Krijohet partia e ushtarakëve: “Mirëqenia Popullore”

587
Flet Kryetari i Shoqatës Xhenios Aleksandër Mihali : Kjo parti do të përfaqësojë atdhetarët shqiptarë të përbuzur dhe të lënë pas dore nga qeveritarët aktualë

Dje menjëherë pas promovimit të librit të “Skënderbegasit” një nga drejtuesit më të lartë të shoqatës së ushtarakëve ka bërë publike për mediat, krijimin e një partie të re, e cila do të këtë si qëllim kryesor mbështetjen e ish ushtarakëve dhe ushtarakëve aktivë, të cilët ndihen të papërfaqësuar në administratën shtetërore. Ky grupim që përfaqëson rreth 100 mijë ish ushtarakë dhe punonjës të uzinave ushtarake është përbuzur dhe lënë pas dore nga të gjitha qeveritë dhe të drejtat e tyre janë nëpërkëmbur. Këta ushtarakë nuk kishin besim dhe nuk shpresonin që të mbështeteshin nga qeveritë e djathta dhe Berisha, i cili më një akt “normativ” u hoqi të drejtat e fituara me ligj dhe me status. Por është e pafalshme, që të njëjtin qëndrim prej 4 vitesh mbajti edhe e majta dhe sidomos “Rilindja”, e cila u votua pasivisht prej tyre dhe familjarët e ish ushtarakëve. Në një reagim për mediat, publikun dhe mbarë elektoratin drejtuesit e kësaj partie kanë bërë një deklaratë ku i kërkojnë mbështetjen për të drejtat e tyre të privuara nga politikanët që mendojnë vetëm për vota dhe jo për mirëqenien e kësaj shtrese ,e cila ka sakrifikuar për ndërtimin e atdheut, mbrojtjen e tij dhe sigurinë e vendit. Janë shitur në vlerën e miliarda eurove materialet dhe pajisjet ushtarake, objektet dhe qendrat e edukimit të tyre. “Telegraf” po boton të plotë këtë thirrje dhe ka intervistuar përfaqësuesin e kësaj nisme .

Tirrje: Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë “Mirëqenia Popullore”
Një grup intelektualësh ushtarakë dhe civilë me ndjenja atdhetarie dhe patriotizmi, të shtyrë nga qëndrimet jo në interes të atdheut dhe të popullit prej pothuaj të gjithë grupeve politike si të majta dhe të djathta, menduan të krijojnë partinë e atdhetarëve për mirëqenien e popullit me qëllimin e vetëm, të mbrojtjes së interesave të popullit, atdheut dhe sidomos të ushtarakëve, të cilët, edhe pse kanë kaluar 27 vjet, nuk po gëzojnë akoma të drejtat që iu takojnë sipas statusit ushtarak. Në këtë, parti ndryshe nga të gjithë partitë e tjera, anëtarët e komitetit drejtues si edhe të gjithë anëtarët e tjerë të saj janë patriotë dhe atdhetarë, të cilët mbi interesat e atdheut dhe popullit nuk vendosin asgjë. Në këtë parti do të pranohen vetëm ata ushtarakë dhe qytetarë, të cilët janë patriotë dhe atdhetarë të vërtetë dhe jo interesaxhinj karrigesh dhe pasurish. Partia në programin e saj ka si objektiv kryesor, ngritjen e mirëqenies së gjithë popullit, si edhe zhvillimin e atdheut në shkallën më maksimale . Ajo do të jetë kundërshtare e përhershme ndaj veseve të hajdutërisë, të grabitjes së pasurisë së popullit, të trafikantëve dhe trafiqeve të çdo kategorie. Ajo do të jetë mbrojtësja dhe mbështetësja e të gjithë shtresave të shoqërisë, por në veçanti e qytetarëve të varfër. Partia në programin e saj ka edhe çështjen kombëtare, e cila zë një vend kryesor në veprimtarinë e saj, ajo do punojë dhe do mbështesë çdo forcë politike apo shoqërore nga shoqëria civile për t’u bërë bashkimi i gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe sidomos bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Në programin e partisë çdo paragraf ka të shënuar me shkronja kapitale, që do të mbrojë interesat dhe të drejtat e popullit shqiptar dhe të kombit shqiptar. Anëtarët e saj drejtues do të jenë gjithmonë në ballë dhe në mbrojtje të interesave të popullit dhe të pavarësisë së atdheut. Nisur nga kjo, komiteti i përgjithshëm drejtues i partisë i bën thirrje të gjithë qytetarëve patriotë dhe atdhetarë të vërtetë të popullit shqiptar, që të bëhen pjesë e kësaj partie me qëllimin e vetëm; të përmbysjes të gjithë situatës së mbrapshtë që po shkatërron pasuritë dhe po dorëzon pavarësinë e atdheut tonë. Ajo u drejtohet të gjithë atyre, të cilëve iu dhimbset populli dhe atdheu, për të cilin janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë nga jeta e tyre. Ne i bëjmë thirrje të gjithë pjesës së shëndoshë të popullit tonë, intelektualëve, punëtorëve dhe fshatarëve që të bashkohen me ne për të dhënë kontributin e tyre për të mirën e vendit tonë dhe për ngritjen e strukturave patriote në qendër dhe në bazë, që partia jonë, sa më parë të marrë drejtimin e shtetit për ta ndryshuar totalisht gjendjen shkatërruese të bërë këto 27 vjet. 

Të nderuar patriotë dhe atdhetarë shqiptarë, kudo ku jeni, mos nguroni të afroheni dhe të mbushni radhët e kësaj partie, e cila është partia e popullit dhe jo e interesave të ngushta personale, është partia e popullit deputet dhe jo e deputetëve parti dhe pasuri dhe që bëjnë pasuri në kurriz të popullit! 

Të nderuar kolegë ushtarakë, kjo parti ka në programin e saj në veçanti mbrojtjen e interesave dhe të drejtave tuaja si ushtarakë. Ajo u krijua për të qenë mbrojtësja juaj dhe për të vënë në vendin që u takon, dinjitetin dhe personalitetin tuaj të nëpërkëmbur për 27 vjet nga të gjitha partitë dhe qeveritë antiushtarake. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të afrohen pranë kësaj partie për të dhënë kontributin e tyre në organizimin dhe funksionimin e gjithë partisë dhe për të mbrojtur interesat e tyre të shkelura deri më sot!
Çfarë përbën kjo parti ?
Kjo parti është krijuar për patriotët dhe atdhetarët e popullit shqiptar, për pjesën më të shëndoshë të këtij populli, të cilët mbi popullin dhe atdheun e tyre nuk vendosin asgjë. Kjo parti do mbrojë me konsekuencë interesat e popullit, atdheut e në veçanti të ushtarakëve shqiptarë.

Duke qenë se jeni një grup shoqëror i ushtarakësh, të cilët kanë 27 vjet që janë hedhur në rrugë, ndryshe nga kolegët e NATO-s a nuk ka ardhur koha që të trajtoheni si të barabartë?
Sot ushtarakët shqiptarë nuk gëzojnë asnjë të drejtë, ndryshe nga gjithë kolegët e tyre në NATO edhe në botë. Ata erdhën nga diktatura me disa të drejta me shpresën se do të përmirësoheshin akoma më shumë të drejtat e tyre, por fatkeqësisht sot ekziston vetëm statusi i tyre në letër i pa zbatuar në asnjë nen të tij. Ata kishin spitalin ushtarak të tyre, kishin shtëpitë e aktiviteteve të tyre në të gjithë qytetet, kishin rimbursimin e ilaçeve 80 për qind si edhe trajtimin me pension të parakohshëm sipas nenit 35 të statusit ushtarak etj. Sot ata nuk përfitojnë asnjë nga këto të drejta. Pra është bërë një regres dhe jo progres në drejtim të të drejtave të tyre. 

A mendoni se të gjitha shoqatat duke mos u shkrirë duhet të mblidhen një një organ për të parë interesat e veta, pasi edhe romët, çamët të gjithë kanë krijuar partitë e tyre.
Është shtruar prej kohësh çështja e organizimit në një shkallë më të lartë të ushtarakëve. Pengesa kryesore në këtë drejtim për ngritjen e një organi të vetëm të ushtarakëve kanë qenë dhe janë dy shoqatat kryesore Akushi dhe Shkursh-i, të cilat prej vitesh nuk duan dhe nuk merren vesh për të ngritur një organ drejtues të vetëm që t’i përfaqësojë ata në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit, për të mbrojtur interesat e tyre. Kjo mosdashje e tyre vjen si rezultat, se në kryesitë e tyre ka anëtarë militantë të partive të majta dhe të djathta, të cilët janë të fokusuar tek interesat e tyre personale dhe për mos krijimin e një qendre të vetme për të zgjidhur problemet e ushtarakëve. Qenia e këtyre militantëve i ka sjellë dëm të jashtëzakonshëm çështjes së të drejtave të ushtarakëve, pasi këta militantë partish kërkojnë të ruajnë statuskuonë e tyre dhe të partive ku ata bëjnë pjesë me synimin që ushtarakët të mos jenë kurrë të bashkuar, por të përçarë nëpër grupime politike siç janë edhe sot e kësaj dite.

Ushtarakët kanë qene rreth 80 mijë dhe bashkë më familjarët e tyre bëhen mbi 350 mijë. A ju duket e drejtë, që kjo qeveri për 27 vjet ka marrë votat tuaja dhe të familjeve, po u jep këstin e 7-të, ish të burgosurve politikë (dhe mirë bën që ua jep) , a mendoni që ju kanë lënë në harresë?
Të gjitha qeveritë si ajo e djathtë por edhe partia socialiste për 4 vjet çështjen e të drejtave të ushtarakëve e ka lënë në harresë dhe e ka mbyllur në kasafortë për të mos e nxjerrë kurrë që andej. Asnjë nga premtimet e dhëna në 8 takimet të bëra brenda 1 muaji e gjysmë të përfaqësuesve të partisë socialiste me në krye Edi Ramën nuk janë mbajtur, as akti normativ numër 5 nuk u anulua, as statusi ushtarakut nuk u vu në zbatim . Ky qëndrim është një diskriminim i jashtëzakonshëm, unik që nuk ndodh në asnjë forcë të armatosur dhe për asnjë ushtarak të Natos dhe kudo në botë. Tashmë ushtarakët janë plotësisht të bindur, që të dyja grupimet politike kanë qenë në unison dhe nuk duan t’i njohin ato pak të drejta krahasuar me statuset e kolegëve të tyre në NATO. Ka kohë që nga masa ushtarakëve është kërkuar që të hartohet dhe miratohet një status i standardeve të NATOS duke shfuqizuar çdo status tjetër të hartuar dhe miratuar sipas mendësisë politike alla shqiptarçe.

Në administratë mungojnë shumë profesionistë, a mendoni se mund të kishin punësuar ushtarakë të cilët i plotësojnë kriteret? 
Politika e ndjekur këto 27 vjet me ushtarakët ka qenë totalisht e qëllimshme, jo vetëm për të shkatërruar forcat e armatosura që ishin në të njëjtën shkallë modernizimi si të gjithë ushtritë e tjera në rajonin e Ballkanit dhe të Evropës, por edhe shumë të afta për të mbrojtur atdheun. Tani reformat e bëra në ushtri nxorën sipas një skenari që forcat e armatosur të shkatërroheshin përfundimisht dhe që nuk i përgjigjen nevojave të atdheut. Me këtë rast u nxorën nga forcat e armatosura 25 mijë ushtarakë pothuaj 90 për qind me arsim të lartë. Në këto forca kishte ushtarakë shumë të zotë me profesione të ndryshme si marinë, aviacion, ekonomistë, juristë, e profesione të ndryshme, të cilët u flakën rrugëve duke i lënë pa asnjë mbështetje dhe duke iu prerë pensionin që u takonte me ligj për 5 vjet me radhë nga ’95-sa deri në janar të ’99- ës. Këta mund të sistemoheshin sipas profesionit që kishin dhe të specializoheshin sipas programeve në degë të ndryshme të ekonomisë. Ata mund të sistemoheshin në dogana, porte, në policinë tatimore, në policinë private të ruajtjes së objekteve dhe nëpër institucione sipas profesioneve përkatëse, por ata u lanë jashtë qëllimisht nga grupet politike dhe qeveritë e ardhura në pushtet, të cilat nuk kërkonin të bënin shtet ligjor, por kërkonin një anomali dhe shkatërrim të shtetit shqipar për t’u bërë vegël e shteteve të tjera. Ashtu siç është edhe sot vendi ynë, një vend në kaos dhe i shkatërruar nga të gjitha anët; si ekonomike edhe ushtarake, i cili jeton vetëm duke marrë kredi. 

Sot në kuadrin e luftës së trafiqeve dhe korrupsionit ka shumë ushtarakë, të cilët janë mjeshtër të shërbimeve të ndryshme në rezervat e shtetit, a mendoni se me pak vëmendje ju jeni forca më e denjë për t’i shërbyer atdheut tonë siç i keni shërbyer për 27 vjet?
Edhe kontingjenti i parë që u lirua dhe nuk u sistemua ashtu edhe sot të gjithë ushtarakët që dalin në pension të parakohshëm nuk sistemohen sipas profileve të tyre, të cilat ata i zotërojnë shumë herë më mirë se disa të tjerë. Këtu nuk ekziston dëshira, jo vetëm të vendosen në institucione këta ushtarakë nga vetë qeveria, por edhe nga vetë dikasteri, Ministria e Mbrojtjes e cila ka në përbërjen e saj 500 nëpunës nga të cilët rreth 320 janë nëpunës civil dhe pjesa tjetër ushtarakë. Në këto vende civile shumë mirë mund të merreshin ushtarakët që dalin në pension të parakohshëm, të cilët i njohin shumë mirë detyrat. Por kjo nuk ndodh, sepse partitë politike sjellin militantët e tyre që nuk kanë dijeni nga punët e forcave të armatosura. Prandaj qeveria e sotme duhet të ndryshojë medoemos raportin dhe të angazhojë ushtarakët që dalin sot në pension të parakohshëm në pjesën civile të Ministrisë së Mbrojtjes. Por edhe nëpër institucionet e tjera për të mos i flakur në rrugë këto kuadro që, jo vetëm kanë mbaruar shkollat e larta brenda dhe jashtë vendit, por kanë bërë dhe specializime si në institucionin e NATO-s edhe në institucione të tjera. Ushtarakët nuk duhen lënë të kthehen në roje apo shitës ambulantë.
Sigal