Kultura dhe historia shqiptare plotësohet nga pena të rënda si ajo e Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”

1643
Sigal

Kur trajtojmë në formë enciklopedike historinë dhe kulturën e Vlorës e të qarkut të saj, biles jo vetëm në këto hapësira, por edhe për shumë më tutje, si Mallakastra, Myzeqeja, Shqipëria e Jugut, Shqipëria e Mesme, Shqipëria e Veriut, me krahinat e mëdha etnografike si Toskëria e Gegëria (Gegnia), me Çamëri e Kosovë, me shqiptarët e Malit të Zi e me shqiptarët e Maqedonisë, me arvanitasit (shqiptarët) e Greqisë, me arbëreshët (shqiptarët) e Italisë, me arnautët (shqiptarët) e Turqisë, albanezët (shqiptarët) e Rusisë  e deri tek shqiptarët e Amerikës, Profesori  të çel hulli drite. Profesor i flasin i madh e i vogël në Vlorë, në Fier, në Cakran, edhe në Durrës, në Tiranë, në Përmet, Tuz, Shkup, Tetovë, Prishtinë, Prizren, Janinë, Prevezë, në Kalabri e Kozencë  si dhe shumë të njohur në Romë, Athinë, Stamboll apo qendra të tjera të kulturës rajonale e më shumë. E ka merituar këtë cilësim të lartë në saj të tre kontributeve të tij kryesore, që janë njëkohësisht  sa lokale aq edhe universale: me kontributin shpirtëror, me kontributin atdhetar dhe me kontributin intelektual, që automatikisht koha e klasifikon parësorin.

Bardhosh Shefit Gaçe lindur në Horë, Tërbaç të Vlorës më 05.03.1953. Pasi kreu gjimnazin e Selenicës, studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Ka punuar mësues në Kukës e Tropojë, shef i sektorit të kulturës në rrethin e Vlorës, shef i sektorit të kulturës në Akademinë e Shkencave Tiranë. Sot është pedagog në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”. Mban titullin “Profesor”. Është poet, studiues, publicist, folklorist, historian, kritik letrar, albanolog. Është edhe një veprimtar i shquar shoqëror, personalitet i njohur në shkallë kombëtare për guximin intelektual dhe shpirtin atdhetar. Është kryetar i shoqatës atdhetare – kulturore mbarë kombëtare “Ismail Qemali” dhe simbol Konkret i saj. Është mik i veçantë i Ambasadores së Kombit, të ndriturës humaniste Nermin Vlora Falaschi (Tiranë, 21. 04. 1921- Kaninë- Vlorë, 2004) dhe bashkëshortit të saj fisnik, Renzo Falaschi (Siena, 1916 – tetor 2004, Kaninë – Vlorë)  Ambasador i përjetshëm i Italisë, të cilët kanë vite që prehen të qetë dhe krenarë në Kaninë, të dy, te Dheu i të parëve të Nerminit dhe Gjyshit të saj e tonit, Ismail Qemal Vlorës, simbolit të Pavarësisë Kombëtare. Bashkë me Profesor Gaçen, Petrit Velon- Mandelën e Shqipërisë, me  Liljana Gjikën, Anastas Bitën, Afërdita Tafaj, Zenepe Lukën e shumë miq të tjerë brilantë i përcollën 9 vite më parë për në përjetësi, duke u hedhur nga një grusht dhè për kujtim e nderim te varri i përbashkët që kanë të dy tok në Kaninë. (Për çiftin e shkëlqyeshëm shqiptardashës si ata do të bëjmë një shkrim të plotë më vehte për “Diellin” e shqiptarëve). Bardhosh Gaçe është mik me njerëzit më të ditur e më humanë që ka Shqipëria, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë politikë, që i përkasin mundësisë së tij të njohjes q ënga Ali Asllani, Lasgushi, Petro Marko, Jakov Xoxe, Çabej, Buda, Kostallari, Ali Podrimja, Azem Shkreli Jorgo Bllaci, Frederik Reshpja, Odise Grillo e shumë të tjerë të yjshëm, si dhe patjetër Kadareja, Dritëroi, Fatos Arapi, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Shaban Demiraj, Rami Memushaj, Agron Xhagolli, Francesco Altimari, Anton Berisha, Emil Lafe, Ethem Lika, Agim Vinca, Moikom Zeqo, Koçi Petriti, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Shaban Sinani, Isak Shema, Mark Tirta, Shefkie Islamaj, Lefter Çipa, Gjok Beci e plot e plot njerëz të tjerë me vlera të larta intelektuale, morale dhe atdhetare, ku shkëlqen altruizmi si margaritar human për njerëzimin.

Profesor Bardhosh Gaçe, për kontributet që ka dhënë, është shndërruar një buldozer i kulturës kombëtare. Është shpallur “Qytetar nderi” i Vlorës, (i bashkisë dhe i qarkut), “Qytetar nderi i Gjirokastrës”, “Personalitet i shquar i Labërisë”, “Mjeshtër i madh” i kombit; gjithashtu ka merituar dhe ka marrë dhe vlerësimet e dekorimet më të larta nga shoqëri atdhetare kulturore siç janë “Tërbaçi”, “Vranishti”, “Bolena”, Vërmiku”, “Cakrani”, “Çamëria”, “Vranishti”, komuna Hor e shumë të tjera, që s’mund t’i përmendim dot brenda këtij jetëshkrimi të shkurtër kulturor të profesorit. Gjithashtu ka fituar çmimin kulturor “Gjergj Kastriot –Skënderbeu” në Kozencë, çmimin e parë kombëtar të letërsisë për fëmijë akorduar nga Ministria e Kulturës, çmimin “Fehrat Çakërri”, çmimin “Tasim Gjokutaj”për librin më të mirë për fëmijë nga “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”, Vlorë etj. Ka njohje e miqësi me figurat më të shquara të letërsisë, artit, historisë dhe kulturës kombëtare. Ka gjithashtu po shumë vlerësime nga autoritet e kritikës për veprimtarinë e tij letrare dhe impulset kulturologjike.

Përveç dhjetëra e qindra redaktimeve për libra të gjinive të ndryshme, deri më sot, Bardhosh Gaçe është edhe autor i 14 librave me poezi si dhe i 34 librave monografike e studimeve folklorike dhe etnokulturore. Duhet të kuptojmë se prodhimtaria e tij e begatë shtohet e shifrat ndryshojnë jo çdo vit më, por çdo stinë e jo rrallë herë rriten nga muaji në muaj. Veprimtaria me krijimtari të mirëfilltë estetike letrare e tij shfaqet: së pari poezi për fëmijë, si dhe në eseistikë, publicistikë, vepra studimore, monografi dhe antologji, ku studimet monografike për letërsinë për fëmijë dhe etnokulturën shqiptare janë më të rëndësishmet. Është e papeshuar dot vlera e çmuar që profesori ka me nxjerrjen nga pluhuri i harresës apo përbaltja  e dikurshme që u është bërë figurave të shquara të Pavarësisë Kombëtare, apo ato të Luftës së Vlorës, qysh me Osman Haxhiun, që e udhëhoqi atë epope fitimtare për shqiptarët dhe deri tek figura të tjera më periferike, por me kontribute të dukshme për Atdhe dhe për çështjen kombëtare.

Opusi i krijimtarisë së Bardhosh Gaçes, duke bërë klasifikimin e duhur, përfshin librat e poshtëshënuar, që pasurohen ritmikisht, në këto gjini:

VJERSHA:

  1. Dëshira e Anilës: Tiranë; Naim Frashëri, 1979
  2. Vogëlushët e Tërbaçit: Tiranë; Naim Frashëri, 1989
  3. Pse gëzohet Keti i vogël?: Tiranë, Naim Frashëri, 1993
  4. Lirika arbëreshe: Tiranë; Naim Frashëri, 1994
  5. Lumi im s’fle gjumë: Tiranë; Naim Frashëri, 1995
  6. Cicërojnë zogjtë e Sharrit: Tiranë; Naim Frashëri, 1996
  7. Gugatin pëllumbat mbi Prishtinë: Tiranë; Toena, 1997
  8. Në kopshtin e ëndrrave: Tiranë; Eurorilindja, 1998
  9. Në ditëlindjen e Besnikut: Tiranë; Eurorilindja, 1999
  10. Vogëlushët e Tërbaçit – ribotim: Tiranë; Eurorilindja, 1999
  11. Lumi im s’fle….: Tiranë; Toena, 2005
  12. Pranvera i shkruan letër baba Dimrit: Tiranë; Maluka, 2006
  13. Trëndafili s’pritet me një stinë hëne: bashkautor me Lefter Çipën e Albert Abazin; Vlorë: Triptik, 2004
  14. Psherëtimat e Jonit – balada për Qirjako Balën: bashkautor me Lefter Çipën dhe Albert Abazin; Vlorë: Triptik, 2007

IIMONOGRAFI

  1. Xha Selimi i Bratajt: Tiranë; 8 Nëntori, 1986
  2. Kënga popullore e Selim Hasanit – përg. me Kozma Vasilin: Tiranë 1987
  3. Kënga popullore e Lumit të Vlorës: Tiranë; Naim Frashëri, 1995
  4. Reshat Osmëni dhe kënga qytetare e Vlorës: Tiranë; N. Frashëri, 1996
  5. Rapsodi Xhebro Gjika: Tiranë; Naim Frashëri, 1997
  6. Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare: Tiranë; Naim Frashëri, 1997
  7. Flamuri dhe Ismail Qemali në këngë: Tiranë; Toena, 1997
  8. Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare: Tiranë; N. Frashëri, 1997
  9. Laze Malo: Tiranë; Naim Frashëri, 1997
  10. Një trim i Labërisë: Beqir Selimi; Tiranë; Globus R., 1998
  11. Ali Asllani – liriku i madh i poezisë shqipe: Tiranë, Eurorilindja, 1998
  12. Rapsodi Mato Hasani: Tiranë, 1999
  13. Rapsodi: Xhemil Veli Duka: Tiranë; Globus R., 2000
  14. Nga epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë: Tiranë; Toena, 2000
  15. Riza Boro Salati- Një pushkë e varur në krahët e lirisë: Tiranë; Maluka, 2000
  16. Osman Haxhiu: Tiranë; Naim Frashëri, 2001
  17. Aktori Gaqi Vishi: bashkautor me Ilirian Ali; Tiranë; Maluka, 2001
  18. Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare: ribotim; Tiranë; Toena, 2002
  19.  Memo Mete Brati; Tiranë; Eurorilindja, 2003
  20. Malo Beqari –bashkautor me Arian Beqarin; Tiranë; Maluka, 2004
  21. Hysen Çino –bashkautor me Stefan Martiko: Tiranë; Maluka, 2004
  22. Sali Hallkokondi dhe “Historia e Shqipërisë së re”: Tiranë; Toena, 2004
  23. Kalorësi i Ultimatumit-Mehmet Selim Shahaj: Tiranë; Maluka, 2005
  24. Letërsia shqipe për fëmijë: Vlorë, 2005 –Triptik, 2006
  25. Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare ribotim; Tiranë; Toena, 2006
  26. Turizmi kulturor dhe trashëgimia: Vlorë; Triptik, 2007
  27. Blerimi i mësuesit Besim F. Xhebraj: Tiranë; Maluka, 2007
  28. Mëno Gjoleka –bashkautor me Eqerem Canaj; Vlorë; Triptik, 2008
  29. Çobajt e Karabashit –bashkautor me Eqerem Canaj; Vlorë; Triptik, 2008
  30. Letërsia arbëreshe; Vlorë; Triptik, 2008
  31. Rilindësi i Vlorës Ibrahim Abdullahu; Tiranë;Toena, 2009
  32. Shaban Seferi: Vallja e Labërisë –bashkautor me Agron Metaj; Vlorë; Triptik, 2009
  33. Përkime poetike midis poezisë popullore dhe poezisë së shkruar shqipe; Vlorë; Triptik, 2010
  34.  Mbrëmje vere me Muço Delon; Vlorë; Triptik, 2012

4 vlerësime ndër vlerësuesit e shumtë për krijimtarinë e tij:

 1 – …Krahas poetëve tanë të shquar si: Odhise Grillo, Adelina Mamaqi, Xhevat Beqaraj, Fejzi Bojku, Agim Deva, Vehbi Kikaj, Ferhat Çakërri, Tasim Gjokutaj, Hamdi Meçe, Xhahid Bushati, Pirro Kuqi, etj., letërsia e sotme shqipe, ka fatin që ka në gjirin e vet edhe zërin poetik të mrekullueshëm të Bardhosh Gaçes…

 Prof. Bedri Dedja

 2 – Ky punim dëshmon për një punë të gjatë e përkushtim të thellë si dhe për një njohje të problemit nga disa anë. Referencat dhe larmia e çështjeve që trajton punimi dëshmon se autori ka kaluar në dorë literaturën përkatëse se ai e njeh mirë e e zotëron lëndën folklorike, por edhe poezinë reflekse shqipe dhe se i përmbahet një koncepti koherent për marrëdhëniet midis tyre.

 Prof. Jorgo Bulo

 3 – Që kur ka nisur studimi sistematik i poezisë shqipe janë vënë re përkime ndërmjet saj dhe poezisë popullore kush më shumë e kush më pak të gjitha punimet e botuara do të përmbanin disa rreshta që do t’i kundërshtoheshin kësaj çështjeje. Me sa duket nuk mund të ndodhte ndryshe asi poezia e kultivuar në të gjitha periudhat e zhvillimit të vet historik në një mënyrë a në një tjetër nisej prej poezisë popullore.

Prof. Ali Xhiku

 4 – Duke u mbështetur në këtë përvojë studimore e shkencore, tashmë Bardhosh gaçe paraqitet para lexuesve me një monografi të re, atë me titull: Përkime poetike midis poezisë popullore dhe asaj të kultivuar që dëshmon për një përpjekje të thellë serioze në studimet tona bashkëkohore e krahasuese.

Prof. Zeqirja Neziri