Natasha Qemalja: Është kënaqësi më vete të këndosh Live dhe të shikosh gëzim tek familjet shqiptare

729
Sigal

PERSOANZH/ Këngëtarja e mirënjohur korçare, Natasha Qemalja: Klipi i ri “Lajka shumë po më bon”, po gjen zemrat rinore

 Këngëtare tabani dhe jo vetëm kaq.  E bukur dhe e zgjuar, një këngëtare me peshë në skenën muzikore shqiptare, e dashur për hitet e saj dhe e thjeshtë me çdo person. Kjo është artistja e njohur e diasporës, Natasha Qemalja, e cila vjen në një rrëfim të sinqertë për lexuesit tanë …

 – Përshëndetje Natasha , si po i kalon këto ditë vere?

-Të them të drejtën këto ditë vere edhe pse nuk janë të nxehta janë goxha të ngarkuara me koncerte brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, po shijoj edhe lançimin e klipit më të ri “Lajka shumë po më bon”

  – Pra, kjo verë të gjeti me një këngë dhe klip të ri…!

 – Po, sapo kam lançuar klipet e mia më të fundit, një prodhim i Musical TV. Janë të titulluara “Lajka shumë po më bon” dhe “Djalin tonë sonte e martojmë” .

  – A pati vështirësi në realizim?

– Po, nuk diskutohet që ka pasur vështirësi sepse çdo punë që të realizohet me sukses kërkon përkushtim e si rrjedhim edhe ka lodhje brenda saj. Rëndësi ka që në fund rezultati të jetë i kënaqshëm ashtu siç ndodhi edhe me këtë klip. U lodhëm, por kjo punë dhe lodhje u finalizua me sukses.

  -Vendlindja juaj, cila është ?

Korça.

  -Shenja e horoskopit ?

 Gaforrja.

 – Le të ndalemi tek bashkëpunimi juaj me Mr. Elvis. Kjo do të thotë që je e kënaqur nga ky bashkëpunim?

 – Shumë e kënaqur, jo vetëm nga Elvisi, për të cilin mund të them që është një këngëtar mjaft i kompletuar profesionalisht, por nga të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë, Musical TV, realizuesit e këngës e të klipit, Endriti etj.. Besoj se kemi bërë një punë të mirë!

  – Çfarë të ka mbetur në kujtesë nga situatat e realizimit të klipit?

– Realisht, jam shumë e kënaqur nga serioziteti që iu kushtua realizimit të këtij klipi, duke pasur këtë parim në punë nuk mund të kem në kujtesë situata të pakëndshme, por vetëm të këndshme.

 – Ti ke bashkëpunuar me shumë producentë, këngëtare dhe kompozitorë në këto vite të karrierës tënde, me cilët je gjendur me komode në bashkëpunim?

 – Siç e the edhe ti, kam bashkëpunuar me shumë kompozitorë, autorë tekstesh, producentë dhe ato me të cilët kam bashkëpunuar dhe uroj të bashkëpunoj edhe në të ardhmen  Veçoj këtu: Fatos Ahmati, Silva Dollapi, Mr. Elvis, Xoxo, Nazife Bunjaku, Ilir Qemalja, etj.. Janë të mrekullueshëm, të gjithë pa përjashtim. Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur edhe bashkëshortin tim të dashur, i cili është edhe kolegu im njëkohësisht, Sajmir Qemalja.

  – Muzika është e bukur, por edhe ajo ka vështirësitë e saj apo jo?

– Është shumë e bukur dhe të jep jetë, por si çdo punë apo profesion ka vështirësitë e saj. Bota e muzikës, po flas për ditët e sotme, është shumë konkurruese dhe ka bërryla, prandaj bëhet pak e vështirë, por kjo nuk ka pse të ndalojë një profesionistë të vërtetë, një artist të kompletuar.

 -Je ndër këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar, përsa i përket gëzime të tyre familjare. A ndihesh e privilegjuar?

 – Ndihem, madje shumë e privilegjuar sepse është kënaqësi më vete të këndosh dhe të shikosh gëzim tek familjet shqiptare, qofshin ato brenda apo jashtë kufijve.

  – Si i përballon lëvizjet gjatë gjithë kohës, janë lodhje më vete apo jo?

– Oh, tashmë jam mësuar me lëvizjet, udhëtimet nga një vend në tjetrin dhe ka lodhje por ka edhe sadisfaksion, falënderimet dhe duartrokitjet e publikut, e lehtësojnë lodhjen.

  – Kur largohesh, të merr malli për shtëpinë, për shoqërinë që nuk i kushton dot vëmendjen e duhur?

 – Është përjetim i ndryshëm tek njerëz të ndryshëm. Realisht, kur largohem më merr malli shumë për gjithçka që kam këtu, sidomos kur më duhet të qëndroj më tepër nga ajo që kisha planifikuar, por tashmë unë e bëj prej vitesh dhe jam mësuar.

 – Në muzikë ka xhelozi?

 – Mund edhe të ketë, por unë nuk e kam ndjerë dhe nuk besoj ta ndjej ndonjëherë. Çdo këngëtar apo këngëtare ka adhuruesit e vetë dhe nëse punon me dashuri dhe përkushtim, arrin të shijosh frytet e punës dhe nuk ka pse të ketë xhelozi. Çdo njeri ka vendin e tij dhe është publiku ai që vlerëson profesionalitetin, çfarë është në nivel të lartë të realizuar dhe çfarë jo.

  -Po me klikimet je e fiksuar ? A e kontrollon numrin e tyre?

– Klikimet janë një mënyrë për të kuptuar suksesin e një kënge dhe unë padyshim që, i kontrolloj, por nuk e jam e fiksuar…

 – Ngjyrat që të personifikojnë, cilat janë?

– E kuqja dhe e bardha më pëlqejnë shumë.

  – A i kushton kohë pasionit të veshjes, a i ndjek trendet e fundit të modës?

 – Jam këngëtare dhe si e tillë duhet të kuroj imazhin tim dhe stilin e të veshurit. Mundohem të jem e sinkronizuar me veshjet e reja dhe me shijen time. Sipas mënyrës time i kushtoj rëndësinë e duhur.

  -Jeni supersticioze?

 Po jam. Besoj në diçka qiellore për të ecur para apo që dita të më shkojë mbarë. Si besim shpirtëror kam Kishën e Laçit. Lutem dhe përulem përpara saj.

  -Cili është sekreti i formave të bukura fizike ?

-Mundohem të ushqehem shëndetshëm dhe të konsumoj sa më shumë ujë e sa më pak ëmbëlsira. Për shkak të sezonit veror , këto kohë kam lënë pas dore aktivitetet fizike, por gjithsesi nuk e ekzagjeroj në të ngrënë. Nuk jam përpjekur kurrë të bëj dieta dhe nuk besoj tek jetëgjatësia e tyre. Dieta më e mirë janë aktivitet fizike dhe ushqimet e shëndetshme.

  -Pro, apo kundër kirurgjisë estetike ?

Të transformosh një vepër arti të një Artisti (zoti) të madh, është gjynah për artistin dhe tregon mosrespekt ndaj vetes si edhe komplekset që ke. Nuk jam kundër kirurgjisë estetike në ato raste kur njeriu ka deformime të cilat i vështirësojnë jetesën, por të fryhesh për të qenë më e bukur në sytë e të tjerëve më duket absurditet. Kësaj i thonë “më pëlqe për atë që dukem e jo për atë që jam”. Pa llogaritur faktin që shumica e atyre që kanë guxuar, më shumë janë shëmtuar sesa zbukuruar. Sondazhet e shumta brenda edhe jashtë vendit kanë treguar se origjinalja është mbi transformimin. Unë mendoj se Perëndia i ka krijuar që të gjithë njerëzit e bukur, ajo që duhet të bëjmë është të dimë të ruajmë dhe të kujdesemi për këtë vepër arti, pa harruar që mendja e bukur i ka gjithmonë sytë plot nur.

 -Jeni gjithë vitin e zënë me punë?

 Thuajse e zënë. S’jam kurrë pa punë. Kërkesat kanë ardhur në rritje.

Albert Z. ZHOLI