aty ku është tërë thelbi i jetës së tij prej artisti. E ka lënë për promovime librash, për miqtë dhe ngjarjet e mëdha të këtij vendi.

Sot në këtë përvjetor të Pëllumb Kullës, mbase nuk është as e mundur e as vendi të flasim më gjatë për veprën e tij. Është rasti për një urim dhe një falemnderit të madh në emër të gjithëve në emër të Istitucionit të Nderimit, më i riu, më i varfëri dhe më i nëpërkëmburi institucion moral në Shqipëri. Mirëpo, pikërisht këtu ndjehesh keq e nuk di se si t’i gjesh fjalët e falenderimit. Mbase duhet ta bënte vetë shteti përmes zëdhënësve të tij kulturorë. Por nuk mund të rrimë në pritje të kësaj dite të shumëpritur. Dhe mbetet ta bëjmë plot besim ne, shokët edhe miqtë e tu, kolegë, sepse edhe ne vetë jemi një pjesë e shtetit, mbase ajo më e mira e tij.

Kështu që, i dashur Pëllumb, ne duam së pari të të përqafojmë sot e të të themi në emër të mijra shqiptarëve se të duam shumë. Duam të të urojmë jetë të gjatë dhe letërsi akoma më të mirë. Duam të të themi, se jemi krenar që je në jetën tonë. Duam të të themi, që e dimë mirë se e qeshura e madhe që na ka dhënë është thjeshtë një dashuri e kulluar njeriu. Një dashuri që ti e ke bërë dhe e ke dhënë si askush në këtë vend. Madje ne nuk na dridhet fare qerpiku ta themi botërisht, se në ato 40 e ca vitet e “vapës socialiste,” Shqipëria, pa ty, do të kishte qënë një vend ku e ku më i mërzitshëm se sa ish në të vërtetë e se në këto vitet e tjera, me fjalën tënde, na e bën atë më të dashur.

Ne e besojmë prej shpirti dhe prej mendjeje, se sot për sot vepra jote është Akademia e gjallë e Humorit shqiptar. Edhe kjo na bën të të duam gjithmonë e më shumë…

Petrit Ruka

Roland Roshi

Tiranë, 9 janar 2015.