Monografia “Tahir Hoxha” i Çermenikës”, i autorit Kujtim Boriçi, një libër interesant e plot vlera

821
Sigal

Ferit Fixha
Shkrimtar, studiues

Autori me përvojë, me krijimtari të bollshme e nivel artistik, Kujtim Boriçi, boton monografinë “Tahir Hoxha” i Çermenikës”, libër i cili, mendoj se do të kënaqë shijet e lexuesit.

Ashtu si tërë krijimtaria e këtij autori, edhe kjo monografi, për nga vlerat e mesazhet që përcjell, për ndërthurjet me profesionalizëm, vërtetësi e objektivitet, për gjuhën e saktë letrare dhe formatimin artistik të librit, spikat krahas botimeve të mëparshme të vetë autorit dhe të mjaft autorëve të tjerë shqiptarë.

Figura qendrore e librit është ajo e çermenikasit Tahir Hoxha (1888-1963), lindur në Zdrajsh.Tahir Hoxha, gëzonte dhe manifestonte vetitë e malësorit të zonës: mbajtjen e fjalës së dhënë, humanizmin, dashurinë për arsimin, për të renë dhe të përparuarën. Ai është sjellë në libër nga autori me realizëm, ashtu siç ishte, një figurë komplekse me dritë-hijet e tij. Janë të faktuar, siç shkruhet në libër për Tahir Hoxhën, pjesëmarrja e tij me armë në dorë kundër andartëve turq; rezistenca aktive kundër pushtuesve sllavë; miqësia dhe aktiviteti atdhetar me Beg (Beqir)Ballën; Lleshajt e Dibrës; parinë atdhetare të Elbasanit etj..; qenia e tij mbështetës i Fan Nolit e kundër Ahmet Zogut dhe burgu që bëri më pas për të; miqësia dhe besë-dhënia e tij me parinë e Elbasanit, kryesisht me Ibrahim Bej Biçakun që mbeti e tillë deri në fund; qenia me Ballin Kombëtar; lidhja e tij me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, në të cilën renditi djalin dhe e mbështeti me pasuri këtë lëvizje; ndëshkimi si kulak, dënimi nga sistemi monist dhe kalvari i tij dhe familjarëve në dekada; dekorimi i tij si atdhetar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, etj…

Në çdo krah të skakierës politike, në fshat e zonë,që u rreshtua ky personazh në kohën që jetoi, apo në raporte dhe me të tjerët, kurrë nuk i shkeli normat e moralit dhe të dinjitetit.

Autori e shpërfaq figurën e Tahir Hoxhës, brenda kuadrit të ngjarjeve të kohës, duke e vendosur atë dhe veprimtarinë e tij në peshoren e rrjedhës historike, duke ia lënë lexuesit të gjykojë me paanësi për ‘të.

Duhet thënë se kundërshtitë e çdo krahu politik, nuk mund ta errësojnë figurën atdhetare e patriotike të Tahir Hoxhës. Ai, veç të tjerave, merr pozitivitet, pavarësisht rreshtimit politik, edhe nga rrezatimi i vetive të virtytshme popullore çermenikase.

Vërtetë Tahir Hoxha u deklarua nacionalist, por ai nuk pati asnjë njeri nën komandë, nuk ia drejtoi kujt pushkën, nuk mori pjesë në asnjë aksion luftarak apo grabitje të krahinës, përkundrazi, u tregua njerëzor dhe mbështetës i LANÇ-it, ndihmoi partizanët dhe i strehoi ata (ndër ‘ta Shejnaze Jukën, ‘Heroinë e Popullit”, Aleksandra Manon, Tefta Dodbibën, Zyhra Avllazagain, Ligor Popën etj). Ai nuk u largua me gjermanët, me gjithë peripecitë e shumta që do të hiqte nga gjyqi i kohës së monizmit. Ndaj, Tahiri, u dënua më pak se eksponentët e Ballit Kombëtar në zonë më 19.09.1945 në Elbasan.

Në një mbledhje partie në Zdrajsh, kur Tahir Hoxha po shkonte drejt vitit të dytë të dënimit me burgim, i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë, Ligor Popa, kur mori vesh se Tahir Hoxha ishte akuzuar (padrejtësisht) për vrasjen e Tij dhe të një shoku tjetër partizan, u shpreh i çuditur dhe i revoltuar: “Po unë jam Ligor Popa, ai partizani që paska vrarë Tahir Hoxha! Ai njeri na përcolli në periferi të fshatit, na tregoi rrugën…, na porositi të kemi kujdes e na uroi ‘Mirë u pafshin në Shqipërinë e Lirë!’”.

Si Fanolist i vendosur dhe kundërshtar i Zogut, në vitin 1928, ky i fundit e dënoi me internim në një ishull në Itali, ku e mbajti për afër dy vjet.

Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës të Shqipërisë, me dekret Nr. 3608, datë 26.11.1962 e dekoroi “Për veprimtari patriotike”, së bashku me atdhetarët e tjerë çermenikas Beqir (Beg) Balla, Xhelal Shtëpani e Mustë Ballgjini, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një ceremoni të organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Çermenika:, më 27 nëntor 2018 në fshatin Zdrajsh, për të bërë të njohur edhe dekorimin e Tahir Hoxhës me këtë dekret, fshehur deri atë kohë nga strukturat politike e shtetërore të kohës së monizmit të rrethit të Librazhdit, u recitua edhe një poezia ime (e përfshirë në këtë libër) me titull, “Bij të Çermenikës, luftëtarë lirie”, kushtuar këtyre të dekoruarve çermenikas.

Në librin “Tahir Hoxha i Çermenikës”, autori Kujtim Boriçi ka përfshirë dhe prezantuar siç duhet: fotografi, faksimile, dokumente, shkrime, kujtime e dëshmi autentike, që shprehin ndjenjë, sinqeritet e vërtetësi për Tahir Hoxhën, duke nxjerrë në pah portretin, karakterin dhe botë kuptimin e tij. Ky material, është mbledhur pas një pune këmbëngulëse e të palodhur nga vetë autori, nga miq, dashamirës dhe nga familjarë e të afërm të Tahir Hoxhës.

Për të mos dalë nga konturet e parathënies, do të citojmë vetëm disa fraza dedikuese për Tahir Hoxhën:

“…Ca kohë, ai (Tahir Hoxha), vazhdoi të ishte drejtues i Ballit Kombëtar në fshat, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e vrasjeve, vjedhjeve e plaçkitjeve që u bënë në fshatrat e Çermenikës..” (Ymer Lleshi, 103 vjeç).

“…Tahir Hoxha…., ishte burrë zotni. E do për trim, trim ishte, i besës si rrallë kush, atdhetar që kurdoherë ka dhënë, ai dhe familja, për vendin..”. (Faik Çota, veteran, 92 vjeç).

“…Tahir Hoxha ka qenë burrë i drejtë, mikpritës, trim. Ai ishte njeri fisnik, kishte shoqëri e miqësi me persona me emër e që u shkonte fjala…” (Ahmet Kënga, ish-efektiv policie, ish-Kryetar i Veteranëve të LANÇ-it Librazhd).

…Tahir Hoxha është ndër ata çermenikas që mbahet mend për burrëri, besë e atdhetari, një njeri që bënte mirë, i dëgjohej fjala dhe nuk i ka bërë keq njeriu derisa u nda nga kjo jetë…” (Mehmet Shera, ish-efektiv policie).

“…Tahiri, në jetën e tij ka pasur zig-zage, dritë-hije apo fate të ndryshme. Ai ka qenë objekt i vlerësimeve si trim, bujar, i besës, fanolist…”. (Lutfi Xherri)

“…Tahir Hoxha ka qenë nga burrat më në zë, një nga burrat më të njohur të fshatit, njeri që i kishte peshë fjala, e dëgjonin dhe e respektonin të mëdhenj e të vegjël…” (Faik Kotreli).

…Ai ishte trim, fisnik, i besës dhe human. Shtëpia e tij ishte bazë e jona gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe shtëpi që i dha djemtë e gjithçka kësaj lufte… Për këtë, unë kam qenë dhe i jam mirënjohëse për jetë Tahir Hoxhës e familjes Hoxha të Çermenikës…”. (Zyhra Avllazagai, ish-partizane, bashkëshorte e Kadri Hoxhës).

“…Ai nuk pati shkollë apo akademi, por ishte trim, i zgjuar, besë-dhënë dhe të gjitha këto i vuri në shërbim të familjes dhe bashkëfshatarëve… Mbi të gjitha, ishte njeri i drejtë që kurrë në jetën e tij nuk bëri kompromis me të keqen…” (Bilal Gjypi).

“…Kur flitet për Tahir Hoxhën, të gjithë ata që e kanë njohur nga afër apo kanë bujtur në konakun e tij, domosdo do të përmendin një veçori të traditës shqiptare, mikpritjen e tij. … Shtëpia e Tahir Hoxhës, gjithmonë ishte derëhapur e bukë-shtruar…” (Sami Bragjeçi).

“…Tahir Hoxha do të mbetet në memorien e kohës një figurë e spikatur patriotizmi e atdhedashurie…” (Agim Qoku, shkrimtar).

Nuk dua të zgjatem shumë në vlerat që sjellë kjo monografi e autorit Boriçi, i njohur gjerësisht dhe në këtë (autor i mbi 30 librave), por në mbyllje të kësaj parathënie, dua të shtoj me pak fjalë, dy-tre të veçanta që sjellë ai në këtë fushë.

Së pari, dua të vetmoj profesionalizmin në konceptimin e strukturës së librit, përdorimin e dokumenteve arkivore, dëshmive, kujtimeve, faksimileve dhe fotove, gjithmonë në funksion të qëllimit për të nxjerrë në pah të vërtetën për jetën dhe aktivitetin e personazhit kryesor, raportet dhe pozicionin e tij me ngjarjet, komunitetin dhe faktorë të tjerë të kohës.

Së dyti, përballimin me sukses të vështirësive që sjellin monografitë e njerëzve, jeta e të cilëve ka qenë apo është vlerësuar dritë-hije në kohë të ndryshme. Mendoj se këtë ai e ka arritur me profesionalizëm dhe, i ndërgjegjshëm për misionin e publicistit e shkrimtarit para shoqërisë e brezave në raport me të vërtetën. E në këtë aspekt, kjo ndërmarrje duhet vlerësuar e pasuar dhe nga të tjerë.