Hamza Nurçe, ushtarak dhe luftëtar i çështjes kombëtare

652
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
“Kurrë nuk mund të jesh ushtarak i mirë, po t’u venitën ndjenjat atdhetare”
(Në kuadrin e 90 vjetorit të vdekjes)
Lindi dhe u rrit në një familje të varfër fshatare, por të ndershme dhe atdhetare në Ramicë, Smokthinë të Vlorës në vitin 1895. Që në moshë të re, në kontakt me njerëz përparimtar e arsimdashës të kohës, ai mësoi në mënyrë autodidakte të shkruaj, të lexojë në gjuhën amtare. Në ndikimin e ngjarjeve të mëdha historike për pavarësinë e Shqipërisë, u ushqye me ndjenja atdhetare e demokratike. Me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, megjithëse në moshë të re, hyn në shërbim të Qeverisë së Vlorës në armën e xhandarmërisë si njeri besnik dhe si një nga luftëtarët e saj të parë. Në këtë armë vazhdoi të shërbejë deri në vitin 1920. Për këtë detyrë, veprimtari dhe aktivitet të tij më mirë dhe më të plotë e referon dhe gazeta “Politika” e Vlorës e datës 10 prillit të vitit 1924. Në periudhën përgatitore të epopesë të Luftës së Vlorës të vitit 1920, Hamza Nurçe ishte një nga nismëtarët dhe organizatorët e luftës në Mesaplik. Duke bashkëpunuar ngushtë me Halim Xhelon, Murat Miftarin, Rexhep Sulejmanin. Qazim Ademin, Zaçe Xhelon e shumë të tjerë, ai bëri një punë të madhe për të ngritur lart shpirtin luftarak të popullit kundër pushtimit italian. Më gjerë dhe më qartë këtë aktivitet të Hamza Nurçes e gjejmë në Këngët popullore kushtuar Luftës çlirimtare të viteve 1918-1920.

Postkomandanti i Komunës Brataj
Hamza Nurçe së bashku me Halim Xhelon dhe patriotët e tjerë vlonjatë, me forcat e organizuara prej tij, së bashku me forca të tjera popullore, çarmatosën dhe dëbuan postën e karabinierisë italiane në Tërbaç. Dhe, po kështu, me ndihmën e fshatarëve smokthinjotë, organizuan dhe çarmatosën një kompani tjetër shëtitëse italiane në Smokthinë para fillimit të veprimeve luftarake të Luftës së Vlorës më 1920. Për këtë aktivitet të Hamza Nurçes, veterani i Luftës së Vlorës 1920 Shaqo Derri, në kumtesën e tij mbajtur me rastin e 25 vjetorit të çetës “Zigur Lelo”, tregon qartë si moshatar dhe pjesëmarrës, si bashkëfshatar dhe bashkëmoshatar i tij, tërë aktivitetin dhe veprimtarinë luftarake dhe atdhetare të këtij trimi dhe luftëtari të çështjes kombëtare. Në historikun e Smokthinës theksohet se pasi u përshëndet nga Osman Haxhiu, postkomandanti i Komunës Brataj, kapter Hamza Nurçe për faktin se rreshtoi xhandarët qysh në fillim me kryengritësit dhe mori të gjitha masat si ushtarak për organizimin dhe zhvillimin e Luftës së Vlorës të vitit 1920, sidomos në garnizonet e Gjormit dhe të Kotës. Luftëtarët popullorë kishin një përgatitje morale, organizim e disiplinë të lartë, ndërsa pajisjet luftarake i kishin me mungesa të mëdha. Organizimi i çetave, furnizimi i tyre dhe drejtimi luftarak ishin krejtësisht popullor. Forma e luftimit kishte gjithashtu karakter popullor, që mbështeteshin në iniciativën krijuese dhe vepruese të luftëtarëve popullor. Shumica e luftëtarëve u rreshtuan në formacione pa armë, dhe filluan veprimet luftarake duke pasur vetëm një sëpatë e një hanxharë etj. Ata që ishin me armë kishin sasi të kufizuar municionesh. Komandantët e çetave u zgjodhën nga vetë luftëtarët; ata nuk kishin grada, megjithatë, autoriteti i tyre ishte i madh, urdhrat e tyre të thjeshta e të qarta pranoheshin e zbatoheshin me vetëdije e përpikëri. Radhët e luftëtarëve karakterizoheshin nga rregulli, disiplina, vendosmëria, burrëria e trimëria. Hamza Nurçe së bashku me të vëllanë Ali, morën pjesë me armë në dorë, të organizuar në forcat e Shullërit, gjatë gjithë organizimit dhe zhvillimit të veprimeve luftarake, sipas fazave të zhvillimit të luftës, duke u shquar për qëndresë dhe trimëri. Në këto luftime ai dhe u plagos. Kënga popullor e ka përjetësuar kështu: Mesovoni maja-maja, të xhumanë u bë hataja, u vranë djemtë nga kazaja. Në majë, në Xhuherinë, dhanë jetën e dot s’u ngjitën, Hamzua me Bajram Qamilë, gjenë dhe Çaush Tafilë, e kish marrë një plumb në brinjë.

Oficer me gradën e nëntogerit
Në këtë luftë të pabarabartë me forca, njerëz dhe mjete, Hamza Nurçe, ashtu si dhe figura të tjera luftëtarë të Lumit të Vlorës, si Hasan Hyso, Selman Hyseni, Koçi Selfo, Avdurraman Çiraku e shumë të tjerë, cilësohet si një nga burrat e shquar të kësaj krahine duke qëndruar besnik deri në fund të çlirimit të plotë të Vlorës. Për këto merita, si luftëtar dhe organizator e komandues në këtë luftë Hamza Nurçen, Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” dhe Qeveria e Vlorës në shtator të vitit 1920, së bashku me 15-20 të tjerë e gradon oficer me gradën e nëntogerit. Ai vazhdon të shërbejë me dinjitet deri në marsin e vitit 1924, kur për dyshime dhe për mungesë besnikërie ndaj regjimit në fuqi, Hamzai ç’mobilizohet dhe nxirret në lirim, pa pension të caktuar, ka shkruar gazeta “Politika” e Vlorës e 10 prillit të 1924. Ndikimi i ideve përparimtare dhe patriotike, si dhe influenca e Avni Rustemit në Smokthinë duket dhe në një artikull të botuar në datën 9 dhjetor 1920 në gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, të Vlorës, me titull “Nga Mesapliku”. Në të bëhet një vlerësim i merituar i qëndrimit të mbajtur nga populli i Mesaplikut dhe i Smokthinës në ngjarjet që po përjetonte vendi nën ndikimin e ideve progresiste e demokratike. Në shtypin e kohës shkruhej: “Ndërkohë në fshatin e Ramicës (Kaza e Vlorës) u festua lirimi nga burgu i Avniut. Populli i fshatit, më shumë se 100 veta nën drejtimin e Zaçe Xhelos, u mblodhën dhe dhe përshkuan rrugët e fshatit duke kënduar këngë kombëtare dhe kërcyen valle labërishte. “Opinga”. Ky ishte pseudonimi i Halim Xhelos.

Anëtar në shoqëri “Bashkimi”
Ndërsa klasat feudo-borgjeze punonin për të forcuar pushtetin e tyre, vegjëlia, shtresat e varfra po grumbulloheshin rreth Federatës “Atdheu”, e krijuar që në prill 1921 (25 prill-3 maj 1921) nga Avni Rustemi dhe Halim Xhelo. Ajo nisi të luante një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit dhe në lëvizjet demokratike të kohës. Përballë ndjekjeve të qeverisë, Federata, më 13 tetor 1922 u detyrua të ndryshojë emrin në shoqëri “Bashkimi”, redaktor i së cilës ishte Halim Xhelo. Programi i organizatës “Bashkimi” parashikonte realizimin e një sërë reformave me karakter demokratik, në interes të vegjëlisë. Programi parashikonte luftë kundër feudalizmit, keqtrajtimeve, shpërdorimeve të pushtetit dhe intrigave të klasave sunduese feudale, si dhe masa për emancipimin e gruas, edukimin patriotik, mbrojtjen e interesave kombëtare nga synimet imperialiste etj. Shoqëria “Bashkimi” u mbështet dhe nga popullsia e Smokthinës. Organi i shoqërisë “Bashkimi” ishte gazeta “Politika”, e cila u bë tribunë e forcave përparimtare dhe edukimit revolucionar të brezave të rinj, një arenë e luftës politike për demaskimin e synimeve antikombëtare të klasave shfrytëzuese. Në programin e organizatës “Bashkimi” parashikohej realizimi i një serë masash me karakter demokratik që shprehte interesat e vegjëlisë. Ndaj dhe pjesëmarrja e smokthinjotëve ishte e lartë, ku bën pjesë dhe Hamza Nurçe Elezaj. Midis atyre që morën pjesë në revolucionin e qershorit dhe që i dhanë regjimit demokratik të Nolit mbështetje, ishte dhe ushtaraku Hamza Nurçe Elezaj, i cili rezistoi me shumë kurveleshas dhe smokthinjotë në Qafën e Tujanit në Tiranë, edhe pasi ishte rrëzuar qeveria e Nolit. Hamza Nurçe së bashku me të vëllanë Aliun pas tre muajve merr pjesë aktivisht në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924 duke komanduar edhe një pjesë të forcave kryengritëse. Qartë e referon për këtë aktivitet të tij, gazeta “Bashkimi” e datës 29 gusht 1929. Me fitoren e kryengritjes së qershorit të vitit 1924, Hamzai qëndron si oficer në shërbim të Ushtrisë Kombëtare në detyra komanduese, e cila e vlerësonte si një nga ushtarakët besnikë dhe të aftë për të kryer dhe plotësuar detyra në ruajtjen dhe në sigurinë e fitores së arritur. Ai u emërua nga qeveria demokratike e Nolit rreth komandant në nënprefekturën e Pukës, ku shërbeu deri në dhjetor 1924.

Figurë e dëgjuar dhe referuar nëpër dokumente
Me kthimin e forcave mercenare të kryesuara nga Amet Zogolli, Hamza Nurçe arratiset dhe shkon të jetojë në vendlindjen e tij, në Ramicë, Vlorë. Por ekspedita zogolliane e komanduar nga majori Taf Kaziu u vu menjëherë në kërkim dhe ndjekje të tij, duke përdorur shumë represione në krahinën e Mesaplikut dhe në Vlorë dhe duke kërkuar me insistim dorëzimin e Hamza Nurçes, të vëllait të tij, Aliut, që qëndronte në kushte dhe rrethana arratisje. Për këtë, ekspeditat ndëshkimore marrin familjen dhe të afërmit mbasi i arrestojnë si shumë bashkëfshatarë të tjerë strehues të tij dhe të vëllait. Duke qenë në kushte të rënda persekutimi dhe përndjekje me të gjithë familjen dhe të afërmit e tij, në kushte tepër të vështira me gjithë familje dhe të afërmit e tij, ndërron jetë në shkurt të vitit 1927. Për jetën, aktivitetin dhe veprimtarinë e atdhetarit patriot Hamza Nurçe Elezi (Smokthina), flasin më mirë se dokumentet e shkruara, ata që e kanë njohur, dhe në mënyrë të veçantë një informacion me rëndësi historike të japin faqet e historikut të fshatit Ramicë dhe te krahinës së Mesaplikut, të qytetit të Vlorës për të cilën ai luftoi, e punoi pa reshtur familjarisht deri sa dha frymën në moshën 33 vjeçare, kur nga gjithë këto vuajtje dhe persekutime, lodhje dhe plagët e marra, përcillet në dheun e tokës mëmë, i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë, ashtu si ishte njohur qysh në moshë të re, kur hodhi pushkën në krahë për pavarësinë e vatanit. Për këto merita të punës së pa lodhur dhe të luftës që bëri, Hamza Nurçe është i dekoruar nga Kuvendi Popullor me medaljen “Për veprimtari patriotike”. Hamza Nurçe Elezi (Smokthina) u njoh dhe mbeti në historinë e Kombit Shqiptar një figurë e dëgjuar dhe referuar nëpër dokumentet e arkivave tona dhe në faqet e shtypit të kohës së viteve 1912-1927, pasi e gjithë jeta e tij u karakterizua nga sakrifica sublime për çështjen e madhe kombëtare.
Sigal