Laura Peri, rrëmben çmimin e parë në konkursin në Harvard

1435
We speak Science është një institut shkencor i themeluar në vitin 2014, nga shkencëtare të Harvard-it, kryesuar nga Detina Zalli (Harvad University) dhe Argita Zalli (Imperial College London), i cili ka si qëllim kryesor të tij rritjen e nivelit të shkencës dhe mjekësisë. Aktiviteti i WSS është goxha i gjerë dhe përfshin: ofrimin e kurseve për studente dhe profesioniste, bashkëpunimin me shkolla si edhe hapësirën ku çdo i ri i shkencës mund të gjejë veten. Në tetor të këtij viti, WSS lançoi konkursin për posterin më të mirë shkencor. Aplikimi ishte falas dhe fituesi do të zgjidhej nga stafi i Harvard University. Gjithashtu fituesit do t’i lihej një hapësirë në një gazetë të universitetit të Harvardit. Në këtë konkurs morën pjesë 1256 pjesëmarrës nga e gjithë bota: USA, Anglia, Italia, India, Maqedonia, Franca, Holanda dhe Shqipëria. Ndonëse niveli i konkurrueseve ishte goxha i lartë dhe temat e trajtuara në poster ishin goxha interesante dhe cilësore, Shqipëria spikati në cilësinë e punimeve. Laura Peri, studente e mjekësisë në vitin e katërt të Universitetit Katolik ‘’Zoja e Këshillit të Mirë’’ arriti të shpallej fituese e këtij konkursi shkencor. Në fjalën e saj falënderuese ajo i jep rëndësi punës në grup dhe falënderon grupin që e ndihmoi të realizonte posterin fitues. Adriana Banaj, Ahmet Murati, Klea Troka, Fatjon Hajdari, Vedat Sunguri, Pranvera Ramadani dhe Besiana Zekaj janë pjesa e grupit, të cilët ndihmuan në bërjen e këtij posteri. Gjithashtu, doktoreshë Migena Prifti, nga spitali i Durrësit u tregua shumë e disponueshme të japë kontributin e saj për të dhënat spitalore që duheshin. Andaj grupi ka një falënderim për doktoreshën, për punën e saj profesionale. Posteri me titull: ‘’Konsekuencat fatale në shtatzënitë diabetike gjatë tremujorit të dytë’’ trajtoi me përpikmëri një temë delikate, siç është diabeti në shtatzëni, i cili ka pasoja si tek nëna ashtu edhe tek fëmija. Laura shprehet se ideja për këtë temë i erdhi për shkak të rritjes së numrit të fëmijëve të prekur nga kjo gjendje, por mbi të gjitha, sepse për këtë patologji mungojnë shumë informacionet dhe shumica e nënave e kalojnë këtë gjendje pa e ditur se e mbartin atë. ‘’Në njëfarë mënyre, ky poster është një lloj sensibilizimi që nënat të jenë më të kujdesshme në diagnostifikimin e hershëm të kësaj gjendjeje, pasi kurimi në kohën e duhur mund të evitojë të gjitha ato konsekuenca të cilat mund të jenë fatale, në rastin më të keq’’, -citon Laura. Gjatë posterit janë përpunuar të dhëna të marra nga spitali i Durrësit, për gra të cilat kanë pasur diabet gestational. Diagnostifikimi në këto raste është bërë vonë, andaj edhe pasojat kanë qenë të pranishme në shfaqjen e anomalive në fetuse, të tilla si: anomali kardiake, anomali të tubit neural si edhe polianomali. Përpunimi i këtyre të dhënave nxori një sërë konkluzionesh, thelbi i së cilave ishte sensibilizimi i grave për të qenë të kujdesshme dhe bashkëpunuese me mjekun në identifikimin e kësaj patologjie përpara, sesa ajo të lërë pasoja të pakthyeshme. Pasojat e identifikimit të vonshëm mund të jenë të lidhura si me shëndetin e nënës, ashtu edhe me atë të fëmijës, andaj rëndësia e sensibilizimit është më të vërtetë jetike. Sigurisht që vështirësitë për të bërë një poster shumë afër ‘’perfektes’’ ishin të shumta duke marrë parasysh moshën e re dhe mungesën e eksperiencës së të rinjve, por puna e fortë, ambicia e shëndoshë, bashkëpunimi dhe fakti që nuk u dorëzuan derisa puna doli ashtu siç duhej, bëri që posteri fitues të ishte ai shqiptar. Gjatë intervistës, Laura u shpreh se fitorja ka qenë shumë e papritur dhe ajo ndihet shumë e lumtur për këtë arritje. ‘’Shkenca është pasioni im i madh dhe e mendova këtë konkurs si një mundësi për të sfiduar veten’’,- tha fituesja. Por një falënderim të veçantë ajo ia dedikon shkencëtares Detina Zalli. Fituesja shprehet se, shkencëtarja ka qenë një këshilluese e vërtetë, një mentore e kujdesshme, një profesioniste, por njëherazi një njeri i mrekullueshëm dhe një inspirim i vërtetë! ‘’Detina është dhe një inspirim për çdo të ri, sigurisht edhe për mua’’, – shprehet Laura. Në fjalët e saj të fundit për gazetën “Telegraf”, Laura Peri u drejtohet të gjithë të rinjve duke u thënë: “Kur punon për diçka me vullnet dhe pasion arrin vërtetë shumë lartë, sepse pasioni dhe forca e vullnetit janë dy çelësat që hapin dyert e suksesit. Ajo gjithashtu thekson rëndësinë që ka fakti të mos dorëzohesh kurrë, madje edhe përballë ëndrrave në dukje të pamundura. “Vetëm kur nuk rresht së besuari dhe shpresuari, por punon dhe shpreson fort, ëndrrat kthehen ne realitet’’, – përfundon studentja e mjekësisë. Gjithashtu, një fakt që na bëri me shumë krenare është se një tjetër shqiptare ka rezultuar e suksesshme në këtë konkurs. Aida Meto, stomatologia që me posterin e saj, kushtuar vëzhgimit histologjik të dhëmbëve arriti të fitonte vendin e shtatë në këtë konkurs ndërkombëtar. Këto rezultate janë një mesazh i qartë, se kemi një potencial të fuqishëm studentësh, thjesht u duhet krijuar mundësia dhe hapësira për ta shfaqur këtë potencial. Urojmë që në të ardhmen aktivitete të tilla, të shtohen dhe Shqipëria të triumfojë !

Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 10.12.2015
Sigal