Lirim Deda: “Sipas Kadare-së, hajdutët e furriqeve nuk vjedhin vetëm pulat, por edhe vezët”

602
Në një bisedë të rastit, tek pinim kafe, një nga të rinjtë letrarë, e pyeti Lirimin për poezinë tonë të sotme. Ky, si u mendua një çast, derdhi një lumë fjalësh me adhurim për poezinë e Moikom Zeqos. Ai fliste me shumë respekt dhe konsideratë duke recituar me dhejtra vargje të poezive të tij. Edhe unë e kisha dhuratë këtë libër nga z. Mokiom por asnjëherë nuk isha shtyrë kaq thellë në poezitë e tij. Madje edhe pse i kisha bërë shumë intervista z. Moikom, më bëri përshtypje në fjalët e Lirimit kryesisht respekti që kishte për të shkrimtari i madh Ismail Kadare. Më tërhoqi vëmendjen entuziazmi i Lirimit dhe të nesërmen, siç e kishim lënë, shkova e i mora këtë intervistë. 
Pa u pyetur nga asnjeri nga ne që ishim ulur me ty për kafe, ti na fole me entuziazëm për poetin Moikom Zeqo. 

Pse pikërisht fole vetëm për atë?
Kjo doli rastësisht (e kam thënë dhe diku). E vërteta është se mua më pyetën për poezinë e sotme shqipe. Por unë sapo kisha mbaruar leximin e parë të vëllimit poetik Centauri i Ri. Ky libër poetik i Moikomit më gëzoi, u entuziasmova, aq sa u befasova, e pse ta fsheh, më tronditi me çdo vlerë në ligjërimin e vet poetik. E vërteta është se Moikomi më ka bërë për vete qysh në rininë e vet. Për mua ai dallohej nga krijuesit moshatarë për dije por edhe si poet. Me kalimin e viteve ai u formësua dhe u shfaq si një intelektual dhe shfaqte gjithnjë e më mirë individualitetin e vet jo vetëm si poet, por dhe si kritik, piktor, arkeolog, studiues. 

A vlerësohej nga shkrimtarët dhe poetët e kohës Moikom Zeqo?
Sigurisht. Në këto çaste, më vjen ndërmend një mendim i shfaqur shumë herët nga shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare. Në atë kohë, Ismaili, ishte redaktor për poezinë në gazetën më të lexuar të kohës, gazetën shumë të bukur DRITA. Me sa mbaj mend ishte muaji i letërsisë. Ishte muaji më i dashur për ne. Ishte muaji ku të gjithë krijuesit shpërndaheshin nëpër rrethe. Kjo thuajse ishte kthyer në traditë. Grupet kishin kohë që ishin ndarë. Të gjithë ishim mbledhur përpara Lidhjes për tu ndarë sipas grupeve. Kishte një entuziazëm në atë kohë në takime të tilla. Shkonim me shumë gëzim dhe me shumë dëshirë. Ne zhvillonim takime me artdashësit. Miokomi ishte caktuar për të shkuar me të madhin Kadare në Berat dhe në Lushnje. Por duhet të dish se në atë kohë Moikomi banonte në Durrës. Ndoshta aty i kishte marrë të gjitha frymëzimet për ato çka ka shkruar në rininë e tij. Ndoshta flladi i detit e bënte frymëzimin dhe poezinë e tij më të spikatur, më të ëmbël, më të prekshme. Ishim në pritje të Mikomit pasi ai vinte me tren. Isamili dukej i shqetësuar pasi ora kishte kaluar disa minuta nga ora e takimit. Ismaili ishte shumë korrekt. Ai nuk falte gramin. Ne e vumë re shqetësimin e tij dhe i thamë merr dikë tjetër në vend të Moikomit. Për një moment ai nuk na ktheu përgjigje. Unë ja përsërita kërkesën. Të mos vonohesh merë dikë tjetër i theksova për ta lehtësuar. Këtë mendim ja shfaqa disa minuta më parë dhe ish Sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Llazar Siliqit. Ndodheshim pikërisht në kafenenë e Lidhjes. Salla ishte e madhe dhe mund ta dallonim njeri-tjetrin. 

Si u përgjigj Ismaili?
Ai buzëqeshi hidhtas. Duke më parë në sy Ismaili mu afrua ngadalë. Pastaj me një zë të qetë më thotë në mënyrë shumë të sinqertë: Lirim, unë në udhëtime të tilla flas dhe mendoj vetëm për krijimtarinë, asgjë tjetër. Sot ne krijuesit duhet të kemi shumë kujdes. Një këshillë: Hajdutët e furriqeve nuk vjedhin vetëm pulat, por edhe vezët. Ndërsa me Moikomin e kam mendjen të mbledhur. Moikomi e ka kokën plot, nuk vjedh kurrë, të tjerët…
Po ti për ku ishe caktuar?
Unë isha caktuar me Llazar Siliqin për të shkuar në Shkodër. Isha shumë i gëzuar që më nisën aty. 
Po Moikomi a erdhi?
Sapo kishim mbaruar bisedën kur aty u dha Moikomi. Ishte skuqur dhe ishte bërë tërë djersë. Kishte ardhur me vrap nga stacioni i trenit. Eh, athere nuk ishte si sot. Nuk kishte as taksi, jo më vetura private. Mokikomi kërkoi falje. Ismaili i vuri dorën në sup dhe i thotë, shpejt nisemi. 
Këto mbresa janë të viteve shtatëdhjetë, po sot?
Sot po flas dhe rrëfej për mbresat në leximin e parë të Centauri i Ri, libri më i ri i Moikom Zeqos ku ne kemi folur dy herë. Ky libër është dhurata më me vlerë dhe më e bukur për gjithë lexuesit e poezisë shqipe, si një ekstrakt e krijimtarisë së Migjenit, Mjedës, Nolit dhe Lasgushit. 
Këto mbresa, siç e thatë që në fillim, ishin pasi e lexuat veprën e Moikomit për herë të parë. Po vallë çdo të thotë një lexim i dytë?
Lexim i dytë? Një vepër e shquar e letërsisë edhe nga lexuesi i zellshëm patjetër që të bën ta lexosh më shumë se një herë. Është si puna e filmit të bukur. Aty, cilido, jo vetëm plotësohet me vlera njerëzore, humane e estetike, por dhe përfiton në përsosmërinë me virtyte, nga drita, theksimet e vizatimet poetike të autorit të shquar. Talentet e reja, sidomos libra si Centauri i Ri, lypset t’i studiojnë, për të mësuar në përsosmërinë letraro-artistike, që është e pafundme. Moikom Zeqo, në këtë vepër edhe rimën, që shumëkush e shpërfill duke rrudhur buzët, e përdor me origjinalitet e si rrallëkush, jo aq në funksion të muzikalitetit, se sa në ç‘palosjen e një mendimi që përcjell një metaforë verbuese, tronditëse, e cila të detyron ta bësh tënden domosdoshmërisht, sepse vetëm ahere ti do kesh arritur të kuvendosh buzë me buzë me poetin gjeni. Libri i Moikomit, siç e vë në dukje që në parafjalë, është “sfida e vetvetes”. Një poet i vërtetë, një kulturolog e poliglot si Moikomi, jo vetëm që me ligjërimin poetik në gjuhën shqipe na sjell tërë polenin e lulefjalëve të gjuhës së nënës, por arrin deri atje sa të na dhurojë fjalëformime të reja, duke na e pasuruar thesarin më të rrallë të shqiptarit. Lexuesi, në poezitë e Moikomit, të cilat janë më të shumtat dy, a tre strofa, befasohet nga njohuritë që merr, nga ndjesitë që përfton. Askush nga kritikët kurrsesi nuk mund të ndalet, siç ka ndodhur deri më sot, të përcaktojë tematikën në afro njëqind faqet e librit. Ca për më dreq do e ketë kritiku me motivet në janë të aktualitetit, apo të të shkuarës. E pra, si vetë tematika dhe motivet janë njëherësh: e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e njeriut qytetar shqiptar. Mrekullisht, në poezinë e Moikomit, realistja dhe mistikja nuk kanë kufi midis tyre. Ato edhe brendapërbrenda metaforës këmbehen dendur me njëra-tjetrën. Në gjuhën Naimjane, përafrohet dhe gati natyrshëm e si pa u ndjerë, kullon gjuha e përbotshme letrare, aq sa simbolet e figurat e njerëzimit, në ligjërimin poetik të Moikomit, marrin ngarkesa emocionale, të barasvlefshme, me simbolet e gjuhës sonë amtare. Këto do të ishin disa nga përjetimet e mia pas leximit të dytë të librit poetik të Moikom Zeqos. Dhe që të mos më pyesësh përsëri, i dashur gazetar, ndjej se më duhet ta rilexoj atë vepër të rrallë të letërsinë tonë.

Ç’probleme ka sot letërsia jonë?
Ç’të të mollois më parë. Dje një qeveri “antikulturë, ku me këmbënguljen e një centauri–ministër, si zaptoi ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve, i zhduku edhe tërë organizmat e strukturat e lidhjes dhe organet e saj letrare. Shkrimtarët, poetët, dramaturgët, artistët s’kanë asnjë çerdhe ku të cicërojnë për veprat e krijuara me talent, mund e djersë, kur ujqit pushtetarë të çfarëdo sorollopi, vetëm me hajni e padrejtësi në mes të ditës u bënë. Të babëziturit. Po hallet e krijuesve s’kanë të sosur. Vërtetë ka sot qindra shtëpi botuese, por veprat letrare artistike botohen po me kriteret e reklamave. Çdo autor, paguan librin, sipas kontratës, dhe në rastin më fatlum, i dorëzohet sasia e librave dhe le të vrasë veten me to. Për përhapjen e librit ato s’marrin asnjë detyrim. 
Gjurmë të arta (kënga e kënduar në Festivalin e 12-të në RTSH)
Lirim Deda
Kënduar nga Vaçe Zela, muzika nga Kujtim Laro
Linde ti për të qenë i lir’, shqiptar. 
Por jeta s’kish për ty një dhuratë, 
Se mbi tokë kish gurë shumë, e pak bar… 
Jo, s’mund t’jetoje ti pa liri, 
Liria, kënga e parë. 
Lumenjt’ kurrë s’lodhen duke rendur në det. 
As ti s’u ndale jo drejt lirisë, 
Drejt këngës që ndezi rrufetë… 
Ja tek rri, o bir i trimërisë 
Me ballin gjer tek retë! 
Sigal