Kujtim Laro – ikonë i muzikës së filmit shqiptar

967
Sigal

 

Dr. Holta Sina Kilica

Muzikologe, pedagoge në Universitetin e Arteve, Tiranë

 

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së kompozitorit Kujtim Laro u mbajt në datën 8 maj, në hollin e Universitetit të Arteve një natë koncertore me muzikën më të mirë të filmave të tij, të titulluar “Lulëkuqet mbi mure”. Ky aktivitet u përfshi gjithashtu edhe në Stinën Koncertore që po zhvillohet në kuadër të 60 koncerteve në 60 – vjetorin e krijimit të Fakultetit të Muzikës së këtij Universiteti.

Kjo mbrëmje e dedikuar mjeshtrit të muzikës së filmit shqiptar, u ideua me shumë dashuri e përkushtim nga pianistja Ardita Bufaj në bashkëpunim dhe me stafin realizues, të cilët së bashku me instrumentistët dhe këngëtarët pjesëmarrës, i sollën këto materiale muzikore të ardhura në një tjetër version e dimension zanor, përmes ripunimit për muzikë dhome nga Endri Sina, Klodian Qafoku, Alban Laro (djali i kompozitorit) dhe Jusiald Xhani.  Fillimisht ky projekt u bë realitet në nëntor të vitit 2021, i cili u finalizua edhe me CD të këtyre kolonave zanore të kompozitorit Kujtim Laro, si një dhuratë për publikun që e ka dashur dhe e do muzikën e filmave të tij.

Megjithëse u bënë shumë vite që Kujtim Laro nuk është më mes nesh, ai jeton në memorien tonë përmes muzikës që krijoi, pasionit që u kthye në profesion dhe shenjoi gjithë jetën e tij deri në frymën e fundit.

Ky zë potent i muzikës shqiptare, i muzikës së filmit, këngës, por dhe i gjinive të tjera të muzikës profesioniste (vokale, instrumentale e orkestrale-simfonike) sot do të festonte mes nesh përvjetorin e 75-të të lindjes, por u shua 18 vjet më parë nga sëmundja dhe dhimbjet e shpirtit që e mundën…..

Në kujtesën e publikut, Kujtim Laro mbahet mend më së shumti si kompozitor i muzikës së filmit (me 35 kolona zanore), ku ai shpërfaqi më të mirën pjesë të talentit të tij krijues madje, kolegë dhe të tjerë që e çmojnë atë, e kanë cilësuar si një Morricone shqiptar, ndërsa ai vetë ishte tepër modest për madhështinë e talentit që kishte. Kujtimi ishte si një ‘det i thellë’, herë i dallgëzuar e shpërthyes e herë i qetë, i paqtë e plot shkëlqim si ai i Jugut, i Vlorës së tij të dashur nga vinte.

Firmën e tij e mbajnë sot kolonat zanore të filmave më të realizuar artistikisht të kinemasë sonë, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Shtigje të luftës”, “Në fillim të verës”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Vendimi”, “Nusja dhe shtetrrethimi” etj., në bashkëpunim me regjisorët më të njohur shqiptarë, si V. Gjika, Dh. Anagnosti, G. Erebara, P. Milkani, K. Mitro, I. Muçaj, K. Dhamo, V. Prifti, M. Shanaj, etj., të cilët janë ndjerë dhe ndjehen të nderuar prej këtij bashkëpunimi dhe faktit që muzika e tij do të mbetet e gjallë në pelikulat e tyre.

Krijimi i fundit i K. Laros ishte pikërisht muzika e filmit “Lule të kuqe, lule të zeza” (2003), muzikë e cila u pikturua me ngjyra tingujsh ‘që të shpojnë shpirtin’, si një rekuiem i vetë jetës së tij që u përmbyll dhimbshëm në korrik të vitit 2004, në moshën 57 vjeçare, kur kishte ende për të thënë dhe për të dhënë me artin e tij për artin!

Kolonat zanore të krijuara prej tij, shtrihen në hapësira të shumta të ‘arkitekturës’ filmike, të mbarsura veçanërisht me histori heroizmi e betejash për liri si p. sh. kolona zanore e filmit “Liri a vdekje” – një muzikë që ‘vlon’, e ngjizur nën tharmin e pentatonit dhe e mbrujtur me epizmin, dinamizmin, pathosin, por dhe me lirizmin gjatë shtrirjes së saj ose solemniteti i temës muzikore të filmit-histori “Nëntori i dytë”, ku së bashku me të shkrihen edhe motivet intonative të trevave të ndryshme të Shqipërisë, ashtu siç i kërkonte në unitet vetë tematika e filmit në fjalë.

 

Këto ngjizje në krijimtarinë e tij nga burimi i folk-traditës sonë, kulmojnë me materialin e cituar e të përpunuar mjeshtërisht nga Laro të këngës së rrallë folklorike “Janinës ç’i panë sytë”, kënduar në kolonën muzikore të filmit “Vendimi” nga Nazif Çela, me fjalët lapidare të rapsodit të Labërisë Feti Brahimi “Luanët një vdekje kanë…”.

Prej udhës së tingujve të tij ‘lindi’ dhe muzika aq unike e filmit “Udha e shkronjave”, ku ‘mërmëritja’ e melodisë si një ‘vajtim burrash labërie’ me zërin e brendshëm të vetë Kujtimit, u shkri në gjuhën filmike të personazhit dhe u bë njësh me Tunxhin e Bujar Lakos.

Ndërsa, një prej kolonave më të njohura dhe më të dashura të muzikës së filmit shqiptar është padyshim muzika e filmit “Në fillim të verës”, ku tema e skalitur fillimisht në instrumentin e pianos dhe hapësira që ajo merr në orkestër si tema e dashurisë, krijon një kontrapunkt sa origjinal aq edhe larg skemës standarte të diktuar nga koha, duke e ngjyrosur ‘luftën’ me lirizmin poetik.

Temat e tij muzikore simbolizojnë përgjithësisht, ashtu si tema-lajtmotiv e filmit “Lulëkuqet mbi mure”, apo e filmave “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Rrrugicat që kërkonin diell” etj., – rendjen, ikjen drejt lirisë, drejt së nesërmes, shpresës, jetës dhe, pikërisht, kjo qartësi dhe dinamikë në lëvizje, i jep atyre forcën më të madhe emocionale dhe aftësinë për të qenë një ‘personazh’ solid i filmit. Ato herë ecin paralel me ngjarjet e herë krijojnë kontrast me to dhe, siç do të shprehej edhe vetë regjisori i madh i kinemasë shqiptare Dh. Anagnosti “muzika e Lulëkuqeve mbi mure (dhe jo vetëm) konkretizon emocionin dhe, madje, në disa momente ajo është aty për të shprehur atë që fjala dhe mjetet e tjera nuk kanë arritur ta shprehin dot”.

 

Shpesh këto tema, Kujtim Laro i’a dedikoi instrumentit të violonçelit, ashtu si temën-elegji, (mbështetur në një këngë burimore për Kajo Karafilin nga Shqipëria e Mesme), të cilën ai e ka përcjellë me aq bukuri e finesë me të ‘qarën’ e violonçelit në filmin “Shtigje të luftës”, duke i’a besuar duarve të vëllait të tij, violonçelistit të talentuar Gëzim Laro, duart e të cilit intepretuan tingujt e shumë kolonave zanore të mjeshtrit. Kurse në këtë mbrëmje, ato erdhën përmes duarve të mbesës së Kujtim, Dorina Laros, pedagoges dhe një prej instrumentisteve më aktive e kualitative të skenës muzikore shqiptare sot, gjithashtu edhe instrumentistëve të tjerë të talentuar, pedagogë të këtij fakulteti: Ardita Bufaj (piano), Sokol Toto (klarinetë), Xhovana Marku (oboe) në formacionet duo, trio, kuartet. Ata së bashku edhe me këngëtarët Ulpiana Aliaj (soprano) dhe Bledar Domi (bas i TOB) dhuruan shumë emocion me intepretimet e tyre përmes lojës plot kontraste, temperament e dinamikë, shoqëruar edhe me imazhet filmike, të ngjizura pazgjithshmërisht me tingujt kujtimian. Një surprizë e kësaj mbërmjeje ishte edhe një romancë e titulluar “Vesa dhe loti”, e kompozuar në vitin 2000 nga K. Laro, e cila u interpretua me shumë emocion dhe profeionalizëm nga sopranoja U. Aliaj.

Ky koncert i dedikuar, i krijuar plot dashuri, përkushtim e profesionalizëm nga artistët pjesëmarrës, ishte së pari një kujtesë e gjallë në 75-vjetorin e lindjes së tij, por dhe një dhuratë po aq e vlertë për publikun që e mirëpriti shpirtërisht plot emocion, lot e dashuri  – muzikën e KUJTIM LAROS, që qëndron edhe sot si ajo lulëkuqja mbi murin e kinemasë shqiptare, kinemasë së shenjuar mrekullisht nga udha e tingujve të tij të papërsëritshëm.