Kosova nderon Dritëro Agollin, Hashim Thaçi: Dritëro Agolli është frymëzim edhe për brezat në Kosovë

570
Sigal

Gazeta Telegraf/ 

Me Agollin në
qytetin e gurtë, si bashkënxënës të një klasë dhe  banke, nisëm e përfunduam maturën për
mësuesi, në gjimnazin “Azim Zeneli”.

 

Niko Ligori

Me Dritëronë –
AsimZenelas

Dje poeti i madh shqiptar Dritëro Agolli
përcolli një deklaratë optimiste për të ardhmen e Kosovës:  “Kosova do t’ia kalojë me zhvillim krejt
vendeve të rajonit”, u shpreh ai. Kjo deklaratë tepër opimiste që bëri bujë në
mediat dhe më tej u bë gjatë dekorimit të poetit të madh nga Presidenti i
Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenti i Kosovës Thaçi e vizitoi poetin dje në
shtëpinë e tij në Tiranë, pasi kreu i shtetit të Kosovës e dekori atë për
kontributin e shquar në letërsinë shqipe, si dhe për angazhimin në shërbim të
kauzës së Kosovës.

 

Viti jubliar i 85
vjetorit të lindjes të poetit të madh Dritëro Agolli, të cilit i uroj gjithë të
mirat, gëzime, shëndet, jetëgjatësi, lumturi familjare, e ….. të rrojë sa të
dojë, veç me mend, këmbë e dorë, më nxiti e ngacmoi që kujtesën ta çoj larg, në
ato vite të para të pasçlirimit, vite të vështira, ende të “parfumuara” me
aromën e barutit të luftës për liri, por për ne vite të arta e të zjarrta, kur
me Agollin në qytetin e gurtë – Argjiro, si bashkënxënës e moshtarë në një
klasë e  bankë, nisëm e përfunduam
maturën për mësuesi, në gjimnazin “Azim Zeneli”. Ishte fundgushti i vitit 1948,
kur Dritëroi pasi pati mbaruar uniken (7 vjeçaren), e Bilishtit, la vendlindjen,
Menkulasin e Devollit dhe u nis drejt Gjirokastrës për të vazhduar mësimet, me
bursë shteti, në gjimnazin “Universitet” të atij qyteti, një nga më të mirët e
asaj kohe.  Ne, një grup nxënësish që në
konviktin e asaj shkolle kishim përfunduar edhe uniken, delnim çdo ditë tek
sheshi i Çeços për të pritur bashkënxënësit tanë që vinin nga rrethet. Këtu do
veçoja atë ditë, kur me autobuzin e Korçës erdhi Dritëroi. Nuk e njihnim por na
pyeti: “Konviktorë jeni?. I thamë “Po” dhe ai u prezantua: “Jam Dritëro Agolli,
vij nga Devolli”. Të shoqëruar me të morën rrugën drejt konviktit.  Dritëroi atëhere djalosh 17 vjeçar me trup
mesatar, fytyrë e sy të qeshur, me flokë gështenjë e paksa me onde, i veshur
thjeshtë e me guston e kohës, mbante në sup një trastë, që siç na e tregoi në dhomën
e konviktit, më shumë në të kishte libra artistikë, fletorka me poezi, copëza
fletësh me vargje, faqe gazetash ku ishin botuar poezitë e tij dhe pak tesha.
Ai bisedonte shtruar, ëmbël e ne i përpinim fjalët e tij.

 

Na dëgjonte me durim e interesim të veçantë

 

Kishte lexuar mjaft
libra e qe me horizont dijesh përtej asaj moshe. Rrugës dhe në konvikt na fliste
shumë për fshatin, për bujqit e blegtorët atje, 
për të atin Rizanë, “agronom” pa diplomë që ç’i shihte syri ja bënte dora,
për nënë Hatixhenë ose  Xhexhenë, me të
cilën krenohej pasi ishte një grua fisnike nga fisi me emër i Nazarkove të
Helmësit, të Kolonjës tonë.

“Jam dyfish krenar-
na thoshte, – si bir i Devollit të baltës “mjaltë“ dhe si nip i Kolonjës me
histori..”

Që atë ditë e natë
të parë në një dhomë e tavolinë në mencën e konviktit, u njoha e u miqësova me
Dritëronë, miqësi që u forcua më tej gjatë 4 viteve të gjimnazit, nxënës
Asimzenelas në një klasë e bankë, miqësi që kurrë as u zbeh e vijon të jetë
edhe aktualisht, kur po festojmë 85 vjetorin e lindjes, e po i ngjitemi të
përpjetës, jo pa lodhje, të dekadës të nëntë të jetës. Dritëroi, i ditur, i
mençur, modest, i pastër në shpirt, i etur për dije e kulturë, që në klasën e
parë e deri në maturë ishte një nxënës punëtor, studiues sistematik, gërmonte
thellë nëpër libra, merrte nga memoria e “pasuria” e profesorëve tanë idhuj, të
përgatitur, që rrezatonin dije e kulturë e që kishin horizont tej programit
mësimor, ndër të cilët do të përmend: Thoma Papapano, Shaban Demiraj, Hysen
Zavalani, Fejzi Dika, Vehbi Bala, Luigj e Arta Franja, Gaqo Harilla, Mikel
Koka, Reshit Kashari, Gani Daiu etj. Dritëroi ishte një nxënës shembullor në
çdo lëndë, por vend parësor zinte në letërsi. Hartimet e tij qenë poezi, skica
letrare, ese, humoristike, fabula etj, thënë shkurt, ato ishin “piktura”
folëse. Profesori ynë dhe shkrimtari i mirënjohur Vahbi Bala me emtuziazëm e
pasion, hartimet e Dritëroit i lexonte në klasë, jepte porosi që të
afishoheshin tek gazeta e murit të shkollës dhe të dërgoheshin në gazetat
letrare për t’u botuar. Pas leximit thoshte notën “ Dritëro 5 me yll e ke ! S’
ka notë më të lartë, se 10 apo 100 do të të vija”.  Ai ishte një poet i lindur, trupi e shpriti i
tij, në çdo qelizë kishin poezi. Në çdo moment, në gjumë a në mencë, në studim
a në klasë, në shëtitje apo në aksion, në çdo hap të jetës si nxënës,
frymëzohej dhe si një burim mali, vargje të plotë apo të pjesshëm i hidhte në
letër. Në fletore a copa letrash poezitë e tij qenë vargan.

 

E kujt s’i thurrte poezi ai?

 

Ne nxënësve shokë
klase po e po, por edhe punëtorëve të shkollës si psh: Vasil Mihos,
guzhinierit, Nalo pastrueses, xha Myftarit, roje në konvikt, xha Luto Sakos
zilexhiu i shkollës, infermieres të konviktit Shpresës etj. Sa e sa poezi bënte
për qytetin muze, kur me të studionin në vendet më të preferuara e turistike si
p.sh:  në kodrën Kucullë mbi qytet, në
ambientet e kalasë apo në lëndinat ku preheshin Topullajt etj.  Në rrethin letrar të shkollës tonë qenë mbi
45 anëtarë aktivë, ku shkëlqente edhe pena e Agollit. Emri dhe fama e tij u bë
e njohur edhe në qytet, poezitë e tij recitoheshin në shkolla, në radio
Gjirokastra ku atëherë drejtonte muzeologu i shquar Lefter Dilo etj. Organet
letrare të shtypit qendror botonin poezinë e tij krahas poetëve të afirmuar. E
me kë nuk bisedonte Dritëroi në shkollë e jashtë saj, jo vetëm me ne nxënësit,
por dhe me profesorët tanë, sidomos me Basho Thomanë, të cilët për t’u
këshilluar e thërrisnin dhe në Këshillin Pedagogjik, këmbente mendime me
krijuesit letrarë asimzenalas. U bë mik me mjaft arsimtarë veteranë e me
përvojë nga të cilët merrte shumë të dhëna që i përdorte në krijimtarinë e tij.
Të tillë ishin emërmirët: Sotir Bita ose xhaxhi Bita, Sokrat Kutra, Urani
Zhupa. Vasil Dolani, Llukan Andrea etj. Bashkëpunim të ngushtë kishte me
atdhetarin e poetin popullor Ramiz Harxhi që vinte shpesh në shkollë e konvikt.
Harxhi e lexonte, e pëlqente dhe e vlerësonte shumë Agollin. Në një nga poezitë
e shumta të tij mbaj mend vargjet si më poshtë: “Agollin vlerësoj shumë,/ Që i ka vjershta lumë,/ Dhe nami shpejt do
t’i dalë,/ Si shkrimtar, mbi shkrimtarë,/ Në Argjiro këtë djalë,/ Ne e kemi mik
të parë./ Dritëroi që tani,/ Po bën emër, histori…”
Poeti “ i lindur”, në
Devoll, siç vargëzon vetë: “Gjeta
vargjet,/ gjeta poezinë
…”, në Argjiro u afirmua poet, doli në rrugën e
poezisë. Gjirokastra universiteti, që na dha dritë e çelsin e “shkollës- jetë“,
për ne asimzenelasit,  një vendlindje e
dytë do të jetë, – është shprehur Agolli ynë. Klasa jonë, e para degë e
pedagogjikes brenda gjimnazit “Asim Zeneli” , ishte si dallëndyshja e parë e
pranverës, nxorri maturantët e parë arsimtarë. Ne jemi krenarë që historiku i
shkollës Pedagogjike “Pandeli Sotiri”, fillesën e ka tek asimzenelasit e klasës
sonë e vitit 1948, që me të drejtë mund të quhet edhe “klasa e Dritëroit”.

 

Dritëroi i atyre viteve si nxënës e poet

Dritëroi i atyre
viteve si nxënës e poet, si njeri me horizont e aktivist shoqëror, u bë i
njohur edhe jashtë qytetit të gurtë. Ai ishte një këngëtar i mirë i këngës
devollite. Ato këngë i mësuan dhe mjaft konviktorë, u incizuan nga Radio-
Gjirokastra. Pati bëri dhe disa tema studimore për mirërritjen e edukimin e
brezit të ri, si dhe tema psiko-pedagogjike, ku zbërthente libra të
personaliteteve të atyre fushave. Aktivizohej nga Komiteti i Rinisë, për biseda
me rininë shkollore e punëtore, por dhe në fshat për LANC, ( në atë kohë kishte
qenë korrier terreni në luftën partizane). Dritëroi qe dhe një aktor amator, i
humorit sidomos u dallua në komedinë “Pas vdekjes” të Çajupit, vënë në skenë nga
klasa jonë, ai kishte rolin e Zenelit. Ajo komedi u dha në qytet e në mjaft
fshatra me sukses. Agolli qe pjesëmarrës aktiv në aksionet e rinisë asimzenelase
dhe jehonën, frytin e tyre e ka pasqyruar në pozitë e para: “Shihni Kriston si po ecën,/Fët e fët e
gjithë gaz./ Torbën krahut e ka hedhur,/ Batanijen e ka pas…”, ose “ Në
Rrashbull e në Erzen,/ Puna, mina kënga zjarr…”
Udha poetike e tij, apo
“trëndafilishtja agolliane”, e botuar dhe e publikuar në shtypin e kohës pati
jehonë në Tiranë. Ndër delegatët e festimeve në nëntor 1951 në Tiranë, ku do
përuroheshin dhe disa vepra ndërtimore, ishte dhe bashkënxënësi ynë poeti i ri
i Argjiros, Dritëro Agolli. Poeti i shquar shqiptar e akademik, me titullin e
lartë “Nderi i Kombit”, në jetën e tij 85 vjeçare mbeti një njeri modest, mik i
rrallë, një intelektual nga më popullorët. Dritëroi është i tillë siç e thotë
edhe në vargjet e tij, të cilat do të jenë një “ushqim” vital e i shëndetshëm
për lexuesit e tij: “Dhe ky plis, ngaherë
ish i fortë,/ shkoi në Evropë brodhi në Azi,/ po nga flokët gjer në thonjtë,/
Mbeti Devolli…”
Sa poezi e shkrime me dashamirësi e të merituara i janë
kushtuar në vite Dritit. Citoj vetëm disa vargje të fabulistit Kastriot Hadëri:
“Çdo shqiptar kudo në botë,/ si bleta kur
del prej zgjoit,/ me krenari do të thotë:/ Jam nga vendi i Dritëroit!”
Dr,
Izet Çulli shkrimtar i ka kushtuar librin poetik “Kur kemi një Dritëro”, libër
unikal dhe i vetmi në Shqipëri për Agollin me vargjet e  atij libri, në 85 vjetorin e lindjes të
Dritëroit, uroj atë dhe Sadijen, Artanin e Elonën me familjet e tyre, pa
çin gëzime e vetëm gëzime: “Asaj vjeshte të tetorit,/ Nuk kish lindur
princ a mbret,/ Po kuvendari i Devollit,/ një kopshtar i madh poet…”
Jeta e Dritëroit si asimzenelas është si një ajzberg ndaj në këto
kujtime vetëm sa e kam prekur majën e tij. sa të drejtë kishte poeti i
paharruar Hysni Milloshi kur shkruante:
“Nuk është faji im që s’mundet të shpreh madhështinë e Dritëro Agollit në një
vjershë, por është “faji” i Dritëroit që u bë i madh dhe ne s’ia matim dot
lartësinë“.