Institucionalizimi i thesareve të Nolit, një mundësi e re për t’u shfrytëzuar nga të gjithë

525
Sigal

Përurohet Qendra Kulturore e Bibliotekës “Fan Noli” dhe salla e konferencave në kishën e Shën Gjergjit në Boston

Këto ditë kisha shqiptare e Shën Gjergjit nëBoston, pati dy ngjarje të shënuara: në kuadrin e 100 -vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë u përurua Qendra Kulturore e Bibliotekës ” Fan Noli” si dhe salla e konferencave. Këto dy ngjarje mblodhën në mjediset e kishës më shumë shqiptarë se në meshat e zakonshme. Kishin ardhur aty jo vetëm besimtarë të krishterë, por edhe myslimanë, katolikë e bektashinj. Në këtë kishë, ndoshta më shumë se në çdo kishë tjetër shqiptare, kufijtë e fesë janë pak të dallueshëm. Kjo i ka rrënjët 100 e ca vjet më parë kur themeluesi i saj, Fan Noli,vuri në themel të kishës, dy parime kryesore: fenë dhe shqiptarizmin. Kjo traditë vazhdon edhe në ditët tona, pasi në gjurmët e Nolit, ecën edhe kancelari i sotëm i kësaj kishe, At’ Artur Liolini. Kishte vite që në mendjen e tij rriheshin mendimet për ngritjen e Qendrës Kulturore si dhe sallën e konferencave. Tashmë, në kuadrin e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, 100- vjetorit të laurimit të Nolit si dhe 10 vjetorit të emërimit të peshkop Nikonit në këtë kishë, këto ide u bënë realitet. Për të marrë pjesë në këto ngjarje të shënuara si dhe përurimin e zyrave të administratës së kishës e të kopshtit të lutjeve që u bënë po në të njëjtën ditë, kishin ardhur shqiptarë jo vetëm nga Bostoni e rrethinat e tij, por edhe nga Michigani, Pensivalia, Nevv York-u, Torontoja, Tirana e Prishtina si dhe miq amerikanë. Në këto përurime, mori pjesë edhe peshkopi i katedrales së Shën Gjergjit, Nikoni, kancelari i saj  At’ Artur Liolini si dhe klerikë nga kishat ortodokse shqiptare të shtetit tëMassachusetts, etj.. Duke bekuar ato, peshkop Nikoni theksoi se kjo qendër do të mbrojë si një gjë të çmuar arkivin Nolian, që t’u vlejë brezave të sotëm si dhe atyre që do vijnë. Në përshëndetjet që u bënë në mbarim të meshës, folën  mjaft pjesëmarrës, ndër të cilët ish  ambasadori Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Vatikan si dhe ish kryetari i bashkisë së Bostonit, Ray Flynn. Qendra Kulturore dhe salla e konferencave, janë dhuratë e zonjës Geraldine Adams Sheffer (me origjinë shqiptare) në kujtim të prindërve të saj, Guri dhe Efigjeni Athanas Adams. Ajo është lindur e rritur në Amerikë, por në dejet e saj rrjedh gjak shqiptari. Ishte ky motivi që e nxiti të bëjë këtë dhuratë. Qendra ka mjedise pune, fotografi, dokumente, relike, kompjuter, etj..  Ajo do të mirëpresë admirues të Fan Nolit, vizitorë, bashkatdhetarë, shqiptarë të kudondodhur, etj. Aty do të mbahen konferenca, simpoziume e tavolina të hapura me tematika të larmishme, nga krijimtaria e Nolit dhe krijuesve të tjerë shqiptaro-amerikanë, nga komuniteti i vjetër dhe i ri. Vëmendjen e vizitorëve në Qendrën Kulturore, e tërhoqi videomontazhi i përgatitur për jetën dhe veprën e Nolit, nga studiuesja dhe arkivistja , Neka Doko. Në afro gjysmë ore material, pasqyrohet jeta dhe vepra e Nolit. Një pjesë e mirë e dokumenteve, janë marrë në Universitetin e Harvardit në Boston, ku është lauruar Noli në vitin 1912.- Ky videomontazh , më ka lodhur shumë, thotë Neka, por njëkohësisht më ka dhënë një kënaqësi të veçantë. Në të ardhmen do të realizojmë punë të tilla për figura të tjera të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan , duke vazhduar me Faik Konicën e më pas me figura të tjera. Një thesar i çmuar afër Qendrës Kulturore, është biblioteka e Fan Nolit, e cila u vizitua atë ditë nga mjaft pjesëmarrës. Sistemimi dhe dixhitalizimi  i saj , ka qenë një punë tjetër me vlerë që është bërë këto vitet e fundit nga Neka Doko. Biblioteka është ndarë në dy hapësira jo shumë të mëdha për nga sipërfaqja por me shumë vlerë për materialet që përmbajnë. Pjesa e parë ka në fondin e saj libra fetarë e historikë të përdorur nga Noli. Këtu të bie në sy edhe bibliotekëza e Nolit, të cilën ai e ka përdorur shumë. (Ajo që duket në foto.) Krahas librave fetarë të përdorur nga ai, sidomos në vitet e para si peshkop, janë vendosur edhe përkthimet e tij të bëra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Poe,Omer Kajami, etj..Pote pjesa e parë e bibliotekës, janë vendosur libra të fushave të ndryshme si të historisë, filozofisë, artit , kulturës, etj.. Shumë nga këto libra, i  janë dhuruar bibliotekës nga studiues të huaj si gjermanë, austriakë, francezë, kanadezë, etj..Pokëtu ka libra të studiuesve shqiptarë , botime të komunitetit shqiptar në Itali,revista periodike, duke filluar nga vitet 1920, etj.. Ndër reliket e rralla të vendosura këtu , janë edhe poltroni i Nolit, i përdorur nga ai sidomos në vitet e fundit të jetës, kur u rëndua nga mosha si dhe kamillafi i tij. Te pjesa e dytë e bibliotekës, të bien në sy sidomos librat e përdorur nga vetë Noli. Në çdo faqe të tyre, janë gjurmët e gishtave të tij. Ato kanë qenë një “ushqim” i pazëvendësueshëm gjatë gjithë jetës së Nolit. Këtu ka gjithashtu  botime shqiptare si fjalorë të gjuhës shqipe e gjuhëve të tjera në shqip, dhuruar nga autorët dhe lexues, botime me temë shqiptare të bëra në Amerikë, letërsi shqipe e shqiptaro-amerikane. Midis tyre janë librat e shkruar për jetën dhe veprën e Nolit nga shkrimtari ynë i njohur, Nasho Jorgaqi, etj.. Një thesar i veçantë i vendosur te kjo pjesë e bibliotekës, janë letrat e Nolit, dorëshkrimet e fotot e rralla , të cilat zënë disa rafte. Librat e Nolit  kanë filluar të dixhitalizohen e kjo punë do të vazhdojë edhe me dorëshkrimet e rralla të bibliotekës. Nëpërmjet mikrofilmave, të interesuarit do të zbulojnë se çfarë materialesh të panjohura ndodhen në arkivin dhe bibliotekën e Nolit , për t’i përdorur ato për qëllime studimore e kërkimore. Kërkesat e të interesuarve , do të plotësohen sipas rregullores të përcaktuar. Studimet e reja , do të kthehen të pasuruara në origjinën e tyre, në radhën e katalogëve dhe sistemit informativ të bibliotekës dhe arkivit të Nolit. Pra, ajo do të jetë një bibliotekë e gjallë dhe bashkëkohore, siç do ta kishte ëndërruar vetë Noli. Në mbarim të veprimtarisë, i kërkuam të na japë mendimin e tij për këto dy përurime si dhe punën e bërë për bibliotekën, kancelarit të kishës së Shën Gjergjit, At’ Artur Liolinit , i cili na tha: “Enciklopedia etnike”, e botuar nga Universiteti i Harvardit, e ka quajtur bibliotekën Noliane, thesari më i çmuar albanologjik në hemisferën perëndimore. Ne e shohim si detyrë që ta mbrojmë dhe ta vëmë atë në shërbim të brezave të sotëm e të nesërm. Për këtë qëllim,Qendra e re Kulturore do të ketë lidhje me qendra të ndryshme arsimore e akademike në Shqipëri , Kosovë, Amerikë, etj. Me këtë rast unë dua të falënderoj ata që kontribuon me ndihmat e tyre për ngritjen e Qendrës Kulturore, zyrave të administratës së kishës si dhe kopshtin e lutjeve. Kështu do të veçoja kishat shqiptare në Uster  dhe katër kisha në shtetin e Massachutsses, të Nju Jorkut, dy kishat në Filadelfia,Detroit, Kleveland, Xhamestoun dhe Konektika. Një ndihmë të veçantë dhanë George dhe Dolores Stevans si dhe Geraldina Adams Shefer , të cilëve u jemi mirënjohës”.

Fuat MEMELI, Boston