Sigal

Ishte mbrëmje, një natë gushti,

Muzgu binte ca nga ca,

Rruga bosh,vetëm dy pleq,

Ecnin rrugës krah për krah.

Ecnin edhe pëshpëritnin,

Natyrisht s’e di seç thonin,

Tek vinte një muzikë dasme,

I bënte të fluturonin.

Nga lokali ndanë rrugës,

Valle nuses ndizej flakë,

Ndalën hapat të degjonin,

Një plakush edhe një plakë.

Ndalën hapat, veç muzikës,

Nuk ndihej asgjë në udhë,

Befas plaku afroi plakën,

Dhe e puthi mu në buzë.

Plaka shtangur, grisi faqet,

U skuq sikur mori flakë,

Ç’bën kështu, na turpërove?!

U tërbua burri plak?!

Por dhe plaku nuk duroi,

“Mblidhe, moj mendjen e kokës,

Se unë plakën time putha,

Nuk putha plakat e botës!

Plaka fol, e plaku fol,

Ballëpërballë të dy në rrugë,

Pak më tutje valle dasmës,

Hapej tutje nëpër muzg.

Ish një mbrëmje, një natë gushti,

Hënë e plotë, hënë e bukur,

Dhe dy pleq në anë të rrugës,

Grindeshin për një të puthur….