Maria Bajrami: Jam nënë dhe bashkëshorte e shkëlqyer!

742
Sigal

Intervista/ Flet këngëtarja shqiptare, Maria Bajrami

… Maria është një nga këngëtaret më simpatike & madhështore të skenave tona, e cila përherë di të vijë ndryshe dhe të befasojë publikun. Ajo është këngëtare e muzikës live prej 18 vjetësh. Fillimet e saj kane qene ne Greqi dhe prej vitit 2004 këndon për publikun shqiptar. Ajo është një ndër femrat më të bukura, për tu marrë shembull ne edukatë, stil dhe veshje. Maria vjen në këtë intervistë ndryshe, duke mos folur vetëm për projektet e saj si artiste, por edhe jetën familjare si nënë. Ajo rrëfen me detaje jetën e saj jashtë ekranit, pasionet e vegjëlisë, dashurinë e madhe për këngën si dhe lidhjen me familjen. Shpesh nuk është e lehtë që të jesh një nënë në karrierë, por Maria ia ka dalë të vendosë një balancë. Pavarësisht punës, ajo tregon se gjithë kohën e saj të lirë ia ka kushtuar djalit të saj, i cili është një thesar i çmuar për artisten. “Është një fëmijë i mbarë dhe i zgjuar, shprehet ajo në intervistën ekskluzive për “Telegraf” . Madje shpesh më pyet se përse nuk gjej një punë ditën”, thotë këngëtarja për të birin, i cili tashmë e ka kuptuar së nëna e tij është e njohur. Për më tepër ju ftoj të lexoni intervistën ekskluzive që kemi përgatitur me Marien.

-Fillimet tuaja, si kanë qenë?

Fillimet e mia, ne vitin 1991, kane qene ne qytetin verior të Greqisë në Ksanthi, e me pas në Selanik, e thuajse në të gjithë Greqinë. Bashkëpunimet e herë pas hershme me këngëtar të njohur dhe profesionistë grek më kanë ndihmuar shumë në zhvillimin tim profesional. Disa nga këto bashkëpunime kanë qenë me këngëtarët Vasili Kara, Paskali Terzi, Mateo Januli, Harula Lambraki, Jorgo Margariti, Stela Konitopulu etj. Të gjithë këta, të njohur në muzikën popullore greke, kështu dhe ndikimet e mia janë po në këtë rrymë, të ashtuquajturën “Laiko” dhe “Zebetiko”. Me rikthimin tim në vitin 2004 në Tiranë, kam dhënë dhe jap kontributin tim artistik në muzikën greke dhe atë shqiptare, në netët e muzikës live në Tiranë.

– Natyra të ka falur forma perfekte, si kujdesesh për imazhin tënd dhe për të mbajtur trupin në formë?

Kujdesem shumë për veten, që nga dieta ime e përhershme, mosabuzimi kurrë me ushqimin apo pijet alkoolike, përditshmëria me palestrën dhe ecjen, trajtimet e ndryshme estetike etj. Këto janë kryesoret për të pasur një fizik në formë .

Cilat kanë qenë dëshirat fëminore të Marias? A e keni menduar ndonjëherë se do të jeni një personazh kaq i dashur i ekraneve tona?

Si çdo fëmijë kisha shumë dëshira. Madje dëshira të çuditshme dhe interesante, sa që kur i kujtoj tani më vjen për të qeshur. Fillimisht doja të bëhesha mjeke, më pas ministre, ka qenë një moment që doja të bëhesha edhe ambasadore.

-Jeni për martesë apo bashkëjetesë?

 Sigurisht të dyja, në kohë e duhur

Çfarë e bën një këngëtare të jetë e suksesshme?

Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh këngëtare sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Me pëlqejnë sfidat, por i marr parasysh edhe pasojat! Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

-Një klip joshës e bën më të kërkuar një këngë?

Varet gjithmonë nga kënga besoj, nuk ka lidhje vetëm klipi. Ka shumë raste kur mund të bëhen klipe mjaft të bukur, apo joshës, po nëse kënga nuk shkon te publiku, atëherë ai mbetet thjesht një klip i bukur. Duhet të jenë gjithë komponentët të mirëmenduar që një këngë të ketë sukses.

– Si janë ditët e tua, duke pasur parasysh që jeni edhe nënë?

Ditët e mia pak a shumë janë njëlloj. Çdo mëngjes çoj djalin në kopsht dhe shkoj ta marr në orën 4. Gjatë këtyre orëve mbaroj punët e shtëpisë apo detyrimet e tjera që duhen bërë. Pasi e marr djalin, nuk ka ditë mos ta çoj te lodrat, bashkë me nënën time. Mund të them me plot gojën se ia kam dhuruar kohën tim biri. Shohim kukullat bashkë… me pak fjalë, për çdo gjë që ai ka nevojë unë jam afër tij.

-Çfarë e bën të vështirë jetën e një nëne në karrierë?

Do të kisha dëshirë që në shumë raste ta çoj vetë tim bir në gjumë. Kjo mund të them është një nga vështirësitë kur je nënë. Të mos jesh gjithmonë pranë fëmijës tënd, por e thashë më sipër, unë veç rasteve kur jam në punë, gjithë kohën ia kushtoj atij.

-Kush ju ka ndihmuar më shumë në gjithë këtë rrugë, të themi?

 Familja ime. Veçanërisht im atë, që më ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të më mbështesë. Njëkohësisht mbështetje e madhe për mua ka qenë edhe bashkëshorti.

-Si i ke marrëdhëniet me djalin? A e kupton ai që nëna e tij është e famshme?

E vetmja gjë që mund të them është se është një fëmijë shumë i mbarë. E kupton shumë mirë që nëna e tij është e famshme. Madje ndonjëherë më thotë ”pse nuk gjen një punë ditën”(qesh). Pastaj mua (meqenëse fëmijët sot janë më të zhvilluar sesa kemi qenë ne), më duhet t’ia shpjegoj me imtësi sesi është puna e një këngëtareje dhe pse më shumë këndon në darkë dhe jo ditën.

– Si vishesh në jetën e përditshme?

Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nëse është një ditë pune, normalisht e veshur sport dhe praktike. Nëse programi ditor kërkon diçka më klasike apo moderne, sigurisht që i përshtatem eventit.

– Po femrat shqiptare sipas Maries, si vishen?

Nëse flasim për femra që janë imazhe mediatike, them se i kapin tendencat, pasi vajzat e ekranit janë të mirëinformuara. Nëse flasim për vajzat e vogla, e teprojnë pak më veshjen e paradites ose në shkollë. Mendoj së është bukur t’i shikosh pa grim. Vitet e fundit tendenca po ndryshon, ama mendoj se duhet shumë kujdes në kombinimin e veshjes me stilin qe të përket dhe ditës që kemi përpara.

-Maria & Thashethemet, a të prekin ato?

Thashethemet në momentin e parë prekin këdo. Kur pastaj i analizon dhe i mendon me gjakftohtësi, kupton që bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe pa bazë i anashkalon. Njerëz të boshatisur e thashethemexhinj ka gjithandej. Nëse nuk kanë gjë më të mirë për të bërë në jetën e tyre se të merren dhe të fantazojnë për dikë tjetër, sigurisht që nuk do të mundem unë t’ua ndryshoj mendimin ose rutinën e përditshme.

-Jeni pro apo kundër martesave gay ?

 Jam Pro.

-Përkufizo termin Dashuri …

Dashuria … Dashuria çon botën përpara. Dashuria nuk duhet të mungojë kurrë në jetën tonë. Dashuria për familjen, për punën, për gjysmën tënde, për gjithçka!

-Dhe në fund diçka për ta mbyllur …

Një falënderim shume special për miken time, parukieren Merita, e cila kujdeset për pamjen time, gjithashtu një përshëndetje shkon për të gjithë lexuesit e gazetës.