INTERVISTË NGA SHBA ME VALBONA PERAJ

623
Valbona Peraj : Dashuria është një livadh ku kullosin Gomarët

E bukur, e dashur, seksi, me një buzëqeshje të ëmbël që e karakterizon gjatë gjithë kohës, me një karakter të fortë por shpesh herë e shikon dhe si një lozonjare të vërtetë e llastuar në maksimum, por mbi të gjitha e talentuar dhe me një timbër zëri të veçantë. Ajo ka vite që këndon live dhe prej kohësh ajo jeton në Amerikë ku dhe vijon karrierën e saj. E kam fjalën për këngëtaren simpatike shkodrane Valbona Peraj. Valbonën të gjithë e njohin në aspektin profesional dhe atë artistik por ajo ka vendosur që për herë të parë të rrëfehen në një këndvështrim krejt ndryshe për adhuruesit e saj . Valbona ka vendosur të vijë në një intervistë ekskluzive krejt ndryshe nga herët e tjera për gazetën “Telegraf”. Le ta njohim në dimensionin e dashurisë për të gjithë ata që janë kureshtarë të dinë se ç’bëhet në jetën e saj private. 

A të kujtohet dashuria e parë?
Patjetër që po. {qesh} 

Dashuria, zbulim apo zhgënjim? 
Në fillim është diçka e re dhe mund ta quash zbulim, ndërsa në realitet është një zhgënjim.(nëse bëhet fjalë dashuri në çift). Madje mendoj se dashuria e vërtetë ekziston nëpër filma dhe jo në realitet. Dashuri, sipas mendimit tim, është kur duan të dy në të njëjtën mënyrë dhe kjo nuk ndodh në asnjë lidhje. Ka dashuri të njëanshme por rrallë, është e vështirë që të gjesh një dashuri reale.

Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë? 
Nëse ti je e sigurt që personi për të cilët ti po këmbëngul, ka ndjenja të sinqerta,të njëjta me ty, patjetër që të këmbëngulësh, që mos të largohesh me brengën e fajit pse nuk e provova. Shpesh herë ne provojmë aq shumë sa dalim nga vetja dhe në fund lind pyetja a ja vlejti e gjithë kjo sakrificë apo këmbëngulje. Por të them të drejtën unë kam këmbëngulur disa herë, por në fund rezultati ka qenë i njëjtë (Ndarja).

Të biesh në dashuri? 
Më kujtohet një libër ku thoshte : Dashuria është një livadh ku kullosin gomarët. Ndoshta jam rritur para kohe, dhe të them të drejtën nuk e kam ndier veten me fat në dashuri. Nuk do të thotë të kesh shumë meshkuj që të vinë nga pas për të fituar zemrën tënde por di të them që meshkujt janë shumë të dobët dhe pak dinë të fitojnë zemrën e një femre. 

Të biesh në dashuri një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht? 
Edhe pse në pamjen e parë të gjithë ne që bëjmë jetën e artit, ku takojmë lloj lloj njerëzish lloj lloj kategorish dhe karakteresh, për ne që duket që është e lehtë por ta them të drejtën jam e sigurt që jo vetëm për mua por për të gjithë artistët është shumë e vështirë që të kesh një marrëdhënie apo të krijosh një familje dhe ta mbash atë. 

Strategjia e joshjes. Cila është jotja?
Ka dy lloj kategorish femrash. Një që lind sexy dhe çfarëdo që të bëjë është joshëse për meshkujt, e një që shtiret e bën lloj lloj marifetesh për të rënë në sy të dikujt. Nuk e kam konsideruar asnjëherë veten e bukur por të them të drejtën nuk kam ndjekur ndonjë metodë të veçantë për të bërë dikë për vete ose për ti rënë në sy dikujt, thjesht jam vetvetja.

Shqisa më e rëndësishme në dashuri ? 
Personaliteti. Bota thyen çdokënd dhe më pas disa janë më të fortë në pjesët e thyera. 

Të ndërrosh fustanin pesë herë para se të dalësh është shenjë dashurie? 
Për mua është kur nuk ndihem mirë me kilogramët e mia. 

Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? 
Nuk besoj në dashuri me shikim të parë, por shikimi është pikënisja e pëlqimit midis dy personave. Nëse ky pëlqim ushqehet mund të kalojë në dashuri. Një person po nuk e njoha, po nuk e preka, po nuk më mori malli për ta parë, për të folur, po nuk e ndjeva mungesën e tij nuk mund të them që është dashuri, dhe kjo s’ka mundësi të ndodhë vetëm me një shikim. 

Apo më e menduar? 
Dashuria dhe arsye thonë që flenë të dyja në të njëjtin hotel(mëndja) por kur vjen njëra ikën tjetra. 

Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta? 
Pasi fillon të biesh në dashuri është seksi kjo do të thotë që është pjesë e dashurisë pra është diçka por jo gjithçka. 

Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?
Dashuria ti vë një perde logjikës dhe arsyes dhe ti shkon kundër rrymës edhe pse në fund të ndodh që të zgjohesh nga kjo ëndërr pak sa e trazuar me të këqijat dhe të mirat e saj. Pasi është mirë të biesh në dashuri edhe pse dashuria të çon të besh një mal me gabime. 

Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave? 
Dy njerëz i bashkon mëndja e njëjtë dhe jo karakteri i njëjtë. Ata mund të kenë një rrugëtim të gjatë bashkë dhe madje të lumtur dhe kjo nuk do të thotë se është dashuri në çmenduri por mirëkuptim dhe respekt i ndërsjellë ,se në fund të fundit lind pyetja se çfarë është në të vërtet dashuria? Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim? Partneri i përshtatshëm për mua ,pasi nuk mund të them ideal se ideali nuk ekziston pasi dhe unë nuk pretendoj që të jem ideale), mendoj që duhet të kuptohem pa fjalë por në 80% të rasteve me shikime dhe me gjeste të ndërsjella. Kam mësuar se nuk kalohet jeta duke dhënë shpjegime ..

Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
Jeta është si një filxhan kafeje mikja ime, ndonjëherë e ëmbël e ndonjëherë e hidhur. Nuk ka rëndësi shija e kafesë por me kë e pi. Unë nuk jam Hirushe dhe as nuk pres princin të më vijë me kalë, por as nuk besoj në filmat dhe përrallat me mbret. Në dashuri, thonë, që më mirë të të duan, se sa të duash. Më mirë merr një zemër, se sa të japësh zemrën tënde e të vraposh gjithë jetën në kërkim të saj. Unë, nëse ndihem mirë, e vlerësuar, e respektuar, kjo mua më mjafton ,se dashuria e vërtetë vjen gjatë kalimit të kohës. 

Je xheloze në dashuri? 
Të them të drejtën di ta fsheh xhelozinë time, pasi ajo është armiku kryesorë në një lidhje. Xhelozinë mund ta rendís si një nga shkaqet kryesore në divorcet e çifteve e madje kur janë të dashuruar dhe të sinqertë në maksimum me njëri tjetrin .Xhelozia po erdhi nuk ikën është një dhimbje që ndahet mes 2,3 apo më shumë personave. Unë jam e lënduar nga xhelozia por mësova ta vras me heshtje. 

A ke mbyllur ndonjë lidhje dashurie për shkak të xhelozisë? 
Nuk e kemi në dorë apo nuk kemi mundësi të zgjedhim çfarë njerëzish do të takojmë në jetë, por kemi në dorë të vendosim, cilët të mos takojmë më. 

Çfarë ju gëzon dhe frikëson njëkohësisht në një lidhje?
Unë aktualisht jam “vetëm”, por ma besoni ama se aq shumë po e shijoj këtë gjë, se jam e dashuruar vetëm me djalin tim. Dimë që zjarri lë hirin, deti fundosjet dhe dashuria lë kujtimet. Gabimet bëhen për të mësuar prej tyre e jo për t’u përsëritur.

Dashuron shumë apo mesatarisht? 
Femrat në përgjithësi asnjëherë nuk ia shprehin ndjenjat një mashkulli, duke menduar se ai duhet të jetë i pari që të shprehet. Meshkujt e vërtetë shpesh kanë frikë të shprehin ndjenjat e tyre, sepse mendojnë se mund ta humbin edhe shoqërinë e vajzës që ndien për të. Kështu disa histori fantastike dashurie përfundojnë pa filluar akoma. 

Intervistoi: Era Çela
Sigal