Myfarete Laze: Artisti duhet të rrijë larg politikës aktive

637
Mbrëmje shtatori. Tirana e zhurmshme kishte hedhur mbi krye tisin e pragerrësirës. Me këngëtaren e mirënjohur Myfarete Laze, ishim ftuar në promovimin e klipit të këngëtares Valbona Peraj. Më thotë të shkojmë me makinë pasi është paksa larg dhe takimet me njerëzit do të na vonojnë. Jo i them, ecim me këmbë, tashmë njerëzit të lodhur nga puna por edhe nga tisi i errët që po mbështillte Kryeqytetin nuk do të na kushtonin vëmendje. Ecnim buzë trotuarit duke biseduar rreth zhvillimeve të fundit të këngës por dhe intervistat e shumë diskutueshme të këngëtarëve nëpër gazeta dhe televizione. Gjithë strumbullari i bisedës vërtitej rreth jetës private dhe thashethemeve. Sa thashetheme dhe xhelozi ka mes artistëve. Madje xhelozia i “verbon” artistët deri në atë farë mase sa dhe të fyejnë apo të mirën me jetën private të miqve. E papranueshme kjo për kohën që jetojmë ,por e papranueshme edhe për sistemin që lamë pas. Koha duhet të përcjell më shumë korrektësi, vlerësim, mirësi, paqe, mirëkuptim. Artisti ndodhet mes trysnish, paparacëve, mes “gjuetisë” së gazetarëve për lajm dhe pa dashur në kësi rastesh edhe teprohet me fjalën, apo tendencën për të parë negative. Por sapo kishim hedhur hapat e parë filluan ndalesat. Një grua, një vajzë, një i moshuar, një fëmijë, grupe shoqesh që e ndalonin Myfareten me dëshirën për të komunikuar. Dikush i kërkonte një fotografi së bashku, dikush një autograf, dikush i puthte dorën, dikush i uronte jetë të gjatë, dikush e ftonte për një kafe, dikush edhe lotonte (po, po lotonte), dikush e ftonte për një promovim, dikush tjetër i kërkonte një disk. Ndalesat nuk kishin të sosur. Për 15 minuta thuajse nuk bëmë as pesë metër rrugë. Njerëzit sa e shikonin bënin kthesë dhe vinin e takonin. Se besoja. Jam shoqëruar me të gjithë artistët e mëdhenj dhe kështu ndodhte me disa, por me Myfareten ndalesat ishin sikundër me Margarita Xhepën, Tinka Kurtin, Reshat Arbanën, Luftar Pajën, Ema Qazimin, Alida Hiskun, etj…Kjo më bëri të besoj në fjalët e saj. Kjo është magjia e artit, magjia e këngës, magjia e komunikimit të artistit që i bën të gjithë me vete. Arti nuk është si politika që i ndan në grupime njerëzit. Arti është popullor, ai i takon të gjithëve jo një grupi njerëzish. Me të drejtë. Në Festivalin e 45 në RTSH ajo u shpall në 5 vendet e para të këngëtarëve më të mirë të viteve 1960-80. Duke parë orën mendova se tek promovimi do të shkonim të nesërmen nqs do vazhdonim kështu, ndaj qëndrova para taksisë më të afërt dhe e detyrova Myfareten të hipë me detyrim për të shkuar në destinacion. Ajo qeshi dhe nuk kundërshtoi. Gjatë kohës së rrugës dhe promovimi (ku mes nesh ishte dhe Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti) zhvillova me të një bisedë ndryshe….
-Si do ta përkufizonit këtë respekt?
Ju mund ta përkufizoni më mirë, unë do flas me fjalë zemre. Populli do artistin, do këngën, do bujarinë, do mirësinë, do te heq streset, do të kalojë situatat e vështira. Pra të gjitha këto arti i tejkalon me magjinë e tij. Kënga është shpirti i zemrës, është altari i lidhjes shpirtërore me popullin. Kënga është Tempull ku mblidhen të gjithë dhe ndjejnë qetësi shpirtërore. Nuk thuhet kot, jam i lodhur, le të dëgjoj një këngë.
Po unë mendoj se jo të gjithë këngëtarët kanë këtë mirënjohje në popull?
Nuk e di, mbase. Por të qenit vetëm këngëtare nuk është gjithçka, nuk është strumbullari që lidh çdo ndjenjë miqësie njerëzore. Ka dhe elementë të tjerë njerëzorë që e bëjnë këngëtarin ndryshe. Pra ka këngëtarë që janë të ftohtë me njerëzit, janë të tërhequr, nuk janë populistë. Kjo nuk është e metë por është në karakterin e tyre. Unë jam një tip i hapur, i qeshur, i dashur. Më pëlqen të përshëndes të gjithë dhe të flas me këdo. Nuk kam paragjykime për asnjë njeri. I dua dhe ndaloj kudo që më ftojnë apo duan të bëjmë foto. Fundi i fjalës artisti është për popullin, për muzikën e dalë prej tij. Asgjë nuk humbet nga lidhja me popullin, nga miqësia, nga dashuria për njeriun.
A duhet të jetë një këngëtar pjesë e politikës?
Unë mendoj se jo. Sigurisht që çdo këngëtar brenda vetes ka simpati për një parti, por kurrë nuk duhet ta shprehë, kurrë nuk duhet të jetë pjesë e fushatës me zërin dhe këngët e tij. Këngëtari i përket të gjithëve, pasi ai këndo për ta. Një këngëtar militant do ndahet nga fansat, nga populli, pasi simpatizantët janë me bindje të ndryshme.
Cili është tipari dallues në jetën tuaj?
Mirënjohja. I jam mirënjohës të gjithë atyre që më përkrahën në hapat e mia të parë në rrugën e këngës. I jam mirënjohës atyre që më ndenjën pranë në ditët më të vështira. U jam mirënjohës atyre që në hidhërimin më të madh të ndarjes nga jeta të babait m’u gjetën sikur të ishin pjesë e familjes. U jam mirënjohës fansave që më japin zemër. U jam mirënjohës atyre që më kanë kritikuar kur kam gabuar. Mirënjohje, mirënjohje edhe atyre që më përshëndesin me çiltërsi, dashuri edhe atyre që më ndalojnë në rrugë dhe duan një foto. Në fund të fundit çdo të isha unë nqs do isha bukëshkalë? Askush, një njeri i rëndomtë që vegjeton vetëm se zoti i ka falur jetën. Në fund të fundit njeriu duhet të dijë pse jeton dhe pse duhet të jetë mirënjohës. Mirënjohja është virtyti më i lartë njerëzor. Nga ana tjetër nuk jam hakmarrëse. Hakmarrja është ves i njerëzve të parealizuar
Kur ndihesh keq?
Kur shpifin dhe tjetërsojnë fjalët e thëna. Ndihem keq kur në një intervistë tjetër them dhe tjetër botohet. Ndihem keq kur shajnë koleget publikisht pa asnjë të drejtë. Ndjehem keq kur dhunojnë artin, këngën, dhe shpifin në mënyrë të shpërfytyruar.
Nqs do ktheje kokën pas,do shikoje gabimet dhe arritjet, do të doje të ndryshoje si karakter?
Jo! Çdo gjë në jetë e kam bërë me vetëdije. Nuk them se jam e pagabueshme, por gabimet janë njerëzore. Nga gabimet kam mësuar dhe kam bërë korrigjimet e nevojshme. Nqs do të doja të ndryshoja, atëherë nuk do të isha Myfareti që ke përpara, por dikush tjetër. Por, edhe nqs kam gabuar, asnjëherë nuk kam urryer dhe nuk kam fyer në dinjitet njeri.
Jeni shumë e qeshur, mos vallë jeni e përjashtuar nga hallet?
Hallet? Mbase kam pasur më shumë se të gjithë, por me optimizëm, me të qeshur i kam kaluar. E kush do më zgjidh hall nqs do rri hundë e buzë, turi varur? E qeshura i jep optimizëm edhe atij që ke pranë. Askush nuk donte të rrinte gjatë me një njeri që përhap negativitet.
-Nga shumë këngëtarë të rinj kam dëgjuar se i përkrahni pa masë?
Sigurisht. Është detyrë e jona që ta trashëgojmë këngën, muzikën në breza. Pa trashëgimi kënga është e destinuar të zhduket. 
– Thonë se jeni shumë humane?
– Për këtë nuk dua ta vlerësoj veten, por di të them se kam marrë pjesë si këngëtare pa asnjë shpërblim në shumë aktivitete për fëmijët jetim, të verbrit, për gratë në nevojë, në shoqata të ndryshme që ndihmojnë të verbrit, për gratë që janë të dënuara, etj. Madje kam bërë dhe një punë të mirë me librin, duke mbledhur dhe u’a shpërndarë këtyre grupimeve dhe shoqatave në nevojë.
Dy profile në FB me 10 000 fansa. Ndihen e bezdisur?
E bezdisur? Përkundrazi komunikoj çdo ditë me ta dhe u përgjigjem pyetjeve të tyre. Ata më heqin stresin e tyre me kuriozitetin dhe çiltërsinë e pyetjeve. 
Në Festivalin e 45 në RTSH ju u shpallët në 5 vendet e para të këngëtarëve më të mirë të viteve 1960-80, si u ndjetë?
E emocionuar dhe e gëzuar. Vlerësimi të shton forcat dhe të bën më të përgjegjshme. Flitet për Festivalet e atyre viteve kur kërkesa ishte sa djersa të vinte çurg 
Margarita Xhepa
Myfareten e kam njohur nga skena e Festivaleve qysh kur ishte e vogël. Jam habitur me zërin e saj, me prezencën e saj në skenë. Trupvogël, por shkreptimë. Ajo e ndizte sallën, e bënte të ngrihej në këmbë. Habitesha ku e gjente atë forcë. Kur e njoha nga afër pashë një femër të çiltër, të dashur, larg thashethemeve, që përhapte vetëm mirësi.

Tinka Kurti
Myfaretja është një këngëtare me zë tepë të veçantë. Ajo të detyron ta ndjekësh me vëmendje. Këngët e saj dëgjohen me vëmendje në çdo kohë. Këndon me shpirt dhe i jep çfarë i duhet publikut. Në skenë serioze, korrekte, plot pasion. Në jetë e qeshur, e dashur, hokatare dhe shumë miqësore. Një njeri i rrallë që të bën të ndihesh mirë që e ke shoqe. Në udhëtime ajo ta heq nocionin kohë. Ka një humor të bukur dhe inteligjent. Të bën të ndihesh mirë edhe kur je keq. Besoj këto e plotësojnë portretin e saj
Sigal