Gustav Weigand dhe gjuha zyrtare shqipe

1174
Sigal

 “Gegërishtja e jugut”, versioni shkencor i Profesorit të Universitetit të Lajpcigut që i qëndroi kohës 

 

Që para 100 vjetësh, në vigjilje të lindjes së shtetit të ri shqiptar, albanologu gjerman, Gustav Weigand, një dijetar që u mor pjesën më të madhe të jetës me çështjet ballkanike, dha dy ide të mëdha për projektin e ri të ndërtimit të Shqipërisë, që gjuha zyrtare shqipe të bazohej mbi gegërishten e jugut, me të folmen e Elbasanit, çka u realizua dhe gjeti zbatim më vonë, dhe ideja e dytë, ishte që Elbasani të behej kryeqytet i Shqipërisë, por që për arsyet që dihen nuk u realizua asnjë herë. Po ja ç’thotë vetë profesori i Lajpcigut në një nga veprat e tij lidhur me këto dy ide dhe konkretisht në gramatikën së tij që u mbështet pikërisht mbi gegërishten jugore:  “Mund të ngrihet pyetja, përse vura në themel të gramatikës sime dialektin geg jugor të Elbasanit. Pata arsye të ndryshme: ishte e domosdoshme më së pari që të zgjidhja një dialekt qendror, i cili është i kuptueshëm si për toskët ashtu dhe për gegët, e këtu vinte në diskutim vetëm gegërishtja jugore, edhe pse deri atëherë nuk përdorej si gjuhë letrare. Shqipëria e Mesme është kryesisht muhamedane, e këtu zhvillimi aq më pak ngulitja e gjuhës kombëtare ishte i pamundur për shkak të fanatizmit të klerit, ndërkohë që, në Veri, falë propagandës katolike, u nxit drejtpërdrejt zhvillimi i një letërsie në gjuhën kombëtare me alfabet latin. Në jug te toskët, ku prej kohësh shkollat greke kanë ndikuar për emancipimin dhe kulturën, shpejt filloi edhe shkrimi i gjuhës amtare; edhe këtu zuri vend një propagandë e fortë kombëtare, kështu ndodhi që gegët e jugut përdorin si gjuhë shkrimi toskërishten dhe jo dialektin e tyre. Mirëpo kjo toskërishte, që i përgjigjet pak a shumë dialektit të Korçës, paraqet vështirësi të mëdha për gegët e veriut, si për trajtat më të plota ashtu dhe për fjalorin. Anasjelltas, gegërishtja e veriut (shkodranishtja), për shkak të trajtave të saj me sinkopë (rënie zanoresh) të fortë dhe kthimin në fërkuese të fonemave qiellzore, shpesh është për toskët e pakuptueshme. Të gjitha këto vështirësi bien në qoftë se merret gegërishtja jugore. Elbasani, për arsye të vendndodhjes së tij në qendër të Shqipërisë, në një zonë thjesht shqiptare, anë Via Egnatias së vjetër në luginën e Shkumbinit, ku ndahen rrugët që shkojnë drejt Tiranës, drejt Durrësit, drejt Beratit-Vlorës, është si i paracaktuar të bëhet kryeqyteti i një Shqipërie të lirë, e cila në këto çaste që po shkruaj ende nuk ekziston, por që i ka të gjitha gjasat të realizohet. Hapja e një shkolle pedagogjike në këtë qytet është fillimi më i mirë, për t’i dhënë elbasanishtes, përkatësisht gegërishtes jugore vendin që ajo meriton.” Profesor Aleksandër Xhuvani, drejtori i Shkollës Normale të Elbasanit, e përdor argumentin dhe intuitën shkencore të Weigandit, duke thënë se gramatika e tij duhej marrë si “udhëheqës për hartim të librave shkollarë”.

Veprat e profesorit

Veprat e tij janë themelore për gjuhët rumune (Atlas gjuhësor i trevës dako-rumune, në 2 vëllimi 1898, 1909), arumune (Arumunët, në dy vëllime 1894-1895), bullgare (Fjalor bullgarisht-gjermanisht dhe Biblioteka bullgare, 9 vëllimi nga 1916-1919) shqipe (Gramatikë e gjuhës shqipe, 1913, Fjalor shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip 1914). Studimet e tij për gjuhën dhe etnografinë e këtyre popujve i shoqëronte me qëndrime të gjata në vendet përkatëse. Kërkimet më intensive i ka bërë në Rumani, në Maqedoni, Olimp e Pind me vllahët e këtyre trevave.

Gabime, që nuk ia zbehin shkëlqimin

Në opsionet shkencore lidhur me shqiptarët dhe origjinën e tyre Weigand gabon në dy çështje; E para, në prejardhjen e shqiptarëve, të cilin e nxjerr jo nga ilirët, pasi, sipas tij, gjuha shqipe është e varfër në terminologjinë detare; dhe teza e dytë e gabuar, se gjuha shqipe nuk ka të bëjë me gjuhën rumune. Të dyja këto teza janë hedhur poshtë nga albanologët të ndryshëm. Madje, për të dytën, është marrë vetë Eqrem Çabej, i cili shpreh të kundërtën, se gjuha shqipe dhe rumune për shkak të afërsisë gjeografike dikur kanë qenë e njëjta gjuhë që më pas janë ndarë dhe kanë evoluar secila për llogari të vetë. Pavarësisht këtyre gabimeve, të cilat natyrisht kanë bërë edhe punën e tyre, e kanë zbehur disi emrin e tij, përsëri ai ngelet një shkencëtar albanolog me një kontribut të shquar, që duhet vlerësuar ashtu siç është vlerësuar në disa vende ballkanike për të cilat ai punoi si në Rumani, Bullgari, Greqi etj., ku ka emra rrugësh, shkollash, institucionesh etj..

 

Kush ishte profesor Weigand

Për ta thënë që në fillim, veç studimeve të mëdha dhe serioze mbi çështjet ballkanike dhe sidomos të vllahëve, Weigand, pasi humbi dy fëmijë gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjeti një mënyrë origjinale për të ruajtur energjitë nga dhimbja dhe vetmia, u dha i tëri pas ndërtimeve, pas vreshtarisë dhe frutikulturës. Ai ndërtoi vetë shtëpitë me materiale rrethanore, tulla dhe baltë dhe zbukuroi një kopshti të madh, të cilin e kishte trajtësuar gjithashtu pas kujtimesh nga vendet e ndryshme të Ballkanit që hulumtoi në jetën e tij. Që nga viti 1888 e deri në vitin 1930, që vdiq do të ishte docent e profesor i gjuhëve romane pranë Universitetit të Lajpcigut. Më 1893 ngre këtu Institutin për gjuhën rumune, i pari i këtij lloji jashtë kufijve të Rumanisë. Ai ishte ndër dijetarët e rrallë që zhvilloi  konceptin e filologjisë ballkanike, duke njohur disa gjuhë të gadishullit, që megjithëse të ndara si gjuhë më vete, megjithatë ato kanë karakteristika të përbashkëta dhe përbëjnë një familje të madhe falë shkëmbimeve dhe ndikimeve të shumta që kanë pësuar ato nga njëra-tjetra në rrjedhë të shekujve. Profesori i Lajpcigut e mësoi shqipen më së pari si toskërishte në Manastir, pastaj me një elbasanas gegërishten në Athinë. Ka qëndruar dy herë në Shqipëri të mesme, sidomos në Elbasan, para se t’i jepte formën përfundimtare Gramatikës së tij që u mbështet mbi gegërishten jugore.