Nesër do të lexoni/ Fillimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë në vitin 1990

759
Nga Enver MEMISHAJ
Këto shënime nuk përbëjnë historinë e pa kritikueshme të fillimit të Lëvizjes Demokratike në Vlorë dhe as të themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës, por ato janë shënime, kujtime, për ç`farë kam jetuar unë me emocione të pa përsëritshme, ç`farë kam parë dhe ç`farë kam dëgjuar për ato ditë të paharruara, ku edhe kam marrë pjesë. Vlora u zgjua në saje të lajmeve që vinin nga Tirana nëpërmjet radios, televizionit por sidomos nëpërmjet studentëve vlonjatë dhe qytetarëve që shkonin e vinin atje. Një rol të rëndësishëm luajtën edhe radiot dhe televizionet e huaja që flisnin në gjuhë shqipe apo edhe në gjuhë të huaj. Vuajtja dhe mjerimi që kishte pllakosur qytetin e Vlorës, si gjithë Shqipërinë, ishte një tokë e begatshme ku mbiu guximi dhe trimëria për tu ngritur kundër diktaturës. Studentët vlonjatë morën pjesë masivisht në Lëvizjen Demokratike, përfshi edhe vajzat, ndër të cilët përmendim: Mimoza Ferra, Herkole Sava, Yzeir Muço, Enela Pici, Ardi Stefa, Arjan Nika, Adrian Kollozi, P. Zeqiri, D. Shtylla etj. Janë shumë ata që sillnin lajme nga Tirana, dhe që ushtronin propagandë për të ngritur njerëzit kundër regjimit diktatorial, ashtu siç po bënin studentet në Tiranë të përkrahur nga qytetarët atje. Pas themelimit të Partisë Demokratike në Tiranë, më 12 dhjetor 1990, vlonjat me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë që të mos mbeteshin pas nga shtetasit e tjerë. E ndienin se po afronte ndryshimi i madh se Partia e re po hapte për vendin një epokë të re. Atje shkuan shumë individë. Alfred Ziaji, i cili duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz Pashkon lozi një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë. 
Bilal Çela tregon se: Në dhjetor të vitit 1990, unë isha shef i financës së Kooperativës Bujqësore të Nartës. Këtë muaj, atje u hodhën trakte kundër diktaturës komuniste… Kjo ngjarje më nxiti që më 20 dhjetor 1990, të shkoja në Tiranë dhe të takoja Arben Imamin, Gramoz Pashkon dhe Azem Hajdarin. Ata më pyetën në se e njihja Alfred Ziajin, futbollistin e famshëm të “Flamurtarit“ ? U përgjigja se jo vetëm e njihja por e kisha edhe fqinj, atëherë më dhanë një autorizim dhe më thanë të krijoja seksionin e PD-së dhe të prisja se ata do të vinin në Vlorë për të themeluar Partinë Demokratike. Atje shkoi edhe Aleks Tahiri zootekniku i Kooperativës Bujqësore të Mesaplikut, pasi kishte formuar seksionin e Partisë Demokratike në krahinën e Smokthinës. Në Tiranë ka shkuar edhe Ajeti, djali i Ventigjar Hamzarajt i dërguar për informacion nga i ati dhe Roland Tafili. Më 21 dhjetor 1990, kanë shkuar në Tiranë edhe dy inxhinierë të Fabrikës së Çimentos, Fatos Veipi dhe Mario Sota, të cilët kanë marrë autorizim prej Azem Hajdarit për formimin e seksioneve të Partisë Demokratike në Vlorë. Të dy këta inxhinierë sapo u kthyen nga Tirana bashkëpunuan ngushtë me shokët e tyre Alfred Ziajin dhe Ferdinand Sulën, duke u bërë kështu eksponent të themelimit të Partisë Demokratike. Ferdinand Sula më pas do të dilte në krye të Sindikatave të Pavarura të qytetit të Vlorës…
Për më shumë lexoni nesër në gazetën Telegraf
Sigal