Nazim Gruda, shkencëtari i shquar mbarëshqiptar publikon veprën e tij të re

546
Ditën e sotme, në ambientet e Akademisë së Shkencave, akdemiku Nazim Gruda mbajti ligjëratën akademike mbi veprën:
“HORTIKULTURA: vështrim enciklopedik” Autorë: Nazim Gruda dhe Andrea Shundi, 846 f.
Nominuar për Çmimin Shkencor Kombëtar “PETRIT RADOVICKA”
Në këtë vepër madhore përfshihen rreth 4.600 terma e artikuj shkencorë me barasvlerësit e tyre në anglisht, emrat e bimëve në latinisht si edhe mijëra sinonime. Materiali, në trajtën e një traktati, përshkohet nga një hulumtim i kujdesshëm shkencor me saktësi e thellësi të mendimit, prurje origjinale e shumëpërfshirëse të informacionit e dashuri për detajin dhe ilustrohet nga foto me ngjyra, që e bëjnë atë më të prekshëm. 
Posaçërisht i vyer jo vetëm për shkencëtarët, ligjëruesit mësimorë, studentët e hortikulturistët, por edhe për çdo qytetar shqiptar, duke dhënë një ndihmesë të veçantë në të ushqyerit cilësor, por edhe në përmirësimin, zbukurimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Me të drejtë autorët shkruajnë në hyrjen e këtij vëllimi dinjitoz të bujqësisë shqiptare, që „… zhvillimi dhe arritjet e një shoqërie maten edhe me kulturën e jetesës së njerëzve, me qëndrimin dhe përkujdesjen e tyre ndaj bimësisë dhe mjedisit„. Për çdo lloj bime perimore, frutore dhe zbukuruese janë paraqitur marrëdhëniet, vlerësimet dhe përqasjet ndërmjet vlerave ushqyese dhe hijeshuese e të kënaqësive shpirtërore, të veçorive biologjike, si edhe të dhënave të ekologjisë dhe agronomisë. Jo rrallë janë ndërmarrë edhe vështrime historike, sidomos kur bëhet fjalë për lashtësinë e selitjes, përhapjen a shtrirjen e bimësisë me rëndësi veçorizuese në trojet tona. 
Përmbajtja shkencore është rrjedhojë e përfundimeve eksperimentuese-fushore e laboratorike dhe studimeve jo vetëm e të dy autorëve të librit, por edhe të dhjetëra autorëve të tjerë shqiptarë e jashtë vendit, çka dëshmohet edhe nga rreth 200 tituj të renditur bibliografikë, shtjellimit shkencor të thukët e kuptueshëm të fjalëve, njësimit të mundshëm dhe shqipërimit të tyre me barasvlerësit përkatës duke qëmtuar e përdorur fjalën shqipe të dëlirë. Shumica e tyre paraqiten në fund të vëllimit në trajtën e një fjalorthi me rreth 500 fjalë shqipe ose të shqipëruara, jo rrallë risi. 
“HORTIKULTURA: vështrim enciklopedik” përbën një shembull spikatës në bashkautorësinë shkencore dhe profesionore, në bashkërendimin e cilësive shkencore-praktike të dy autorëve, duke plotësuar dhe shtuar vlerat intelektuale të njëri-tjetrit. Të dy me rrënjë dhe me përvojë e praktikë shqiptare, në 20 vitet e fundit me veprimtari shkencore në Gjermani e në SHBA, por pa e reshtur veprimtarinë edhe në vendin 
tonë.
Akademiku Nazim Gruda është një ndër specialistët e shkencëtarët më të shquar mbarëshqiptar në fushën e hortikulturës. Ligjërues në Universitetin e Humboldit e atë të Bonit në Gjermani, me veprimtari shkencore e ligjërata edhe në universitete të SHBA-së, Kinës, Irlandës etj. Me mbi 200 botime shkencore, një pjesë e tyre në revista me impakt faktori, përfshirë edhe 24 libra e krerë librash. Veç tyre ka hartuar disa projekte, shkruar dhjetëra raporte tekniko-shkencore e paraqitur mbi 100 kumtesa e postera në tubime e kongrese ndërkombëtare në Evropë, Amerikë, Azi e Australi. Anëtar i bordeve shkencore të disa konferencave e revistave shkencore, ekspert i disa organizatave shkencore ndërkombëtare, si p.sh. FAO, dhe i ftuar i grupit të punës për përpilimin e Strategjisë së kërkimit shkencor në Gjermani. Që nga qershori i vitit 2017 është drejtues dhe bashkërendues i Grupit të punës të Evropës Juglindore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shkencave të Hortikulturës. Listuar qysh nga viti 2006 në “Ëho is Ëho in the Ëorld”. Nderuar me çmimin “Dr. Heinrich Bauer” të Universitetit Teknik të Mynihut në Gjermani.
Prof. Dr. Andrea Shundi me veprimtari eksperimentuese-studimore qysh nga viti 1956 bashkëpunëtor shkencor në IKB Lushnjë, drejtor i shkencës në Ministrinë e Bujqësisë, ligjërues e dekan i fakultetit të Agronomisë në UB të Tiranës, sekretar shkencor i seksionit të shkencave natyrore e teknike në ASHSH, kryeredaktor i “Albanian Journal of Natural and Techical Sciences” dhe i “Buletini i Shkencave Natyrore dhe Teknike”. Nga viti 1998 jeton në SHBA, me vijimësi veprimtarish studimore dhe botuese të begata, atje si edhe në Shqipëri e Kosovë. Kumtues në 61 tubime shkencore kombëtare e ndërkombëtare, hartues i disa projekteve e raporteve shkencore dhe kumtues në 15 sesione shkencore të FAO-s, pjesëmarrës në pesë konferenca botërore të FAO-s. Bashkëorganizues i dy konferencave shkencore kombëtare për bujqësinë dhe i nëntë seminareve mbarëkombëtare për vreshtarinë. Ka botuar 47 libra nga të cilat 15 në vitet ‘2000. Njohës i botës kulturore arbëreshe, paraqitur në librin “Etnogastronomia Arbëreshe” (2016). Nderuar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Sigal