HASAN ÇAPARI – MJESHTRI I HARMONISË SË NGJYRAVE

951
Sigal

Luan Rama

Ndër emrat e piktorëve shqiptarë që pavarësisht kohështrirjes së krijimtarisë në dy sisteme politikë, ia kanë dalë suksesshëm të ruajnë kohezionin e përjetimit artistik dhe materializimin e tij në veprën artistike, është padyshim edhe Hasan Çapari.

Pa cënuar karakterin dhe tipologjinë e krijimtarisë së vet, por edhe duke i përveçuar ato bindshëm dhe cilësisht në rritje, përmes një harmonizimi mjeshtëror dhe me shumë elegancë të ngjyrave, tablotë, peizazhet, por edhe portretet e tij të imponojnë një vëmendje të veçantë e të provokojnë, të joshin me një spontaneitet të habitshëm të gjesh në to një realizëm romantik si në poezitë e Naimit, e po aq, heraherës edhe një lloj impresionizmi që vjen natyrshëm në kohë e qëndron bukur.

 

Hasan Çapari ka tonin e vet, të cilin duke e përdorur në funksion të mishërimit të idesë artistike që do të shprehë apo të theksojë, ia arrin të imponojë atë që do ai të ndjejmë kur ne shohim punët e tij.
Kjo padyshim që është një zotësi që jo çdo piktor di ta shfaqë.

Jeta e Hasan Çaparit është në veprën e tij, e gjitha e derdhur mbi telajo, mes ngjyrash që na sjellin motive jete e dashurie për dheun e të parëve të tij në Çamërinë tonë të bukur, por po me aq dashuri e frymëzim ka realizuar ai motive nga i gjithë atdheu ynë, të cilit iu dedikua pa asnjë rezervë me artin e tij, si një emër dinjitoz e përfaqësues i një brezi që bëri art të madh.