Manastiri i Zvërnecit të Vlorës është drejt rrënimit. Katër kolona mbajnë ende në këmbë këtë manastir

1233
Sigal

Gëzim Llojdia

Silueta e Manastirit në ishullin e vogël dhe të bukur me emrin Zvërnec është shfaqur rreth shekullit 13-14. Sipërfaqja e ishullit të Zvërnecit mbulohet nga një pyll brenda të cilit gjenden edhe disa ndërtesa në ngjyrë të verdhë. Për të kaluar në ishull përpara kemi një urë druri. Imazhi i saj dhe godina e Manastirit gjenden ende në botimet turistike, foto tipike të objektit të kultit që është e ngjashme me ato kishat dhe manastiret bizantine të së njëjtës epokë. Ura e ngushtë mund të jetë mbi 1000 m e gjatë. Ura prej druri, një atraksion i bukur dhe nga më të veçantët, por duhet thënë se udha lidhëse që të shpie në ishull është bërë çdo vit edhe më e vjetruar. Rrathët e urës prej këtij çasti bëhen më të zymta, duke e bërë të mundimshëm rrugëtimin për në Manastir një stërmundim për të gjithë besimtarët e të gjitha moshave. Instituti i monumenteve dhe institucioni religjioz fetar që administron Manastirin dhe godinat duhet të hedhin sytë e të marrin masa për ndryshimin e gjendjes tek manastiri.

Në ishull ndodhet Manastiri: “Fjetja e Shën Mërisë” apo Hyjlindeses një ndërtim tipik bizantin. Ky monument është i stilit të veçantë. Kujtoj se dikur kam shkruar: Murgu i fundit nga ky manastir është larguar në vitet ’67. Pas këtij viti u dogj edhe biblioteka e pasur e manastirit. Ngrehina në këtë ishull, e ndërtuar dikur nga dora e mjeshtërve, bekuar që në gurët e themelit, ka parë murgj që jetonin duke e bërë atë të gjallonte nga lutjet dhe punët e ndryshme të kultit në mjediset e tij. Por atë dimër, shkurt të 1967-s kur në gazetën “Zëri i popullit” u shkrua fjalimi programatik i Enver Hoxhës, nën parullën: “Feja opium për popullin” gjithçka u zhbë. E mbetur tashmë vetëm si godinë pa funksionin e saj fetar u pa se ç’mund të bëhej me ngrehinën përtej ujërave. Ngrehina, për çudi mbijetoi, edhe pse mbeti stallë për kuajt e lodhur të kooperativës. Pra, siç shkuan punët, ngrehina i shpëtoi rrëzimit. D.m.th: “gjumi i vdekjes” për të metaforikisht dhe realisht gjendej larg. Nuk do të kishte rrëzim, por “kohë të llangosur” në të cilën do të vuante tërësisht këto pasoja të shpërbërjes në një katastrofë të pritshme. Sot mund të shohësh se Manastiri tregon një ndërtesë ose kompleks ndërtesash, që përfshin lagjet e brendshme të jetesës së dikurshme apo edhe ato të vendit të punës, ku nëse ka murgj apo murgesha që jetojnë në komunitet apo vetëm si eremitë. Manastiri në përgjithësi gjithmonë ka përfshirë një vend të rezervuar për lutje, që mund të ketë qenë një kishëz, kishë apo tempull. Në gjendjen e tanishme shtrohet pyetja: Çfarë po e bren objektin? Qysh në hyrje të tij do të ndeshësh gjurmët e një restaurimi që është kryer në vitin 2003. Sakaq në mëndje, gjurma ka lënë qartazi mënyrën se si është bërë ky lloj restaurimi. Pllaka guri me një shtresë llaçi. Pllakat me ngjyrë, larg origjinalitetit. Ku është ngjyra gri? Një shtresë pllakash majolike, me ngjyrë të kuqe kishte filluar të shtrohej në dyshemenë e pjesës së jashtme të tij, por që më pas ishte braktisur. Ka pasur një ndërhyrje që i përket 16 vjetëve më parë që s‘është bërë mirë, sepse shtresa e pllakave bashkëkohore ka mbuluar gjurmët e historisë shumëshekullore, që ruan manastiri. Madje ato pllaka mund dhe duhet të hiqen, sepse kanë krijuar një shëmti dhe janë shenjë të një pune që tregon mungesën e restauruesve. Manastiri ruan bukurinë e tij në formën origjinale ashtu sikurse ai u rezistoi kohëve me mjegull dhe shekujve të jetës së tij.

4 kolona kryesore janë të degraduar deri në shkallën e fundit. Ky, manastir si moment kulture kërkon një ndërhyrje të specializuar dhe të shpejtë për t’i shërbyer frekuentimit ritual fetar si dhe guidave turistike. Duke njohur përbërjen e tyre, rreziku shtohet edhe bëhet më prezent, nga që ditët kalojnë, por restaurim i objektit s’duket fare në horizont. Madje kjo ndërhyrje bëhet domosdoshmëri kryesore, duke njohur edhe faktin që këto kolona kërkojnë riparim të menjëhershëm, sidomos nga specialistët për t’i rikthyer ato në pozicionin e tyre fillestar. Gjurmët e restaurimit të ndërhyrjes rreth 16 vjet më parë shfaqen qartazi si punime të kryera jo me cilësi dhe jashtë parametrave. Duke qenë një monument kulture ai kërkon një ndërhyrje te specializuar në një kohë të shpejtë marrë si spunto edhe nga vizitueshmëria e madhe e frekuentimit në rituale fetare, por më shumë nga vizitat turistike të qindra të huajve që e kanë tashmë të regjistruar nëpër guida turistike. Ky monument kërkon ndërhyrjen e shtetit për të nxjerre një fond të nevojshëm për punime restaurues dhe mirëmbajtje objekti. Gjendja e saj tejet e trishtueshme, po shpie drejt rrënimit një ndër monumentet historike fetare me peshë në rajonin e Vlorës. I cilësuar si një ndër perlat religjioze që ende qëndron në këmbë, Manastiri i Zvërnecit, po shket vajtueshëm nën peshën e dhimbjes erozionit, e mosvënies dorë dhe mungesës së shpresës që tek shqiptarët vdes e fundit. Dobësimi struktural vetëm i portikut, kolapsi i kolonave do të çonte në rrëzimin e një pjese të harqeve si dhe i çatisë së portikut.

***

11 km nga qyteti i hershëm i Treportit, në ishullin e Zvërnecit, gjendet monument që ka rëndësi dhe peshë në objektet e kultit dhe të historisë së ndërtimit arkitekturor në rajonin e Vlorës.

Gjiri i Nartës në perëndim të qytetit ka një ndër ishujt magjepsës me një bukuri të jashtëzakonshme, manastirin “Fjetja e Hyjlindëses”.

Shqyrtimi i studiuesit Prof. Dr. Aleksandër Meksi. Kisha e Shën-Mërisë së Manastirit të Zvërnecit është e tipit “kryq i lirë” me kupolë, shkruan Meksi. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga Naosi (salla) dhe Narteksi (parasalla). Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindore dhe perëndimore janë më të gjatë se krahët jugore dhe veriore. Ai përbëhet nga absida, një protezës gjysmë rrethore dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të vendosur me llaç midis tyre. Në këtë objekt kryhen rituale fetare, ndër më të përmendurat është, 15 gushti – ditëlindja e Shën Mërisë, e cila festohet qysh nga mbrëmja dhe fjetja në territorin e ishullit pas ritualeve të shumta të kishës dhe shoqërimi në mëngjes me degën e dafinës.

Funksioni tjetër është turizmi kulturor që tërheq mjaft vizitorë. Pra ishulli magjik është i mbuluar me dafinë e qiparisa. Ndërtesat religjioze i cek muzgu dhe ne i bashkohemi një lutjeje për të ardhmen e këtij thesari kulturor e historik: A do të rezistojnë gjatë kolonat e gërryera nga koha të këtij manastiri! Erdhëm u ngopëm me ajër, madhështinë e tij e ishullit pa kufij, po ikim a të kthehemi vitin tjetër, lamtumirë!