Nishani dekoron Edmond Tullumanin me Titullin “Mjeshtër i madh”

667
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi producentit Edmond Tullumani Titullin “Mjeshtër i madh”. Vlerësimi i Kreut të Shtetit u bë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për meritat e tij si producent i koncertit “Tre tenorët shqiptarë”, për organizimin e shumë aktiviteteve të tjera koncertore në vite, si dhe për kontributin e tij si evidentues i vlerave të kulturës shqiptare brenda dhe jashtë vendit”. Presidenti Nishani, në fjalën e tij, e vlerësoi Edmond Tullumanin, si tenor e piktor, por mbi të gjitha për organizimin prej 16 vitesh të koncertit “Tre tenorët”. Në të njëjtën kohë, Kreu i Shtetit nënvizoi rolin e kulturës dhe artit në jetën e një vendi dhe shoqërie, ndërsa përmendi sakrificat dhe vullnetin që kërkon ndjekja e rrugës së artit.
Zhvillimi i koncertit “Tre Tenorët” ka krijuar tashmë traditën dhe historinë e tij. Gjatë rrugëtimit të tij, ky aktivitet ka rezervuar për çdo vit pjesëmarrjen e artistëve më të suksesshëm të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, i pasuruar gjithmonë me elementë të ndryshëm të përmbajtjes skenike, skenografike, repertorit dhe skenarit. Koncerti ndër vite është zhvilluar edhe në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike në Tiranë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Turqisë dhe Kosovës. Si një takim i përvitshëm dhe mjaft i mirëpritur nga publiku, koncerti “Tre Tenorët“ ka sjellë në edicionet e tij të fundit bashkëpunime të rëndësishëm me tenorë nga vende të ndryshëm, krahas atyre shqiptarë. Producenti Tullumani falënderoi presidentin Nishani për vlerësimin e dhënë, duke u shprehur se “vlerësimi i shpirtit është akti më domethënës për njerëzit e artit e kulturës”. Tullumani falenderoi artistët, të cilët ndër vite i dhanë jetë koncertit, ndërsa shtoi se publiku me duartrokitjen dhe mbështetjen e zjarrtë e ka dhënë vlerësimin e tij për dhjetëra e dhjetëra njerëzve të artit që bëhen bashkë te “Tre Tenorët”.
Gjithashtu, në ceremoninë e veçantë të organizuar në Presidencë, Nishani vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh” edhe Fatmir Terziun, Ferdinand Samarxhiun, Valbona Memën dhe Besnik Çinarin.
Sigal