Merita Haxhia (Gugu): Muzika dhe familja, dy dashuritë e mia …

1590
E çiltër, më e bukur se në ekran, në peshë dhe linja ideale, e veshur thjesht, por mbi të gjitha e VËRTETË! Quhet Merita Haxhia, por që të gjithë e njohin më emrin e artit ‘Gugu’ Shumë kilometra, klipi i saj i fundit që po korr sukses të jashtëzakonshëm, të cilin Gugu e ka shumë për zemër. Ky klip është realizuar me shumë dashuri dhe mbështetje nga miqtë e bashkëpunëtorët.”Gugu” shprehet e lumtur, pasi është pritur mirë. Shijoni ndërkohë këtë set fantastik fotosh, ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, të realizuara me mjeshtëri nga fotografja e njohur, Fjoralba Maliqi. 
-Si e kalove verën, Gugu ? 
Ndonëse stinët e mia të dashura janë vjeshta dhe pranvera, prapë së prapë kur vjen vera sikur ndihemi më të lirshëm dhe më të hapur për aventura dhe qejf pakufi, por se sa më lejoi koha që edhe unë të kënaqesha si gjithë të tjerët, kjo pastaj është temë tjetër (qesh). Vera ime ka filluar me plot angazhime duke vijuar me dasma, evente e gëzime familjare. Vera për mua është më shumë punë se sa pushim. 
-Çfarë roli luajnë stinët në pasionin tuaj për këngën ?
Kënga, tashmë është mbi të gjitha punë për mua, por pa diskutim edhe pasion i madh i imi. Kështu që, pavarësisht stinëve unë duhet të bëj diçka të bukur që të pëlqehet nga publiku dhe më pas të marr frytet. 
-Çdo të thotë kohë pushimesh për ju ?
Hmmm…nëse i referohemi sezoneve, ju thashë pak a shumë se çfarë ndodh me pushimet e mia, pushime të kombinuara me punë. Pushimet janë kohë shumë e rëndësishme për trupin dhe trurin e njeriut, ndaj nuk duhet t’i anashkalojmë. 
-Çfarë komponentësh i duhen një kënge për të qenë kryevepër ? 
Mendoj se gjëja kryesorë që të çon drejt krijimit të një kryevepre është inspirimi dhe ngacmimi, që i bën një dukuri e veçantë, shpirtit. Janë këto ato, të cilat të mbyllin brenda në dhomë dhe të bëjnë që të shfryhesh përmes notave dhe fjalëve. 
-Klipi juaj i fundit është … 
“Shumë kilometra” dhe është realizuar në Maqedoni. Ky projekt është bërë me shumë dashuri nga miqtë e bashkëpunëtorët dhe jam e lumtur që është pritur mirë. 
-Për dikë që nuk ka njohuritë e duhura në mënyrën se si krijohet një këngë, mund të na thoni çfarë rëndësie ka teksti në një këngë ? 
Nuk jam pajtuar asnjëherë me idenë, se teksti është komponenti më i rëndësishëm i një kënge. Ka këngë fare pa fjalë e që të përçojnë mesazhin. Por, nuk mund të themi se teksti është më pak i rëndësishëm. Ai të jep qartë idenë, temën apo përshkrimin e një ndodhie, gjë që këngën e bën më atraktive. 
-A ka një dashuri në jetën tuaj ? 
Dashuri ?! Muzika dhe familja, janë dy dashuritë e mia …
-Jeni ndër këngëtaret më të kërkuara në diasporë, por jo vetëm… 
Po, është e vërtetë, ku mund të them dhe nga më të paguarat. Ndjehem e vlerësuar nga ky fakt. 
-Cili është sekreti i të qëndruarit e suksesshme dhe kaq e dashur për publikun ? 
Sekreti është të jesh vetvetja dhe të bësh atë që di më mirë, duke e perfeksionuar dhe dashuruar atë punë. 
-Ke një peng, një dëshirë që nuk të është plotësuar ? 
Unë nuk pendohem asnjëherë për gjërat që bëj. I mendoj shumë mirë, ndaj nuk kam ndonjë peng. Nuk kam gabuar diku, nëse ka ndodhur diçka që nuk ka shkuar si duhet, mund të jetë faji i të tjerëve, ndaj ua le të tjerëve brejtjen e ndërgjegjes. E ndiej veten të realizuar dhe jam e lumtur. 
-Kujt i jeni mirënjohëse për çdo gjë që keni arritur në jetë? 
Mirënjohja e parë është ndaj zotit dhe familjes sime që më kanë përkrahur gjithnjë, sepse e vetme nuk do të arrija suksesin. Miqtë janë gjithashtu një mbështetje e rëndësishme dhe dashamirësia e tyre më bën t’i jem mirënjohëse. 
-Cilësitë që ju karakterizojnë ? 
Jam 100% vetvetja dhe skllave e askujt. 
-Le të fantazojmë pak, ku e sheh veten pas dhjetë vitesh ? 
Unë nuk jam tip që i planifikoj gjërat, por i fantazoj në kokën time dhe ashtu më shkojnë. Kjo ka të bëjë me energjinë pozitive të njeriut dhe deri më tani, Zoti mi ka sjellë gjërat siç kam dashur. Këtë vit e shoh veten në karrierë, me këngë e klipe të reja. 
-A ke frikë nga plakja? 
Jo, nuk është se e mendoj këtë gjë dhe prandaj nuk kam frikë. 
-A ka Gugu ndonjë sekret ende të pathënë që ta ndajë më lexuesit e Telegraf ? Nuk kam sekrete, por dua t’ju them se jam e lumtur që nëpërmjet kësaj interviste më bëtë pjesë të Telegraf, e duke ju falënderuar pamasë, ju uroj një vjeshtë të bukur…ushqehuni mirë dhe dëgjoni muzikë të mirë..! Bisedoi: Hermes Nikaj 
Sigal