Margarita Xhepa: Çmimi në Prespë solli një frymë dhe model të ri

393
Sigal

Flet aktorja Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”: Ky festival ishte një homazh për mjeshtrin e skenës dhe ekranit, Bujar Lako

-Çmimi në Prespë të Maqedonisë së Veriut, solli një frymë dhe model të ri

Albert Z. ZHOLI

Ditët e fundit aktorja Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”, u vlerësua me çmimin “Actor of Europe”. Në edicionin e tij të 19-të, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Actor of Europe”, që zhvillohet nën siglën “Liqen pa Kufij” në Prespë të Maqedonisë të Veriut, shpalli çmimet për artistët, “Actor of Europe 2021” ku, zonjës Margarita Xhepa iu dha çmimi për interpretimin e saj në rolin e Zonjës Mëmë tek shfaqja “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit, i cili gjithashtu u vlerësua në këtë festival online. Juria e festivalit, e përbërë nga prof. Meto Jovanovski, prof. Mimoza Rail dhe prof. Jani Bojadzi, vlerësuan me çmimin “Regjisori më i mirë i Festivalit” Laert Vasilin për regjinë e tij tek shfaqja “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Ky produksion teatror, u realizua disa vite më parë si bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës, teatrit “Aleksandër Moisiu”, Laert Vasilit dhe mbështetjen e Teatrit Kombëtar. Ajo që duhet theksuar është se në këtë produksion teatror, për herë të parë u bënë bashkë në skenë, disa prej ikonave më të shquara të skenës dhe teatrit shqiptar si: Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Zhusti. Shfaqja teatrore “Kush e solli Doruntinën” me regji nga Laert Vasili, mori pjesë si shfaqje përshëndetëse edhe në festivalin mbarëkombëtar të teatrit online “Moisiu On”, si homazh për mjeshtrin e skenës dhe ekranit, të ndjerin Bujar Lako, i cili në këtë rol të tij të fundit në skenë, u vlerësua në festivalin “Talia e Flakës” (Gjilan) me kupën e “Aktorit më të mirë” në vitin 2016. Në shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”  drejtuar nga Laerti Vasili, skena dhe kostumet janë nga Stela Laknori, muzikë Ambra Marjanaku, drejtor artistik Bashkim Hoxha. Në role, aktorët Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Zhusti, Laert Vasili, Luli Hoxha, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Eralda Çaushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia dhe Xhejni Fama.

Si do ta vlerësonit çmimin “Actor of Europe” në edicionin e tij të 19-të të festivalit ndërkombëtar të teatrit “Actor of Europe”, që  u zhvillua nën siglën “Liqen pa Kufij” në Prespë të Maqedonisë të Veriut?

-Ishte një çmim që më dha një forcë në këtë situatë. Dhe pse ky festival u zhvillua online, sërish mund të them se, vlerat janë të njëta, pasi aty kishte një juri shumë profesionale dhe njëkohësisht kishte pjesëmarrje nga trupa prestigjioze. Kur merr një çmim në këtë situate,  ndjen një sadisfaksion të veçantë, pasi ndihesh se je ende pranë spektatorit, ndihesh se je pranë profesionit dhe ndjek zhvillimet më të findit në skenë. Festivali erdhi në një kohë kur shumica e teatrove në botë janë mbyllur, kur aktorët janë të kufizuar në lëvizje dhe nuk kanë kontakt të drejtpërdrejt me spektatorin. Ndaj zhvillimi i këtij festivali sikur solli një erë të re, një këndvështrim ndryshe për jetën dhe artin në tërësi. Në këtë situatë Pandemie ky festival ishte dhe si një homazh për mjeshtrin e skenës dhe ekranit, të ndjerin Bujar Lako, i cili në këtë rol të tij të fundit në skenë, u vlerësua në festivalin “Talia e Flakës” (Gjilan) me kupën e “Aktorit më të mirë” në vitin 2016.

 

Ç’do të thotë të luash në rolin e Zonjës Mëmë te shfaqja “

Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit?

‘Kush e solli Doruntinën’ është një nga  romanet më të bukur të Ismail Kadaresë në fund të viteve ‘70. Romani bazohet mbi baladën e Konstantinit dhe Doruntinës ku, sipas legjendës, Konstandini e bind nënën që ta martojë motrën e tij Doruntinën me një njeri prej një vendi të largët, i cili po i kërkonte dorën. Konstandini i jep besën nënës se nëse atë e merrte malli për të bijën, atëherë ai vetë do të shkonte e do t’ia sillte. Nëna pranon dhe e marton Doruntinën me burrin nga vendi i largët. Por ndërkohë vdesin të gjithë vëllezërit, përfshirë dhe Konstantinin dhe nëna mbetet e vetme. Atë e merr malli për Doruntinën dhe mërzitet shumë. Shkon te varri i Konstantinit dhe e mallkon të birin që kishte shkelur besën. Në mesnatë Konstantini ngrihet nga varri, shkon e merr motrën dhe ia sjell nënës te dera. Pra ka skena tronditëse. Ka një mesazh historik. Ka një brendi artistike që të mbërthen. Ishte përgjegjësi ky rol. Një figurë e madhe e legjendës shqiptare. Ndaj edhe  regjisori Laert Vasili punoi me shumë përkushtim. Të dy u munduam të japim maksimumin, pasi një figurë e tillë, do një përqëndrim dhe aktivizim skenik të tejskajshëm. Dihet si vazhdon legjenda. Pasi lë motrën, Kostandimi për vete kthehet në varr, ndërsa Doruntina troket në derë, pa e ditur se i vëllai kishte vdekur. Kur hapet dera, nëna e pyet atë se kush e solli, e ajo i thotë, Konstantini. Nëna i tregon se Konstantini bashkë me vëllezërit e tjerë, kishin vdekur shumë kohë më parë…Një dialog deri në pabesueshmëri. Një skenë që kur e lexon tronditesh dhe jo më kur e vë në skenë. Pra, kjo vepër erdhi në skenë këtë herë me një vështrim të veçantë, më modern për kohën nga regjisori Laert Vasili.

-Ende luani me atë fuqi dhe me atë përkushtim si dikur, e re?

-E dua artin, profesionin tim, e dashuroj atë! E ndjej se kam ende për të dhënë në art. E them këtë, se e shoh se kam forcë, memorie, energji, dëshirë, ide që më mbajnë të gjallë në këtë rrugë të bukur. Jam me parimin se artin duhet ta lësh, kur ai të lë; pra, të lënë këto elemente që përmenda më lart. Unë e them me bindje se ende do të jap, se nuk më mungojnë energjitë, por edhe kërkesat e regjisorëve janë të shpeshta.

-Sa role keni realizuar në tërësi në teatër dhe kinematografi?

-Nuk e kam bërë bilancin e saktë të filmave, sepse ende punoj dhe realizoj. Por në teatër kam realizuar 150 role. Pra, role me tre shifra që kur i kujtoj, tendosem mirë. Ishin vite të tëra pune dhe energjie të pashtershme. Kurse për filmat mund të them se, në monizëm kam bërë rreth 35 role filmash dhe rreth 15 në këtë sistem. Mund të jenë rreth 50 role në filma, por në këtë gjini arti, unë vazhdoj të punoj. Kam ende punë për të bërë.

-Si do ta cilësonit artin shqiptar në regjimin komunist?

Dua të jem realiste, ai sistem kishte shumë të meta, por artin e përkrahu. E keqja ishte se kishte shumë ideologjizma brenda, por sërishmi, u bë art. Në atë sistem dolën shumë korifej të artit skenik dhe në kinematografi. Dolën shumë sa, mund të them se ishte koha e të mëdhenjve. Për atë sistem jo çdo gjë duhet hedhur poshtë. Punonim shumë, ishim shumë idealistë, kërkonim shumë ndaj njeri-tjetrit dhe kishim një dashuri të madhe për punën. Punonim për të bërë art, për të lënë gjurmë, ana materiale në atë kohë ishte e papërfillshme. Ngelëm të varfër, por bëmë art që ka lënë gjurmë. Regjimet kalojnë, arti mbetet. Por edhe pse nën kontroll, artistët tanë të mëdhenj kanë bërë art. Ne ishim më shumë idealistë se materialistë ndaj dhe sot jemi të varfër, e bënim punën me dashuri e nuk mendonim se sa para do të merrnin në fund të shfaqjes.

Gjatë muajve të fundit ajo ka sfiluar, prezantuar, recituar në Maltë, Rodos, Venecia, Romë

Cota Luna, sozia e Claudia Cardinale, femra nga Librazhdi që sfidon pandeminë

Mbas dy viteve pandemie puna filloi me evente të rëndësishme edhe për Cota Luna (Sozia e Claudia Cardinale ). Për të evenimentet janë puna pasioni që i japin jetë. Në një nga aktivitet ajo ishte shoqëruese e Croceres ‘Grandiosa’ për një javë në Maltë, Napoli, Palermo, ku ishte prezantuese e zërave të rinj. Njëkohësisht ajo në këtë event edhe prezantoi, sfiloi dhe recitoi. Duhet thënë se tashmë ajo reciton dhe poezi të saj të marra nga libri i susksesshëm “Melodia e jetës”.  Pas këtij eventi shumë mbresëlënës, ajo e ftuar, fluturoi në Rodo të Greqisë, në pasarelat e Red Carpet dhe pastaj në festivalin e filmit në Canne, Francë, ku ishte viti i dytë që ajo kishte nderin të kalonte në tapetin e kuq. Dhe pse me vite në Itali, dhe pse aty ka marrë famën në të gjitha këto aktivitete Cota Luna (Lunie Hoti), në tapetin e kuq ka patur nderin të përfaqësohet si përfaqësuese e Shqipërisë. Një gjest i rrallë dhe fisnik ky, që ndodh rrallë nga artistë të tjerë rritur jashtë Atdheut. Në fjalën e saj në aktivitetin e fundit ajo theksoi se: “Unë jam shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova dhe ndihem krenare që përfaqësoj këto shtete. Jemi në situatë pandemie dhe ju bëj thirrje çdo artisti se me dashuri, bashkëpunim dhe me vizion, do ta kalojmë dhe këtë situatë të vështirë. Në pasarelat e Red Carpet në Canne të Francës, vërtetë jam krenare që më prezantojnë se vij nga Albania dhe sfiloj  e ftuar në Grande Gala me Amerikën. Në çdo event ajo prezanton njëkohësisht modele të veshjeve të Epokës, pasi njihet me këtë titull se ka fituar në Carnevale që zhvillohet në Venecia. Në këtë event ajo ka 5 vjet që merr pjesë rregullisht si e ftuar speciale dhe mandej ka kaluar në Festivalin e filmit po në Venecia, dhe më pas, në Romë në një event ndërkombëtar, po kaq special. Madje në Romë, është sërish e ftuar si  sozia e Claudia Cardinale, e ftuar ku do të flasë për karrierën e saj, pasi aty ka shumë të ftuar si aktorë, shkrimtarë, piktorë e shumë e shumë artistë të vërtetë nga gjithë Evropa. Cota Luna, gjithmonë paraqitet me thënien e saj të dashur: ‘Unë jam shqiptare’!