Në festivalin “KOKO-FEST“ në Korçë triumfoi Teatri Shqiptar nga Shkupi

695
Sigal

Korçë 22 shtator

 Ishte festivali më themeltar në raport me rrjedhën, prurjet dhe organizimin artistik e qytetar. Një publik i pa parë ndonjëherë, shfaqje me taban, mysafir në numër rekord dhe organizim profesional nga drejtoresha dhe nga bashkia si dhe miqtë e teatrit dhe të zonjës së bardhë të këtij eventi artistik aktores – Zamira Kita. Teatri Shqiptar nga Shkupi, në këtë festival u nderua me tre çmime: shfaqja më e mirë, “Gjymtimi”, aktori më i mirë I festivalit- Luran Ahmeti, dhe regjisori më i ri i këtij festivali-Qëndrim Rijani. Kështu Shkupi doli i pari i festivalit me tre çmime kryesore. Shfaqja më e mirë në të gjitha kategoritë është “Gjymtimi“ e Teatrit Shqiptar nga Shkupi, trupën e të cilit këtë herë e përbënin: Adem Karaga, Luran Ahmeti, Xhevdet Jashari, Armenis Nokshiqi dhe regjisori Qëndrim Rijani. Komedia e zezë e Martin McDonagh “Gjymtimi” në regji të regjisorit të ri Qëndrim Rijani, realizuar nga Teatri Shqiptar nga Shkupi, vërtetë jehoi si shpërthim i vërtetë në skenën e Teatrit të Korçës. “Në këtë botë ka njerëz shumë të poshtër…”-thotë në një batutë Xhevdet Jashari në një moment kritik, pasi u kanoset rreziku për jetë nga personi që i është prerë dora e majtë (Adem Karaga), duke u përpjekur ta gjejë “dorën e vet” në mesin e shumë duarve të prera-kryesisht të majta…që bie në sy nga teksti i autorit që i takon krijuesve të teksteve të ashtuquajtura “të errëta” që nuk kanë etnitet dhe  vendndodhje, nuk kanë përcaktim në kohë dhe hapësirë, edhe pse ka shumë ngjashmëri me tekstin kohën dhe vendin ku jetojmë ne.