Lumturi Vladi, mësuese dhe edukatore e talentuar

886
Në jetën time të deritanishme, për t’u bërë kjo që jam sot, një rol shumë të veçantë, pa dyshim të pazëvendësueshëm dhe vendimtar kanë pasur mësuesit e mi, që nga vitet e largëta, kur isha një nxënëse e vogël dhe e imët me përparëse të zezë e jakë krrëk të bardhë e ulesha për herë të parë në bankat e shkollës e me dorë, aspak të sigurt mësoja prej tyre, si të shkruaja bukur e me shkronja të rrumbullakëta e nazike deri sot, ku para disa kohësh zgjodha të kryej edhe një specializim të nevojshëm për punën që kryej. Në gjithë këta vite mësuesit e mi, qenë ikonat e udhërrëfyesve më frymëzues të rrugës sime. Zysh Lumja, në fakt, nuk është ndër ata që më morën prej dore për të më hapur horizonte të reja. Me të më ka takuar rastësia e para dymbëdhjetë vjetëve, aq vite sa ka edhe im bir dhe bashkëjetesës në të njëjtin pallat, në afërsi të Liceut Artistik të Tiranës. Rastësi e bukur, që u kthye në miqësi e që besoj se do të zgjasë sa të kemi jetë. Ajo dallon nga gjithë banorët e tjerë të kësaj godine, me energjinë pozitive që përçon, pjesë e temperamentit të saj të fortë, aspak konformist, energjik, rrezatues dhe të drejtpërdrejtë. Kjo miqësi fqinjësh të mirë e të respektueshëm, i parapriu njohjes më të thellë me një prej mësueseve më të respektuara nga breza të tërë nxënësish të shkollave të ndryshme të Tiranës, ku ajo ushtroi profesionin apo drejtoi me sukses për vite e vite me radhë. E kam ndier të gjallë e të prekshëm këtë respekt e debulesë, dashuri e mirënjohje të nxënësve të saj, sa herë që jam gjendur në mjediset e këtyre shkollave e ftuar në ceremoni të ndryshme apo edhe sa herë kemi ecur së bashku me zysh Lumen bulevardit apo rrugëve të tjera të Tiranës. Aq e vërtetë është kjo, saqë më duket vetja krejt e panjohur dhe e parëndësishme kur jam krah saj, megjithëse kam jetuar e punoj në këtë qytet për gati 30 vjet tanimë. Dashuria dhe respekti për zysh Lumen për këdo që ka kaluar nga bankat e shkollave që ajo ka punuar është krejt burimor e i natyrshëm, i shprehur me të gjitha format më të bukura dhe krejt i sinqertë e i vetvetishëm.
Qe pikërisht kjo ndjesi pozitive e përftuar nga këto takime të rastësishme dhe aspak të stisura me njerëz që ia shprehnin zysh Lumes, mirënjohjen e drejtpërdrejtë e pa u menduar dy herë, që më shtyn të mendoj, disa vite më parë, që kjo dashuri e pastër, sidomos ajo e fëmijëve e shprehur edhe me shumë fantazi e vargje të bukura e të çiltra për të, të strehoheshin herë pas here në faqet e disa librave që si rrallëherë i dedikohen vetëm asaj, edukatores dhe mësueses së talentuar Lumturi Vladi.
Ky është libri i katërt i botuar që përmbledh në faqet e veta vargje e shkrime të tjera të shkruara plot dashuri dhe respekt, për mësuesen e paçmuar Lumturi Vladi, e cila edukoi dhe frymëzoi breza të tërë nxënësish kryeqytetas, që sot jetojnë e punojnë në të katër anët e botës. Në gjithë këto vite, herë krejt të çoroditura për arsimin e herë më të qashtra, ajo diti të ruajë të pastër misionin e saj si edukatore, duke fituar çdo sfidë që realiteti ynë i ofroi dhe duke mbjellë në zemrat e nxënësve të vet dashurinë për dijen. Kontributi i saj në arsim është i çmuar dhe dëshmitë e sjella në faqet e këtij libri flasin vetëm për një pjesë të impaktit, që ky kontribut ka pasur te fëmijët apo te bashkëpunëtorët apo njerëzit e medias që kanë shkruar për të. Pjesë e rëndësishme e këtij botimi është edhe mirënjohja e njerëzve të saj më të dashur të familjes që, sigurisht, nuk u shkruan enkas për këtë libër, por që ne insistuam që të përfshiheshin, sepse i janë dhuruar asaj në momente tepër të veçanta. Për t’u bindur se kam të drejtë, kur them se kjo mësuese është një thesar i arsimit tonë, lexojini e gjeni të gjallë në faqet e këtij libri mirënjohjen e dhjetëra e dhjetëra nxënësve të Tiranës, që e kanë konstatuar këtë fakt përpara nesh!
Me dashuri dhe respekt për zysh Lumen,
Irena Toçi,Botuese
Sigal