Korça e serenatave nuk mund të mendohet pa festival seneratash

2049
Sigal

 

Flet kantautori Nonda Kajno, viktima e pasfestivalit të 11-të në RTSH. Ëndra ime e pare, pasioni, cilën ishin miqtë, kundërshatrët dhe roli i udhëheqësve dhe artistët e kohës. Keqardhje që pushteti vendor në Korçë nuk i jep rëndësinë e duhur kësaj tradite.

Korça e serenatave, pa festival serenatash, nuk mund të mendohet

Nga Vepror Hasani

Pas festivalit të 11-të në RTSH, ndaj artistëve të këngës nisi “Gjuetia e shtrigave” në gjithë Shqipërinë. Ishte një situatë e frikshme. Kërkoheshin viktima. Në Korçë u thirr me urgjencë “një mbledhje e posaçme” e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit. Dikush do ta pësonte. Mora vesh se unë do të isha në qendër të sulmeve. U frikësova. Isha tepër i ri. Jeta ime mund të merrte fund njëherë e përgjithmonë që nga ai çast. Do të mbetesha thjesht “askushi”, pa asnjë ëndërr dhe pa asnjë të ardhme, ashtu siç mund të mendohet një njeri i vdekur. Atë çast gjithë jeta ime po më kalonte para syve…

Ëndrra ime e parë

Ëndrra ime për këngën nisi kur isha në gjimnaz, në vitet 60-70. Në atë kohë nuk kishte televizione dhe radiot ishin të pakta, serenata mbetej ëndrra më e bukur e të rinjve të Korçës. Ndjeja që edhe unë mund të isha një serenatist i mirë, – më përvëlonte kjo ëndërr, – ndaj nisa të gjendesha gjithnjë aty ku këndoheshin serenata. I dëgjoja me ëndje, kënaqësia ime ishte e pafundme. Serenatistët mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit, kalonin rrugicave duke kënduar, u këndonin vajzave, ëndërronin të bëheshin këngëtarë të njohur. Pa e kuptuar as vetë, nisa të këndoja edhe unë bashkë me ta. “Je një nga zërat më të bukur të grupit!”, – më thanë. Vlerësimi i tyre më bëri me krahë. Kisha nisur të këndoja me serenatistët më të mëdhenj në moshë: me Ligoraq Qanon, Sotiraq Mitren, Dhimitër Hreshovën (Taqkë Karmenin) dhe më vonë, me vëllezërit Ilija, Pandi dhe Gjergj Peleshi, Nasi Kondili etj. (Si krijues të parë të serenatave, me sa di unë, janë: Loni Llogori, Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, Thoma Nashi, Kol Rodhe etj). Konkurenca ishte e fortë, vazhdimisht krijoheshin grupe të reja; dikush rezistonte, dikush dilte nga gara, por përpjekjet ishin të përhershme. Grupet e serenatistëve quheshin “Pare-ra”. Pasioni për krijimin e shoqërive muzikore buronte edhe si rezultat i emigracionit në vendet e evropiane. Emigrantët sillnin prej andej melodi dhe vargje të bukura. Malli për familjen, për të dashurën, për vendlindjen i kishte shndërruar në krijues të vërtetë. Kështu po ndodhte edhe me mua: krijoja tekste, kompozoja këngë dhe këndoja. Mirëpo, tashmë po gjendesha në një çast të vështirë, autoritetet më të larta të Korçës kishin thirrur një mbledhje të posaçme; në qendër të ciklonit do të isha unë. Nuk e merrja dot me mend çfarë mund të ndodhte, thjesht ndihesha i tmerruar. Prisja në ankth, ç’drejtim do të merrte jeta ime.

Pasioni im nuk ishte rastësi      

                

Pasioni im për këngën nuk ishte rastësi, vija nga dy prindër me shpirt artisti. Nëna ime, Izmini, ishte pasardhëse e familjes së njohur Janko Prifti. Me artisten e madhe Tefta Tashko Koço, ishin në një klasë, madje në një bankë, mike të njëra-tjetrës, ëndrrat e tyre për artin dhe këngën, ishin miqësia reale e tyre. Gjithashtu nëna ime merrte mësime edhe nga Piktori i Popullit Vangjush Mio, miqësinë me vajzën e tij, Rozeta Mion e ruan edhe sot kësaj dite. Kurse babai, Xhuvi Kajno, ishte po aq tregtar sa edhe artist, gjithnjë i gatshëm t’u gjendej pranë njerëzve të artit. Financoi me një dëshirë tejet të dukshme incizimin në pllaka gramafoni me sazexhinjtë e Korçës, dhe Qerimenë, e vetmja këngëtare femër në atë kohë. Ndaj edhe tek unë kishte zënë vend pasioni për këngën. Nuk i harroj dot emocionet e kompozimit të këngës së parë, ia kushtova një vajze të bukur me emrin Dadajka. Nuk kam provuar gjë më të bukur se kompozimin e asaj kënge, edhe tekstin e kisha të bukur. Megjithatë, në kompozimete mia të para, nuk i kushtoja rëndësi tekstit, por ndërsa e këndonim, dikush rregullonte një varg dhe dikush një tjetër, deri sa teksti i këngës bëhej po aq i bukur sa melodia. Dhe ndërsa isha duke i kujtuar të gjitha këto, dikush erdhi e më tha se “mbledhja e posaçme” më kishte vendosur në qendër të sulmeve. Nuk mbaj mend të jem ndjerë ndonjëherë tjetër më keq se atë ditë. Dhe të gjitha këto po më ndodhnin, kur unë si kantautor gjendesha në më të mirën time. Për herë të parë ndjeva keqardhje për gjithë përpjekjet e mia. Mendoja vazhdimisht që Korça të kishte një festival serenatash.

Po më sulmonin!

Deri atë çast nuk dija të kisha bërë ndonjë gjë të keqe me këngën; në kompozimet e mia nuk kishte asgjë keqdashëse, asgjë të qëllimshme, përveç asaj që më dilte prej shpirtit. Por nga ato që më thanë, kuptova se disa prej pjesëmarrësve në mbledhje po më sulmonin djallëzisht. Më akuzonin për liberalizëm, që do të thoshte mohim të luftës së klasave. Sipas tyre, kërkoja “liri absolute”, “degjenerim të rinisë”, “përpjekje për të sjellë muzikën perëndimore” etj., etj. Tashmë për ta unë isha veçse “një mikroborgjez”. Dhe të gjitha këto po ndodhnin kur mbledhja ishte ende në fillim, çfarë do të thuhej në mbyllje të saj, askush nuk e dinte. Kur mendoja se mund ta kaloja gjithë jetën në burg, dridhesha i tëri. Por asgjë s’varej nga unë. Përpiqesha të gjeja ku kisha gabuar. Shpesh mblidheshim dhe këndonim te shtëpia e një personazhi të njohur, Taqo Babuci. Ai banonte pranë shtëpisë sime, kishte shtëpi me oborr të madh. Ne mblidheshim në oborrin mbrapa shtëpisë së tij ku kishte ndërtuar një një barakë sepse punonte si marangoz. Ishte edhe qejfli i pëllumbave. Në shtëpinë e tij, vinte edhe shkrimtari Teodor Laço, i cili e bëri personazh filmi, me emrin Platon Burbuqi. Ndaj edhe “mbledhkat” që bënim te ajo shtëpi, tashmë mund t’i shihnin me sy të keq, nëse donin. Unë luaja në kitarë, ishte vegla e parë muzikore që mësova, me të nisa të kompozoj. Më vonë mësova edhe pianon. Megjithatë, në një pjesë të konsiderueshe të kompozimeve të mia, në orkestracionet e tyre kisha angazhuar kitaristë profesionistë si Edison Miso, i cili orkestroi disa prej kompozimeve të mia, si: “Korça”, “Qyteti i ëndrrave”, “Serenatë për qytetin e serenatave”, “Zemrën peng ma more”, Lermë të të puth”, “Ditë karnavalesh”, “Pa ty”, “Kam një brengë në zemër” etj.

Orkestra me tri kitara elektrike     

Në mbledhjen e posaçme, me keqdashje mund të analizohej edhe krijimi i orkestrës me tri kitara elektrike; edhe kjo gjë më trembte shumë. Në vitin 1970, kur në art dhe kultursë nisi të ndihej një farë liberalizmi, unë ngrita një orkestër të tillë. Falë suksesit që kisha patur deri atëherë me këngët e mia në estradat amatore të qytetit të Korçës, regjisori i Estradës profesioniste, z. Thimi Filipi më ftoi të këndoja si këngëtar në estradë. Ftesën e prita me shumë kënaqësi. Nisa të këndoja këngët e mia, suksesi ishte i madh, u pritën mirë nga të gjitha moshat. Të rinjtë i përjetonin me ngazëllim të veçantë. Për këtë arsye Todi Lubonja, sekretar i dytë i Komitetit të Partisë në rreth më propozoi të ngrija një grup ritmik vetëm me kitara elektrike dhe bateri. Grupin e formova shumë shpejt: në kitarë luaja unë, Vojo Memeli dhe Ylli Çekrezi, kurse në bateri, bateristi i Estradës, Agimi i Velës. Në grup kishim edhe tri vajza, të veshura sipas modës që po hynte, me pantallona kauboise. Todi Lubonja vinte në prova pothuajse çdo mbrëmje dhe na inkurajonte për suksesin që merrnim nga spektatori. Përpiqeshim të krahasoheshim me grupet perëndimore të asaj kohe. Grupi ynë u bë i famshëm, patëm sukses, jo vetëm në Korçë, por kudo që shkonim edhe në qytetë të tjera të vendit. Ishte hera e parë që në Shqipëri kishte një grup të përmasave perëndimore. Salla mbushej plot e përplot çdo natë. Altoparlantët gjëmonin. Unë kompozoja vazhdimisht këngë të reja ritmike për të rinjtë. Mendoja se kishte ardhur koha që Korça të kishte një festival serenatash, kështu vazhduam deri ditën që u thirr mbledhja e posçme për të marrë vendim ,nëse duhej të shkoja në burg ose jo.

Vendimi i mbledhjes

Më në fund mbledhja e stërgjatur mbaroi. Vendimet e saj ishte shkatërruese për mua:

Nuk do të ngjitesha më në skenë, do të më dërgonin në punët më të vështira, fati im ishte që i shpëtova burgut, edhe kjo mund të kishte ndodhur, nëse nuk do të më kishtë dalë në mbrojtje drejtori i teatrit të Korçës, Petraq Zoto, i cili ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistëve për Korçën. Pas tij kishin folur regjisori i teatrit, Thimi Filipi dhe aktori i mirënjohur Stavri Shkurti. Respekt të veçantë kam edhe për Todi Lubonjën, ish-sekretar i dytë i Komitetit të Partisë së Rrethit, njeri i thjeshtë me zemër të madhe dhe vizion, kisha përshtypjen se e admironte perëndimin. Kujtime të mira kam edhe për Mihallaq Ziçishtin, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit dhe Vangjel Çëravën, ai e donte artin, i pëlqenin këngët e mia, edhe sot është një nga fansat mi. Megjithatë, sërish nuk mbeta pa u dënuar. Për një kohë të gjatë punova në minierë dhe në bujqësi, por gjithnjë mendoja, çfarë të keqe kisha bërë. Për mendimin tim këngët e festivalit ishin të kompozuara bukur, u interpretuan me dashuri nga këngëtarët pjesëmarrës, veshjet që u përdorën në festival kishin kohë që qarkullonin në Tiranë, ndaj nuk gjeja asgjë të keqe ndër to, por ai festival pati fatin e keq: U politizua tej mase, u dhanë dënime të rënda dhe çnjerëzore, në asnjë vend të botës nuk dënohen artistët ashtu siç u dënuan në Shqipëri. Megjithatë, edhe pse m’u desh të kaloja shumë peripeci që nuk i meritoja, sot kam në arkivin tim rreth 400 këngë të zhanreve të dryshme; nga këto mbi 200 janë këngë të serenatës korçare, ky numër vjen gjithmonë në rritje. Ndërsa këngët e kompozuara muajt e fundit me tekstet e poetit Skënder Rusi si: “Korça qytet magjik i serenatave”, “Dashuri Rinore”, “Korçën linim pa gjumë”, “Rob i shpirtit tënd”, si edhe këngët më tekst të poetes Rajomnda Moisiu: “Sonte vetëm puthje dua”, “Dashuria e parë” etj; në kitarë luan i talentuari korçar, Ylli Çekrezi.

 

Korça, pa një festival serenate, nuk mund të kuptohet

 

Pavarësisht nga furtuna e pasfestivali të 11-të, serenata korçare jeton, atë e mbajnë gjallë vetë korçarët dhe emigrantët kudo nëpër botë. Kudo që kam shkuar, sa herë bie fjala për këngët e serenatës korçare, iu mbushen sytë me lot. Në Rumani, veçanërisht në Bukuresht ka një numur të madh emigrantësh nga qyteti i Korçës dhe fshatrat përreth tij, si: Drenova, Boboshtica, Dardha, Sinica, Voskopoja, Polena etj., dhe nga fshatrat e Devollit: Hoçishti, Ziçishti, Progër etj. Këngët e serenatës korçare këndohen edhe në Maqedoni; kudo që ka shqiptarë. Të gjithë janë të të njëjtit mendim. Korçës i duhet një festival serenatash. Në Bukuresht është edhe një grup i quajtur “Serenada”, me tri vajza dhe një djalë; manaxhere e grupit është deputetja e Parlamentit rumun me origjinë korçare, zonja e nderuar Ohana Manolesku; grupi ka ardhur disa herë në Korçë për koncerte, aktivitetin e tij e ka përqëndruar vetëm te serenata korçare. Ndaj është për të ardhur keq që pushteti vendor në Korçë nuk i jep rëndësinë e duhur kësaj tradite të vyer që ka Korça. Përpjekje të shumta janë bërë nga ana jonë, nga serenatistët korçarë, por organizimi i një festivali për serenatën korçare nuk është bërë i mundur. Pushteti vendor nuk duhet ta lërë në harresë këtë vlerë të madhe të Korçës. Është e nevojshme të fillojmë të bëjmë Festivalin e Serenatës, sepse do të jetë një gjallëri më shumë për Korçën, do vihen në lëvizje poetë, kompozitorë, këngëtarë, grupe serenatistësh adhurues të këngës dhe grupe te tjera, të cilët do të sjellin këngë të reja dhe do të ringjallin këngët e vjetra aq shumë të dashura për korçarët. Korça e serenatave nuk mund të kuptohet pa një festival serenatash. Sot këngët e mia kendohen nga i mirnjohuri Kastriot Tusha, Rovena Dilo, Aleksander Gjoka, Eli Fara, Mira Bregu, Grupi Ritfolk, Ermira Babali, Ermira Kola etj. Së fundmi me këngëtaren Olsa Pema dhe tekste të poetes Irma Kurti realizuam një disk me 14 këngët e mia. Bashkëpunime të suksesshme kam patur edhe me tenorin Gjergji Suljoti dhe dy kengëtarët e reja: Xherela Ballkameni dhe Ambra Kereku, para pak kohësh realizuam edhe 2 disqe me këngët e mia më të sukseseshme, njëri me titullin “Serenata për qytetun e serenatave” dhe tjetri me 20 këngë që mban titullin “Korça qyteti magjik i serenatave”. Shumë nga këngët e mia, janë në programet më të mëdha botërore. Potenciali i Korçës ështe vërtet i madh dhe i mirëpritur nga të gjithë.