Malësia e Madhe nderon akademikun e shquar, Rexhep Qosja

856
Sigal

 Kadri Ujkaj

Në një prani, aspak të zakonshme, me qytetarë dhe përfaqësues institucionesh, me shkrimtarë dhe artistë, me politikanë dhe përfaqësues nga rrethe letrare apo akademike nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, ku duhet shënuar prania e Ministrit tonë të Jashtëm, z. Ditmir Bushati dhe e dy ambasadorëve shqiptarë, atij të Kosovës në Shqipëri, sikurse e ambasadorit shqiptar në Kosovë, deputetit të Malësisë së Madhe, z. Paulin Sterkaj apo e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës etj, etj., kryetari i Bashkisë së M. Madhe, z.Tonin Marinaj, mori fjalën e hapjes dhe të nderimit ndaj Prof. Dr. Rexhep Qoses, dje në ora 11.00, me rastin e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi i Bashkisë së Malësisë së Madhe” që këshilli bashkiak i kishte akorduar akademikut të shquar, Prof. Dr.Rexhep Qoses. Natyrisht një ditë si kjo do të vinte si shenjë ogurmirë e kthimit drejt vlerave identitare, jo thjesht si trevë, por ajo më thelbësorja si komb, edhe pse gjithçka do të merrte jetë në mjedisin e bashkisë më skajore të vendit, në Malësinë e Madhe. Do të ishte pikërisht 9 qershori 2018 që do të kujtohet gjatë në memorien e kësaj treve, jo thjesht, pse u dha një titull, sepse për të tillë, mjerisht, nuk po vuajmë, por thelbësorja, sepse do të vinte si standardi real, më kuptimplotë i një integrimi, konkret brenda vetvetes të kësaj treve, ndryshe në veçanti i malësorëve. Ndonëse nuk do të ishte në staturën e një vlerësimi akademik, nderimi i birit të Kelmendit, birit të Malësisë së Madhe dhe, Prof. Rexhep Qoses, veprimtaria do të tregonte nderin që kjo tokë u jep bijve të saj, të shquar, siç do ta cilësonte, mjaft bukur, Ministri ynë i Jashtëm, z. Ditmir Bushati, momentin solemn të dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Bashkisë i Malësisë së Madhe”, akademikut të shquar, identiteti krijues i të cilit do të vinte mes nesh si identiteti i vlerave më elitare të kombit tonë. Kjo, sepse sot Rexhep Qosja, me dinjitet profesional, mund të konsiderohet si rilindësi i kohës sonë, ndryshe Naimi i ditëve tona.

Qosja, shkrimtari, studiuesi, historiani i letërsisë shqipe, kritiku i shquar letrar, po aq sa romancieri dhe intelektuali, polemisti dhe atdhetari më elokuent i kohës sonë duke u bërë pjesë substanciale e debatit të mirënjohur Kadare-Qose mbi identitetin tonë kombëtar,jo thjesht do të spikaste për vizionin dhe argumentin e shquar profesional,historik, etik dhe filozofik,por mbi të gjitha do të shpaloste domethënien e plotë të atij identiteti, si vlerë diversiteti, larg mitomanisë, falë sjelljes sonë tradicionale: sa folklorike, jashtë kohe, sa të politizuar, në kontekstin post-historik, që jetojmë, një frenato reale, në rrugën e emancipimit tonë kombëtar. Si njëri nga shkrimtarët dhe kritikët tanë të shquar, si historian mjeshtër i letërsisë shqipe, sidomos asaj të epokës së romantizmit, po aq si polemisti dhe publicisti i rrallë në jetën e kombit tonë, me personalitetin e tij madhor, si bir i trevës së Malësisë së Madhe, së cilës do t’i jepte përfaqësim dhe rrezatim elokuent, sa real, sa virtual, në një përmasë vizioni bashkëkohor, falë një imazhi në kompleksitet, trevës që sot e priti dhe e nderoi si djalin e saj, të ndritur,ndryshe si njëra nga mënyrat më elegante të nderimit të vetvetes. Kam pasur rastin ta njoh fare i ri veprimtarinë e jashtëzakonshme, krijuese, gjuhësore, stilistike, estetike dhe publicistike të akademikut Rexhep Qosja, qoftë si romancier, qoftë si kritik letrar, qoftë si studiues serioz , qoftë si intelektual i përmasave kombëtare, por njohja e drejtpërdrejtë me të, në Javën festive të Pavarësisë së Kosovës, ku pati rastin të jem i ftuar si kritik letrar, në atë veprimtari të paharruar, shkurt 2008-ës, më ka befasuar për përmasën e kulturës totale, letrare, gjuhësore, politike, patriotike, si vlera identitet, krahas guximit qytetar, sinqeritetit të fjalës si intelektual dhe si një shqiptar i madh, bir i Malësisë së Madhe, që dallon bindshëm për argumentin dhe ndershmërinë e vizionit të tij, realist: sa estetik, sa politik, ,sa patriotik. Qosja është shqiptari më i guximshëm dhe i drejtpërdrejtë i kohës sonë që, po aq sa nderon vetveten me përkushtimin e tij intelektual dhe patriotik, euroatlantik, po ashtu nderon dhe e do Shqipërinë Natyrore si një e drejtë universale, ndryshe si standardi më demokratik i peshës së fjalës së lirë, larg shtirjes filozofike, apo hipokrizisë civile, kur ne, mjerisht, drejtpërdrejt apo në formë të tërthortë, kemi mbetur nën ethet e politizimit idiot, kult-pragmatizmit banal, aq sa edhe konceptet: integrim, evropianizim, reformim, etj., i përcjellim nën ethet e entuziazmit modern, krejt si dje, nën ethet e optimizmit të madh. Qose shkëlqen me penën e tij, që me të drejtë cilësohet si arma më pragmatiste dhe më efektive e mendjes së tij të ndritur, kur mjerisht shumë e shumë ”pena” e “personalitete” nuk guxuan, as nuk po guxojnë të thonë lirshëm: Sa dua vetveten të lirë, kurrsesi të gjymtuar, po aq dua edhe Shqipërinë time, të lirë e të plotë, ashtu siç na e dhuroi natyra , pra jo të cunguar, londineze, nuk dua as kënd në këtë botë. Slloganomania, si shprehja më e sofistikuar e hipokrizisë civile, në realitetin postmodern gjithëshqiptar, ka qenë dhe do të jetë kurdoherë objektivi i goditjes sistematike qosjane ,kundër sjelljes hipokrite, të shtirur, ndaj vlerave euroatlantike, që na kërkohen të dëshmojmë, larg partitokracisë që vijon të mbajë peng pozicionin e kthjelltë të klasës sonë politike. Pikërisht për të gjitha këto, që shpreha nga pozicioni i të ftuarit si kritik letrar dhe kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve, Malësisë së Madhe “Nderi i kombit”, së bashku me kryetarin e Shoqatës së shkrimtarëve, Shkodër, përkthyesin e njohur, z. Zija Vukaj, gjykova ta them publikisht vlerësimin tim, sepse me aktin që sot realizoi këshilli bashkiak i Malësisë së Madhe dëshmoi për një trevë vërtet Të Madhe në domethënien e saj filozofike, që di të nderojë figura të përmasave, madhore, vërtet të pakicës, si elitare, por të paharruara në histori nga memoria e shumicës si popull, si akademiku i shquar, Rexhep Qosja, paçka se opozita jonë demokratike në Këshillin Bashkiak, mjerisht, pati braktisur sallën në ditën e vendimmarrjes për dhënien e titullit të lartë, djalit të shquar të Malësisë së Madhe dhe”Nderi i Kombit”, të Madhit Qosja. Po ashtu Qosja me fjalën e Tij, gjithë emocion, respekt dhe mall të pashuar ndaj trevës së Malësisë së Madhe, manifestoi mirënjohjen, shpirtin e intelektualit, krijuesit dhe patriotit të madh për trevën që e nderoi, Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, në një ditë solemniteti për të dhe gjithë malësorët e kësaj treve, si 9 qershori 2018.

Kryetar i shoqatës “Shkrimtarët dhe artistët, Malësia e Madhe”Nderi i Kombit””