Mexhit Prençi: Kur komedia të liron nga stresi

641
Sigal

Në fokus:  Spektakli i komedisë “BOOING, BOOING” 

KUR KOMEDIA   TË  LIRON   NGA STRESI !.

Mexhit Prençi

1.

Sot më shumë se kurrë  shoqëria  jonë  e ka të domosdoshme lirimin nga streset e shumta prej varfërisë e mjerimit dhe dhunës, ndaj lirisë dhe drejtësisë. Njerëzit kanë  humbur shpresën për zhvillim e progres. Këto e të tjera dukuri të zeza, kanë autorë, politikanët e korruptuar e inkriminuar,  aventurierë e gangsterë  -shkaktarë të gjendjes katastrofike  të vendit tonë, zhytur në kriza të gjithanshme  nga shteti monist tiranik ku 70 % e popullsisë përjeton ferrin, në luftë për mbijetesë. Stresi, frika, ankthi e makthi ka mbërthyer edhe fëmijët e vegjël. Shpresa për të ardhmen është shuar si kandili kur s’ka vaj.  Asnjë dritë nuk shihet në fund të tunelit .

2.

Këtë gjendje stresante artdashësit e teatrit, duke parë spektaklin e komedisë brilante “Booing Booing”, shkëputen një orë e gjysmë  nga hallet e dertet, e shkulen së qeshuri  nga loja e bukur e aktorëve komikë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me regji mjeshtërore nga  i mirënjohuri, Kiço Londo.

3.

Komedia “Booing Booing” e autorit francez Mark Camoleti është përkthyer mjeshtërisht nga  shkrimtari Nasi Lera. Ajo ka vlera të epërme artistike dhe estetike. Ngjarjet e kësaj vepre komike zhvillohen në Paris. Subjeki është i thjeshtë. Autori  shpalos në mënyrë groteske, reale dhe irreale  aventurat dashurore të protagonistit Bernard me tri stjuardesat bukuroshe: gjermane, franceze dhe amerikane. Secila beson se është e dashura  e Bernardit. Ndërthurja e subjektit të ardhjes së stjuardesave në apartamentin e tij, ku pas të parës vjen e dyta, e pas të dytës  vjen e treta,  si dhe  alternimi i  shpeshtë i veprimeve të tyre  në situata të shumta të  ndryshme të larmishme, – inskenohen nga regjia, me mizanskena  mjeshtërore dinamike, ku veprimet dhe manovrat e aktorëve për të fshehur të vërtetën me gënjeshtra, sidomos nga protagonisti Bernard, kryhen me ritëm të lartë, shumë të lartë. Gjithçka është mirëmenduar nga autori dhe regjisori duke operuar në rrafshin e komikes me të gjitha elementet përbërëse të saj, që personazhi të gjendet në situata të paprituara e befasuese dhe me truke, veprime të shpejta, me mimikë, lëvizje  gjymtyrësh e gjithfarë mjetesh  komike farseske, groteske, vodivileske dhe eske të tjera, çka  e  qeshura komike rrjedh si ujëvarë, sa publiku tejngopet me kënaqësi estetike, duke përjetuar çka ndodh në skenë, shkëputur tërësisht nga realiteti i trishtë jashtë  saj.

4.

Vlerat artistike dhe estetike të spektaklit “Booing, Booing” i promovon jo vetëm kritika profesionale, por edhe duartrokamat e zjarrta të publikut.  Unë si kritik e kam parë më shumë se tri herë këtë spektakël. Edhe një pjesë e publikut të njëjtën gjë ka bërë. Madje duke siguruar biletën tri javë më  përpara.

5.

Kam përshtypjen se  spektakli “Booing, Booing”, zë vendin e dytë pas shfaqjes “Pallati 167” për numrin e shfaqjeve, ndërsa numrin e parë për duartrokamat e publikut, i cili kënaqet me lojën ansambël të të gjithë aktorëve dhe aktorëve, të cilët aktrojnë mrekullisht me veprime  psikofizike, sipas stilit grotesk, dinamik, me ritëm shumë të lartë, duke kaluar nga një situatë në tjetrën për të motivuar gënjeshtrat sipas rolit që të mos zbulohet e vërteta, se protagonisti kishte marrëdhënien me të tëra. Bukur mashtronte secilën se, kish marrëdhënie vetëm  me atë. Loja e tyre është  integruar me   të gjitha elementet e aktrimit me cilësi e forma stilistike të ndryshme e të larmishme  me cilësi  të lartë.

6.

Shestimi dhe formësimi i spektakilt “Booing, Booing” nga regjisori Londo dhe gjuha mizanskenike promovojnë profesionalizmin regjisorial të nivelit të epërm. Mizanskenat  në harmoni me skenografinë dhe me aktrimin, mundësojnë që lëvizjet plastike, koreografike, groteske e dinamike të aktorëve dhe aktoreve  në rolet respektive të jenë të lirshme, të   natyrshme  dhe  me cilësi

7.

Në tërësi loja e aktorëve dhe aktoreve është brilante, vërtet brilante. E nënvizoj dyfjalëshin “vërtet brilante”, sepse shpesh abuzohet me këtë dyfjalësh. Zhvleftësohet vlera e saj kur  gjykimet mediokre të disave, konsiderojnë brilante edhe spektakle nën nivelin mesatar, si në aktrim ashtu edhe në regjisurë e përbërësit e tjerë te spektaklit.

8.

Artistët Amos Mujo Zaharia, Genc Zeneli dhe artistet Andja Xhunga Rudina Dembacaj, Aleksja Xhemalaj dhe Lindita Jasjani, secili e secila është  unik në shpirtëzimin e personazhit që lot. Sipas meje, aktrimi i tyre është i nivelit të epërm, ku  integrohen mrekullorja, çuditorja dhe fantastikja.

KONKLUZË:

 

Në realitetin e sotëm ku dëshpërimi, mosbesimi, stresimi, ankthi e makthi dhe fobia e njerëzve në varfëri e mjerim, që ecin me rrasën e varrit mbi shpinë, teatri komik u mundëson të marrin kënaqësi duke shkuar në teatër kur shfaqen vepra komike të ndryshme e të larmishme nga teatri botëror, nga tradita jonë e veprave komike, por edhe nga komediografët aktiv si  Ruzhdi Pulaha, Pëllumb Kulla, Stefan Çapaliku, Ferdinant Hysi  etj, që t’i përkushtohen komedisë.  Eshtë shans që mund të vijë një herë në njëqind vjet, pasuria e temave të mëdha në realitetin e sotëm që  do t’i kishte zili edhe Shekspiri.

***

Ftoj komediografët shqiptarë klasiko-realist dhe modern të shfrytëzojnë fushën e formave të dukurive të natyrës shndërruar në realitet artistik komik dhe format e pafundme të komikes  duke synuar që me talentin e tyre të krijojnë vepra komike dhe t’i japin publikut kënaqësi estetike, shpirtërore dhe  mesazhin  e “largimit  të së keqes nga  skena me të qeshur”, siç thoshte Molieri.