Mitro Çela/ Ministër i harruar…

719
Sigal

Gusht 2012. Poeti i madh anglez Bajroni, u bë sebep për të njohur historinë e Petro Pogës, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Ismail Qemalit. Por le ta nisim tregimin me sërë. Viti 1809. Bajroni ishte 21 vjeç. Vendosi të arratisej nga Anglia. Hipi në pampor. Pranë i qëndronte shoku i shkollës Cam Hobhouse. Zbriti në Lisbonë. Hipi në kalë dhe bëri 640 kilometra për të mbërritur në portin Kadiz, Spanjë.

Në vazhdim shkeli Gjilbratarin, Maltën, Prevezën për të mbërritur në Janinë. Pa fat. Nuk e gjeti Ali Pashë Tepelenën. Pashai kishte ishte shkuar në Berat. Për punë lufte. Në pritje të Pashit, më 17 tetor 1809 kaloi në Libohovë dhe qëndroi në Qesarat të Lunxhërisë. Këtu nis historia jonë. Më 25 gusht 2012, Qesarati u bë qendër e qeverisë. Ishin katër ministra: Genc Ruli, Genc Pollo, Vangjel Tavo dhe Spiro Ksera. Mes tyre qëndronte ambasadori i Britanisë së Madhe me zonjën. Kishte tre sebepe. Së pari, këshilli i komunës, kishte vendosur ta quante sheshin e fshatit: “Sheshi Bajron”. Shiritin e preu ambasadori I Britanisë. Së dyti, nisi festivali “Divani i Lunxhërisë”. Kënduan, hodhën valle grupe popullore nga Lunxhëria, Kolonja, Tepelena. Shkëlqeu grupi nga Igumenica. Së treti, Kryetari i Komunës Ilia Kuro, kishte ftuar burrat dhe gratë e Lunxhërisë. Kishin ardhur shumë. Nga e gjithë Shqipëria. Me këtë rast u bënë disa dekorime. Mes tyre u kujtua edhe Petro Poga. Petro Poga u lind në Erind, fshat në Lunxhëri. Nxënës në gjimnazin “Zosimea”, Janinë. Diplomohet për Drejtësi në Stamboll. 1884 boton gazetën “Drita”, ku shkruan edhe Naimi me Sami Frashërin. Më 1906 kthehet në Gjirokastër. Boton gazetën “Drita”. Punon për gjuhën shqipe. Zgjidhet përfaqësues i Gjirokastrës në Asamblenë Kombëtare në Vlorë. Në qeverinë e Ismail Qemalit, emërohet ministër i Drejtësisë. Zyrtarisht i pari ministër i Drejtësisë në Shqipëri. Një nga të dekoruarit, mori fjalën. Në fund u drejtua nga ministrat: “Petro Poga është i madh. Jo për Lunxhërinë. Por për Shqipërinë. Si nuk u kujtua një President t’i jepte një dekoratë?”. E ndërsa dëgjoja mu kujtua një editoriali im me titull: “Një telefonatë nga Fadil Hasa”…
…Alo… Jam Fadil Hasa… Në vjeshtën e vitit të kaluar erdhi në Durrës, Presidenti Bamir Topi. Bëri disa dekorime… U bë edhe koktej. E pimë më këtë rast nga një gotë të flamosur me raki… Më pyeti mua Presidenti Topi: “Ti Fadil, e ke marrë me siguri një medalje?”…Jo – i thashë… Kanë marrë shumë të tjerë para meje. Por unë mendoj,- shtoi Fadili, se çdo punë e ka një sira. Ja për shembull në Durrës janë dhanë shumë medalje. Janë bërë shumë “Qytetar Nderi”. Tituj japin edhe komunat. Pra kemi “Qytetar Nderi” dhe “Katundarë Nderi”, edhe pse në komuna quhen “Qytetar Nderi”. Mendo si kapardiset një Katundar me medalje nëpër Durrës?! Por fshatarin nuk e bën qytetar titulli që i jep Komuna e Rushbullit, për shembull. Me këtë stil, qytetarë e fshatarë, me medalje dhe tituj, janë bërë si këmbët e dhisë. Kanë marrë njerëz që e meritojnë, sepse u “këndon” vepra. Por kanë marrë edhe njerëz, që nuk i njohin as robtë e shtëpisë. Kjo nuk më duket e drejtë. Nuk mund të bëhet bishti më i rëndë se sqepari… Kështu po ndodh edhe me ministrin e parë të Drejtësisë, Petro Poga.