Kurorëzimi i MISS & MR DURRSIT

1274
Sigal

Spektakli i Miss & Mrs. Durrsit, gara e përvitshme e bukurisë durrsake që u zhvillua në Pallatin e Sportit “R. Njala” plot emocione e surpriza , zgjodhi Mbretin & Mbretëreshën e bukurisë rinore të vitit 2014, në mes të 32 konkurrentëve. Ata ishin 16 -vjeçarja Ida Velaj dhe 17- vjeçari Redi Hazbiu, nxënës të shkollës jo  publike “ Rilindja”.

Juria e përbërë nga personalitete të kulturës dhe artit si Olta Gixhari, aktore e skenës dhe e ekranit, Olti Curri, gazetar në Top -Chanel, Noizy, këngëtar i njohur, të tre bij të këtij qyteti etj., s’e patën të lehtë.

Stafi profesional i këtij produksioni që drejtohet nga znj. Myzejen Konduri që nga përzgjedhja e konkurrentëve, skenografia e skenografit Baftjar Kadriu, stilimet e Anisa Korrikut që  i ka dhënë provat e saj brenda e jashtë vendit, koreografia e të mirënjohurit  Arjan Plaku, paraqitja e tyre estetike nga Parukeri “Miss Fantazi” drejtuar nga Nina Beqiraj dhe puna e grimieres Elona Dajko, prezantuesit e talentuar Xheni Konduri e Ervin Pepaj, bënë që konkurrentët të shkëlqenin.

        Artistët e ftuar si Noizy, Dr. Flori, Lea Legisi, grupi i valleve, me këngët e vallet krijuan atmosferë festive duke e ngritur peshë publikun.

     Në këtë kohë krize të rinjtë e të rejat kërkojnë pak gëzim duke ecur drejt ëndrrave për sukses.  Eventi i bukurisë durrsake tashmë e ka vulosur popullaritetin e suksesin e tij.  Bashkia & donatorët e qytetit vazhdojnë ta mbështesin këtë garë rinore, pa të cilët s’do të bëhej realitet ëndrra rinore.

INTERVISTA/ Flet Ida Velaj, Miss Durrësi 2014:  Kurorëzimi si Miss Durrësi 2014, është dita më e bukur e jetës

Një vajzë e bukur, elegante, pro po aq dhe e zgjuar. Kur shikon gjatësinë e saj, nuk e beson se është 16 vjeç. Vendosi të konkurronte për Miss Durrësi pasi donte të vlerësohej nga dikush që ishte profesionist në këtë fushë  për vlerat e saj fizike. Por edhe më tej. Pra donte të kishte një eksperiencë  më shumë të bukur në jetë. Synimi i saj është shkolla e lartë, konkretisht për juriste, por njëkohësisht nuk do të ndalë rrugën e modelimit.

 Çfarë moshe keni ju Ida?

Unë jam 16 vjeç dhe studioj në shkollën e mesme Rilindja, në vit të parë.

 Pse vendosët të merrni pjesë në Miss Durrësi 2014?

Vendosa pasi doja të vlerësohesha nga dikush që ishte profesionist në këtë fushë  për vlerat e mia fizike. Por edhe më tej. Pra doja të kisha një eksperiencë më shumë të bukur në jetën time.

 Në Durrës ende ka, a ishin prindërit dakord me këtë nismë?

Sigurisht, pa lejen e tyre kurrë nuk do të merrja pjesë në këtë konkurs bukurie. Ishin ata që më përkrahën ishin ata që më nxitën. Gjatë gjithë provave ata më kanë ndenjur afër, më kanë inkurajuar dhe pse Durrësi është një qytet konservator.

 Në këtë prezantim, apo konkurrim ju donit që të shfaqnit vetëm bukurinë apo dhe më tej?

Jo nuk doja të shfaqja vetëm bukurinë por edhe zgjuarsinë, sinqeritetin, seriozitetin, pra atë çka duhet ta karakterizojë nj femër serioze në jetë.

  A janë të paragjykuara femrat që marrin pjesë në vente të tilla në Durrës?

Është e vërtetë, që Durrësi dhe pse pak larg Tiranës, është nj qytet paksa fanatik, konservator, por dhe ka deri diku paragjykues. Por sjellja e çdo kujt bën që të bien këto paragjykime. Sjella, korrektesa, serioziteti, jeta familjare po i heq këto paragjykime.

 Gjatë aktivitetit a ke pasur vështirësi?

Jo, pasi producentët, organizatorët, drejtuesit ishin të gatshëm që të na ndihmonin me zemër, pa fyerje, me përkujdesje, plot dëshirë. Unë këtu mësova shumë nga Drejtorja e aktivitetit znj. Muzejen Konduri, pasi tek ajo pashë një nënë, nj grua, një intelektuale të përkushtuar.

Sa femra morën pjesë në këtë konkurrim?

Ishin rreth 16 femra ku të gjitha ishin pretedente dhe un të them që ishin të gjitha vajza të mira, korrekte të denja për një konkurrim të tillë. Ndoshta juria e pa të arsyeshme që unë isha më e përshtatshmja.

 E kishe menduar ndonjëherë të ishe pjesëmarrëse në një konkurs të tillë, apo erdhi fare rastësisht?

Në fakt e kisha menduar sa herë shihja konkurse të tilla në Tiranë dhe rasti e solli të isha pjesë e tyre. Nuk e kisha ëndërr si qëllim  në vetvete po thjesht doja, sikundër edhe prindërit e mi. Erdhi dita dhe bëra paraqitjen. Shansi ishte me mua.

 Kur ndihesh më mirë kur të thonë je femër e bukur apo femër e zgjuar?

Sigurisht kur më thonë je femër inteligjente, pasi femra të bukura ka plot dhe bukuria është e përkohshme. Inteligjenca është e përhershme.

 Si e keni ideuar vazhdimësinë e jetës suaj?

Do më pëlqente që të vazhdoj dhe si modele, por pa lënë asnjëherë pas dore shkollën, pasi të qenit modele është e përkohshme.

Pra do vazhdoni shkollën e lartë?

Sigurisht. Universiteti është pikësynimi im kryesor. Dua të bëhem juriste dhe besoj se do ja arrij qëllimit.

 Cilat janë hobet tuaja?

Unë gjatë verës merrem me not dhe gjatë dimrit me ski. Janë dy sportet e mia të preferuar që si ndaj kurë deri tani.

Po marrëdhëniet me letërsinë, apo romanet?

Me thënë të drejtën nuk janë aq të mira, pasi merrem shumë me sport dhe me librat shkollorë. Lexoj pak romane, pasi rri shumë në internet për mësimet. Pastaj merrem dhe me atletikë pasi babi im ka qenë trajner dhe atlet njëkohësisht. Kjo më bën që të eci në rrugën e tij.

Ngacmimet e çunave në rrugë a të bezdisin?

Ka dhe që më bezdisin, por di t’i kthej kusur gjithkujt. Nuk flas me ekstremitet, por di t’i jap përgjigje gjithkujt.

Cila është veshja juaj e preferuar?

Në përditshmërinë time gjithmonë dua të vishem sportive dhe në raste të veçanta të kem një lidhje të klasikes me sportiven, por anoj nga sportivja.

Po ngjyrat e preferuara në veshje?

Bluja dhe e bardha, këto dy ngjyra, por anoj nga e bardha.

Keni të dashur?

Në këtë moshë, as e kam menduar. Kam të tjera qëllime përpara. Nuk kam moshë për dashuri.

 A ndihet sot femra shqiptare e respektuar në shoqëri?

Nuk e besoj. Me aq sa shoh dhe më thonë, them se, ende shoqëria jonë është maskiliste, se shoqëria jonë nuk i vlerëson sa duhet femrat pasi është shoqëri konservatore, fanatike. Në disa raste shoqëria shqiptare e diskriminon femrën pa të drejtë.

Cilat janë vlerat karakteristike të një femre shqiptare?

Me ato që shoh, që më mëson imë më, që përjetoj, janë besnikëria, të dhëna pas familjes, të përkushtuara në punë. Por janë dhe të përulura.

Po meshkujt shqiptarë si do t’i përkufizoje?

Me aq sa di mund të them se pak janë ata që janë xhentëlmenë, të respektueshëm, korrekt. ka të tjerë shumë të vrazhdë, shumë fyes. Pra nuk kam një përkufizim standard.

Ku i bëni pushimet verore?

Kryesisht në Shqipëri, por edhe në Itali. Janë dy vende që lidhen shumë me jetën time.

Kush është dita më e bukur e jetës tuaj?

Kjo, dita që fitova Miss Durrësi 2014. Aty pashë njerëz që më uronin, më përqafoni, më jepnin lule, më jepnin shumë kënaqësi. Ditë që besoj do zgjasë shumë si ndriçim tek unë. Një kujtim i përsosur.

  Cilat janë veçantitë e shoqërisë sonë në krahasim me vendet e tjera?

 Shqiptarët janë shumë të lidhur me familjen, me fëmijët, me fisin, tradita këto shekullore që pak vende i kanë.

 Cilat janë preferencat e këpucëve?

Këpucët sportive ose atletet janë primare, më pas vijnë ato me taka në raste të veçanta.

E ke menduar veten n si moderatore në ndonjë stacion televiziv?

Nuk e kam menduar, por n.q.s më afrohet një diçka e tillë nuk do ta refuzoja.

 Kujt ja dedikon këtë trofe në këtë moshë kaq të re?

Ja dedikoj në radhë të parë Drejtores së këtij eventi, znj. Myzejen Konduri, e cila nuk ishte vetëm Drejtore, por edhe një nënë, shoqe, organizatore e përsosur. Edhe në momentet kur isha e stepur, apo disi e dyzuar ajo na afroi mirësi, siguri. Vlerësoj dhe koreografin Arjan Plaku.

INTERVISTA/ Flet Redi Hazbiu, Mrs. Durrësi, 2014: Durrësi më ka dhënë gjërat më të bukura që ka një qytet mijëravjeçar

 Është lindur e rritur në Durrës, por origjina  është nga Çamëria, ose më mirë të themi nga Filati. Një qytezë e bukur, me mjaft gjelbërim dhe bukuri natyrore. Në Çamëri ka shkuar dhe vërtet është magjepsur nga ai vend. Një vend që të mrekullon dhe të shton dëshirën ta vizitosh vazhdimisht. Gjyshi i ka folur vazhdimisht për ‘të dhe ai që i vogël e kishte në parafytyrimin e tij. Është 17 vjeç dhe është në vit të dytë të shkollës së mesme në Durrës.

 Sa vjeç jeni?

Unë jam 17 vjeç dhe jam në vit të dytë të shkollës së mesme në Durrës.

Kush ju nxiti që të merrnit pjesë në Mister Durrësi 2014?

Në fillim më zgjodhën në shkollë, pastaj unë bëra me dije prindërit. Pra ishte një dëshirë e përbashkët që unë të konkurroja. Ishte një rastësi, por që më pëlqeu.

 Pas këtij momenti, mos vallë do merreni me modelim, apo si synim keni vetëm shkollën e lartë?

 Rruga e modelimit do të jetë dytësore pasi primare kam të kryej shkollën e lartë për informatikë.

Përse keni zgjedhur këtë degë për të vazhduar shkollën e lartë?

Pasi unë i dashuroj lëndët e matematikës dhe të fizikës, pra edhe elektronikën. Jetoj me botën e internetit. Janë lëndët e mia të preferuara që më bëjnë të ndihem mirë.

Po raportet me letërsinë si i ke?

Jo aq të mira, ndaj them që do vazhdoj për informatikë.

 Jeni frekuentues i pijeve alkoolike dhe duhanit?

Jo, as i kam përdorur kurrë. Mund të pi ndonjë gotë birrë në shtëpi në kohë të posaçme. Nuk më shijojnë. Familja nuk më ka lënë t’i frekuentoj. Por unë mbaj regjim për trupin, nuk abuzoj, bëj palestër.

 Me se merreni në kohën e lirë?

Lexoj ndonjë libër shkoj në not, por edhe në aktivitete të ndryshme.

Mendoni të jetoni pas një viti i shkëputur nga familja?

Absolutisht jo. Jam i lidhur shumë me familjen, aty gjej qetësinë, sigurinë, ngrohtësinë që s’mund ta gjej gjetiu.

 Si janë lidhjet me internetin. A je në vartësi të tij?

Futem rregullisht pasi është në ambiciet e mia të ardhshme, por me masë. Aty marr shumë informacion që do më shërbejnë për atë çka do të studioj.

 Jeni 17 vjeç, keni të dashur?

Nuk mund të them të dashur, por kam shoqe që rri më shumë, flasim për shkollën librat, të ardhmen. Kjo është mosha më e bukur, ku njeriu duhet të ketë një shoqe.

Veshja juaj e preferuar?

Sportivja e kombinuar me klasiken. Nuk e dua uniformë.

 Me sa shoh shalli është në pëlqimet e tua?

Po. Shallin e kam pjesë të veshjes gjatë gjithë dimrit. Pëlqej ata njëngjyrësh.

Celulari që pëlqeni?

“IPhone 4s”. Ose më mirë më pëlqen çdo celular i ri.

Ju e keni vizituar Filatin, aty keni tokat e gjyshit, keni menduar të jetoni aty?

Jo. Durrësin s’e këmbej me asnjë. Aty më pëlqen të shkoj me pushime, por jo më shumë. Në Durrës kam njerëzit, miqtë, shokët, njoh shumë njerëz.

Cilat janë pantallonat që pëlqeni më shumë?

Xhinset dhe pantallonat e dokut, pëlqej më shumë. Markat nuk i kam problem, vetëm të jenë të tilla dhe të më rijnë mirë.

Keni tentuar të provoni hashash?

Kurrë. As mendoj ndonjëherë t’i afrohem.

 Çfarë do të thoshe për organizatorët e Miss dhe Mrs. Durrësi 2014?

Mund të them fjalët më të mira. Presidentja e shoqatës znj. Myzejen Konduri na është sjellë si nënë, na ka ndihmuar, na ka hequr emocionet, na ka bërë të ndihemi më të lirshëm. Të gjithë konkurrentët janë ndjerë si një familje pa asnjë diferencim. Na kanë dhënë këshilla si në një familje të madhe.

Sa vende keni vizituar?

Disa vende të Europës si Franca, Italia, Greqia etj.. Franca më ka ngelur në mendje.