Irini Qirjako: Në Gjirokastër me shoqatën “Labëria” jam ndjerë e privilegjuar

537
Sigal

PERSONAZH/ Irini Qirjako: Kur këndoj polifoninë labe më duket se lidhem me qiejt

Ajo ishte ndër të paktat femra në Kuvendin e V të Shoqatës “Labëria”. Tashmë pjesëmarrja e saj në aktivitete e kësaj shoqate është bërë e padiskutueshme. Në muajin dhjetor 2013 “Mjeshtres së Madhe” Irini Qirjako ju dha titulli special “Mirënjohje e Labërisë” së bashku me ish- Presidentin Alfred Moisiu, “Nderin e Kombit” , Reshat Arbana, aktorin e madh Mirush Kabashi, etj… Ajo këndon labçe si labet, por në këngë të veçanta ajo e kthen polifoninë në magji, sa duket sikur gurgullon ujë i kristaltë nga malet e bukur të Labërisë martire.

Kërkesat janë të shumta do bëjë pushime këtë vit Irini?
Le të shpresoj, pasi ashtu siç thatë dhe ju kërkesat janë të ndryshme në aktivitete brenda dhe jashtë Shqipërisë. Disa edhe i refuzoj për shkak të kufizimit të kohës.
Për pushime cilin vend preferoni?
Sigurisht,jugun e Shqipërisë prej dhe nga jam. Deti i kaltër dhe i thellë, deti i pastër gjithmonë më magjepsin. Mund të them se jugu ynë ka vende të mrekullueshme për pushime për shumë arsye. Edhe ushqimi ynë tradicional ka vendin e vet në pushimet e çdo kujt.

Ju ishit pjesëmarrëse dhe në Kuvendin e 5 të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, si u ndjetë?
Jashtëzakonisht mirë. Një aktivitet i bukur, plot ngjyrë, emocion. Një Gjirokastër që shkëlqente nga pastërtia, një pritje madhështore, ambient i shkëlqyer. E them me bindje që organizime të tilla, pak bëhen pasi duan angazhim, seriozitet, punë, por dhe financim. Këto aktivitete mund t’i bëj vetëm një shoqatë si ajo “Labëria”, e cila është e shquar në këtë drejtim. Ftesa e tyre për mua ishte një privilegj dhe një vlerësim i madh.

Përse?
Pasi aty pashë ish- presidentë, ish -kryeministra, ministra, deputetë të të gjitha ngjyrave,pashë akademikë, pashë profesorë. Pra ishte mbledhur gjithë mendja e Shqipërisë. E si të mos ndihesh e privilegjuar mes këtyre njerëzve?

Ju keni marrë dhe një vlerësim special nga Shoqata “Labëria”…
Pra në vazhdën e kësaj dekorate ishte dhe ftesa që më bënë për Kuvendin e % në Gjirokastër. Në vlerësimin e Shoqatës “Labëria”, jam ndjerë si labe (qesh). Si mos më mirë. Ndihem si të jem labe dhe pse jam minoritare. Ndihem si labe pasi këngët labe më kanë dhënë famën në të gjitha skenat e botës. Ndihem si labe pasi popujt e duan njëri-tjetrin, pasi popujt i shkëmbejnë kulturat mes njëri-tjetrit. Kjo dhuratë që më bëri Shoqata “Labëria” në prag të Vitit të Ri mbetet për mua një shtysë për ta çuar më tej këtë këngë të veçantë të mbrojtur nga UNESCO. Me këngën labe kudo në botë janë çuar në këmbë dhe më kanë duartrokitur si askund. Është kënga që më është futur në shpirt, më relakson, më jep ndjesi të veçantë. Vlerësimi i Shoqatës “Labëria” më ka befasuar, por dhe stimuluar.

Ka 3 vjet që në Shqipëri është zhvilluar Festivali i Këngës Popullore qytetare. Mendimi juaj?

Një hap i bukur, serioz, mëse i domosdoshëm. Për mua përbën një risi. Risi për shumë arsye, por kryesorja pasi startoi për herë të dytë. Ishte një ndër 10 pjesëmarrëset e këtij viti, ku mora një frymëmarrje të re me harmoninë me orkestrën. Ndoshta me këtë Festival mora një dafinë më shumë, në kulmin e pjekurisë. Ky Festival, i mungonte Shqipërisë, por kompozitorët, orkestrantët, regjisorët, dirigjentët shqiptarë dinë të bëjnë gjetje, dinë të sjellin risi.

Por mua më ka mbetur në mendje një këngë e veçantë e juaja, para shumë kohësh në një recital të veçantë të kompozitorit Enver Shëngjergji?

Edhe unë e kujtoj me nostalgji atë recital. Në këtë Recital të kompozitorit të dëgjuar Enver Shëngjergji “Një tufë lulesh kam për ju”, (para dy vjetësh) unë këndova këngën “Ç’po qëndis moj Marigo”. Isha ndër të parat që e përgëzova kompozitorin Enver Shëngjergji për këtë nismë. Ai kishte kohë që i kishte munguar skenës dhe duhet ta thoshte sërishmi fjalën e tij, punën e tij. Me këtë rast këndova një nga këngët më të bukura, më të pëlqyera të repertorit. Kjo këngë flinte brenda, ishte një dëshirë shumë e fuqishme ta këndoja sërishmi. Pra, po rifreskoja këngën “ç’po qëndis moj Marigo”. Këtë këngë e kam kënduar para 27 vitesh në ansambël dhe që atëherë ajo u bë një këngë hit, kryevepër ku ka qenë Drejtor Limoz Dizdari. Gjithmonë e kam pasur ëndërr se kur do ta rivendosja përsëri në skenë. Këtë këngë e kam kënduar për herë të parë në kohën e monizmit në vitin 1985. Kjo këngë pati një sukses të jashtëzakonshëm në publik sepse ishte këngë e bukur. Kjo këngë ka një ndjeshmëri të arrirë.
Pse nuk është kënduar kaq kohë?
(Ajo ngre supet). S’e di pse nuk është kënduar asnjëherë! Për arsye të neglizhencave të drejtuesve artistikë, apo…?!. Erdhi momenti që e realizova.
Kjo këngë ka një harmoni perfekte. Teksti dhe muzika ecin si valë. Si puhizë. Kanë një ëmbëlsi që të befason. Bëhet fjalë për qëndistaren e flamurit. Kjo këngë i kushtohet pavarësisë së Shqipërisë kur u ngrit flamuri. Marigoja është qëndistarja e saj. Ndaj e kam kënduar me shumë dashuri këtë këngë. Ishte e lumturuar kur ma besuan ta këndoja. Ajo të jep forcë. E kam në imagjinatën time Marigonë. Atë femër vitale, të fortë, që me ditë e net të tëra qëndisi flamurin e pavarësisë. Ajo përjetësoi pavarësinë, por më shumë se aq, Pavarësia e bëri të pavdekshme atë. Lexo tekstin, dëgjo muzikën dhe shkon në qiellin e shtatë. E këndon shpesh me vete këtë këngë, në shtëpi, në rrugë, kur është në lëvizje…
Ç’po qëndis moj Marigo
Nën qerpik të syrit, o
Në dorën e zemrës, o
Lule fushe e lule mali
Lule që një prill i fali
Shoqe moj, motra moj

Ajo e dashuron shumë këtë këngë.

Shoqëria shqiptare dhe femra
Eh, shoqëria shqiptare…Një shoqëri ku femra ende nuk e ka zënë vendin e duhur në jetë, sepse maskilizmi është shumë i fuqishëm dhe dominon. Duhet akoma shumë. Femra duhet të jetë vetë e fuqishme. Ajo si person nuk e ndjen vetinë e maskilizmit sepse e përballon çdo gjë vetë sepse edhe skena e lartëson aq shumë saqë ndjehet në vendin e duhur. Ka shumë femra që janë shumë të talentuara që janë shumë të zonja, por që nuk kanë mundësi. Fajin kryesor, Irini ia vë vetë femrës. Ajo duhet të luftojë. Në qoftë se ne nuk luftojmë vetë në maksimum, askush nuk kujtohet. Është si puna e fëmijës me nënën, që i jep gji kur ai qan… Politika tek ne është ende e paformuar, diletante, thekson ajo. Kjo ndihet më shumë tek femrat.