Lamtumirë Kapedan! Albert Vërria, përcillet në banesën e fundit

707
Asnjë deputet, i majtë apo i djathtë i qytetit të Vlorës nuk mori pjesë në homazhe
VLORE- Lamtumirë, Albert Vërria, Kapedani i te gjithëve!
Këto ishin fjalët e të pranishmëve sot në përcjelljen në banesën e fundit ndaj Artistit të Popullit. Askush nuk do e harrojë Xha Sulon, thumbat e tij në filmin ‘Kapedani’, në rolin e të cilit do e mbajmë mend të gjithë.
omazhet në nder të gjigandit të kinematografisë shqiptare, Albert Vërria u zhvilluan sot në orën 11:00 në hollin e teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Të afërm, miq, qytetarë dhe artistë i dhanë lamtumirën e fundit, duke vendosur kurora me lule dhe u përkulën me respekt para figurës së tij. Pas homazheve ai u përcoll drejt banesës së fundit.
Asnjë deputet, i majtë apo i djathtë i qytetit të Vlorës nuk u duk në derën e teatrit ‘Petro Marko” për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kapedanit. Ndër përfaqësuesit e shtetit që nderuan familjen ishin, Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli dhe Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha.
“Për herë të parë politika u tregua e sinqertë. Ashtu sic e harroi në të gjallë ashtu e harroj dhe te vdekur aktorin e mirë, Albert Verria….Pse nuk i mbylle sytë perpara fushate more Berti, nuk do kishte ngel deputet i majtë dhe i djathtë pa ardhur …”, shprehet në rrjet social gazetari Enrik Mehmeti, korrespondent në Vlorë.
Aktori i njohur, njëri prej parodistëve të Vlorës, Muhamet Lika tha se “Albert Vërria do të mbetet ikonë e artit shqiptar”. Ndërsa Fatmir Xhelili tha se Vërria përfaqësonte një figurë me të cilin duhet të krenohemi. Për ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, Vërria do kujtohet gjithnjë si “Qytetar Nderi” i këtij qyteti, titull të cilin Gjika tha se ia ka dorëzuar ai.
E ndërsa në Vlorë po zhvilloheshin homazhe, edhe kryeministri i vendit Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook i jep lamtumirën aktorit të madh Vërria. “Lamtumirë Kapedan”, – shkruan Rama duke shpërndarë edhe një foto nga sekuenca e filmit “Kapedani” ku interpretonte Xha Sulon, një nga rolet më të spikatur të Albert Vërrisë.
Artisti i Popullit, Albert Vërria u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Aktori i madh i dhjetëra roleve në kinematografinë dhe dramës shqiptare dhe të huaj, la pas 110 role, shumica e të cilave falë interpretimit të tij, janë sot pjesë e kujtesës kombëtare. Që nga viti 1979, Albert Vërria mban titullin “Artist i Popullit”. Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, Artisti i Popullit Albert Verria ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjisor në disa shfaqje të ndryshme. Rolet e Vehipit tek “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut tek drama “Rrënjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, etj, janë nisjet e para të roleve, që përvijuan Albert Vërrinë si aktor i përmasave të mëdha, që shumë shpejt u pranua dhe u afirmua nga publiku. Ishte vetëm 32 vjeç në vitin 1972 kur interpretoi rolin e Kapedanit Sulo tek filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë.
Me rolet e tjerë si “Hiluku” tek Operacion Zjarri” [1973], “Soll Lili” tek “Agimet e stinës së madhe”, Kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës” -1975, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936″-1978, Kopi tek filmi “Rrethimi i vogël”-196, etj, janë të tjerë role, që e bëjnë të njohur në mbarë trevat shqipfolëse artistin e Popullit Albert Verria. “Të largohesh nga kjo botë është njerëzore, të largohesh me dinjitet është hyjnore”, shkruan në një nga librat e tij ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Artisti i Popullit Albert Verria.
Presidenti i vendit Bujar Nishani ka shprehur sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktorit të madh Albert Vërria. Në mesazhin e ngushëllimit drejtuar familjes, Nishani thekson se sot të gjithë janë të humbur për ndarjen e tij nga jeta.
Nishani ngushëllon familjen: Humbje e madhe për të gjithë
“Të dashur familjarë të aktorit të nderuar, Albert Vërria! Kam ndier një trishtim të thellë kur mora vesh për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj, Albert Vërria. Ky lajm më ka prekur pamasë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, kinematografinë në veçanti si dhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Albert Vërria, ky mjeshtër i dramës ka ardhur pranë artdashësve të kinematografisë dhe teatrit me humor, me një mjeshtëri të veçantë artistike duke ditur të përcjellë tek të gjithë emocione të rralla, shpesh përmes realizimit të situatave komike nëpërmjet një interpretimi dramatik”.
“Artistin e Popullit, Albert Vërrinë do ta kujtojmë gjithmonë për interpretimin e përsosur të rolit të Xha Sulos tek filmi “Kapedani”, por të pashlyera do të mbeten në kujtesën e artdashësve shqiptarë qindra role dhe personazhe që ai me mjeshtëri diti të luante në skenën e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai ia doli mbanë me mençuri dhe profesionalizëm të lërë shenjën e tij në mbi 100 filma ku të pashlyera do të mbeten emocionet që na ka përcjellë, pa harruar dhe role të arrira në teatër. Albert Vërrinë do ta kujtojmë gjithmonë buzagaz jo vetëm për mjeshtërinë mbresëlënëse në interpretimin e roleve të tij, por dhe për gojëtarinë e tij të rrallë dhe trashëgiminë që na ka lënë, për kulturën e qytetarisë dhe të urtësisë që e karakterizonte si njeri. Duke ndarë me ju në këto çaste të rënda dhimbjen time më të thellë për ikjen e këtij artisti, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmin tuaj, i cili do mbetet përherë i paharruar. U prehtë në paqe shpirti i tij”
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të “Artistit të Popullit”, Albert Verria

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e tij në këto momente të vështira familjes, kolegëve dhe të gjithë botës së artit, për ndarjen e parakohshme nga jeta të “Artistit të Popullit”, Albert Verria.
Aktori i madh do të na mungojë të gjithëve, por ai do të jetë përherë mes nesh me veprën e tij të madhe, me karakteret dhe personazhet e jashtëzakonshëm që krijoi.
Kapedani do të jetë përherë një burim frymëzimi dhe modeli për brezat e ardhshëm të aktorëve dhe një personalitet i pazëvendësueshëm i mozaikut dhe krenarisë artistike të gjithë shqiptarëve.
I përjetshëm do të jetë kujtimi dhe vepra e Tij.