Nertesi Asllani/ Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës  “Jehona Labe”

1999
Sigal

Mbrëmja e gjatë dhe e trishtë e 14 tetorit, ku ekipi ynë Kombëtar i Futbollit (Luanët e Beogradit), u ndeshën me kurthin, urrejtjen dhe shovinizmin më të egër serb, bëri që të lëvizin nga vendi, të trishtohen, por edhe të bëhen krenar, mijëra-mijëra shqiptarë këtej e matanë kufirit. Direkt pas asaj përplasjeje dramatike, mora në telefon Berdo Berdaj nga Dukati, një nga solistët kryesor të grupit Folklorik “Jehona Labe”. I nisa vargjet e para të një kënge që duhet ta mësojmë, ta incizojmë dhe ta filmojmë patjetër nesër i thashë. Bijtë e shqipeve, këta heronj të vërtetë, na lumturuan pa masë dhe kënga që ne do tu kushtojmë është gjëja më minimale që mund të bëjmë për ta. “Sa po bëhesha gati të të kujtoja për këtë ngjarje, por t’i more i pari”,- m’u përgjigj Bërdua me të qeshur, ashtu siç e ka zakon ai.

 11 luanë shqiptarë

Mes dhunës e marrëzisë

E bënë Kombin krenarë

Mu në zemër të Serbisë

Beogradi portat mbylli

Vuri telat në kufi

Po shqipja zbriti nga qielli

Se jeton në kaltërsi

Të nesërmen, djemtë e “Jehonës Labe”, të cilët kanë rreth dy dekada që po kontribuojnë për këngën dhe folklorin e Labërisë, u mblodhën sup me sup dhe kënduan këtë këngë, me shpirt, me zjarr e krenari njëherësh. Ai që na mundësoi inçizimin dhe klipin e kësaj kënge në një kohë rekord, ishte kryetari i ri i Qarkut Vlorë, z. Sadrit Danaj. E ndiejmë për detyrim të përçojmë mirënjohjen dhe falënderimin tonë të përbashkët për këtë gjest patriotik e dashamirës që tregoi karshi nesh, duke na vënë në dispozicion televizionin lokal “Real TV” dhe kameramanët. Duke na dhënë mundësinë që kjo këngë të transmetohej në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale. Zoti Sadrit Danaj e ka treguar edhe më herët se nuk është i ri vetëm në moshë dhe në detyrë, por është i ri edhe në mendime, ide e vizione. Ai e do më shpirt këngën labe, zakonet e traditat, artin e kulturën dhe jo vetëm i mbështet, por shpesh bëhet edhe vetë pjesë e tyre. Idetë dhe projektet që do të zbatohen për Vlorën por edhe për ishullin e Sazanit, bregdetin, Sarandën e Delvinën, flasin me gjuhën e ndryshimeve në dobi të banorëve të gjithë këtyre trevave që përfshihen në qarkun e Vlorës. Për t’u kthyer edhe një herë te titulli i këtij shkrimi, dua ë shtoj se dhjetëra dashamirës dhe simpatizantë të grupit folklorik “Jehona Labe” duke marrë shkas nga kënga për të cilën folëm, duam të dimë se ç’ bëhet mbi përgatitjen e grupit për në festivalin folklorik të Gjirokastrës që do të mbahet në prillin e vitit që vjen. Më përpara e ndiej për detyrë të bëj një shkrim të shkurtër e biografik të këtij grupi, tashmë të njohur brenda dhe jashtë vendit. Është krijuar në vitin e largët 1998, në Vlorë, me djem e vajza nga lumi i Vlorës, Kurveleshi, Dukati, Bolena, Brati, Mesapliku e gjetkë. Akoma nuk ishte tharë gjaku i djemve të pafajshëm dhe tymi i barutit ngihej si shtëllungë mbi tokën e djegur të Vlorës së vitit të mbrapsht 1997

“Eh Babicë Babicë

Ç’ dhimbje mban mbi vete

Sa pak jetë të plota

Sa shumë copa jete

Karvanë me lule

Krushq të qetë, pa zhurmë

Tabutet mbi supe,

Dhëndurët në gjumë”

Këto vargje flasin vetë. Më tutje “no comment”

Në këto kushte ne nisëm këngën. Brenda këngës janë të gjitha. Gazi, hareja, krenaria, dashuria por edhe loti. “Ah, u thafsh o deti ynë, që na mplake Shqipërinë!”

Duke lexuar në sy e në shpirt, përkushtimin dhe sakrificën e këtyre djemve, që sot janë mesoburra, këngët sikur buronin vetë si krojet e maleve, andej nga ne të gjithë kemi origjinën.

“Dil pasha se jam për udhë

Hamit ti dhe Hamit unë

Ti me det e unë me lumë

Them se do të vë në gjumë..”

Me këtë këngë, ushtria shqiptare ka fituar përballë taboreve të Sulltanit e të pashait të Turqisë, i tha një plakë nga Gusmari, Bërdos, në Ujin e Ftohtë të Tepelenës, kur po ktheheshim nga Festivali i Gjirokastrës në 2004-shin

Sikur ta dinte pashai që unë isha një metër e gjysmë burrë, do më kishte ngrënë me verë të hundës, ja kthen Bërdua me atë humorin e hollë të Dukatit. Jo, e ke gabim, këmbënguli plaku, në luftë fiton kënga, ajo të jep forcë e kuraje dhe nuk pyet për tabore e pashallarë.

“Vala puthi shkëmbin

Shkëmbi thyen valën

Ç’ pate, kush të trembi

Pse nuk ma dhe fjalën?

Hapet vala e detit

Si palë e fustanit

Malli seç më treti

Bregut të limanit.. ”

 Labëria, ky tempull i krenarisë Kombëtare, çdo gjë e ka me masë e me kripë. Me masë e ka edhe dashurinë, ashtu siç ka fjalën, këngën, muhabetin dhe çdo gjë tjetër që merr vlera të mëdha në këto vende të bukura, të serta por krenare. Bërdua, Berti, Miçua, Sadushi, Fanja, Avdiu etj e kanë mbajtur me shumë sakrificë, ndezur, zjarrin e “Jehonës Labe”. Kanë ardhur, kanë ikur (për arsye të ndryshme), do vijnë të tjerë, por këta mbeten bërthama ose stralli që merr zjarr menjëherë në sofrën dhe kalanë e këngës polifonike labe. Janë rreth 8-ë albume në qarkullim, përveç video-klipeve, të gjitha cilësorë. “Jehona Labe” është laureante e të gjitha festivaleve folklorike Kombëtare në Gjirokastër, por edhe të iso-polifonisë që organizohet në Vlorë. Ka dhënë me dhjetëra koncerte, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, si në Greqi, Itali, Austri, Kosovë e gjetke. Ka marrë me dhjetëra medalje e vlerësime, por medalja më e madhe janë duartrokitjet dhe vlerësimet e atyre që duan me shpirt këngën labe. Janë vlonjatët dhe gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, që udhëtojnë me këngët tona dhe na përgëzojnë dita-ditës.

“Labëri, sa shumë të desha

Sa shumë më ka marrë malli

Të shoh burrat me të leshta

Këmbëkryq ulur te zalli

Ti ndiej kur ndizet eshka

Nga çikat që nxjerr stralli”

Para disa ditësh, ishim të ftuar në Kurveleshin e Sipërm me grupin folklorik “Jehona Labe”, sërish protagonist Sadrit Danaj që shkoi atje për të gjetur rrënjët e fisit të tij atje në Progonat. Na shoqëronte Kryetari i Komunës Progonat zoti Pëllumb Milori. Shkuam në Gusmar, Rexhin e Nivic. Kjo mrekulli e natyrës, boshatisur e rralluar deri në keqardhje. U ngacmova për të bërë edhe vargje të dhembshme për këtë realitet:

“S’dëgjohet më zëri pleqve

Ata burra feste bardhë

Ndezur të rralla oxhaqe

Rritet bari nëpër shkallë

Rinia nëpër kurbete

Nga malli gurët u çanë..”

Por nuk dua ta mbyll këtë shkrim paksa të gjatë, me kosto vargje të trishta të Kurveleshit. Gazeta juaj e nderuar e tepër popullore, besoj se do na mirëkuptojë. Para ca ditësh lexova në faqet e gazetës tuaj, një cikël poetik të mikut tim, poetit të talentuar dhe njeriut të plotësuar Petrit Ruka. Ai shkoi atje në Turanin e tij dhe gjeti e nuhati në ajër, kujtimet e fëmijërisë e të rinisë, vështirësitë e kohës, zërat e fëmijëve, bukën e mishin, dashuritë e ndaluara, por mbi të gjitha erën e ftoit në rrobat e zeza të nënës, që i vishte vetëm nëpër fatkeqësi e raste. Këtë nuhatje e ka vetëm poeti i vërtetë.

Mu kujtua aroma e trëndelinës mbi rrobat e zeza të nënës time (e cila jeton akoma). Nëna është rrënja, nëna është kënga, nëna është gjithçka, dielli dhe hëna. Me këtë këngë që i kushtohet nënave, aromës së ftoit dhe trëndelinës që këndohet nga grupi “Jehona Labe”, më në fund do ta mbyll këtë shkrim.

Ju faleminderit!

“Trëndelinë moj trëndelinë

Ç’ bukuri me vete

Nënat për erë të mirë

Të mbajnë në sepete

Ti rritesh në përcëllime

Në gërxhe, në maja

Të mbledhin vajzat pa gdhirë

Të vënë nëpër paja

E bukura erë e mirë

Sa shumë të do vendi

Ti rritesh nëpër lëndina

Edhe majë një shkëmbi

Mua ç’ma mori rininë

Trëndelinë e shkëmbit

Atje thahet, atje mbinë

Më treti, më çmendi..”

Drejtues artistik i grupit folklorik “Jehona Labe”, Vlorë