Nga Hyskë Borobojka: Shihemi ne gjyq!

912
Sigal

Atje tej në Linë u zunë e u rranë nipi me dainë për një tokë. Pasi nuk e zgjidhën dot problemin me kopaçe, vendosën të paraqiteshin në emisionin televiziv “Shihemi në gjyq, për ta zgjidhur me ligje. Nip e dajo, njëri i shkurtër e rrondokop dhe tjetri i gjatë e i thatë, zunë vend në seancën gjyqësore duke mbajtur përpara nga një dosje të madhe, njëri me ngjyrë jeshile e tjetri ngjyrë portokalli. Të dy burrat filluan ta shanin njëri tjetrin, duke përdorur shprehje e sharje dhe epitetet, sa zor t’i gjesh në fjalorin e shkruar të gjuhës shqipe.

-Këtë tokë në Linë ia dhanë familjes tonë por ky zoti dajo, që mos e paça, si ujk e derr që është do ta rrëmbejë për vete dhe mua të parin të më lërë me gisht në gojë. Ky maskara, ky delenxhi, shikojeni si është fryrë, sapo i del dhjami mbi kurriz. Ky për të përlarë gjënë e tjetrit s’ka as din as iman. Eshtë qelipixhi mbi qelepixhinjtë, është maskara përmbi maskarenjtë, që ka shok veten e tij! – thërriste e çfrynte nipi, sa dridheshin qelqet e dritareve në studion televizive.

-More zotninj, – ndërhyri gjyqtarja, – pa të shara e ofendime. Jeni një gjak dhe gjaku nuk bëhet ujë.

-Ashtu është, zonja gjyqtare,- ndërhyri nipi. -Gjaku vërtet s’bëhet ujë por bëhet qelb dhe qelb jo vetëm Linën tonë por gjithë krahinën.

-Zotërinj të nderuar, që keni adhur në këtë seancë “Shihemi në gjyq” – ndërhyri dajoja. – Shikojeni dhe regjistrojeni çfarë surrati ka ky llafazan. Ky zotni, që për të keqen time e kam nip, që mos e paça, deri në muajin e tetë ka qenë majmun në barkun e sëmës dhe u kthye e u bë njeri në muaji e nëntë. Shikojeni qytetarë të nderuar si i ka duart më të gjata se këmbët!

Si vazhduan sharjet e ofezat për njëri tjetrin, që do ta kishin zili edhe deputetet në Parament, radha u erdhi dosjeve të hapeshin. Njëri nxori nga dosja jeshile një shkresë pa firmë e vulë. Tjetri nga dosja ngjyrë portokalli një vendim pa datë e firmë. Të dy dosjet ishin të fryra me të ashtuquajtura dokumente ligjore, aq sa zor të mbaronin.

Në këtë çast ndërhyri drejtusi i emisionit duke thënë:

-Të pyesim publikun që e kemi thirrur për fasadë dhe e paguajmë për të duartrokitur, se kush ka të drejtë, nipi apo dajoja!

Përpara se publiku të jepte verdiktin në dobi të nipit apo dajos, ndërhyra unë duke thënë:

-Atë tokë në Linë, për të cilën bëni dava ju e ka blerë gjyshi im kur u kthye pas 33 viteve nga kurbeti. Ja ku e kam dekretin e blerjes dhe dokumetin kadastaral të kohës!

-Menjëherë ndërhyri dajoja, duke më thënë se cili isha unë që po dilja, si kërriçi para gomarit. Si quhesha e ç’kërkoja, ç’dreq më kishte sjellë në seancën “Shihemi në gjyq”. Sa për ato shkresa e të ashtuquajtura dokumenta juridike, duhet t’u pini lëngun, se i përkasin kohës së Babaqemos. Kurse ne, që s’kemi pasur kurrë pronë, as të trashëguar e as të blerë, na ka bërë pronarë të “ligjshëm” ligji famëmadh “7501”.

Ndërsa ai vazhdoi sqarimet dhe më shau sa mundi se kisha thyer këmbën e kisha ardhur në “Shihemi në gjyq” për të thënë ca gënjeshtra me bisht. Si më sumi edhe nipi, se po llomotisja për ca,tapi e shkresa të dala boje, unë vazhdova:

-Gjyshi im, rahmet pastë, kur u kthye nga kurbeti bleu edhe 500 metra katrore truall në fshatin turistik të Voskopojës, ku ndërtoi një shtëpi, një biznes, (kafene, dyqan dhe punishte për verë e raki). Nuk kaloi shumë dhe vendin tonë e pushtoi Italia Fashiste. Në Voskopojë erdhi dhe u instalua një batalion “jeniçerësh, që mbante emrin “Lupi Di Toskana” (ujqit e Toskanës) Populli u ngrit në luftë për liri. Edhe babai im rrëmbeu armët e u bashkua me luftëtarët e lirisë, duke marrë pjesë në çlirimin e Voskopojës, madje duke luftuar në betejën te Ura e Kovaçit kundër italianëve e milicëve të Sali Pilurit, që vinin nga Korça, ndërsa nipi i tij çarmatosi karabinierët italianë.

Nuk kaloi as një ditë kur Voskopoja u rrethua nga një korpus i madh fashist, që nga Kostamandoja, në breg të Shëndëlisë, nga Shemprodhomi deri në Zhomërr. Si duket ndonjë afije i kishte njoftuar se ai që çarmatosi karabinerët ishte nipi i babait, prandaj sa hynë në fshat të parin zjarr që vunë, ishte shtëpia jonë, kafeneja, dyqani dhe punishtia e verës dhe rakisë. Populli ynë s’e duronte dot zgjedhën e armikut, u ngrit në luftë dhe e shporri Italinë Fashiste nga vatani. Pas fitores mbi fashizmin dhe nazizmin erdhi “liria dhe “demokracia”e premtuar. Ajo u bë pronare e gjithçkaje, duke privatizuar pa asnjë bazë juridike edhe tokën time në Lirë e truallin në Voskopojë. Ajo u bë pronare e gjithçkaje. Thonë se Italia Fashiste dhe gjermania naziste i paguan dëmshprblimet, por si duket i mbajtën për vete sipas shprehjes “ o Mete për vete”.

Theu qafën dhe diktatura dhe erdhi demokracia. Në kushtetutën e vendi u shkrua se prona i takon atij që e ka të blerë apo të trashëguar. Edhe unë , si shumë të tjerë bëra kërkesë që të më kthehej prona në Linë e trualli në Voskopojë. Të drejtë ke, -më thanë, të takon, Pronën në Linë e përfshiu ligji “7501”. Truallin në Voskopojë s’mund ta prishim qendrën shëndetësore.. Atëherë më jepni një truall tjetër nga ata që i zotëronte dikur komuna e Voskopojës. I dashur Hyskë, – më thanë,- ato i morën ata që s’i kishin kismet. Prandaj ty do të të japim “letra me vlerë” (që s’kanë asnjë vlerë) Faleminderit u thashë, por kam një vandak me kupona nga “huaj shtetërore” në kohën e diktaturës e s’mora asnjë lek, Me këto letra me vlerë që do më jepni nuk blej dot as sheqerka për të gostitur fëmijët.

shtu vajti filli im. Tokën në Linë ma rrëmbeu ligji i famshëm “7501” dhe ua dha atyrë që s’kanë pasur kurrë prona as të trashëguara e as të blera, kurse truallin në Vosopojën turistike ma mori qeveria pa asnjë vendim juridik të vërtetojë se ajo është pronare e “ligjshme” e saj. Dhe unë, fakifukaraja, punova si argat 45 vjet me radhë dhe tani marr një pension qesharak, më pak se çerekun e pagës, që merr pastrusja që fshin e pastron zyrën e kryetarit të Bashkisë të Tiranës. Me këtë pension s’jam në gjendje të paguaj ilaçet e të plotësoj nevojat e hallet e tjera, apo të blej dy metra dhe për të ndërtuar banesën e përjetëshme. Prandaj kam vendosur bamirësit, kryetar të Bashkisë së Tiranës, që ka bërë gjithë ato punë e vepra të mira, sa dhe Kopshtin Zoologjik do ta bëjë më të mirë se atë të Mbretërisë së Bashkuar, që jep shtëpi për familjet e reja, të më japë edhe mua dy metro tokë që të ndërtoj “banesën e përjetëshme” e të lë amnet, që në portën e saj të shkruhet:

HYSKË BOROBOJKA

Lindi në ditët e Monarkisë, u rrit në Kohën e Triskëtimit, u burrërua në Epokën e Tallonit dhe ndërroi jetë gjatë Trazicionit pa fund.