Ja vendi që zënë këngët polifonike çame për Pavarësinë

1694
Sigal

INTERVISTA/ Flet Akademik Vasil Tole: Mihal Grameno i vlerësonte shumë këngët patriotike çame

Këto ditë Instituti i Studimeve për Çamërinë, në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë organizoi Konferencën Shkencore “Çamëria gjatë rrugës së pavarësisë”. Në këtë konferencw merrnin pjesë, studiues, diplomatë, historianë, akademikë, të cilët mbajtën tema mjaft interesante për rolin e Çamërisë në shpalljen e Pavarësisë.

Çfarë vendi zënë “Këngët iso-polifonike çame të Pavarësisë”?

Këngët popullore patriotike tw Çamërisë zënë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, duke i shndërruar ato më së pakti në një lloj autobiografie të shkruar në vargje dhe në tinguj. Në popull ato i gjejmë të përcaktuara edhe si këngë trimash, këngë burrërishte, kapedanësh dhe kaçakësh. Siç është vënë rëndom në dukje[1],  krijime të tilla janë rezultat i një frymëzimi popullor që rri përherë zgjuar, që e ka bërë zakon t’i përgjigjet çastit flakë për flakë, pasi populli është një vëzhgues e kritik i thellë. Ndër të parët shkrimtari Ismail Kadare ka konstatuar se: … në këngët popullore të Çamërisë, vizatohet e plotë fuqia kolektive e një  popullsie heroike, të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive dhe plot kolorit. Në to jepet jeta e tyre e përditshme dhe ditët e tyre të jashtëzakonshme, gëzimet dhe hidhërimet e tyre, luftërat, vuajtjet dhe së fundi tragjedinë e tyre të dhimbshme. Pikërisht, pjesë e kësaj fuqie kolektive të një populli heroik është edhe përjetimi në trashëgiminë  e tyre shpirtërore i luftërave dhe i përpjekjeve për liri, e posaçërisht për pavarësinë e Shqipërisë. Si të tilla ato nuk e riprodhojnë realitetin historik me gjuhën e thatë të dokumenteve por e pasqyrojnë atë shpirtërisht dhe artistikisht.

Po në këndvështrimin etnomuzikologjik, iso-polifonia çfarë pozicioni zë?

Siç dihet, në këndvështrimin etnomuzikologjik, iso-polifonia çame është një nga format më interesante të iso-polifonisë vokale toske. Ashtu si ajo, gjendet e kultivuar edhe si muzikë thjesht vokale por edhe si muzikë me saze, pra muzikë popullore qytetare. Pra, kur flasim për një repertor këngësh kushtuar pavarësisë, kemi rastin të flasim si për këngë iso-polifonike me iso dhe për muzikë qytetare me saze, ç’ka shpjegon popullarizimin e kësaj muzike në Çamëri dhe me gjerë. Për shkak të rrethanave historike dhe gjenocidit ndaj popullsisë çame, nuk ka qenë e mundur që trashëgimia muzikore iso-polifonike e Çamërisë së pari të mblidhej në vendin e origjinës dhe së dyti kjo traditë të mblidhej edhe në kontekstin e saj muzikor, pra të regjistrohej edhe si muzikë edhe si tekst. Gjithsesi, me mbledhjet që i janë bërë kësaj trashëgime pas vitit 1945, si nga studiuesit vendas dhe ata të huaj (ku ndër ta përmend folkloristin e shquar Fatos Merro Rrapaj, Prof. Ramadan Sokolin si dhe çiftin e etnomuzikologëve gjermanë Shtokman), është bërë e mundur që sot të kemi një pamje shumë më të qartë të kësaj trashëgimie.

Sa origjinale është muzika popullore e Çamërisë?

Pavarësisht mbledhjeve të vonuara të saj, krijimtaria muzikore popullore e Çamërisë ishte dhe mbetet sa origjinale e krahinore, e po aq pjesë e trungut të repertorit muzikor tradicional shqiptar. Ndër dëshmitë e para të shkruara në lidhje me popullaritetin e këngëve iso-polifonike çame të Pavarësisë, flet Mihal Grameno. Patrioti dhe shkrimtari Mihal Grameno, në librin e tij “Kryengritja shqiptare”, kreu IX, “Proklamimi i lirisë”, përshkruan përjetimin e thellë emocional që i shkaktoi interpretimi i një kënge popullore patriotike çame në vitin 1909: … kënduam për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, e të tjera këngë trimore, kur Çerçizi (bëhet fjalë për Ccerçiz Topullin-shënimi ynë), ngrihet edhe na mbledh të gjithë në valle duke kënduar këtë këngë:

Shqipëri, moj Shqipëri, Shqipëri pesë’ Vilajete/ Pse s’u përpoqe për vete, po për shumë ti milete! etj. 

U mallëngjyesh kaq tepër nga kjo këngë, e cila më pikëllojti në zemër, sa nuk durova dot, po u hoqa mënjanë edhe, pa dashur, zura të qanj si nonjë foshnje! Është gjithashtu e vërtetë se kjo valle e kënduar ka një përhapje në gjithë Shqipërinë e Jugut, por realisht intonacionet e melodisë së saj, e çojnë origjinën e krijimit thellë në Çamëri, aty ku ndihej akoma më e fortë drama e copëtimit të Shqipërisë. Ja se si paraqitet kjo këngë[2] në variantin çam:

Shqipëri, tre vilajete

Në mes të kraleve mbete,

Sikush të kërkon për vete

Ca rigata pa edepe,

I thonë sulltanit “jepe”!

Le ta dijë gjithë Evropa:

Nuk bëhemi copa-copa

Për serbër, grekër bullgarë,

Se na jemi shqipëtarë,

Barutin me dhëmbë e hamë!.etj

Kush është në qendër të këtyre këngëve polifonike çame?

Në qendër të këtyre këngëve iso-polifonike çame të Pavarësisë janë figurat e udhëheqësve popullorë, në jug e veri duke filluar nga Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Selim dhe Ismail Qemali, trimat dhe patriotët çame si: Hasan Tahsini, Abedin Dino, Rexhep Demi, Maksut Veli, Vangjel Theodhoriu-shqipëtari, Abedin Madan Muharremi  (i njohur si dëshmori i parë i Pavarësisë, rënë në përpjekje me andartët grekë në fshatin Pleshavicë të Filatit më 20 nëntor 1912), Hasan Hania, Memo Haruni, Refat Mehmeti, Subi Llano, Isa Shano, Memo Bushi, Tahir Zeqo, Muharrem Rushiti, Osman Taka, Çelo Mezani etj., për të cilët kënga çame thotë: Jorgo, dhëndër i Rusisë/ ti s’njeh djelmt e Çamërisë/ që për nder të Shqipërisë/  e marrin plumbin në sisë. Këngët çame i këndojnë edhe trimave të tjerë shqiptarë si: Zenel Gjonleka, Rrapo Hekali, etj.. Në thelb, këngë të tilla ushqehen nga dashuria për vendin, për gjuhën, traditat dhe ç’do gjë tjetër të përbashkët. Për to, me kohë është konstatuar se në përmbajtjen e tyre zbulohen proceset e zhvillimit të kombit. Kjo këngë është një nga rastet kur krijimet krahinore priren ndaj horizontesh politike, që përputhen gjithmonë e më shumë me një vullnet të përbashkët kombëtar, duke bërë që historia e kombit të ngjizet nga historia e gjymtyrëve të tij[3]. Duke filluar nga vitet `30 të shekullit XIX, kur zë fill lëvizja e Rilindjes sonë kombëtare, të cilës i prijnë luftwrat e popullit kundër reformave të Tanzimatit, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe deri te shpallja e pavarësisë, këngët tona popullore ndër to edhe ato të Çamërisë u bënë dëshmi e sakrificave të mëdha të popullit dhe të heronjve të tij.

Kush janë krijuesit e këtyre këngëve?

Të krijuara nga rapsodët popullorë çamë, nga përjetuesit dhe pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të ngjarjeve historike me qëllim që të përcjellin mesazhin e tyre, këto këngë vënë në dukje unitetin e popullit tonë, meqë në rrethana të tilla bëhej më e qartë vetëdija kombëtare dhe qëllimi i luftës së tij. Sigurisht që në jetëgjatësinë e këtyre këngëve ka luajtur rol edhe fakti që rapsodët[4] e konsideronin veten si ustallarët që para se t’i vinin themelet këngës i latojnë e i latojnë gurët, i gdhendin mirë që muri të dalë i fortë.

Me të drejtë, Prof. Ramadan Sokoli[5] ka konstatuar se krijimtaria popullore rrjedh, lëviz e nuk qëndron amull. Koha sjell vazhdimisht ndryshime në trajtën dhe në përmbajtjen e këngëve por sidoqoftë mbetet shtrati i vjetër. Nga përpunimi i tyre i pareshtur, nga elementet dhe nga shtresat e mëvonshme që rëndom ua mbulojnë shtratin e vjetër, disa këngë të lashta mund të duken si krijime të vona. Sipas Ernest Koliqit: … nji kangë popullore nuk len përnjiherë, por herë mbas here; venitet e bje, mandej e merr veten: zakonisht len përsëri në secilën gojë që e këndon. Kanga që mbërrinë kultim e përsosunisë, mbas gjumesh të randa e zgjimesh, pranohet që te bahet pjesë e pajës shprehëse kombtare, e kristalizueme në nji trajtë që në njëfare mënyre mbetet e pandryshueshme, sepse të gjithë, gati në mënyrë bestytnore, respektojnë fazën e fundit të shndërrimit. Po kush mundet me e dallue, mbas ndryshimesh të pafund që pësoi kanga, tue shkue gojë me gojë e lagje me lagje, tekstin fillestar me të cilin nisi fluturimin e gjatë? Para se me marrë vulën përfundimtare të artit popullor, të gjithë i dhanë diçka: dikush nji varg të plotë dikush nji emistik, dikush nji epitet, dikush nji folje ma kumbuese e dikush nji hoke shprehëse e cila e ndriçon prej fillimit e deri në fund. Shumë shpirtna derdhen në të të rrahmen e nji çasti hiri poetik. Por, prej mija kangësh që lejne pa pra, ndoshta vetëm nji ka privilegjin me mbetë gjallë e me gjetë vendin e përhershëm në mbledhtoren e hartimeve poetike popullore të deja me u ruejtë e me u lanë trashëgim brezave që ndjekun”.  Ndër këto këngë që kanë mbetur ende gjallë si “Kryevepra shpirtërore të Çamërisë” janë edhe këngët iso-polifonike të Pavarësisë, aq aktuale edhe sot për mesazhin e tyre liridashës.