Një rrugëtim nga Festivali i 11-të, deri tek i 52-ti

605
Sigal

FORUM/ Flasin për Festivalin e 11-të, Hisku, Alibali, Krajka, Alqi Lepuri, Lalo dhe Shehu

Festivali i 11-të në RTSH, është Festivali më i shumëdiskutuar dhe sot. Pas atij Festivali, pjesa dërrmuese e këngëtarëve dhe e kompozitorëve ose u dënuan ose shkuan në prodhim. Parë në këndvështrimin e sotëm, askush nuk mund ta besojë se për lëvizjen në skenë, për veshje dekolte, për shtimin e numrit të kitarave apo të xhazeve në orkestër, shuam këngëtarë dhe kompozitorë do të hiqnin të zitë e ullirit. Këtë fund viti do zhvillohet Festivali i 11-të i RTSH-së, me Drejtor Artistik Edmond Zhulali. Pra 41 festivale më vonë, shihet se ka përparuar teknologjia, mënyra e transmetimit, skena, veshja, koreografia, por festivali më prestigjioz në Shqipëri, ecën në rrugën e tij, duke mos e ndjerë konkurrencën, pasi mbetet ende Festivali, ku këndohet live, ku orkestër është live dhe elementë të tjerë artistikë që nuk i kanë Festivalet e tjerë jashtë këtij kompeticioni. Në ditët në vazhdim gazeta “Telegraf” do të jetë e pranishme në gjithë zhvillimet e reja të Festivalit të 52-të, duke sjellë pranë lexuesve të gazetës sonë të gjitha të rejat e këtij festivali që sipas Zhulalit do të ketë shumë të papritura.

Alida Hisku “Mjeshtre e Madhe”

Festivali i 11-të mbetet për mua më i miri i të gjithë kohërave. Aty u shpalos tërë mendja e freskët e kompozitorëve dhe zëri i ëmbël i këngëtarëve. N.q.s do të ecej në atë rrugë muzika shqiptare do të ishte shumë lart. Ishte dënimi më i keq që ka dhënë ndonjëherë regjimi. Të godasësh artin, do të thotë të godasësh memorien e një kombi, të godasësh vlerat më të mira shpirtërore të tij. Duke goditur artin, regjimi e kishte më të lehtë të godiste në çdo fushë tjetër. Në atë Festival, mori vrull rinia, shpirti krijues, bukuria e muzikës së lehtë, krijimtaria e poetëve tanë. Ai Festival mbetet i paarritshëm.

  Bashkim Alibali “Mjeshtër i Madh”

Bëj çudi se sa lakohet ky festival. Më vjen çudi se edhe sot ai diskutohet si festivali i shumë të papriturave. Unë në këtë festival mora pjesë  me këngën. “Mbrëmja e fundit”. Ishte një këngë për studentët. Kënga bënte fjalë kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar shumë ditët e shkollës sepse të nesërmen do të shpërndahen. Ishte një bashkëpunim i bukur, ku teksti dhe muzika ishin të Enver Shëngjergjit, nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Natën e parë të pranishmit më kthyen dy–tre herë, pasi dihet ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase. Në fund ngela i zhgënjyer pasi kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim! Ky festival mbetet për mua një festival emblemë, pasi këngët ishin shumë të bukura, tekstet po kaq të bukur, ku arti donte të thyente kornizat e kohës. Por e keqja u pa më pas. Se di pse u dënua aq fort. Pra ideologjia fitoi mbi artin. Në këtë festival u kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi, por dhe për mua në Shkodër, në ndërmarrje, u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë.

 Agim Krajka “Mjeshtër i Madh”

Në  Festivalin e 11-të me të vërtetë  u  prit  mirë  kënga ime, u  përgëzova nga artdashësit, por arrestuan shumë këngëtarë, shkrimtarë piktorë  etj., dhe frika ka qenë e madhe. Një ditë më thonë dy  të  rinj  se në  orën  11-të duhet të paraqitesha në degën  e Punëve  të  Brendshme. “E pati edhe puna ime”,-  thashë  dhe  piva  një dopjo fërnet  dhe shkoj  atje. Shikoj  dy  vetë që më prisnin dhe më  thanë: “Hë mor  ti,  çfarë është ajo këngë  që na  ke bërë”. “Çfarë  flisni  kështu”,- i thashë.  “Si mund ta quani imoralitet. Ajo  është pogonishte”, i  them “pogonishte që  kërceni ju, unë  dhe babai im”. Pasi e këndova më thanë se çfarë ishte kjo “parru pau” si refren pas fjalëve.  Më lanë të lirë të ikja, por më porositën ta kisha mendjen se ato më kishin shkolluar. Kjo ka qenë kënaqësia e kompozitorëve shqiptarë. Pra ndjeje fillimisht kënaqësinë e emrit, këngës së re, lëvdatave të njerëzve, por të hidhurat i kishe gjithnjë nga pas.  Sa herë flitet për kompozitorët e brezit tuaj, patjetër që do dali në pah dhe Festivali i 11-të. Si e keni përjetuar këtë festival dhe çfarë opinioni keni për të?

Eh, Festivali i 11-të. Mund të them sot diskutohet më shumë se dje për shumë arsye. Mendimi im është ky: ishte një  festival i parapërgatitur me qëllim spastrimi siç bëheshin spastrimet dhe në politikë. Ato kishin interesa t’i largonin disa figura për poste politike. Për  mua ishte e qëllimshme, se përse i 11-ti  duhet të ishte ndryshe nga të  gjithë të tjerët. Ne ishim viktima të realizmit socialist. Shumë  veta  ikën  kot, shumë  u  futën në  burgje, u persekutuan padrejtësisht, etj..

Alqi Lepuri

Festivali i 11-të nuk u godit, por u krijua një kurth për t’u goditur disa persona. Sepse ashtu duhej. Historia e njerëzimit është ndërtuar në formë spirale.  Spirlai nuk rrotullohet në mënyrë rrethore të drejtpërdrejt , por njëherë ngrihet lart, njëherë ulet poshtë. Edhe rrotullimi i tokës nuk bëhet vetëm në qendër, por shkon edhe poshtë edhe lart. Pra në një moment të caktuar të historisë do të bëhet dikush kurban për qëllime të ndryshme. Kështu lindi dhe ideja e kurbaneve të Festivalit të 11-të. Filloi revolucioni kulturor në Kinë, edhe ne duhej ta përkrahnim dhe kurban u bënë shumë artistë dhe krijues. Por koha ka ecur. Shumë prej atyre që u dënuan, disa sot u bënë deputetë, ambasadorë, ministra. Shumë të tjerë mbetën pa punë se u mbyll Kinostudio, Estrada e Ushtarit, u mbyll Estrada e Tiranës, etj… Unë në atë kohë isha në shkollë të mesme. Përpara se të bëhej Festivali i 11, unë po organizoja një aktivitetet në shkollë kur më thërrasin në ministri, kur sapo kishte filluar liberalizimi. Mua më pyesnin se si do zhvillohej ky aktivitet, ta bëjmë të bukur, të larmishëm. Ministër ishte Thoma Deliana një burrë që kishte seriozitet.  Unë hapja sytë që na pyesnin ne. Pas një viti kur u dënua Festivali ngela i befasuar. Ndryshe na thanë ndryshe bënë.  U dënuan shumë padrejtësisht. Ky ishte kurthi. Ndryshe na thanë, ndryshe kërkuan, ndryshe doli, Madje dua të them që Festivali i 10 ishte më modern se i 11-ti, kur ky modernizim kishte filluar që në Festivalin e 9-të.

 Aleksandër Lalo

Ato vite kanë qenë vitet e liberalizimit të jetës shoqërore, pra janë vitet 1965-1972. Unë në këto vite kam qenë student në Institutin e Lartë të Arteve plus që kam kompozuar dhe punoja në radio. Para Festivalit të 11-të, është bërë një Festival i dytë i studentëve në Institutin e Lartë të Arteve, ku këndonin studentë, kompozonin dhe kompozitorë pedagogë por dhe të tjerë. Ky Festival ishte një Festival liberal sepse dolën këngë si “Adresa” e Francesk Radit,  si dhe shumë këngë të tjera dhe mbaj mend se në sallë, po thyheshin dyert dhe dritaret për të marrë pjesë në këtë shfaqje. Mbaj mend se në sallë ishte dhe Nefo Myftiu (gruaja e Manush Myftiut)  ahere drejtore e Radio Tiranës, e cila e pëlqeu shumë këtë Festival. Madje, ajo u thotë drejtuesve në Radio dhe organizatorëve të këtij Festivali që është një Festival i mirë dhe na duhet dhe një Festival i tillë në RTSH. Ndoshta ishin orientimet e asaj kohe, (pasi ishin vitet e liberalizmit, qoftë në modë, qoftë muzikë), që  në transmetimet e radios gjithmonë jepeshin edhe muzikë e përzgjedhur e huaj.  Nga ana vizuale nuk kishin dalë ende formacionet orkestrale    të Alqi Karecos, Gaspër Çuçisë, Kujtim Laros, Ferdinand Dedës, kështu që në  Festivalin e 11-të për herë të parë dolën vizualisht këtë formacione orkestrale. Për herë të parë në këtë Festival u fut dhe moda e veshjes siç ishin maksifundet. Mbaj mend se ahere na mblodhi Todi Lubonja, (unë në atë kohë kam punuar dhe si redaktor muzikor në Radio -Tirana), na tha : Djema duhet bërë një Festival rinor, festival të bukur, këngët do paguhen mirë, (një këngë 5 mijë lekë baras me një rrogë mujore). Kjo bisedë ishte shumë domethënëse për ne, pra na inkurajuan dhe na hoqën shpengimin.  U bë njëfarë konkursi midis organizatorëve, që të bëhej diçka sa më e bukur, më profesionale për kohën. Mos të harrojmë se, këto vite janë vitet e lulëzimit të muzikës sidomos asaj të lehtë në gjithë Evropën. Ishin vitet e shpërthimit të muzikës. Kjo valë kishte ardhur edhe në Shqipëri. Festivali i 11-të, sigurisht kishte këngë shumë të bukura, ishte  jashtë kornizave të kohës,  dhe nën ndikimin e Festivalit të dytë të Institutit të Lartë të Arteve, pra ishte një Festival me risi, me krijime model, me këngëtarë të aftë, nuk ishte një çudi e madhe, por ishim disa herë më të çliruar se Festivalet e tjerë. Duke i bërë një analizë jo politike por artistike, një pjesë të gabimeve në festival i kemi bërë dhe ne pa dashje. Këtu kam  parasysh thashethemet artistike që bëhen në  aktivitete artistike, xhelozitë, egot, ku secili nga ne në atë kohë shfaqte mendime të ndryshme se ka modele amerikane, franceze, italiane, etj…Këto ishin thashetheme artistike, ku deri diku janë dhe të bukura për njerëz që mbajnë peshë aktivitetet, por të mos harrojmë që në studiot e televizionit në atë kohë hynin dhe dilnin dhe fëmijët e të mëdhenjve, anëtarëve të Byrosë politike, që disa i kishim dhe shokë i kishim dhe kolegë, që shikonin dhe provat e Festivalit dhe bëheshin pjesë e dëgjueshmërisë së thashethemeve artistike. Sipas mendimit tim, këto thashetheme, këta fëmijë i përcillnin tek prindërit e tyre, familjet e tyre. Kështu që u hap një tymnajë se në Festivalin e 11-të po bëhej nami. Pra u përhap një nam për nam. Në provat gjenerale erdhi Ramiz Alia. I ndoqi me interes këngët dhe orkestrimet u shpreh që i pëlqeu shumë dhe na dha dorën. Por pas zhvillimit, befas festivali u dënua.

 Flamur Shehu “Mjeshtër i Madh”

Për Festivalin e 11-të, është shkruar shumë, janë dënuar, shumë, është komentuar shumë. Madje, duket sikur është zhvilluar tani aq shumë gjurmë ka lënë në historinë e muzikës shqiptare. Unë mora pjesë në këtë Festival me këngën “Dhoma 23” me tekst të Betim Muços, dhe e ka kënduar Bashkim Pashollari. Kishte një zë të veçantë që për mua kishte një tingëllim si të Sherif Merdanit. Ahere kënga këndohej në dy variante. Festivali i 11-të solli një risi. Ishte i vetmi festival, ku ne kishim një liri, nuk kishim atë përgjim apo ndrydhje si më parë. Po frynte një si erë e re demokracie. Ajo që dua të them ky Festival ka pasur këngët më të bukura se të gjithë Festivalet e tjerë. Ato këngë edhe sot thua tingëllojnë shumë profesionale, shumë perëndimore, por që e theksoj ato mbështeteshin tërësisht në folkun shqiptar.  Dhe pse për atë kohë u quajtën tendencioze, me prirje revizioniste, për mendimin tim ishin tërësisht të mbështetura në folk. Ky Festival u dënua më shumë nga mënyra e paraqitjes, e veshjes, mënyrës së prezantimit, mënyrës së ekzekutimit të instrumentistëve, se sa nga muzika. Kjo mënyrë prezantimi erdhi si “Buum”. Edhe mënyra e komunikimit në skenë kishte diçka ndryshe. U futën disa gjëra që na bënë më të lirshëm por dhe habiteshim se si na u dha kjo liri, kjo hapësirë menjëherë. Por në fund të fundit, ajo u dënua nga ideologjia e sistemit me qëllime të caktuara.