Këshillat për ministrat e rinj

316

Pas ftesës  për këshillime, që bënë ministrat e rinj në  emër të modestisë, mbërrin …(Një nga) Lutje(t) e qytetarit

 Altin Allmuça

I nderuar ministër i qeverisë së re,

Pushimet e gushtit do kalojnë shpejt dhe në fillim të vjeshtës së parë do zësh karrekllën e ministrit (ose fronin, siç e thërrasin rëndom në Shqiponjëri). Tani, ti je i mençur vetë dhe i di gjërat më mirë se shumica prej nesh, por të marrësh këshilla nuk është dobësi, por forcë.   Kështu që dëgjoja dy-tri këshilla modeste zgjedhësit tënd të vockël.

Filloje çdo ditë punën, duke përkujtuar rregullin numër një: vendi yt nënkupton përgjegjësi për mirëqenien e të tjerëve dhe jo mirëqenie për ty në kurriz të të tjerëve. Mos e harro! Përkujto se gjithçka është tejet e përkohshme, kije frikë kohën, që do kalosh në karrekëll dhe kije akoma edhe më shumë frikë kohën që do vijë pas saj. I nderuar ministër, mos vidh. Ja kaq e thjeshtë është, mos vidh! Paratë e atyre që paguajnë taksa në fund të muajit, pasi u është thyer mesi në punë të lodhshme, çoji atje ku duhet të shkojnë. Ti mund ta shpiesh djalin, apo vajzën tënde të ndjekë shkollën në Amerikë, por nëse ai ose ajo kthehet për të bërë dy ditë pushime në Shqiponjëri, është njësoj i vdekshëm si çdokush, thjesht dhe vetëm sepse diku nuk është vendosur një dreq tabele, gjysmë metri katror, që t`i thotë “Kujdes, ul shpejtësinë!”.

I dashur ministri im, që je në atë detyrë i përzgjedhur që t`ma bësh jetën më të mirë dhe më të lehtë, të lutem, në vend që të blesh të ardhmen e evlatit tënd me para të pandershme, siguro për të gjithë ne një të ardhme më të mirë; fëmijët e tu do jenë krenarë për ty dhe për emrin tënd.

I dashur ministër, në punën e re që do fillosh, do kesh shoferë e shoqërues, dhe i meriton, se puna jote ka derte shumë e ngarkesë plot, por ti gjithsesi, qëndro modest dhe i përmbajtur, mos u fry më shumë se ç`duhet, sepse, siç të thashë më lart, koha kalon shpejt dhe si të gjithë ne – zgjedhës e të zgjedhur – vendin në Sharrë e ke! Nuk e di ç`është Sharra? Është një vend në perëndim të Tiranës, ku shoferi dhe bodyguard-i s`hyjnë në punë. Pra, po thoja, ti gëzoç shoferët e trimoshët, por të lutem, ministri im i mirë, mos kalo me të kuqe në semafor dhe mos bëj shumë zhurmë me sirena, kur të vish rrotull në trafik nëpër Tiranë. Nuk të bën burrë kjo; ama në qoftë se  je burrë dhe zgjidh hallet (edhe të trafikut), atëherë ke për të parë se si do ta hapin vetë rrugën qytetarët me respekt. Dakort? Mos u bëj shpellar me një mal me inferioritete. Bëhu thjesht qytetar.

Ministri im hallemadh, ja ku po të paralajmëroj, për hir të pozicionit që do kesh, do jesh shumë i kërkuar nëpër televizione dhe thonë që ai i shkretë ekran është si punë droge. S`ke të ngopur me të. Po ti, bëj si bëj dhe mos dil shpesh, ke për të parë se do të të zgjasë më shumë “kripa” e njerëzit do thonë më pak “ç`na u bë dhe ky si pare e kuqe”, ose siç thonin në Shkodër njëherë e një kohë, “venë edhe një pjatë grosh për filanin”. E kupton?

Ministri im bujar, unë e di se heronjtë janë racë që kanë emigruar prej kohësh në libra e në filma. Mos kujto që unë harroj se ti je prej mishi dhe gjaku si të gjithë ne. Edhe unë e di mirë që, nëse ti rri gjatë në diell, do digjesh, në dimër do ftohesh e do mardhësh nga ndonjë flamë virozë, dhe së fundi unë e kuptoj se po hëngre ndonjë gjellë të prishur, zotroteje (me nder teje!) do t`i vejë barku përrua, si çdokush prej nesh; këto dihen e i rrok çdo mendje. Por ti nganjëherë, vetëm ndonjëherë, bëhu trim e ktheja fjalën komandantit të madh, se edhe ai prej mishi e gjaku është dhe bën edhe ai gabime, e kupton? Mos ki frikë, komandanti i fundit i madh, ai i pagabueshmi, vdiq një ditë të bukur prilli të 1985-s, të tjerët në treg janë veç imitime. Tek e fundit s`po të kërkoj shumë. S`po të kërkoj as të ngjitësh 20 mijë shkallë në murin kinez dhe as të rrish 300 a 400 minuta në ujë, duke pllaquritur krahët pa pushim. Hë, si thua?

Tani, zoti ministër, mbase e teprova paksa e u rrëmbeva dhe ti do thuash “po ky trimoshi nga na e marrkësh gjithë këtë guxim e më llafos mua kësisoj?”. E pra, ja të them, po të drejtohem kështu, sepse hajdutë me kollare përkëtej e për andej Shkumbinit  dhe ministra deledashë kemi parë sa të hanë qentë këto 20 vite, kurse burra që t`i vënë gjoksin punës, s`para na kanë zënë sytë. Më fodullë e  injorantë që s`dinë ç`është mirësjellja e modestia, jemi deri në fyt. Ndaj nuhatja është mprehur në atë farë feje, që askush nuk e ha më sapunin për djathë, e burrat kallpë dallohen që atje tej. Kështu që zoti ministër, bëni kujdes. Bëni dhe ca pushime këtij gushti të nxehtë, andej nga jugu a nga veriu, nga të dojë zemra ty dhe mbaje mend vendin tënd kur ta shkelësh. Hajt suksese në detyrë ministri i ardhshëm, e me b… të forta, – siç i thonë –  për të mirën e punës, dhe për të mirën e një brezi që nuk i pranon më zhgënjimet! Zoti na pastë të gjithëve në mëshirën e vet!