Mësuesja e zemrës së nxënësve

1131
Sigal

Ka mësues që nguliten thellë në kujtesën e nxënësve. Kjo arrihet nga personaliteti i tyre, dashuria e ngrohtësia që tregojnë, mënyra e komunikimit, dëshira për t’i ndihmuar dhe sakrifica për të qenë përherë pranë tyre, me një buzëqeshje dhe fjalë të ngrohtë, edhe kur vetë mësuesja mund të jetë në stres nga plot halle personale. E tillë është mësuese Lumturi Vladi, me 40 vjet eksperiencë mësimdhënieje, sot  drejtore e shkollës nëntëvjeçare publike “Dora D’Istria” në Tiranë. Kudo ku ka shkuar të punojë kjo përfaqësuese e nderuar e profesionit më fisnik në botë, ka sjellë ndryshimin. Në shkollën “Dora D’Istria” erdhi si drejtuese në shkurt të këtij viti dhe në tetë muaj solli sigurinë në mjediset e shkollës. U hoqi një shqetësim të madh të gjithë nxënësve dhe prindërve të tyre. Prindërit i çonin fëmijët në shkollë me frikën se mund t’u ndodhë diçka më e rëndë se zënkat e zakonshme të nxënësve të nëntëvjeçares. Prania e rrugeçërve dhe drogës në shkollë ua shtonte këtë shqetësim. Nënëmadhja, siç e quajnë me afeksion e përkëdheli mësuese Lumturinë nxënësit e saj, e gjeti shkollën (si dhe gjithë shkollat e tjera, ku ka kontribuar) me shumë probleme. Shkolla kishte nxënës problematikë, që nuk futeshin në mësim dhe rrinin në oborrin e shkollës. Kontrollonin çantat e nxënësve të tjerë më të vegjël në moshë, për lekë, madje, dy këtyre “kontrolluesve” ishin të skeduar nga policia, bashkë me familjet e tyre, për aktivitet droge dhe prostitucioni. Nxënësit e klasave më të ulëta ndiheshin si të terrorizuar nga nxënësit më problematikë dhe zhurmëmëdhenj të klasave të teta dhe të nënta. Këta të fundit  i “prodhonin” zhurmën dhe zullumet në pushime dhe gjatë orëve të mësimit. Mësuese Lumturia solli qetësinë dhe rregullin e duhur në këtë shkollë publike, duke i kthyer asaj autoritetin dhe dinjitetin. Përpara shkurtit 2014, bodrumet e shkollës notonin në ujë dhe ishin një rrezik real për shembjen e shkollës. Në pak kohë, Lumja (sikurse e thërrasin shkurt miqtë dhe dashamirësit e saj), arriti të thante dhe pastronte bodrumet, si dhe të siguronte higjienën e duhur për banjot e shkollës dhe të gjitha ambientet e tjera. Më parë, në ‘to nuk hyje dot, nga era e rëndë dhe papastërtitë. Tani gjithçka është kthyer në normale dhe këtë mësues, nxënës e prindër të kësaj shkolle ia njohim vetëm punës së palodhur, karakterit dhe përkushtimit të Nënëmadhes. Ajo nuk ndalet kur synon të bëjë diçka të mirë për nxënësit e saj, për shkollën. Nuk di të ketë ditë pushim. Për të shtunat dhe të dielat janë ditë pune, njëlloj si ditët e tjera. T’i ndihmosh nxënësit në nevojë është për të një pasion i fortë, por që mrekullisht nuk e gërryen, nuk e konsumon, por e mban energjike e të freskët në komunikim, si edhe 40 vite më parë. Lumturia e hap zyrën e saj në shtatë të mëngjesit dhe largohet në tetë të mbrëmjes. Shkolla nën drejtimin e saj njohu ç’është disiplina e vërtetë, të ardhurit në orar dhe të sjellurit si duhet, me përgjegjësi e seriozitet, të mësuesve dhe nxënësve më të rritur. Mësuese Lumja futi praktikën e konsultimeve të detyruara përpara dhe pas mësimit, konsultime që kaq shumë i ndihmojnë nxënësit, sidomos ata te klasave të teta dhe të nënda, që kanë ngarkesë të madhe orësh dhe mësimesh. Konsultimet tani bëhen nga ora 7:15 deri në orën 8 të mëngjesit, kur fillon mësimi, ose pas mësimit, në ditë të caktuara. Dhe nuk është më në humorin apo dëshirën e mësuesve se kur bëhet konsultim. Si drejtuese, mësuese Lumturia organizoi festën e Luleve, me një qasje të veçantë, pa i detyruar fëmijët të sillnin lekë nga shtëpia për lulet. Çdo të premte të dytë të çdo muaji, zhvillohet në shkollë kros masiv, ku vetë drejtoresha, megjithë vitet mbi supe, vrapon e para. Shtimi i sportit në shkollë u shërben sidomos nxënësve të klasave të teta dhe të nënda, pse i largon nga rreziku i drogës dhe i sjelljeve të pahijshme e akteve të rrugaçërisë. Drejtoreshë Lumturia po synon të vendosë mësuesit me ekspertizën e duhur në lëndët e duhura, si dhe të nxisë stafin e saj pedagogjik për kualifikime të mëtejshme. Dera e zyrës së saj është e hapur për çdo nxënës e prind që ka një problem me shkollën, në çdo orë të ditës. Ka diçka të veçantë në komunikimin me të. Menjëherë ta kupton problemin që ke, për të cilin ke ardhur ta takosh dhe hidhet në kahun se si të bëjë që të ta zgjidhë. Është njësoj në sjellje më të gjithë, e çiltër dhe gjithnjë buzëqeshur, me batutën te maja e gjuhës, me një zë të fortë karakteristik, që rrezaton energji e ngrohtësi. Nxënësit lënë kokën për të dhe ka nxënës të shkollave të tjera ku ajo ka dhënë mësim, që duan të vijnë në shkollën “Dora D’Istria”, vetëm pse ajo është aty. Janë të panumërta poezitë, përkushtimet, hartimet dhe shkrimet e nxënësve për mësuesen e tyre. Deri tani janë tre libra kushtuar asaj dhe në proces botimi është një i katërt. Një nxënëse e klasës së tetë, që kishte kaluar një periudhë shumë të vështirë dhe me ndihmën e mësueses doli nga problemi, i shkruan: “Je ashtu si e ke emrin, mësuesja ime e dashur, pse solle qetësinë dhe lumturinë në ditët e mija!”. M’u kujtua mësuese Lumturia, kur Kryeministri foli më 3 nëntor për arsimin parauniversitar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. E ardhmja e tyre është më e sigurt, kur pranë kanë mësues që dinë të komunikojnë dhe i lumturojnë me dashurinë dhe kujdesin që u falin.

Nga prindërit e nxënësve të shkollës “Dora D’Istria”