”Natyra më ka dhënë penelat për të shprehur shpirtin”

1613
Sigal

Albert Z. Zholi

Flet piktorja Elona Marika: Adhuroj të eksperimentoj me materiale të rastit, p.sh., verë

Elona Marika  mbetet një piktore e heshtur, edhe pse ka lënë gjurmë në Itali dhe Shqipëri. Modestia e ka bërë atë më të vëmendshme në profesion, më selektive në shoqëri, më kërkuese në vetvete, më të hapur në mendime dhe më vizionare për të ardhmen.  Ka shkuar në Itali që në vitin 1995, për motive familjare si shumë të tjerë, vend në të cilin e ka çuar më tej artin e pikturës të nisur me dëshirë në vendlindje, në qytetin e bukur bregdetar të Durrësit. Ekspozitën e parë e ka hapur, në vitin 2006 dhe pas saj ka marrë pjesë në 15 ekspozita individuale dhe kolektive ku ka marrë vlerësime nga specialistët por edhe nga publiku.

Kur filloi të pikturojë për herë të parë Elona dhe cila ishte shtysa të merrje këtë rrugëtim kaq të vështirë po dhe aq të bukur?

Unë nuk mbaj mend të kem filluar. Them se kam lindur kështu. Çdo gjë ka ndodhur në mënyrën më natyrale.  Shtysa ka  qenë e njejta me atë që është sot. Nevojë të shpreh atë që nuk arrihet me fjalë.  Vetëm se sot është perfeksionuar, duke e vënë në shërbim edhe të shoqërisë me tema të përcaktuara mirë.

-Kush të zbuloi si talent?

Unë kam qenë shpirt rebel dhe jam ende. Më ka zbuluar pasioni për atë çfarë bëj. Unë nuk e quaj talent, por dhunti. Malagrida ka thënë: “Njeriut i dhanë fjalën për të fshehur mendimin”. Unë them: “Natyra më ka dhënë penelat për të shprehur shpirtin.”

-Në fillimet tuaja kush ishin piktorët që kishit për zemër, shqiptarë apo të huaj?

Ai me të cilin ishte dashuri me shikim të parë: Giorgio De Chirico-metafizik. Ishte dhe mbetet rruga më e bukur për të shprehur botën e fshehtë, atë që të bën të kthesh ëndrrat në tablo.  Klasikët e mëdhenj si Caravaggio, Raffaello etj, që më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim të studimit dhe praktikës.  Impresionistët e mëdhenj si Monet etj., ku shoh lirinë time në peizazhe.

-Cila është piktura juaj e parë, si e titulluat dhe ku ndodhet sot? Nga kush u vlerësua?

Puna ime e parë me bojëra vaji, sepse vizatimet dhe akuareli janë shumë të hershme, është një shtëpi në mes të pemëve, që gjendet në shtëpinë e një familjeje italiane. E dyta, por e para për rëndësinë, një fushë me lulëkuqe, e cila është blerë nga një familje në Parma.

-Kur si dhe pse shkuat në Itali? Përse zgjodhët këtë vend për emigrim?

Jam në Itali që nga viti 1995. Për motive familjare si shumë të tjerë. Nuk e zgjodha unë, ashtu erdhën kushtet, por nuk më vinte aspak keq që fati po më ofronte djepin e artit.

-A e keni ndjerë racizmin në Itali dhe kur jeni ndjerë më keq tek fqinji ynë perëndimor?

Racizmi në Itali ndjehet për faktin që si i huaj nuk merr kurrë meritat e duhura. Për sa i përket ndonjë momenti të veçantë, kur punoja në një lokal , një i ri italian i thotë mikut të tij: Mos bëj si shqiptar. Aty nuk rezistova dot, edhe pse në shërbim i thashë: Pse çfarë kanë shqiptarët?!

-Kur e keni hapur ekspozitën e parë, si titullohej dhe sa piktura keni paraqitur në të?

Ekspozitën e parë e kam hapur, në vitin 2006, në Durrës tek salla e sapokrijuar në atë kohë për ekspozita pranë Pallatit të Kulturës “Aleksandër Mojsiu” me rreth 50 piktura.

– Si i keni lidhjet me komunitetin shqiptar në Itali?

Jam pjesë aktive e komuniteti shqiptar që prej viteve 2009-2010. Dy vitet e fundit  jam mësuese vullnetare tek shkolla e gjuhës shqipe “Scanderbeg”, Parma, në lëndën e artit.

-A jetohet me pikturë në fqinjin tonë? Po në Shqipëri a është bërë kulturë arredimi i shtëpive me piktura origjinale?

Për fat të keq, edhe pse djep arti, Italia po’ Kalon një krizë identiteti. Arti ka marrë një formë tregtie jo të barabartë dhe nuk vlerësohet kualiteti dhe talenti. Në Shqipëri ka kohë që arredimi i shtëpive me tablo origjinale është kthyer në diçka të zakonshme. Kjo edhe sepse shqiptarët janë artdashës. Shumë shtëpia, lokale e qendra biznesi në Durrës mbajnë firmën time me tablo apo murales. Edhe në Itali shumica e kërkesave arrijnë nga shqiptarët.

-Ku konsiston më shumë piktura e Elonës tek abstraktja apo te klasikja, apo një ndërthurje mes tyre?

Piktura e Elonës është e Elonës. Nuk ka një rrymë të përcaktuar. Siç thashë në fillim mbi ndikimet, shprehem për atë pjesën e fshehtë timen me metafizikën, relaksohem me natyrën e qetë klasike, shpreh vorbullat emocionale me spatula, peisazhet me një frymë impresionizmi alla Elona.  Adhuroj të eksperimentoj me materiale të rastit, psh verë, shkumë poliuretani, stuko të ndryshme, zift, zhavorr, stofra etj…Por të gjitha i lidh vetëm një rrymë: Mendimi. Unë them rroftë mendimi. Kush sheh një pikturë duhet të hyjë në të sipas imagjinatës, sipas asaj që ajo përcjell. Më pëlqen kur gjithsecili e interpreton një tabllo timen sipas imagjinatës, ndjesive, emocioneve të tij dhe më lumturon kur gjejnë veten në të.

-Piktorët shqiptarë a janë të kompletuar të konkurrojnë në botë?

Piktorët shqiptarë janë shumë të kompletuar. Sepse edhe vuajtjet kanë ndikuar pozitivisht në një kërkim vetjak të secilit. Kemi fatin e mirë dhe të keq të njohim botën nga këndvështrime të ndryshme por kjo është një temë e gjatë e përshtatshme për një tryezë të rrumbullakët mes artistësh.

-Keni menduar të ktheheni në Shqipëri?

Për momentin, jo. Por nuk i dihet kurrë. Për momentin më pëlqen të kthehem si turiste. Bëj shaka natyrisht. Kam provuar dikur të kthehem, por nuk gjeta vetveten!

-A vlerësohet sot femra  në Shqipëri nga politika apo ende është një shoqëri maskiliste?

Të flas për periudhën që kam prekur në Shqipëri rreth viteve 2005-2009. Tani gjërat mund të kenë ndryshuar. Në atë periudhë preka realitet maskilist. Aq sa njëherë dikush xheloz që punimet e mija u kërkonin, më pat thënë që unë kushedi si ja arrij të kem kaq kërkesë. Pak rendësi ka. Nuk i kam kushtuar kurrë rëndësi njerëzve të varfër shpirtërisht. Edhe të tillë karaktere më ndihmojnë në punën time. Më pëlqen ta studioj botën njerëzore, karakterin. Edhe kur bëj një portret, më parë analizoj personin nga materiale të ndryshme. Nuk përpiqem të arrij perfeksionin viziv, por të nxjerr në pah karakterin.

-Sa piktura keni në arkivin tuaj?

Shumë. Nuk i numëroj, edhe për faktin që shtohen. Disa ikin e shumë vijnë. Nuk ka kënd të shtëpisë, studios, aktivitetit që nuk mbulohet nga tablo.

-Planet për të ardhmen?

Plane shumë, projekte gjithashtu. Por duke qenë karakter me këmbë në tokë dhe praktik, i bëj të ditur vetëm kur janë në prag realizimi. Më pëlqejnë bashkëpunimet me fushat e tjera të artit. Këtu do ketë së shpejti të reja. Gjithashtu hyjnë tek planet edhe lufta për të drejtat e gruas, kundër dhunës, përkrahja e talenteve të reja, promovimi i talenteve aktuale, mbrojtja e gjuhës shqipe në botë, e traditave, kulturës. Kam ende shumë për të dhënë. Shpresoj të kem kohë të realizoj të paktën një pjesë. Ju falënderoj për intervistën dhe për mundësinë që të arrij t’ju tregoj diçka nga Elona.

Ekspozitat dhe rrugëtimi

Ekspozita shumë. Dy në Durrës dhe të tjerat në Itali në qytete të ndryshme.