Miltiadh M. Muçi: Si u shkatërrua për vota objekti i trashëgimisë kulturore

531
Lekëljotët e dikurshëm të larguar sa shumë çmallen me Leklin dhe banorët e sotëm lekëljotë edhe më shumë zhgënjehen me Gurrën që prindërit u tregonin si një përrallë të bukur, çuditërisht e shkatërruar, e transformuar pa ujë: Tashmë uji nuk duket / Humbet thellë nën këmbë / Gurrën na e zhdukën / Të parët e kishin lënë.

Pas viteve ’90, asnjë pushtetar dhe politikan nuk do të mendonte, si mund të zhvillohej Lekli, përkundrazi, si do t’i merrej ujët e Gurrës për ujësjellësin e qytetit të Tepelenës, duke u premtuar banorëve “të përdorej një pjesë për vaditjen e të mbjellave bujqësore të tyre”. Por fjalët shumë shpejtë u harruan, si kuçedër e vërtetë e një legjende tashmë të keqe, të gjithë ujin e morën. Pas viteve 2000, në çdo familje të qytetit të Tepelenës dhe të tjerat që ngrihen porsi kërpudhat pranë shtratit të Vjosës, furnizohen me ujët e Gurrës jo vetëm për të pirë, por të vadisin edhe kopshtet, ndërsa Lekli të mbetet pa ujë. Qëllimi mos të shkelë këmbë lekëljoti në Lekël, por të largohen të gjithë dhe ata që banonin, kur nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë, që Lekli të mbetet pa lekëljotë. 

U bënë ankesa pas ankesash, u zhvilluan procese gjyqësore, u morën vendime pas vendimesh,

deri në shkallët e larta për t’u rigjykuar nga shkalla e parë, por pushteti vendor e qendror kurrsesi nuk reagon ta zgjidh me ndërmjetësim, veçse ta shtyj në kalandrat greke.

Por çfarë tjetër, Gurra me ujët e saj do të ishte për lekëljotët, përveçse jetës së përditshme të tyre, për bujqësinë dhe blegtorinë ? Le të shikojmë çfarë fshihej.

Kësaj pyetje, deri më sot nuk i është përgjigjur asnjë nga pushtetarët e politikanët, sepse është dora e tyre për të siguruar votat, dhe pse premtuan ujin e mjaftueshëm për vaditje. Gurrës jo që ju morë uji, por e shkatërruan edhe pse ishte vepër inxhinierie, monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore të Leklit. Pas disa shekujve kjo vepër nga më të mëdhatë dhe të rëndësishmet, iu shtua krahas urës metalike të Drinosit, sepse lekëljotët nuk bënin investime dokudo sikurse e tregojnë deri më sot gjurmët e veprave të tjera hidrike, ujësjellësit e shtrirë të qeramikës apo të tuneleve të muruar, depozitat e ujit të pijshëm dhe ato për vaditje. 

Investimi më i madh i lekëljotëve të viteve’30, ishte në sistemimin dhe shfrytëzimin e burimit të Gurrës. Jo vetëm bukuria dhe madhështia e fasadës, që grumbullonte ujin e thellësisë së malit, por dhe 12 tubat e derdhjes, vijat për vaditje të arave dhe kopshteve, koritat e bagëtive për të pirë ujë në çdo mbrëmje pas kullote, para se të merrnin rrugën për në oborret e shtëpive, përroi me mullinjtë e bluarjes dhe rrapet shekullorë, të pangopur nga ujit që zbriste në drejtim të Drinosit, ku ndodhet pika turistike e Ujit të Ftohtë, të gjitha së bashku i shtonin vlera të jashtëzakonshme. 

Ajo u ndërtua me mundime të mëdha nga vetë lekëljotët, që punonin brenda e jashtë vendit në mërgim, disa prej të cilëve u ndodhën pranë në ditën festive të përurimit. Shumë vonë i mësova vlerat e vërteta inxhinierie të Gurrës, për konstruksionin e veçantë të përdorur në ndërtimin e saj, sidomos në kohën kur ajo u ngrit. Jo vetëm gjatësia, gjerësia dhe lartësia, shtresat e tokës dhe thellësia ku mbështetej, dritaret për shkarkimin e depozitës dhe dymbëdhjetë tubat që pa pushim rridhnin ujin e ftohtë si “akull”. Nuk ishin të mjaftueshëm muret betonarme me shufrat e hekurta, por ato u zëvendësuan me çimenton e ngurtësuar dhe formën e napave të lidhura si trup i vetëm, të forta më shumë se betonarmeja e hekurt. Por vlerat trashëgimore ia shtonin edhe zbukurimet, vatrat e zjarrit ku amvisat zienin rrobat, govatat prej çimentoje ku i “rrihnin” dhe më pas i shpëlanin. Nuk mungonin as vendet e kazanëve nga pikonte rakia që mbushte damixhanat. 

Edhe pse ndodhi me kishën e Profetit Ilia, në vitin 1966, që e kthyen në rrënojë si tetë kishat e tjera të Leklit, të ndërtuara edhe këto nga vetë lekëljotët disa qindra vjet më përpara, Gurra jo vetëm nuk u prekë ndonjëherë, por në mullirin e përroit që mbante emrin e xha Kiços, sepse aty ishin dhe mulliri i kishës e i Prifte, me nismën e djemve lekëljotë të larguar familjarisht, që ndodheshin me punë në radhët e forcave të ushtrisë, u vendos një turbinë për të prodhuar energji elektrike. Lekli kishte “fuqinë e tij të energjetikës”, të furnizoheshin normalisht banesat e lekëljotëve, por dhe të disa fshatra përreth. 
Ndërsa tani, jo vetëm këto vlera të trashëgimisë, por as ujin për vaditje nuk mund ta shikosh, kur gjithçka është shkatërruar nga “barbarët”, sikurse thuhet në mbylljen e vargut të elegjisë së Gurrës, të ngritur nga lekëljotët: Thellë shumë gurgullon / Veçse rënkim lëshon / Rrugë tjetër ajo ka marrë / Na e kanë marrë “barbarë”. 

Dhe nga “barbarët” veçse prishje e shkatërrim mund të presësh!! 

Me trashëgiminë kulturore, ajo që po ndodh sot me Durrësin e lashtë ka ndodhur dhe do të ndodhë kudo, për sa pushtetarët autorë të shkatërrimit nuk vihen para ligjit. 
Sigal