Pavarësia e komandave partizane

633
Prof. Dr. Shahin LEKA
Veprimtaria e Shtabit të Përgjithshëm gjatë LANÇ-it
Po i afrohemi 74-vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm (SHP) të UNÇSH më 10 korrik të vitit 1943. Mora shkas për këtë shkrim nga një dukuri që vihet re, edhe pse në raste të veçanta që synon të shmang apo të zvogëlojë vlerat dhe rolin drejtues të SHP në organizimin dhe drejtimin e formacioneve partizane gjatë LANÇ-it. Dihet se në luftën partizane komandat e formacioneve ushtarake në veprimtarinë e tyre kanë pavarësi më të madhe, se ato që veprojnë në front të rregullt. Kjo për arsye se njësitë partizane përhapen në hapësira të mëdha, të shkëputura nga njera-tjetra, shpesh me mjete ndërlidhje më të prapambetura në pikëpamje të teknikës se formacionet e frontit të rregullt, të cilat kanë komunikim të rregullt me njera-tjetrën e me komandën eprore. Ky fenomen vihet re sidomos deri nga mesi i shek. XX. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk shmang rolin organizues e drejtues të shtabeve të tyre eprore, e në rastin konkret të SHP të UNÇSH, në lidhje me komandimin e formacioneve partizane. Gjatë fazës së parë të formacioneve partizane, çeta e batalione, krijoheshin e vepronin brenda një qarku të caktuar dhe veprimtaria e tyre luftarake drejtohej nga Komiteti i Partisë i Qarkut. Pati edhe raste kur 2-3 qarqe bashkëvepronin për plotësimin e një detyre të rëndësishme luftarake. Në kushtet e rritjes së formacioneve partizane dhe të përmasave të luftës, në verën e vitit 1943, krijimi i SHP bëhet një detyrë urgjente.

Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm
SHP u zgjodh nga Këshilli i Frontit Nacionalçlirimtar. Rëndësi të veçantë merrte përzgjedhja e anëtarëve të këtij shtabi. Njeri grup përbëhej nga ushtarak të shkolluar e të karrierës. Anëtarë të tij ishin Spiro Moisiu, Abaz Kupi, Bedri Spahiu, Dali Ndreu. Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar zgjodhi nga ky grup komandant të shtabit Spiro Moisiun, me gradën e majorit dhe funksionin e komandantit të batalionit në ushtrinë mbretërore. Ai vinte në këtë detyrë me përvojën e një karriere të gjatë ku spikasin, jo vetëm aftësitë e profesionalizmit ushtarak, por edhe dinjiteti e atdhedashuria. Intelektualët përfaqësoheshin nga Sejfulla Malëshova, Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi e Ramadan Çitaku. Enver Hoxha që ishte sekretar i parë i PKSH, zgjidhet në funksionin e komisarit politik të SHP. Pastaj vinte treshja simpatike e prijsave popullorë Haxhi Lleshi, Myslim Peza e Mustafa Xhani. Me autoritetin e respektin që gëzonin në popull, i shndërronin krahinat e tyre Dibrën, Pezën e Martaneshin në baza të fuqishme të luftës së armatosur. Anëtarët e SHP formojnë një galeri portretesh ku secili me veçoritë e veta, me tipare të ndryshme, dalloheshin në tërësi për aktivitet të pasur patriotik e mbartnin një varg kualitetesh në shumë pikëpamje.

Shtab drejtues në rang kombëtar
Krijimin e SHP e kushtëzonte, por edhe e favorizonte, si faktori i brendshëm,edhe faktori i jashtëm. Zgjerimi dhe zhvillimi i vrullshëm i luftës së armatosur, si dhe rritja e mundësive të formacioneve partizane për të kryer operacione të rëndësishme, kërkonte nga SHP, të plotësonte disa detyra, si dhe të parashikonte prespektivën e zhvillimit të mëtejshëm të luftës. Në planin e jashtëm tërheqin vëmendjen fitoret e mëdha të arritura nga Ushtria Sovjetike në betejën e Stalingradit dhe nga forcat anglo-amerikane në Afrikën e Veriut dhe në Siçili. Në këto rrethana LANÇ-i, si pjesë përbërse e luftës antifashiste botërore, mundi të bashkërendohej me luftën e popujve pjesëtarë të kualicionit botëror vetëm me pasjen e një shtabi drejtues në shkallë kombëtare. Detyrat e SHP ishin shumëplanëshe. Detyra e parë themelore e tij ishte organizimi i UNÇSH. Për këtë qëllim u përcaktuan disa parime themelore. Rëndësi ju kushtua parimit të vullentarizmit. Në kushtet e rritjes së ndërgjegjes kombëtare e të gatishmërisë së masave popullore për të luftuar pushtuesit, zbatimi i këtij parimi kishte baza të shëndosha, çka u shpreh në rreshtimin vullnetar në formacionet partizane të qindra e mijra luftëtarëve.

Formacioni i brigadës sulmuese
Në kushtet e luftës partizane, të traditave luftarake të popullit tonë, e të karakterit malor të terrenit, vëmëndje i kushtoi SHP në ndërtimin e formacioneve të UNÇSH-së, zbatimit të parimit të autonomisë e lehtësisë në lëvizje. Kërkesat e këtij parimi i plotësonte formacioni i brigadës sulmuese. Brigada ishte njësi luftarke operative në dorë të SHP, e destinuar për të manovruar në varësi nga situata, e për të plotësuar detyrat luftarake në të gjithë vendin. E përbërë kryesisht prej forcash këmbësorie dhe një sasi të kufizuar artilerie të transportueshme me krahë e me kafshë, brigada kishte lëvizshmëri të lartë dhe i përshtatej terrenit malor. Njëherazi, ajo zotëronte forcë goditëse e mëvetësi veprimi. SHP tregoi kujdes të veçantë për të gjitha problemet që lidheshin me krijimin e organizimin e brigadave. Anëtarët e SHP kryen drejpërsëdrejti një veprimtari intesive për kapërcimin e vështirësive që lidheshin me krijimin e tyre. Kjo bëri të mundur që gjatë një periudhe tetë mujore gusht 1943-mars 1944, të krijoheshin shtatë brigada sulmuese të komanduara nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Hulsi Spahiu, Nexhip Vinçani, Shefqet Peçi, Tahi Kadare e Gjin Marku, thujase të gjithë me shkollim ushtarak e me përvojën e pasur luftarke të fituar në betejat e luftës partizane. Procesi vijoi më tej me krijimin gjatë tetë muajve të tjerë prill-nëntor 1944 të 17 brigadave të reja, gjithsejt 24 të tilla. Mbi bazën e këtyre brigadave u krijuan në fazën e tretë të luftës maj-nëntor 1944 divizionet deh komparmatat, çka çoi në organizimin e plotë të UNÇSH. Nuk ishte e thjeshtë të krijoje dhe organizoje një brigadë sulmuese. Nuk përfundonte me caktimin e datës, vendit të grumbullimit dhe organizimin e përurimit të saj. SHP në bashkëveprim edhe me komandat e formacioneve partizane, në ecurinë e krijimit të brigadave, duhej të zgjidhte një varg detyrash. Duhej të sigurohej kompletimi i brigadës me efektiv, të zgjidhej problemi i kuadrit, sigurimi i armatimit e municioneve, një numër pajisjesh, të merreshin masat e nevojshme për stërvitjen, për përgatitjen fizike e për edukimin moral të luftëtarëve.

Përpunimi i taktikës së luftimit
Një detyrë tjetër e rëndësishme e SHP, ishte përpunimi i taktikës së luftimit, me ndikim të drejpërdrejtë në ecurinë e veprimtarisë luftarake të formacioneve partizane. Para krijimit të SHP ekzistonte një bazë e mirë e taktikës së luftës partizane. Taktika e luftës u përpunua e u zbatua në zjarrin e betejave me pjesëmarrjen aktive të luftëtarëve të thjeshtë e të kuadrove, të të gjitha rangjeve. Por, pa dyshim, një meritë të veçantë, ka SHP, i cili diti të nxjerrë nga përvoja elementet më pozitivë të taktikës së luftës, t’i përpunojë në rrjedhën e saj në një kod taktik tepër efektiv, e nëpërmjet udhëzimeve, t’i përgjithësojë e t’i përhapë në radhët e formacioneve të UNÇSH-së. Me organizimin e UNÇSH-së, SHP jo vetëm përsosi më tej taktikën e luftës partizane të formacioneve të vogla, por përpunoi edhe metodat e përdorimit të grupeve partizane dhe të brigadave sulmuese, çka mundësoi plotësimin e detyrave më të rëndësishme, goditjen e garnizoneve të mëdha të armikut, ndeshjen me formacionet e tij, luftimin për pushtimin e rajoneve të fortifikuara, për mësymjen në qytet etj.
Sigal