Libri “Portrete me Penë” i Ago Nezhës, “streha” e intelektualëve të shquar të shoqërisë

674
Sigal

Besnik MUSTAFAJ

Disa ditë më parë doli në botim libri i shkrimtarit dhe gazetarit të mirënjohur Ago Nezha, “Portrete me Penë”. Në këtë libër janë përfshirë disa personalitete të artit, kulturës, shkencës dhe ekonomisë shqiptare. Synimi i autorit Ago Nezha, në këtë botim ka qenë mbledhja së bashku e këtyre personaliteteve të shquara shqiptare në atë që ai e ka quajtur, streha e familjes intelektuale pa dallime parësore, krahinore, partiake apo fetare.

Ftesë për lexim

Miku im Ago Nezha, ka shkruar një libër që meriton të lexohet. Personazhet e tij janë personalitete bashkëkohëse kombëtarisht të njohura e të çmuara, secili për arsyet e veta. Fjala është për Muntaz Dhramin, Agim Meron, Agron Dukën, Baba Mondin, Rexhep Qosen, Dritëro Agollin, Bardhosh Gaçen, e shumë të tjerë. Nuk është vendi në këtë ftesë për lexim që unë të zgjatem për të treguar se për çfarë është kombëtarisht i njohur dhe i çmuar njëri apo tjetri nga këto personalitete të shquara të artit, të letërsisë, të shoqërisë apo të fesë. Me një fjalë përmbledhëse për të gjithë, do thëne se ata janë bërë të dashur për ne në saj të punës së tyre. Ata kanë arritur tashmë në një shkallë të tillë të vlerësimit publik, sa që më së shpeshti harrohet se edhe ata janë njerëz midis nesh, me jetën e tyre të zakonshme. Do të thosha se Ago Nezha, në këtë rast ka shkruar shumë bërthama monografish të vyera, ku për secilin nga protagonistët rreket të tërheqë vëmendjen tek jeta e tij. Nga vjen, domethënë ku i ka rrënjët, si u ngjiz personaliteti i tij, si arriti ky personalitet të nxjerrë nga vetja një vepër me vlera të theksuara për kombin dhe shoqërinë. Ago Nezha, është një burrë i gatuar për të parë vetëm mirë te të tjerët. Është, si të thuash, një përhapës i palodhshëm lajmesh të gëzueshme. I tillë ka qenë ai gjithmonë dhe – jam i bindur – i tillë do të mbetet deri në frymën e fundit.

Nuk e përfytyroj dot se çfarë hijeje do të binte mbi fytyrën e tij nëse një ditë do të gjendej i detyruar të përcillte një lajm të hidhur apo të shëmtuar. Kjo cilësi e karakterit të autorit Ago Nezha, vlen si një paralajmërim për lexuesin, që ai të mos kërkoj në këto portrete ndonjë zbërthim metodik apo psikologjik të kontradiktave, që këto personalitete kanë brenda vetes, si të gjitha personalitetet e mëdha. Po ashtu, autori Ago Nezha, nuk gërmon në jetën e tyre për të zbuluar ndonjë ves apo tradhti të vogël as të madhe, nga ato bëma aq joshëse për një kategori lexuesish, të cilët, në një libër rreth jetës së njerëzve të vërtetë, kërkojnë gjithçka përveç modelit frymëzues për veten. Jo! Ago Nezha nuk merr mundimin për të shuar dhe as për të ngacmuar kureshtjen parazitare të lexuesve të tillë. Në një farë mënyre, ai është një romantik, i cili tregon thellësisht se veprat e mëdha – pavarësisht fushës ku mishërohen ato, – dalin doemos vetëm nga njerëz me karakter të fortë dhe me një biografi familjare të mbushur me shërbime ndaj kombit dhe atdheut. Ai rindërton me gjuhën e vet shëmbëlltyra bashkëkohësish, ndaj të cilëve lexuesi priret të përkulet me nderim dhe ndjen t’i nxitet dëshira për t’u ngjarë. Nuk ka qenë një punë e lehtë kjo që ka bërë Ago Nezha për shkrimin e këtij libri. Me një seriozitet dhe vullnet prej biografi, ai ka hulumtuar në jetën e personazheve të veta edhe duke shkuar larg në historitë e tyre familjare, ka qëmtuar shumë fakte me domethënie të pasur dhe përgjithësisht të panjohura për publikun e gjerë, i ka vendosur me skrupolozitet këto fakte në kontekstin e gjerë të historisë tonë kombëtare e shpesh edhe politike, duke u dhënë personazheve të veta një perspektivë logjike të shëndoshë e të qëndrueshme, pa të cilën ata nuk do të ishin siç janë: bij përfaqësues të kohës së vetë. Ago Nezha meriton një mirënjohje të plotë për këtë punë të dobishme. Ky nuk është një libër që duhet lexuar doemos me një frymë nga fillimi në fund. Ky është një libër që mund të lexohet edhe jashtë këtij rregulli. Mund të fillohet edhe në mes, aty ku nis portreti i njërit nga personazhet. Lexuesit e tij, në qoftë se janë adhurues të skulpturës së Muntaz Dhramit, të veprës letrare të Rexhep Qoses, Dritëro Agollit, apo të Bardhosh Gaçes, ithtarë të bektashizmit, njohës të veprimtarisë shembullore të Agron Dukës në biznes apo në politikë, simpatizantë të jetës dramatiko-heroike të Agim Meros, do e kuptojnë edhe më mirë pse janë të tillë dhe do t’i japin të drejtë vetes. Por – shpresoj unë, – do të ketë edhe lexues, që nuk kanë dëgjuar kurrë për veprimtarinë e njërit apo tjetrit nga këto personalitete. Pasi t’i kenë shkuar në fund këtij libri, ata do të kenë dëshirë të drejtohen tek vepra. Në fjalë të fundit, ky edhe është qëllimi më i lartë i këtij libri.