Noteri Julian Zhelegu, ish doganier në Durrës, i arrestuar më 9 dhjetor 2002 për lejim dhe fshehje mallrash kontrabandë

3839
“Veting”-u të hapë letrat e krimit ekonomik-financiar dhe shpërdorimit të detyrës, të ish-zyrtarëve që pas prangosjeve punojnë në shërbimet e drejtësisë 
– Sot po publikojmë një skandal të pa pasqyruar në dosjen e licencimit të noterit që “çuditërisht” ka “certifikuar” me një “OK”, gjithë privatizimet mafioze të ekonomisë shqiptare, bërë në bashkëveprim me ish-shtetarë 
Aurel PASHKU
Procesi i “Veting”ut, nuk bëhet për ata që përpara vitit ’90 kanë vjedhur kumbulla në bahçen e komshiut dhe pjepra në fushat e kooperativës apo për ata emigrantë që pas vitit 1990 janë dënuar në emigracion për kalim ilegal të kufirit dhe nuk kanë asnjë funksion zyrtar, madje nuk janë as punonjës pastrimi në institucione e shërbime publike. Ky proces pastrimi i kontingjenteve të krimit nga zyrat e shtetit dhe nga shërbimet publike e private që kanë lidhje me punët e shtetit dhe sigurinë e pasurive të jetës së qytetarëve, ka si “pikë e vijë shënjimi” ata zyrtarë, drejtues pushteti lokal, diplomatë, nëpunës, punonjës drejtësie, shtetarë, vendim-marrës ekzekutiv e ligjvënës dhe shërbime të licencuara në sektorin e drejtësisë nga institucionet e larta të drejtësisë e të shtetit, siç janë noterët, të cilët certifikohen nga Ministria e Drejtësisë, për të garantuar drejtësinë dhe saktësinë në marrëdhëniet e çdo lloji mes institucioneve dhe qytetarëve! Shtrohet pyetja: A mund të garantohet kjo korrektësi dhe drejtësi në aktet pronësore, financiare, familjare, sociale, konfliktuale etj, prej një noteri i cili përpara certifikimit si “noter”, rezulton të jetë arrestuar në flagrancë me prova konkrete “Për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim në kontrabandë mallrash të futura nëpërmjet Pikës Doganore Portuale-Durrës, që është një nga shërbimet strategjike të ekonomisë dhe sigurisë kombëtare?! Se si i ka shpëtuar prangave me hetim në gjendje të lirë ish-doganieri Julian Zhelegu sot me pozicion Noter dhe, se si i ka shpëtuar drejtësisë prej krimit të favorizimit dhe fshehjes së kontrabandës së mallrave në shërbimin doganor duke shpërdoruar detyrën, kjo është një dosje tjetër që gazeta “Telegraf” e disponon të plotë dhe që do t’i referohet drejtësisë dhe organizmave ndërkombëtare, për t’iu nënshtruar zbardhjes dhe “Veting”-ut. Por nuk është vetëm kjo dosje, përkundrazi është shumë e “pasur” veprimtaria e ish-doganierit, ish-juristit, ish-ekspertit dhe biznesmenit të pa tatuar, të palicencuar e të toleruar prej tatimeve e doganave në disa “sektorë”, aktualisht biznesmen-noterit Julian Zhelegu. Sot po publikojmë skandalin e tij, të papasqyruar në dosjen e licencimit si “Noter”, këtij noteri, i cili “çuditërisht” ka “certifikuar” gjithë privatizimet mafioze të tipit “BOT” dhe shitje-blerje të ekonomisë shqiptare, bërë në bashkëveprim me ish-shtetarë në 15 vitet e fundit, madje edhe transaksione miliardash e aksionesh të politikanëve…
Ja lajmi zyrtar i prokurorisë së Durrësit, për arrestimin e doganierit portual Julian Zhelegu
DURRËS-Shoqërohet në polici dhe më pas lihet i lirë drejtori i doganës së Durrësit, ndërsa arrestohet shoferi i tij si dhe dy doganierë. Bllokimi i një valixheje me 91 celularë kontrabandë, në portin detar të Durrësit, ka qenë motivi i këtyre masave ndaj kreut të doganës së Durrësit, Aurel Fejzullahu, dhe vartësve të tij. Burime policore nga porti detar i Durrësit thanë për gazetën, se në orën 11.00 të ditës së djeshme, me tragetin Jonis, të linjës Bari –Durrës, i cili është ankoruar në kalatën 4 të portit, ka zbritur dhe shtetasi Pirro Zëre, bagazhi i të cilit kishte dhe valixhen me 91 celularë kontrabandë. Bagazhet e Zëres ishin kontrolluar nga doganierët, të cilët nuk kanë vërejtur asnjë lloj problemi. Më pas shtetasi, i cili dispononte këtë valixhe, ka hipur në automjetin e drejtorit të doganës së Durrësit, i cili drejtohej nga shoferi i drejtorit Arshi Dibra. Ky i fundit, së bashku me shtetasin që dispononte valixhen më celularë ka lëvizur në drejtim të portës nr. 2 të portit, ku dy policët e shërbimit e kanë ndaluar automjetin dhe e kanë kontrolluar atë, duke zbuluar dhe çantën me celularë kontrabandë. Policia ka shoqëruar menjëherë në komisariat shoferin e drejtorit të doganës së Durrësit dhe Pirro Zëren që dispononte valixhen me celularë. Ky i fundit është pronar i një dyqani celularësh në Durrës. Pas ndalimit të këtyre dy personave, policia ka shoqëruar në komisariat dhe ka marrë në pyetje drejtorin e degës së doganës së Durrësit, Aurel Fejzullahun. Ndërkohë është shoqëruar në polici edhe Gëzim Kaloshi, Julian Zhelegu, Vaso Buxhuku, Lavdosh Zerba, Agron Kodra, Valter Lila, të gjithë doganierë, si dhe Irakli Qirajko, shitës. Rreth orës 14:30, në portin e Durrësit, ka mbërritur dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Bajram Ibro, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Sokol Kraja, drejtori i krimeve, Bizhga dhe prokurori i Durrësit, Arben Dollapi. Ndërkohë policia nisi hetimet intensive lidhur me këtë çështje dhe materialet i kaluan prokurorisë së Durrësit. Mësohet se çështja u mor në ngarkim nga prokurori F. Elezi. Pas hetimit u vendos që drejtori i doganës së Durrësit dhe katër doganierë të tjerë të hetohen në gjendje të lirë, ndërsa është marrë masa e arrestit ndaj shoferit të drejtorit, dy personave që shoqëronin mallin kontrabandë dhe ndaj dy doganierëve. Ndërkohë, dje në orët e mbrëmjes është mbledhur komisioni disiplinor në drejtorinë e Përgjithshme të doganave për të marrë masën e pushimit nga puna të punonjësve të mësipërm.
Vijon
Pas prangosjes 
Mbahen në masë arresti
Arshi Dibra- Shofer i drejtorit të doganës
Piro Zëre-subjekti kontrabandist
Irakli Qirjako-shitës (bashkëpunëtor në kontrabandë)
Agron Kodra- doganier i kontrollit fizik
Valter Lila-doganier i kontrollit fizik
Hetim në gjendje të lirë
Aurel Fejzullahu- drejtor i doganës së Durrësit
Lavdosh Zerba-doganier i pranimit të dokumentacionit
Julian Zhelegu-doganier
Vaso Buxhuku-doganier
Gëzim Kaloshi-doganier
A është pasqyruar në dosjen e licencimit sipas ligjit, arrestimi i Julian Zhelegut?

LIGJ Nr. 7829, datë 01. 06.1994 “Për Noterinë” 
Neni 2 

Kushtet për t’u bërë noter 
(Ndryshuar me Ligjin Nr. 8790, datë 10.5.2001 dhe me Ligjin Nr. 9216, datë 1.4.2004) 
1. Profesionin e noterit mund ta ushtrojë çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili plotëson këto kushte: 
a) Ka kryer arsimin e lartë juridik 
b) Ka zotësi të plotë për të vepruar 
c) Është jo më pak se 26 vjeç dhe jo më shumë se 55 vjeç në çastin e dhënies së provimit të kualifikimit për marrjen e licencës së ushtrimit të profesionit të noterit
ç) Nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje
d) Nuk është larguar nga detyra apo funksioni i gjyqtarit, i prokurorit ose i nëpunësit të administratës publike për shkelje të rregullave dhe të disiplinës në punë gjatë 3 vjetëve të fundit nga data e paraqitjes së kërkesës për lejimin e ushtrimit të profesionit të noterit.
Sigal